Gjakmarrja dhe Kanuni i neglizhencës

Shko poshtë

Gjakmarrja dhe Kanuni i neglizhencës

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Nov 25, 2008 8:51 pm



Derguar nga Ajet Nuro- MOntreal
Ajet Nuro (anuro@albemigrant.com)
Gesendet:Dienstag, 25. November 2008 18:41:10
An:

Të nderuar miq !



Jeni të ftuar të lexoni një shkrim që unë nuk po i shtoj asnjë koment. Unë do ta quaja dëshmi e gjallë e një fenomeni anakronik. Ajo që unë doja të shtoja është se kur dëgjojmë se në filan apo filan shtet mjekët kanë shpëtuar një fëmijë nga vdekja e sigurt si pasojë e një sëmundje apo një aksidenti mrekullohemi dhe themi sa mirë sikur të kishim dhe ne shqiptarët kushte të tilla... Por ne shqiptarët i ushqejmë kronikat e zeza me vrasjen e një të riu, ngujimin e një fëmije, vdekjen nga uria, ngeljen jetim. Të gjithë këta viktima së bashku janë me shëndet të plotë. Për të mos parë ëndrra me sy hapur për një zgjidhje brenda ditës të fenomeneve anakronike shqiptare po ju them se mbi të gjitha është opinioni që i favorizon plagët e shoqërisë shqiptare sot. Kur të lexoni shkrimin e mëposhtëm mendoni se aty kemi të bëjmë me fëmijën tuaj, vëllain, farefisin tuaj. Në këtë botë, pavarësisht se ku besojmë dhe sa besojmë, një gjë na është dhënë vetëm njëherë JETA. Me të nuk luhet. Qoftë edhe kur vihet në balancë jeta e tjetrit atij që nuk është nga fisi, fshati apo qyteti ynë, nëse është shqiptar, për të është përgjegjës e gjithë shoqëria. Le të fillojmë pra : unë mund të bëjë diçka, ti mund të bësh diçka, ai apo ajo mund të bëjë diçka, ne mund të bëjmë diçka...

...lexojeni....

...shpërndajeni...

...reflektoni...

...veproni...



Ajet Nuro

Montreal më 25 nëntor 2008






Shqipëria vuan nga gjakmarrja




Nga Kujtim Sokrona



Ju hap zemrën. Ju prezantoj rastin tim.



E përshëndes Tribunën Shqiptare dhe administratorin e saj për fushatën kundër gjakmarrjes. Disa artikuj të cilët i lexova tek ju, kohët e fundit, rrezatojnë shpresë me aq maturi dhe qëllim të mirë.



Nuk dua të përsëris këtu atë që kam thënë në komentin tim për artikullin « Kanuni i neglizhencës » * por më vjen mirë kur konstatoj se jeni duke bërë diçka. Ju lutem të vazhdoni. Imagjinoni rezultatet humanitare që do të arrini. Imagjinoni sa fëmijë të pafajshëm do të mund të shkojnë në shkollë! Sa fëmijë nuk do të durojnë më urinë? Sa zemra të pafajshme do të shpëtojnë nga plasja?... Imagjinoni një ditë kur nuk do të jemi më i vetmi popull në Evropë i pushtuar nga fenomeni i pandershëm dhe i pashpirt i gjakmarrjes. Imagjinoni atë ditë kur nuk do të jemi më një popull aq i palogjikshëm që i vret njerëit e vet në emër të nderit!



Unë e kam humbur një të dashur në një fatkeqësi. Duke e qarë të vdekurin, kanë ardhur pleqtë dhe është deklaruar gjakmarrja sipas një ceremonie famëkeqe. Ky rast e ka ndarë familjen time në dy pjesë. Njëra pjesë, ata që kanë bërë shkollë, e kanë ndier vetën të nënçmuar që të lejohet ndërhyrja e analfabetëve dhe injorantëve në këtë çështje kaq të rëndësishme. Pjesa tjetër, pleqtë e pashkollë, pa urtësi, depresivë, të çmendur... i kanë hapur kthetrat për të treguar se kanë diçka në dorë... dhe kanë fituar në emër të nderit. Kanë fituar për shkak të neglizhencës së autoriteteve shtetërore!



Qe nëntë vjet, nuk flas me një pjesë të famijles në atdhe. Jam deklaruar haptas se nuk do të marr gjak sepse nuk jam vrasës dhe nuk kam asgjë të përbashkët me ata që zënë peng një familje nën pretekste absurde. Edhepse kam emocione, mund të them se gjykimi i shkaktuesit të vdekjes është bërë disi sipas normave. Sidoqoftë, anëtarët e familjes së tij sot i ekpozohen vdekjes. Janë varfëruar sepse nuk mund të dalin të punojnë edhepse, sipas meje, nuk kanë as më të voglin faj!



Unë e kam lënë vendin. Kam ikur nga familja. Kam kaluar disa vite në Montreal ku kam marrë azil politik. Në Kanada e kam njohur një franceze dhe kemi ardhur bashkë këtu në Francë nga ku po shkruaj tani. Kemi dy djem dhe dua t’i rris jasht atij konflikti të krijuar nga kanunarët e tërbuar. Bëjmë një jetë normale. Por, nuk mund ta fshij dot nga mendja dëshirën që një ditë të mund të shkoj me familjen time të ngushtë në vendlindje së paku për pushime.



Mund ta krahasojmë rastin tim me një familje ku djali e kryen fakultetin e ekonomisë dhe fillon punën si ekonomist. E merr rrogën dhe ia jep komplet plakut sepse, për shkak të vjetërsisë, ai di më mirë ta udhëheq ekonominë. Pleqtë tanë e udhëheqin drejtësinë, pse të mos e udhehëqin edhe ekonominë? Mjeksinë? Punët e jashtme? Të gjitha ministritë? Presidencën? Kryeministrinë...? Pse të mos i mbyllim të gjitha shkollat dhe, kur nuk dimë diçka, të shkojmë e t’i pyesim pleqtë e fshatit të cilët e interpretojnë Kanunin... të cilin as që e kanë lexuar? Ku ta lexojnë, kur s’dinë të lexojnë? Po të dinin të lexonin, do të silleshin ndryshe... do të ishin normalë si mbarë bota...



Kërkoj falje për ironinë. Me këtë shkrim, dua të shkoj pak më larg. Të gjithë ata që shkruajnë për faqen Tribuna Shqiptare janë njerëz me influencë. Aq më tepër, të gjithë e njohin një shkrimtar, një artist, një animator, një mësues fshati...shkurt: një njeri tjetër me influencë. Të gjihë së bashku, me të tjerët, mund të intervenojnë për të bërë të njohur projektin. Një animator radioje ose televizioni, për shembëll, mjafton të pyes publikun në një kuiz: çka do të thotë shprehja: Kanuni i neglizhencës? Publiku do të shkojë në Google e do të lexojë artikullin pastaj do të formulojë me fjalë të veta përgjigjen: ... organet shtetërore nuk mund vazhdojnë të arësyetojnë moskokëçarjen duke u fshehur pas zakoneve e traditave sepse pakujdesia e tyre në ketë aspekt po bëhet traditë. Tashmë mund ta quajmë rregullin e tyre me dy fjalë të huazuara: Kanuni i neglizhencës. Organet kompetente duhet të marrin të gjitha përgjegjësitë për mbrojtjen e atyre që nuk kanë bërë krim duke pasur parasyh se të afërmit e vrasësit nuk janë vrasës.... ( www.kanuni.tk )



Nga një koment, mora vesh se Tribuna Shqiptare do të organizojë një peticion. Mendoj se kjo është një mënyrë e mirë për të përhapur mospëlqimin e të gjithë shqiptarëve ndaj dukurisë së gjakmarrjes. Është gjithashu një formë e mirë pedagogjike sepse gjatë procesist të nënshkrimit të peticionit bëhet një vetëdijësim i masave popullore dhe nxitet diskutimi. Kur nxitet diskutimi dhe debati, injoranca e humb fuqinë e vet. Evropianizimi i problemit të gjakmarrjes ndihmon gjithashtu për t’i zgjuar pushtetarët dhe për t’i frenuar kanunarët.



Mendoj se nuk duhet treguar asnjë mirëkuptim as respekt ndaj atyre që vrasin në emër të nderit sepse nuk ka njeri më të pandershëm se vrasësi me paramendim. Babai e ka vrarë bijën nën pretekstin se nderi lahet me gjak. E ka vrarë që të mbijetojë nderi, kanunarët (apo ndonjë interes egosit që fshihet pas nderit ose kamuflohet me nder) e jo e bija, fëmija i vet dhe ëndrrat e saj për një jetë të cilën do ta drejtojë vetë. E ka vrarë të bijën se është i çmendur!!! Është i çmendur mu si ai baba (qoftë ai i imi apo i juaji) i cili do që biri i tij të vret dikënd në emër të nderit e të kalbet në burg duke bartur një vdekje në vetëdije dhe duke imagjinuar fëmijët e të vrarit jetimë e duke vuajtur gjithë jetën. Ja logjika dhe nderi i kanunarëve: çmenduria. Unë nuk e luaj atë lojë, e them këtë sheshit. Unë krenohem se kam frikë. Unë krenohem se kam frikë t‘i bëj keq dikujt! Ndërsa, për nderin e kanunarëve të çmendurve s’i jap pesë para.



Në fund, jam i bindur se shprehja “Kanuni i neglizhencës” (emri ose kodi i projektit tuaj) u bën me mjeshtri thirrje autoriteteve që të marrin masat e nevojshme, në një anë. Në anën tjetër, kjo shprehje vë në hije ( për të mos thënë e diabolizon në masë të merituar) Kanunin... i cili e parasheh gjakmarrjen ose krimin në emër të nderit. Kjo shprehje do të duhej të bëhej aq shumë e njohur saqë kur një shqiptar ta përdor fjalën „kanun“, t’i vijë menjëherë në mendje shprehja: „ Kanuni i neglizhencës“.



Nëse nuk bëjmë asgjë në këtë drejtim, asgjë nuk do të ndodhë në këtë drejtim... Përveç vrajseve dhe vuajtjeve! Nuk guxojmë t’ua lëmë pasardhëve tanë këtë fenomen të pamoralshëm. Të reagojmë që tani!!!
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Gjakmarrja dhe Kanuni i neglizhencës

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Nov 25, 2008 8:56 pm


KANUNI I NEGLIZHENCËS





Nga Kadri Sherifi

Në gjthë rruzullin tokësor, shekuj me radhë, gjakmarrja ua ka marrë ose ua ka bërë të padurueshme jetën shumë njerëzve të pafajshëm: të afërmëve të një vrasësi. Gabimisht, ky fenomen është futur në kokat e disa shqiptarëve se është karakteristikë e identitetit tonë duke u referuar në kanun. Në fakt, fjala « kanun » vjen nga greqishtja e vjetër kanôn që do të thotë « rregull », «model ». Në latinisht kemi shprehjen jus canonicum që do të thotë « ligj kanunor ». Po të mendohet hollë e hollë, Lekë Dukagjini nuk i ka dhënë më shumë kontribut të drejtës kanunore se Enver Hoxha komunizmit. Prandaj, si në njërin rast ashtu edhe në tjetrin, nuk kemi arësye të jemi tepër krenarë. Duke e hequr nga mendja se ligjet që nuk i përdor më askush në botë i përkasin kulturës sonë, bëhet pyetja: A mund të çrrënjoset gjakmarrja nga mentaliteti shqiptar?






Unë mendoj se po. Shumë popuj tjerë e kanë rregulluar këtë problem në mënyrë të civilizuar. Edhe ne, në ditët tona, kemi një komb të shkolluar i cili e ka në dorë fatin e vet. Mirëpo duhen marrë disa masa urgjente profesionale që në ndodhjen e fatkeqësisë. Nuk duhet lejuar ndërhyrja e nxitësve të gjakmarrjes siç janë kanunarët gjakatarë apo të hollat dhe të edukohet rrethi i familjeve fatkeqe në mënyrë të vetëdijshme e bashkëkohore.





Së pari, në rast vrasjeje në rrethana të ndryshme, deklarata e të afërmëve të viktimës për gjakmarrje të konsiderohet si kërcënim me vdekje me paramendim. Pastaj, organet kompetente të marrin masat e nevojshme preventive. Ndërhyrja e organizatave jokompetente nën pretekstin e ligjeve paralele kanunore të dënohet rreptësisht. Këto organizata dhe këta individë, herët apo vonë, do të përgjigjen para drejtësisë kompetente kombëtare ose ndërkombëtare për interpretimin e artikujve famëkëqinj kanunorë. Masat ndëshkimore kundër përçuesve të (pa)drejtësisë kanunore janë një hap drejt çrrënjosjes së gjakmarrjes.




Pastaj, dhënja e të hollave për gjak, marrja e të hollave për gjak dhe përcjellja e të hollave për gjak nga njëra palë tek tjetra të konsiderohen si trafik me qenje njerëzore. Të gjithë ata që bëjnë një nga këto tri gjeste të akuzohen edhe për nxitje të gjakmarrjes. Të hollat janë vaj për zjarrin. Sipas disa kërkimeve psikologjike, nëse hiqet ideja e marrjes së të hollave nga koka e gjakmarrësit dhe nëse ai është i bindur se deklarata e tij për gjakmarrje do të dënohet si kërcënim me vdekje, reflekset dhe sjelljet e tij do të jenë ndryshe në momente fatkeqësie të humbjes së një të afërmi. Ideja për të bartur një vdekje në vetëdijë gjatë gjithë jetës dhe ballafaqimi me drejtësinë moderne do të kenë përparësi në psikologjinë e tij. Natyrisht, organizatat famëkeqe e gjakatare dhe individët që bëjnë drejtësinë kanunore nuk duhet të kenë në asnjë rast përfitime monetare sepse kjo gjë i zgjat jetën fenomenit të vëllavrasjes.




Në vazhdim, rrethi i të dy familjeve duhet të luajë një rol pozitiv me mençuri dhe qytetërim bashkëkohor. Kur shohim filma dueli nëmes dy gladiatorëve ku dihet se njëri do të vritet, mund të konstatohet se publiku i asaj kohe i shikonte këto skena dhe argëtohej në prezencën e skllavopronarit i cili përfitonte nga spektakli. Spektaklet e tilla janë zhdukur sot në botë siç është zhdukur gjakmarrja. Në trojet shqipfolëse, spektatorët e sotëm të konfliktit nëmes dy familjeve duhet të kuptojnë se ato familje janë në të njëjtën situatë fatkeqësie dhe të ndihmohen që të dyjat. Mediat do të duhej të vënin në pah gjestet humane të cilat do të merreshin si modele. E vërteta optimiste është se populli shqiptar nuk e pranon gjakmarrjen si tipar të identitetit të vet dhe e ka zëvendësuar termin që shpreh këtë fenomen gjakatar fjalën me « vëllavrasje ». Por sikur kjo nuk mjafton…





Në përfundim, organet shtetërore nuk mund vazhdojnë të arësyetojnë moskokëçarjen duke u fshehur pas zakoneve e traditave sepse pakujdesia e tyre në ketë aspekt po bëhet traditë. Tashmë mund ta quajmë rregullin e tyre me dy fjalë të huazuara: Kanuni i neglizhencës. Organet kompetente duhet të marrin të gjitha përgjegjësitë për mbrojtjen e atyre që nuk kanë bërë krim duke pasur parasyh se të afërmit e vrasësit nuk janë vrasës. Nuk duhet të fajësohen të pafajshmit siç ndodhte në komunizëm. Nuk është vështire të kuptohet se askush nuk ka mundësi as të drejtë t’i kontrollojë sjelljet e vëllaut apo ato të kushëririt. Kushtetuta e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës u grantojnë qytetarëve lëvizjen e lirë. Disa përgjigje nga ana e pushtetarëve janë të nevosjshme: Sa gjakmarje duhet të ndodhin në një zonë të caktuar në vit që shefi i policisë dhe kryetari i komunës të japin dorëheqje? Sa gjakmarrje duhet të ndodhin në shtet që të detyrojnë qeverinë të japë dorëheqje, siç do të ndodhte në vende tjera?



Në pritje të zgjimit të vetëdijes e gjithashtu të zgjimit nga gjumi të politikanëve dhe ligjvënësve tanë, të shpresojmë se do të dalë një bir apo bijë nga gjiri i këtij populli, si Anton Çeta, et të rregullojë të gjitha konfliktet e tanishme me mirëkuptim dhe paqë … pa u referuar në asnjë ligj kanunor të pandershëm apo bolshevik. E nëse na humbet busolla pa u referuar në të kaluarën, mund ta kujtojmë thënjen « V’llau v’llaun nuk e vret ». Më duket se kjo shprehje ka moshë, sikur vjen nga njëfarë…Gjergj Kastrioti Skënderbeu... ?



KadriSherifi.com



Autori është konkurrues për Çmimin vjetor “Rexhai Surroi” me romanin “Arbëresha”.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi