Satirikoni:Bisedë e imagjinuar me Valdete Daken

Shko poshtë

Satirikoni:Bisedë e imagjinuar me Valdete Daken

Mesazh nga Agim Gashi prej Thu Dec 16, 2010 11:45 am

Bisedë e imagjinuar me Valdete Daken


Satirikoni



Qysh po ma merr mendja mua, kjo Valdete Daka do të jetë një yll medial edhe për një kohë bukur të gjatë. Është femër dhe nuk ke si i thua “Ali Baba” për shkak të katërdhjetë hajdutëve që i rrinë anash dhe prapa shpine, pas kamerave televizive, jashtë kutive të votimit. Për shkak të metaforës me Ali Babën, imponohet numri strik fabulist “40” hajdutë, por jashtë përrallës, në KQZ, s’është rendi i “40”-tëve, sepse janë paralajmuar nja 30 mijë. Që të mos rrjedhë, a të mos pikojë ndonjë nënkuptim pezhorativ shkaku që këtu u imponua Ali Baba i përrallës, përrallë për përrallë me tupan, më mirë ta zgjedhim përrallën relaksuese, për shembull, Borbardha me shtatë shkurtabiqët. Kështu imponohet figura e Borbardhës në rolin e Valdetes, kurse kjo, siç e jep kamera televizive dhe realiteti jetësor, nuk është biondine, por është një zeshkane tipike që nuk i shkon hiç roli i Borbardhës. Edhe e bardhë si bora edhe e zezë si futa - disi nuk po kombinohet. Por “e zezë” i them, jo në kuptimin simbolik, por në kuptimin dekorativ. Jashtë metaforës - e zeza është më sensitive se e bardha, disi të përfytyrohet gjaku që vlon si në tenxhere kur zihen kompirat. Sidoqoftë, u tha këtu aq sa u tha… për Borbardhën, por çka të themi për shtatë shkurtabiqët? Shtatë veta (pak diçka më shumë) me emër përmbledhës “shkurtabiqë” veç e veç t’i tipizoje, s’ke hapësirë gazete. Në përrallë Borbardha e pret Princin në kalë të bardhë, kurse në “rastin tonë” janë nja 29 princa krye listash që presin Borbardhën ta zgjedhë njërin syresh, dhe në vend të kalit të bardhë, të hipë në xhipin e tij të zi, dhe ta thyejnë qafën diku në Prevallë, atje “të heqin keq” derisa ne të tjerët ta organizojmë pushtetin e ri sipas kritereve të BE-së. Rreth e rrotull godinës së KQZ-së janë radhitur të parkuar 29 xhipa të zi, të zi pa përjashtim, se kur je kosovar s’ka kush ta shporrë koke se e meriton të jesh veç i pari, princ. I pari në listë është kollaj, se e fut vetën, por është marifet të dalësh i pari në listën e Borbardhës… më falni - në listën e Valdetës Zeshkanes.
Satiri: Zonja Valdete…
Daka: Ik, ik, ik, ik… ti, a s’po ke sy me pa që nuk po mundem me marrë frymë nga gjithë kjo punë tollovie, e s’po t’vjen marre me ma lypë një intervistë hajgarhone.
Satiri: Po veç unë masandej flas në emër tand, që kur ta lexosh ti intervistën, ka me t’ra terri syve, e ke me thanë, ku-ku, çka gabova që nuk fola vetë, po ia lash hallkut!
Daka: Haj, bre, vëlla, pyet vetë e përgjigju vetë… lem’ rahat!
Satiri: Sa kanë dalë vota të vjedhura, sipas këtyre që po thonë…
Daka: Ru’ se thu’ n’emnin tim ndonji numër votash të vjedhuna, se u nxjerr punë organeve… “të ndryshme”.
Satiri: E sa të tilla janë?
Daka: Hala s’i kemi numrue.
Satiri: Organet, apo votat? Pse, çka po bani bre gjithë ditën, tanë ata 30 mijë njerëz?
Daka: Ti s’po e merrke vesh procesin… ata janë “vëzhgues” e jo “numërues” votash.
Satiri: E kush i numëron votat, përfshirë edhe ato të vjedhurat?
Daka: Kompjuteri!
Satiri: E në cilën parti është kompjuteri?
Daka: Eh, puna është në rregull, se dihet që kompjuteri nuk ka shpirt, prandaj asht indifferent, që do me thane, - asht i paanshëm partiakisht.
Satiri: Unë i besoj më shumë kompjuterit, se njeriut.
Daka: Po, por varet njeriu a asht njeri ndërkombëtar, apo kombëtar.
Satiri: Qy, qy qy… moj, qysh po guxon me e përdorë fjalën “kombëtar” kur zgjedhjet bëhen për pushtetin e shtetit qytetar?
Daka: Edhe qytetarët janë komb.
Satiri: Jo, zonjë, qytetarët janë veç qytetarë.
Daka: Po ti ku i ke veshët, a nuk po dëgjon që këtyre zgjedhjeve u thonë “nacionale”, e jo qytetare.
Satiri: Oj çikë… më fal, oj grue - këtyne punëve s’un po u bjen në fije Kushtetua, le po u bie në fije KQZ-ja. N’dash me ditë, këtyne zgjedhjeve ju thonë - parlamentare, as qytetare as nacionale, po parlamentare.
Daka: Po kjo i nënkupton ore, të gjitha të tjerat… qysh s’po e dike?
Satiri: O mirë po e di kangën po nuk po m’shkon zani - kish pas thanë njani njiherë moti.
Daka: Kryesore zgjedhjet qenë të lira, s’ke nevojë t’i vjedhës kur mund t’i blesh lirë.
……………………………………………………………………………….
Aforizma që do t’i shkruante ndonjëherë Valdete Daka
Gjatë zgjedhjeve polica e jonë ka qenë e uniformuar, kurse policia e tyre ka qenë civile.
Nuk mund të themi që janë organizuar zgjedhje të natës, kur dihet se dimrit dita është e shkurtër.
“Kosovarët” e kanë zanat t’i vonojnë punët e sotme dhe t’i lënë për nesër, ose për natën, deri në ora 19-të.
Kush shëtitë ditën, e ha piten, kush shëtitë natën, e ha kamatën.
Çdo gjë ka qenë krejt në rregull pasi të tjerët kanë dashur të jetë kështu.
………………………………………………………………………………...
Kozeri
Pse s’kam dal në zgjedhje?
Mezi që e kam pritur ditën kur do ta zgjedh fatin tim, ardhmërinë time dhe ardhmërinë e mbarë popullit “tonë”. Mezi pritja të vijë dita e 12 dhjetorit 2010. Gjumi natën nuk me merrte. Më zgjatej dita një shekull, e le më nata që edhe kështu është e gjatë. I numëroja sekondat, nuk kalonte koha të vinte sa më parë dita fatlume e 12 dhjetorit 2010. Me që nuk po ia dal ta zgjedh të sotmen time, së paku le ta zgjedh ardhmërinë time, si thotë gazeta, se e sotmja, kalon sakaq, nesër është më rëndësi të bëhet mirë, në mos për mua, për fëmijët tanë. Më mirë është të kesh ardhmëri, se sa të kesh veç të sotme… sot është dita e shkurt e kalon, kurse ardhmëria është emër infinit, i pakufishëm, e jo i përkohshëm siç është e sotmja. Pra ky disponim, për të cilin po u flas këtu, më zgjati deri aty diku nja katër pesë ditë para 12 dhjetorit 2010. Çka ndodhi pastaj? E po kur do të marrë puna ters, s’mund ta ndalë zoti, e jo më njeriu… e sidomos njeriu si çifti im që s’mundet ta nxjerr macen prej përsheshi. Ndodhi ajo që nuk e kisha besuar që do të më ndodhte: shkova e i lexova do gazeta që, le që unë mezi prisja ditën e votimeve, po ato insistonin që unë, gjithqysh të dal në votime se është në pyetje çështja e ardhmërisë sime. Kaq shumë me bindën, sa tri ditë para zgjedhjeve, shkova në qendrën time të votimit, e zura rendin buzë dere, që posa të agojë ora 7 e ditës 12, unë i pari të futesha në “lokalet zgjedhore”. Mora me veti dyshekun dhe jorganin, (e di që s’besoni) dhe fjeta tri net para hyrjes së “lokaleve” zgjedhore në “qendrën time”. Ju tash mund të më pyesni lirisht: pse burrë paske bërë diçka që nuk ka bërë asnjë votues që kur dihet historia e votimeve në Afrikë, Evropë dhe Kosovë? Paj, që kaq të madhe ma bënë punën e zgjedhjeve këto gazetat, sa që mu mbush mendja e thashë, hah, bëri e u bë puna të mos mund të votoj, atëherë ku po më mbetet ndërgjegjja ime kombëtare. Do ta ndjej vetën si tradhtar të ardhmërisë. Natën e dytë që fjeta para hyrjes së “lokaleve zgjedhore” të qendrës sime, ia behu policia, e me kerr police më kthyen deri te dera e banesës sime, e më tha policia “shiko, ti, o taravol, bëre e fjete rrugëve, do të të shqepim dajak”. Eh, thashë unë vetmëvete, natyrisht - i nervozuar - n’dalsha unë në zgjedhje, jo dajak, por stupc thyemnani kurrizin. Pra ky është shkaku që unë nuk dola në votime, se një shkak më duhej që të mos dilja dhe plus të mos më thotë gazeta se ai i cili nuk del në zgjedhje - është tradhtar i popullit. Tash s’di çka të them: a kam fjetur a jo dy net para “lokaleve zgjedhore” po ua lë juve të besoni ose jo, qysh t’ua merr mendja, por e di se nuk ua merr mendja e nuk më besoni. Nuk jeni kaq të marrë sa policia.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 64
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Satirikoni:Bisedë e imagjinuar me Valdete Daken

Mesazh nga Agim Gashi prej Fri Feb 14, 2014 9:44 pm

avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 64
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi