Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Halil Matoshi: Mir'mjes Kosovë/ Washingtoni i (vetë)plagosur kosovar/KOHA Ditore, 3 nëntor, 2010

Shko poshtë

Halil Matoshi: Mir'mjes Kosovë/ Washingtoni i (vetë)plagosur kosovar/KOHA Ditore, 3 nëntor, 2010 Empty Halil Matoshi: Mir'mjes Kosovë/ Washingtoni i (vetë)plagosur kosovar/KOHA Ditore, 3 nëntor, 2010

Mesazh nga Agim Gashi Thu Nov 04, 2010 3:53 pm


Halil Matoshi: Mir'mjes Kosovë/ Washingtoni i (vetë)plagosur kosovar/KOHA Ditore, 3 nëntor, 2010




Halil Matoshi: Mir'mjes Kosovë/ Washingtoni i (vetë)plagosur kosovar/KOHA Ditore, 3 nëntor, 2010 49015_696552320_7953414_n
Kryeministri i Kosovës e fitoi epitetin “Georg Washingtoni i Kosovës” por e vërteta është se shkëlqimi i tij ishte “aureol pa dritë“. Ai ka vepruar krejtësisht kundër një rreshti nga himni i SHBA-ve që thotë “besoja lirinë ligjit”, ai lirinë e qytetarëve të Kosovës e uli tek pluhuri, sikur t’iu thoshte: “Gjunjëzohuni”!

Hashim Thaçi me t’u kthyer nga lufta në Prishtinë më 1999, si një revolucionar që po e varte uniformen kamuflazh në vitrinë dhe po vishte smokingun e politikanit demokrat, kishte thënë diçka të ngjashme si: “Shoqëria jonë e ardhshme do të jetë e lirë, pa represion, egërsi dhe dhunë, një shoqëri demokratike”.
Ajatollah Ruhollah Khomeini, lider i Revolucionit Iranian të vitit 1979, tha më 1978 se: “Shoqëria jonë e ardhshme do të jetë një shoqëri e lirë dhe të gjitha elementet e represionit, egërsisë dhe dhunës do të shkatërrohen”.
Por marramendshëm regjimi në Iran u egërsua nga flagranca e gënjeshtrës së vet gjithnjë e më të madhe, duke qëndruar në pushtet vetëm përmes dhunës së revolucionarit me petka perse e parulla staliniste, Ahmadinexhad.
Asnjë gjykim i manipuluar nuk mund ta bëjë falsitetin të vërtetë.
Së paku jo përgjithmonë.
Dhe këtë duhej ta kuptonte më herët Kryeministri i Kosovës.
Më 14 dhjetor, 1799, plot 211 vjet më parë vdes George Washingtoni. Raportohet se fjalët e tij të fundit ishin: “Po e ndjej se po shkoj. Ju faleminderit për vëmendjen tuaj, por lutem që të mos keni telashe me mua. Më lejoni që të shkoj i qetë. Nuk mund të vazhdoj përgjithmonë.” 2010 vjet më vonë nënpresidenti i SHBA-ve Joe Biden do ta quante Kryeministrin Hashim Thaçi si “George Washingtoni i Kosovës”, por ky Washingtoni kosovar nuk do që të shkojë pa pasur telashe me të. As nuk i lë të qetë qytetarët!
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ditën kur duhej të mos ishte më Kryeministër, mbajti njërin nga fjalimet e shumta “historike” të tij, para Kuvendit të Kosovës, me plotë lëvdata për vetën, me një egocentrizëm të paparë dhe pa asnjë kritikë për të këqijat që i ndodhën vendit në këto tre vjet të qeverisjes së tij.
Fjalimi i Kryeministrit Thaçi para Kuvendit të Kosovës më 2 nëntor 2010 me tërë shkëlqimin e falsitetit të fakteve, nuk i fshehte “veprat e tij madhore”, që sipas tij i ka arritur Qeveria e tij. Nuk mund të gdhendësh epope në drurin e kalbur, sepse modeli qeverisës i ideuar nga PDK-ja dhe Thaçi, ndonëse kanë shumë nevojë për gdhendje heroizmash e epopesh, ia shkruan vetës epitafin. Ishin të papërfillshëm ndaj kritikave dhe skajshmërisht të vetëmjaftueshëm dhe nuk e dinin se edhe qeveritarët qeverisen!
Një Qeveri kudo në botë, qoftë edhe në vendin e George Washingtonit bie për shkak të keqqeverisjes, thjeshtë nuk i jepet votëbesimi në “Tempullin e Popullit”.
Por askund në botë asnjë Qeveri nuk e rrëzon vetën, duke i kërkuar shkarkimin partisë së tij dhe madje edhe opozitës, (pra të votojë rrëzimin e vet!?), paçka se Qeveria kosovare paskësh qenë e shkëlqyeshme! Kjo po ndodh vetëm në Kosovë.
Qeveria e tillë do të duhej të binte qëmoti. Shkaqet dihen.
Deputeti Ardian Gjini dhe një dëshmi të mirë dhe diagnozë të saktë para shoqërisë kosovare, përse është dashur që mocioni i votëbesimit ndaj Qeverisë së Hashim Thaçit të kërkohej shumë më përpara, që vendi të mos dëmtohej dhe që të mos vinte te kjo shthurje fatale e institucioneve të shtetit.
Isha njëri prej gazetarëve të fundit që sado në pakicë dhe nën presion, kritikuan qeverisjen aktuale, jo vetëm për të gjetur vrima në djathë por duke besuar, ndoshta naivisht, se Qeveria Thaçi do të ndërronte kursin duke u shkëputur nga vazhdimësia autoritariste.
U pa se nuk i shkoi as ndërmend. Dhe as që do të ndërrojë gjë edhe nëse merr një mandat të ri. Qytetarët e Kosovës që nuk e votojnë partinë e tij nuk presin asgjë të mirë.
Ata që e votojnë PDK-në po ashtu nuk presin asgjë më të mirë, vetëm se dallimi qëndron në faktin se mbështetësit e PDK-së e perceptojnë realitetin në mënyrën e tyre si epope mbi një lis të shkallmuar e të kalbëzuar, ashiqare iu duket O.K.
Duke injoruar rrezikun dhe kërcënimet e herëpashershme, mbeta aq gjatë në këtë front, aq sa munda dhe për aq sa pata fakte. Çdo gjë brenda meje “u rebelua” kundër dorëzimit të heshtur përballë grupit rreth Kryeministrit Hashim Thaçi, që e kishte për specialitet grabitjen e pushtetit përmes abuzimit të votës dhe grabitjen e thesarit të shtetit përmes tenderëve. Ky model qeverisës e ka thyer balancën mes institucioneve të ngritura nga qytetaria dhe revolucionit, qëllimi i të cilit, sipas Roger Cohenit të New York Timesit, është i thjeshtë: asnjë dëshmitar okularë për krimin.
Nuk është thënë kot se përgjatë një konflikti, viktima e parë rëndom është e vërteta.
Prej shtyllave të gazetës “Koha Ditore” kam rënkuar, ndoshta edhe bërtitur ndonjëherë, por tashti jam i qetë, i vetëdijshëm, se Qeveria Thaçi krijoi një distancë të trishtueshme ndaj problemeve të vërteta të shoqërisë kosovare, prandaj duhej të binte, qoftë edhe në këtë mënyrë, të palavdishme. Këtë vetë-rënie ata e kuptojnë si ri-ardhje të shpejtë në kolltukët e tyre dhe kjo do të varet nga vullneti politik i elektoratit kosovar. Por Hashim Thaçi eventualisht mund të vijë në krye të Qeverisë së ardhshme përfundimisht i plagosur, pikërisht për shkak të palavdisë e cila e shoqëroi shkuarjen e tij nga ky mandat. Nuk dua të paragjykoj, por rikthimin e të njëjtëve e ndjej si tradhti të vetë shoqërisë kosovare ndaj të gjithë atyre zërave të guximshëm e kritikë, që mëtonin të emanciponin këtë Qeveri e ta mbronin interesin publik. Ishte punë koti. Këtë e them me një përgjegjësi të vërtetë prej gazetari. Eksponentët e kësaj logjike qeverisjeje, që më shumë ua kënda të sundojnë me regjim të kontrollit të plotë se sa të qeverisin duke qenë të qeverisur edhe vetë, tradhtuan idealin e lirisë. Personalisht ndihem triumfues, që s’i kam bërë lajka këtij koncepti qeverisës të kontrollit të gjithçkahit dhe të abuzimit me gjithçkanë!
Dhe kjo më bind se gazetaria nuk është një çështje aq joserioze qysh e kupton Kryeministri. Me ndjenjën se shoqëria mund ta tradhtojë vetën u riktheva në Sheshin Nëna Terezë, ditën kur binte Qeveria Thaçi, më 2 nëntor 2010, dhe aty, me një pasion të prekshëm, një grua më tha: “Na vorfnuen, i vraftë Zoti “. Ishte një britmë, që si gazetar duhet t’i bëhesha dëshmitar. Ajo grua e di se me rrogën “e rritur” nga kjo Qeveri sot blen 27 për qind më pak se një vit më parë.
Cohen thotë se të jesh dëshmitar do të thotë të jesh i pranishëm si në një krim po aq edhe në një festë – dhe kjo ka një kosto të lartë. Asnjë makinë kërkuese në internet nuk ua jep erën e krimit, dridhjen në ajër, sytë që digjen, apo kadencën e një britme. Do të parapëlqeja të isha dëshmitar në festën e Thaçit në përmbyllje të një mandati të frytshëm, kur ai do të qëndronte në krah të qytetarit. Por kjo s’ndodhi.
Po a pati Kosova mjaft dëshmitarë më 2009. Natyrisht se po.
A nuk u shkrua dhe nuk u fol për abuzimin me paratë publike nga ana e pushtetit, për deficitet demokratike, për ndrydhjen si pleshti në darë të shtypit të lirë; a nuk u shkrua për tenderët që dëmtonin arkën e shtetit me miliona euro, për firmat fantome që fitonin tenderë dhe ua shisnin kompanive të treta; a nuk u tha se politika është kriminalizuar dhe se, procesi zgjedhor degradoi në vjedhje të votës?
Më duket sikur u tha krejt dhe mbeti sërish një e pathënë. Askush nuk shkoi në burg për krim të organizuar dhe sidomos jo për vjedhje vote. Gjithçka tjetër nuk është fakt i drejtpërdrejtë por stolisje. E stolisje, pati Qeveria me bollëk, reformatizim, një kerr gazeta që mbahen me paratë e publikut e që përfundojnë në xhepat e disa kinse-botuesve të PDK-së dhe një transmetues publik i mbytur në censurë dhe autocensurë.
Ne gazetarët mbesim këtu, “në ring” me kësmet edhe me Qeverinë e ardhshme, cila do qoftë ajo.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi