Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi

Shko poshtë

Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi Empty Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi

Mesazh nga Agim Gashi Mon Nov 24, 2008 11:05 am


Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi U1_22
Lek Pervizi ne moshen kur u arrestua, burgos e internua 40 vjet.
Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi
Nga Këze (Kozeta) Zylo
Z. Lek Pervizi është një ndër intelektualët e shquar të Kombit, që provoi ferrin komunist, kalvarin e vuajtjeve, si i burgosur, internuar, me 16 viktima në familjen e tij, varret e te cilëva akoma nuk dihen, pëvecse të nënës dhe të vëllait të tij Gencit.
Janë mijëra viktima të pafajshme që pësuan këtë fat tragjik!
Kultura e tij e gjerë, por mbi të gjitha një bashkëshort shembullor, bënte që të gjente dhe castet romantike në internim me gruan e tij Beben, emër që ja pagëzuan të internuarit, pasi ishte fëmija i paktë që i shpëtoi vdekjes në kampin e internimit.
…Bebes i kërkuan që të plotësonte një formular ku pranonte me shkue me t'amën e vllaznit në Mal të Zi. Ajo e mori formularin dhe e grisi para syve të çuditun të oficerit të degës duke i thënë: “E kam zgjedhur fatin tim, do të rri me Lekën”.
Sot në moshën 79 vjecare ai jeton i lirë, dhe bën një jetë aktive në Bruksel. Eshtë botuesi i revistës “Kuq e Zi” ku për 15 vjet rresht në këtë revistë janë pasqyruar ngjarjet më të rëndësishme të Kombit, figurat e shquara të letërsisë dhe artit!
Ju keni jetuar ferrin komunist, cili ishte shkaku i dënimit dhe për sa kohë ndenjët në burg dhe të internuar?
Shkaku kryesor i dënimeve që më përfshinë me gjithë familjen e fisin, ishte prindi im Gjeneral Prenk Pervizi, i cili, sa ishte në Shqipëri i ishte kundërvenë regjimit komunist deri me 1946, kur u arratis jashtë shtetit. Si rrjedhim filloi persekutimi, i cili nisi me djegien e shtëpive në Laç e në Skuraj, si ne kohën e mesjetës, katër kulla gjithsejt, që ishin djegur dhe dy herë të tjera prej taborrëve turke, bombarduar prej gjermanëve e që së fundi më 1944-1945 u dogjën nga hordhitë barbare komuniste të ashtuquejtura “çlirimtare”, që nuk lanë gjë pa bërë mbi popullin e tyre, më keq se një ushtri e huaj pushtuese. Emërtimi “çlirimtar” ishte një gënjeshtër e madhe, që servirej për të mashtruar vendin e popullin.
Na konfiskuan pronat e grabitën pasuritë, bashkë me një shtëpi tjetër në Tiranë, te blloku, rruga Vaso Pasha 19, që akoma nuk na është kthyer. Na dëbuan nga shtëpia, në të cilën këshilli popullor futi disa partizanë që akoma e pushtojnë atë. Banesa ishte konfiskue me dekret qeveritar e me dekret duhej të kthehej, por kjo nuk u bë, dhe kemi 15 vjet me gjyqe pa kuptim. U internuam, së pari mama e gjyshja. Vëllai i madh Valentini, oficer akademist, ishte arrestuar e burgosur që më dhjetor 1944 në Shkodër, edhe vëllai i dytë Genci, aviator, ishte dënuar 10 vjet. Unë si më i vogli shpëtova 5 vjetët e parë e pastaj më 1950, përfundova drejt e në kalanë mesjetare të Porto Palermos, me gjithë vëllanë Valentin. Aty na pllakosën në guvat mesjetare të kalasë ku do të kishim lënë kockat bashkë me shumë të tjerë. Flinim mbi shtresën prej kalldrëmi gjithë lagështirë. Kthinat ngjanin si shpella ciklopësh. Ushqimi ishte për faqe të zezë dhe i pamjaftueshëm. Buka e qullosun. Filluen sëmundjet; kryesisht dizanteria. U bë sebep një nëndetese greke që qarkulloi aty së pari, e nje barkë transporti italiane që u kap, që na hoqën e na çuen në Tepelenë.



Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi U1_1
Beba 6 vjeçe kur doli nga Tepelena në Plug te Lushnjes.
Internimet në Shqiperi nisën që më 1945, fillimisht në Berat, për familjet Veriore dhe në Krujë për familjet Jugore. Por u hap një fjalë se po i grumbullonin për t’i degdisun në Siberi, sipas planit sovjetiko-shqiptar. A e vërtetë apo thashetheme, të internuarve ju hyri frika. Në vend të Siberisë më 1948 u krijua kampi famëkeq i Tepelenës ku u mbyllën në rrethim me tela me gjëmba për gjashtë vjet me mijera qënje njerëzore shqiptare tëpafajshme, pleq e plaka, burra e gra, nana me fëmijë djepi, ku pati edhe lindje. Në atë kamp mizor vdiqën shumë fëmijë ( 33 fëmijë vdiqen vetëm në një natë ) e pleq. Ajo gjëndje nuk kurseu as burra as gra. Të aftit për pune, i nështroheshin mundimeve skllevërore. Aty vdiq ghyshja 90 vjeçe, dy kushërinj e dy kushërira me fëmijet e tyre, përsa i përket rrethit tonë familjar e fisnor. Sigurisht se edhe familje të tjera i humbën të dashurit e tyre në ato kondita shtazarake. Më e keqja e makabre ishte se të vdekurve ua ndërruan tri herë varret, kastile për të humbur gjurmët e varrezave të shumta që kishin mbuluar vendin rreth kampit. Atyne varreve nuk u gjëndet më gjurma. Në ato kushte skëterrore më erdhi frymëzimi për të përshkruar tmerrin që po përjetonin ato mijëra viktima të pafajshme. Kisha bërë edhe disa vizatime. Por nga një kontroll i rreptë që do bahej (më njoftoi një njeri besnik ) u detyrova t’i djeg të tana. Në fakt i mori nana ime dhe i dogji në zjarret që ndiznin gratë për larjen e rrobave të fëmijëve. Në disa raste ato zjarre shkaktuan plasjen e bombave të luftës italo-greke të mbetura nën dhe, dhe pati të internuar që u vranë. Edhe kjo një pasojë e atij kampi. Prej asaj dite fillova t’i ngulis vargjet në mendje. Për t’u stërvitur e mos humbur aftësinë e vargut poetik, u mora me përkthimin e Ferrit të Dantes, nga një libër i “Komedisë Hyjnore” që ma dha një oficer italian i iternuar aty me ne. Ishte dhe një anë justifikuese po të kërkonin se ç’shkruaja. Dante studiohej në shkollat shqiptare, pra njihej. Letra nuk ekzistonte, dhe unë mblidhja letrat e kaushëve të duhanit të pleqve, te cilët i ruanin kastile për mua. Pasi mësoja vjershat e mija përmendsh letrat i digjnja. Kështu munda me ruejtë përmendsh mjaft poezi. Pata mbledhë edhe vjersha rapsodike të krijuara nga vetë të internuarit, të cilat kam arritë t’i rindërtoj e t’i botoj në një vëllim “Lahutari Shqiptar”.
Cilat janë disa nga poezitë, krijimet dhe pikturat tuaja që u krijuan gjatë kohës së izolimit, dhe si u bë e mundur ruajtja e tyre?



Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi U1_3
U martua me Lek Pervizin, me 1965 e pati 3 djem.
Poezitë arrita t’i radhis e t’rindërtoj kur fitova lirinë në Belgjikë, në sajë të kujtesës së fortë që më ka karakterizuar gjithë jetën. Poezinë e parë e kam krijuar përmendsh në një birucë të burgut të vjetër ku më kishin izoluar në maj 1950, ku u arrestova.
Ajo poezi mban titullin, “Tinguj të Kobshëm”, e fillon me vargjet: Pushuen tashma kangët e rinisë…- shpejt filloi në zemrën time brenga - tinguj të kobshëm të nxjerrë prej lahutës… Kjo poezi qendron në ballë të librit, si një “prelud” ndaj tragjedisë së mëtejshme që do të shtjellohej në librin e poezive me titullin: “Ankimi i Zanave”. E përdora këtë titull simbas traditës së kangëve lëgjendare shqiptare, ku Zanat marrin pjesë në trimëritë e vuejtjet e heronjëve të tyre, ju këndojnë trimeritë por edhe kjajnë për vuejtjet e vdekjen e tyre.
Më 1954 kampi i Tepelenës u mbyll, nga presioni ndërkombëtar, dhe u krijuan kampet e punës së detyruar, në fushat e Myzeqesë, ku të internuarit u kthyen në bujk-robër. Por disa prej nesh u izoluan përsëri, në kampin e të burgosurve në Shtyllaz, duke hapur një kanal faraonik. E prej aty na degdisën në Kuç të Kurveleshit të Vlorës deri më 1958 në izolim total. Nuk ishim shumë, nja 100 vetë, por prej tyre 70-të ishin intelektualë me tituj të lartë, që i kishin shpëtuar ekzekutimit, e shumta shkodranë, ish ministra, diplomatë, profesorë, muzikantë, piktorë, fetarë, inxhinierë, shkrimtarë, poetë, gazetarë, oficerë madhorë, agronomë, juristë, gjuhëtarë, përkthyes, etj, të cilët i kishin kryer studimet në shkolla e universitete europiane. Pra një elitë e terë e aftë me drejtue Akademi e Universitete. Kështu kampi i Kuçit pati fatin të kthehet në një universitet dhe akademi e katakombave, me një elitë të tillë të zgjedhur itelektualësh të lartë, si: Kardinal Mikel Koliqi, Dr. Ali Erebara, Dr. Mykerrem Janina, Prof. Ali Cungu, Prof. Guljelm Deda, Dr. Izedin Beshiraj, shkrimari Dr. Mitat Araniti, oficerët akademistë Lin Deda, Luigj Berisha, Isa Kokalari, Ded Jakova, Valentin Pervizi, Zef Pali, vllaznit juristë Baldasar e Zef Benusi, Dr. Sabri Quku, Prof. Dr. Lazer Radi, agronomët Kadri Borshi, Faik Selenica, Jakov Milaj. Inxh. Estref Frasheri, Dr. Ibrahim Sokoli, Dr.Mark Temali, Dr.Sami Hysi, Dr.Mihal Sherko, Dr.Nedim Kokona, ish ministri i arsimit Zef Shiroka – (vellai i doktor Shirokës), diplomatët ambasadorë Pandeli Nase e Remzi Çela, Dr.Dilaver Tartari, gazetari Fiqri Llagami, Dr.Karlo Çoba, etj. etj. i përmenda gjithë këto emna, për të treguar, se si diktatura, pasi i kishte pushkatuar shumicën e intelektualëve, ata që mbetën i degdisi burgjeve e kampeve për t’i shuar fare. Në këto kondita ne të rinjtë përfitonim nga dituritë e këtyre figurave të shquara të kulturës shqiptare. Të rinjtë me të cilët ndaja shoqërinë në atë kamp ishin Fatbardh Kupi, Viktor e Ernest Dosti, Musa e Tomorr Maçi, Tomorr Dine, Thabit Rusi, Ylber Starova, etj.
Unë vazhdoja me poezitë e mija, gjithmonë me metodën e fiksimit të tyre në memorie. Këtu pata vizatuar disa portrete të atyre personaliteteve, skica në letra dosido, prej të cilëve me kanë shpëtuar disa, nja 10-15 copë. Eshte gruaja ime që ka meritën për shpëtimin e tyre. Ajo pothuajse lindi në internim, ku përfundoi me t’amën që në moshën e njomë katër muajshe më 1948, prej t’atit të arratisur jashte shtetit, Nikoll Malaj nga Vermoshi. Përjetoi gjashtë vjet të Tepelenës, e shpëtoi kot nga shfarosja e fëmijëve, dhe i ngeli emri Beba , si një bebe qe kishte shpëtuar dhe në atë konfuzion mortor i ishte ngatërruar edhe emri. Ajo quhet Gjuliana, por gjithë të internuarit e shoqeria e njohin për Beba. Me këtë emër ajo u bë lëgjenda e kampeve.
Cilët miq dhe bashkëvuajtesit tuaj kanë qenë më pranë jush në kohën e burgut dhe të internimit dhe a komunikonit me ta për pikëpamjet tuaja?
Për kohën e vuajtjeve, miqtë e dashamirët ishin pothuaj të gjithë të dënuarit. Por me që pyetja kërkon një përgjgje konkrete, mund të them, se një ndër bashkëvuejtësit mik e shkuar mikut, ka qenë Prof. Guljelm Deda, që ne e thirrnim Lemi. Ky intelektual i lartë
arriti të përkthejë në kondita aq të vështira të internimit, kryeveprën epiko heroike kalorsiake “Orlando Furioso” (Orlandi i çmendur) të poetit të madh italian Lodoviko Ariosto prej 40 vargjesh me rimë, në 17 vjet punë të kurajshme. Ishte një punë për të mbajtë të gjallë aftësinë e tij prej letrari e intelektuali të shquar Një punë prej murgu. Ai konsultohej me mua, që megjithëse i ri, kisha lexuar të gjitha poemet e asaj kohe të Rilindjes së hershme italiane, me Dante, Petrarka, Bocaccio, Ariosto, Tasso, Bojardo, Pulci , etj. Kështu që kisha një përvojë të forte mbi letërsinë e gjuhën italiane, edhe atë të vjetrën. Lemi kishte kaluar 45 vjet dënim ndër burgje e kampe internimi, prej të cilëve 10 vjet bashkë me ne. Miqësi të ngushtë kisha edhe me Mitat Aranitin, shkrimtar e gjuhëtar, përkthyes në shumë gjuhë, me një kulture poliedrike. Pastaj dua të permend prof. Lazër Radin me të cilin kisha punuar gati 20 vjet si marangoz e dizenjator, si edhe Ibrahim Sokolin, Dom Mikel Koliqi, Dom Nikoll Mazrreku, Ali Erebara, Ali Cungu. Patjetër se komunikonim mes nesh lirshëm, sa që zhvillonim edhe biseda pa asnjë rezervë, që quheshin të rrezikshme. Ishte një shoqëri e fortë dhe e vendosur ku njerëzit ruenin cilësitë e virtytet më të mira të shqiptarit.
Me këto njerëz ishte kultura që zinte vendin e nderit në çdo bisedë. Sigurisht se për të rinjtë si unë me shokë, ky kontakt me të tille intelektuale, vlente sa një auditor universitar ose akademik. Nje gjë më kujtohet mire, se e gjithë tema e bisedave ishte se si do të vepronim në lirine e fituar, kur të na lejohej shprehja e fjalës dhe e mendimit dhe Liria e qarkullimit në botën perëndimore. Flisnim për revista e gazeta që do të botonim, si dhe për ekzpozitat e pikturave që do të hapnim, për botimin e librave.
Një perspektive në dukje e paarritshme, e supozuar, por që edhe mund të realizohej. Siç e shihni, në ato katakomba vlonte shpirti i qëndresës në forma të ndryshme. Kjo na jepte kurajo me shty ditët, deri sa të arrinte dita e shpëtimit.


vijon


Edituar për herë të fundit nga Epirotarum në Mon Nov 24, 2008 11:07 am, edituar 1 herë gjithsej
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi Empty Re: Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi

Mesazh nga Agim Gashi Mon Nov 24, 2008 11:06 am

Kjo e gjitha.



Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi U1_4
Lek Pervizi me te vellanë Genc, studente ne Itali
Cil
ët shkrimtarë disidentë janë për ju shkrimtarë bashkëkohorë dhe a janë vlerësuar ata si duhet nga kritika e Letërsisë shqiptare?
Eshtë një pyetje shumë e zorshme. Disidenca në ato kondita të terrorit më t’egër që mund të mendohet, nuk mund të zhvillohej, as mund të guxonte të bente sikur gjoja zhvillohej.
As edhe një shkrimtar shqiptar nuk mund të pretendojë që të ketë qenë disident apo të jetë i përfolur për i tillë. Të mos harrojmë se si u shpreh shkrimtari arbëresho-argjentinas Sabato, kur erdhi në Shqipëri pas diktaturës : “I urrej ato shkrimtarë që kanë bashkëpunuar me diktaturën.” E kishte fjalën me disa shkrimtarë shqiptarë që e mbanin veten si “disidentë” të padeklaruar, sepse po të deklarohëshin përfundonin, ose u pritej koka ose plakoseshin në skëterrën e burgjeve e kampeve.
Flitet për disidence pa e kuptuar mire atë veprimtari që në një regjim totalitar duhej të zhvillohej që të merrte një emertim të tillë, siç ndodhi me Havelin apo Pasternakun e Solgjenicinin. Po a kishte mundësi kjo në ato kushte të diktaturës totalitare komuniste shqiptare, ku vetëm me një shikim të diktatorit të shkonte koka për fiq? E jo ma të merrte formë një disidence sa do embrionale? Them embrionale, sepse ajo që quhej vigjilenca e organeve te sigurimit e te partisë ishte aq e organizuar, sa që edhe fluturimi i një mize kontrollohej, e jo ma që dikush të shpaloste shkrime e libra ose te fliste apo llomotiste sipas qejfit e në kundërshtim me vijen e partise e te qeverise.
Nuk po permend emra, por sipas mendimit tim, duhen vlerësuar më tepër ata shkrimtarë dhe artistë, që qendruan kundësrshtarë të regjimit dhe u dënuan. E megjithese u dënuan, mbajtën një qëndrim të pamposhtun, duke iu kushtuar një krijimtarie të fshehur e mendore, që në rast se zbulohej ose spiunohej, u kushtonte dhe jetën, siç ndodhi me dy poetët e rinj, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka dhe së fundi me poetin Avzi Nela. Ose si Astrit Delvina, që dihej botnisht se shkruente, por jo për lavdinë e partisë e të shokut merhum. Astriti përfundoi edhe në burg. Nga vuajtjet e torturat u sëmur aty. Mori kancerin e vdiq sapo u lirua më 1990. Ku futet ky shkrimtar, a nuk qenka i përshtatshëm që të quhet disident ? Aq edhe më mirë të quhet kundështar. Ka më nder. Kemi të tjere si Nikoll Mazrrekun (me të cilin ndava Tepelenën e Lushnjën), i cili ka shkruar libra në gjendje burgu. Dorëshkrimin e tij i nxorën të burgosurit me marifete të pamendueshme, duke rrezikuar edhe jetën e tyre, po të zbuloheshin. Ku janë ato dorëshkrime e pse nuk botohen? A nuk qenka disidencë kjo të krijosh e të shkruajsh në gjendje burgu e internimi? Dikush më kërkonte të më shpjegonte, se disidente quhen vetëm ata shkrimtarë e intelektualë komunistë, që kundërshtojnë partinë e sitemin e tyre dhe i kundërvihen me vepra shkrimore apo artistike. Po si qenka e mundur që nën diktaturën komuniste në Shqipëri t’i lehohej ketij far lloj disidenti komunist “ndaj partisë e sitsemit ” që te shkruaj e të botojë vepra që nuk ndjekin vijen e realizmit socialist? Pra kalojmë në një gjendje absurditeti. Kurse te tjerët që u mbyllën në burgje e kampe, duhet të quhen shkrimtarë kundërshtarë. Sepse nuk janë disidentë ndaj partisë e regjimit, por e kundërshtojnë atë e prandaj janë dënuar. Këto janë dokrra që krijohen enkas për te krijue konfuzion dhe për të nënvleftësuar ata që bajtën peshën e rëndë te kryqit mbi shpatullat e tyne, njëkohësisht për t’ju njohur ish shkrimtarëve komunistë të drejtën për të çuar përpara letërsinë e kulturën shqiptare, siç po ndodh.
Përfundimisht unë personalisht nuk e kam dalluar as nuk e dalloj një disidencë të mirëfilltë, bile as edhe një pseudodisidencë që të meritueshme me u quejtë ashtu. Do t’ishte mirë që vëmendja e kritikëve dhe shkrimtarëve që merren me studimin e letërsisë të përqëndrohej mbi këtë kategori shkrimtarësh të dënuar e të masakruar. Kaq kisha me thanë.
Cilët shkrimtarë shqiptarë do të vlerësoni në kohën e diktaturës dhe post diktatoriale?
Që një shkrimtar të vlerësohet duhet që vepra e tij të pasqyrojë anën e mire të shoqërisë, dhe të dënojë anën e keqe të saj. Në kuptimin që të ruaj ato vlera të mirëfillta që shprehin lirinë e mendimit e të fjalës, të veshur me art, të dyja këto në shënjestrën e censurës së një sistemi diktatorial.
Unë nga ana ime mbaj mend ( e them për krahasim) kur vazhdoja studimet ne Itali, në Romë, që nën regjimin fashist kishte lindë e zhvillohej nje linjë letrare, zëdhënëse e asaj diktature,(siç ndodhi tek ne) që nuk honepsej nga lexuesit, të mësuar me lexue vepra të pa angazhueme me ideologji, ku liria e fjalës dhe e mendimit shprehej nepërmjet talentit dhe aftësive letrare te shkrimtarëve. Kështu, lexuesi italian, lexonte kryesisht veprat e përkthyera nga vendet e tjera perëndimore, ku përparësi kishin shkrimtarët anglezë e amerikanë, si Kronin, Shteinbek, Lewis, Mitchell, Galsworthy, Walpoole, Mann, etj. E për çudi edhe Shollohovi me Donin e Qetë, disa shkrimarë hungarezë, si Foldi, Zilahy, Kölmendi, Herzog,etj. Gjermanët si Fallada, Rilke, Remarku, etj. Preferoheshin romane, ku stili letrar ishte i përsosur dhe i lidhur me formën e përmbajtjen e lire. Aq të shpëlarë ishin librat e autorëve konformistë të fashizmit plot lëvdata e propaganda për sistemin, sa që nuk i blinte as i lexonte kush, dhe unë nga ana ime nuk mbaj mend që të kem lexue ndonjë të tillë. Aq neveritës ishin, siç ishin neveritës dengjet e romaneve të epokës së diktaturës, fund e krye propagandë komuniste. Nga ana tjetër propaganda fashiste i ngrinte në qiell si shkrimtarë të mëdhej (siç ndodhte tek ne në Shqiperi). Tani ato kanë përfunduar në koshin e plehrave e nuk ua di kush as emrin, as përmenden gjëkundi në ndonjë bisedë letrare. U është vënë viza. Nuk vlenin sepse i kishin shërbyer një sistemi diktatorial të urryer.
Tek ne po ndodh e kundërta. Orvaten që me çdo kusht të vlerësohen po ata shkrimtarë e krijues të tjerë ish komunistë, që veprat e tyre i kanë kthyer në atë propagandë të partisë në fuqi e të diktatorit sundues, me justifikimin se pasqyrojnë atë epokë.
Prandaj një letërsi e kushtëzuar ideologjikisht e në shërbim të një sistemi që ka shtypur e terrorizuar popullin e tij, nuk ka si të marrë kunorën e lavdisë. Une për vete time nuk mund t’i radhis në radhën e shkrimtarëve të mirëfilltë, që veprat e tyre ua kanë kushtuar subjekteve të lira dhe i kanë trajtuar me aftësi profesionale e me frymëzim të lire. Shkrimtarët e kohës së diktaturës nuk kanë si të vlerësohen as nuk mund të vlerësohen, përveçse negativisht, si konformistë dhë në shërbim të atij sistemi, si përçues të ideologjisë dhe të parimeve të imponuara të komunizmit. Çdo vepër e tyre ka vepruar si gryka e automatikut që ka vrarë shkrimtarë, poetë, artiste e intelektualë me vlerë shqiptare, vëllezër të tyre. Ajo letërsi mund të quhet letërsia e mohimit, sepse mohoi kryesisht lirinë dhe të drejtat e njeriut. Mohoi popullin e tij dhe gjithë kulturën e mirëfilltë shqiptare.
Tani, pas komunizmit, jemi në një fazë kërkuese, prove, orvajtjesh. Nuk ka dalë akoma shkrimtari i madh që të pasqyroje epopenë tragjike të një populli të terë. Aftësia e shkrimtarëve të mëdhej, eshtë që të pasqyrojnë ato vlera të mëdha të një populli, që në rastin tone, janë qëndresa vetëmohuese e bijve më të denjë të tij, në luftën e së mires kundër se keqes, e lirisë dhe e demokracisë kunder diktaturës.


Kthehemi gjithmonë te Iliada e Homerit, te Lufta e Trojës, që mishëron të gjithë luftnat, por që merr kuptimin e paraqitjes së botës së vjetër me gjithë mjedisin e saj e personazhet, që u përjetësuan nga ai poet i madh. Ajo mbetet kryevepra e përhershme e qytetërimit botëror, që frymëzoi e frymëzon të tanë shkrimtarët pasardhës. Por të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, janë përfaqësues te kohëve që jetuan. Homeri, Virgjili, Dante, Ariosto, Firdusi, Shekspiri, Omar Kajami, Cervantes, Goethe, Hugo, Balzak, etj. na dhanë epokat e tyne me nivel të lartë artistik. Na dhanë jetën, medimin, traditat, botëkuptimet, njerëzit e thjeshtë e të shquar, pra botën e tyre shpirtërore e materiale, me të cilën ne njihemi e marri mësim. Në këtë kontekst edhe Gjergj Fishta quhet poeti i madh kombëtar, pse na dha atë botë shqiptare, shpirtërore, materiale, njerëzore, në nivelin e
Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi U1_5
Ne Belgjikë
një epopeje epiko heroike të një kohë që nuk përsëritet më. Lahuta e Malcisë përbën një fakt unikal, ku u pasqyrua e u vulos bota e traditave, luftërave, zakoneve, dokeve e kanuneve, heroizmi, krenaria, vetëmohimi, trimnia, besa e burrnia, bukuria e karakteri i femrës shqiptare, etj, veti e virtyte që nuk janë më. Na dha personazhe te nivelit heroik si herojt e Iliadës.
Dolën figura të përmasave homerike, si Oso Kuka, Mic Sokoli, Marash Uci, Ali Pasha i Gucisë, Tringa, etj. jo më kot u quejt “Homeri Shqiptar” Dostojevski i anatemuar zuri vendin e vet në podiumin e nderit. Prandaj neve na duhet një Bjelinsk shqiptar, ose disa Bjelinskë, për të venë rregull në letërsinë tone.
Do të thoni, pse kaq skeptik dhe kundërvenës ndaj shkrimtarëve që i shërbyen regjimit dhe atyre të postdiktatures. Si mos te jem i tillë? Kam njohur talente të verteta, që mund të ishin berë shkrimtarë, poetë e artiste të nivelit të lartë. Por sistemi i degdisi me hap kanale, me tha këneta, me prashit misër e lakra. Njoh një të ri të talentuar, piktor, të cilin “lufta e klasave” ja mohonte meritat dhe e çoi me gërrye arat e parcelat e bujqësisë, pa asnjë të drejtë studimi artistik. Më 1990 ai kalon në botën perëndimore, dhe pranohet menjëherë e pa konkurs, në një akademi arti prestigjoze, ku shkëlqen e dipllomohet me notat më të larta, e çmim të pare në pikture. Tani është piktor i afirmuar, bile ka hyrë në enciklopedinë e artistëve të atij vendi. Shqipëria vazhdon të mos e njohë, sepse i përkiste asaj shtrese që ishte persekutuar. Ato talente që hynin në radhën e të deklasuarve e të dënuarve, kosa e diktaturës nuk i kurseu, i zhduku nga faqja e dheut e u mori jetën më aktive. Sot, ata që nuk vdiqën, mund të jenë pleq që mezi ecin e mezi shohin, ose që u dridhet dora, ajo dorë që në liri do të kishte qëndisë vepra të bukura. Prandaj është e zorshme të japësh mendime kur shapi është përzier me sheqerin. A thue do të dali dikush i aftë që ta bejë atë punë ?
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi Empty Re: Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi

Mesazh nga Agim Gashi Mon Nov 24, 2008 11:21 am

Po e përfundoj me një dëshmi të rrallë, nga një mik i imi profesor e shkrimtar, bashkëvuajtës, që pasi e kishin dënuar disa vjet dhe liruar, nuk kaloi shumë dhe e arrestuan përsëri dhe u gjet para shefit të degës të qytetit të tij. Shiko i tha shefi, t’i njohim e ti vlerësojmë aftësitë, prandaj partia ka menduar me të dhënë dorën. Do të emërohësh profesor dhe do të keshë mundësi të shkruash e të botosh libra. Me një konditë: të pranosh bashkëpunimin me sigurimin e me institucionet e partisë. Që tani je i lirë të japësh mësim si profesor e të tregosh aftësitë e tua letrare, po qe se firmos këtë dokument. Miku im u përgjigj se nuk e pranonte asesi atë lloj propozimi të turpshëm. Paç veten në qafë, i tha shefi. Te pret ose pushkatimi ose do të kalbësh gjithë jetën në burgje e kampe internimi. Ja ku më keni, më vrisni që tani, ose më dënoni sa të doni, po atë turp nuk ja lejoi vetes. Nuk e pushkatuen por gjithë jeta i kaloi në burgje e internime ku u semur rëndë dhe pas ngjarjeve të 90-s vdiq. Pra kishte nga ato burra qe nuk u bënte ferr syri para terrorit të diktaturës.
Ju keni 15 vjet që drejtoni revistën “Kuq e Zi”, cili është kontributi i kësaj reviste në Diasporë, dhe cilat janë temat që zënë një vend të gjerë aty?
Koha kalon shumë shpejt në botën e lirë, dhe 15 vjetët e revistës me duken si 15 ditë.
Ideja e një reviste, siç e kam thënë, kishte lindur qysh në atë kohë të dënimeve, ku shpresa për një lirim të plotë, nuk ishte shue kurrë, dhe ja që e fituem lirinë e dolëm në atë vend, në Belgjikë, ku shqiptarët kishin gjetur strehim politik qysh me kohën e Faik Konicës, e ku kishte pa dritën revista "Albania", nga 1897 deri 1903, e cila vazhdoi të dalë në Londër deri më 1909. Pra qysh nga koha e asaj reviste kishin kaluar 100 vjet, e një tjetër shtyp shqiptar i atij lloj nuk ishte dukur gjëkundi as si një fletë e vetme letre. Ne erdhëm në Belgjikë, më tetor 1990, dhe nuk m’u desh shumë kohë për të kuptue mangësinë e shtypit shqiptar. Fillimisht isha i zanun me redaktimin e poezive të mija të kohës së burgjeve e kampeve, që arrita t'i mbledh në një liberth: "Ankimi i Zanave" tëcilin e përktheva në dy gjuhë të tjera që zotëroja, frëngjisht e italisht. Pastaj iu vura punës për të krijuar revistën. Punë që e mora përsipër vetë, mbasi isha mjaft i prirun e praktik për të tilla gjëra, dhe njëkohësisht si piktor, e më lehtësohej detyra. Kështu, më tetor – nëntor 1993 doli numri i parë, sigurisht me pakicë, që i shpërndava ndër shokët e tjerë tëvuejtjeve, si Gulljelm Dedan Mark Dema, Mikel Koliqi, Lazer Radi, Ded Gjomarkaj, Eugjen Merlika, Nush Radovani, Gjosho Vasija, Injac zamputi, At Zef Pllumi, Hans-Joachim Lanksch, e të tjerë, që më uruen për këtë nismë. Po ashtu i dhurova dhe bibliotekës kombëtare e bibliotekave të tjera, dhe disa figurave tënjohura të diaporës, si Prof. Arshi Pipa, Nermin Vlora, Sali Toptani, Dervish Duma,Ton Koka, etj. Të gjithë sa përmenda derisa qenë gjallë, u banë anëtarë nderi e bashkëpunetorë, dhe ky është njënder i madh qëi mbetet revistës.
Revista mori përsipër të zhvillojë një kulturë të shëndoshë të bazuar mbi parimet e Rilindasve, si një tribunë e vërtetë shqiptarizmi. Ajo trajton tema tëndryshme, kulturore, letrare, historike, gjuhësore, dokumentare, e të tjera fusha tëkulturës shqiptare e botërore, por kryesisht ato çështje që u përkasin shqiptarëve. Botohet pa qëllime perfitimi, dhe gjithë ata që punojnë për të e bëjnë falas. Një rast unikal për të cilin krenohemi.
Pra rëndësia e revistës, qëndron në faktin që ajo në një farë mënyre vazhdoi në gjurmët e Konicës, dhe me këmbëngulje u botua kaq vjet rresht dhe mendon se do të vazhdojë edhe për shumë kohë.
Në 15 vjetorin e saj, revista gjen rastin nëpërmjet jush, t’ju urojë bashkatdhetarve kudo janë, mbarësi ne familje e jetë, e suksese në detyrë, në punë dhe në veprimtarinë e tyre intelektuale në dobi të Kombit Shqiptar.
Në prag të festës kombëtare, Gezuar festën e Flamurit e të 28 Nëntorit.
Cilat janë librat tuaja të botuara dhe a keni gati ndonjë për botim?



Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi U1_6
Grup te rinj te dalun nga Tepelena, ku u intenuan femije dhe u rriten nder tela. Foto 1954 ne Lushnje. Lek Pervizi me i gjati.
Mbasi mori udh
ë botimi i revistës u përqëndrova në shkrimet e mija e më dolën shumë variante e detyra: Së pari duhej shkruar për atë kohë dhe për atë pjesë të historisë shqiptare që ishte mbuluar me harresën deformuar e sakatuar, duke qenë vetë dëshmitar i shumë fakteve, nëpërmjet prindit tim, Gjeneral Prenk Pervizi, një figure prestigjoze ushtarake që kishte përcjellë gjithë historinë e re shqiptare, nga 1918 deri kur vdiq më 1977 në Belgjikë, ku kishte gjetëstrehim politik, si rrjedhim duhej shkruar edhe biografia e tij e plotë. Duhej shkruar për denimet, burgje e kampet, për kujtimet e mija, për vllaznit e familjen nëtërësi, por ja që liria të jep shumë mundësi dhe të hap të gjitha dritaret e dyertë e mundshme të bibliotekave e të arshivave. I dhanun edhe pas historisë, e pas figurës kombëtare të Gjergj Kastriot Skaderbeut, përkrah të cilit kishin luftuar të parët e mij, ja që më bie në dorë vepra origjinale e Dhimitër Frangut, këshilltarit e shoqëruesit të Skanderbeut, qëi kishte ndenjur pranë gjithë kohën e luftrave dhe të veprimtarisë sëPrincit të madh krutan. Menjëherë e përktheva dhe e botova në Shqipëri, si një dokument faktik i jetës dhe veprave të Skanderbeut, për të hedhë poshtë gjithë trillimet dhe hamendjet për të, që filluan të përhapin paturpërisht disa individë pseudohistorianë, fatkeqësisht shqiptarë, sepse të huajt edhe mund ta bënin atë punë, por për çudi nuk e kanë berë e në të kundërtën i kanë thurur lavde. Akademia dhe Instituti i Historisë me historianët e njihnin veprën e Frangut, por nuk i kishin dhënë rëndësi duke ngritur në qiell si 'bible" veprën e Barletit. Ndersa Barleti vet e kishte marrë (vjedhur) veprën latinisht të Frangut, duke ndërtuar veprën e tij mbi të, e duke i shtue rrëfime absurde e fantastike dhe fjalime të pavend tëSkanderbeut.


vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi Empty Re: Intervistë me intelektualin erudit z.Lek Pervizi

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi