Teki Dervishi:IMPORTOJMË NGA ZULULANDI NJË “QEVERI TEKNIKE”!

Shko poshtë

Teki Dervishi:IMPORTOJMË NGA ZULULANDI NJË “QEVERI TEKNIKE”!

Mesazh nga Agim Gashi prej Fri Mar 13, 2009 10:08 pm

IMPORTOJMË NGA ZULULANDI NJË “QEVERI TEKNIKE”!

Teki DËRVISHI


Situata në Kosovë është rezultat i plotësimit të “standardeve para statusit”. Po kush i ka zbatuar për dhjetë vjet këto “standarde”, opozita apo pozita e sotme, apo këta së bashku me ndihmën e shoqërisë civile në media? Ku ta gjejmë një elitë politike rezervë që nuk i ka kontribuar kësaj katastrofe statusore të Kosovës dhe prej kësaj elite ta “përpilojmë” një “qeveri teknike”? A ekziston në pozitë dhe opozitë ndonjë vox clemantis prej individi që ka shprehur publikisht kundërshti ndaj politikës vendëse të verifikuar si “pjekuri politike”!? A ka Kosova së paku një individ në post zyrtar apo në opozitë që është spikatur për koncepte alternative politike të dallohet nga “bagëti e bujqësia” e kolektivizimit kooperativist të politikëbërjes, politikës që identifikohet si proces në zbatimin e “plotësimit të standardeve” të OKB-së, e jo të Kosovës? Ka pasur që kanë kritikuar, por s’kanë pasur alternativë!
Albert Rohanit nuk i ka rënë në vesh slogani tradicional në Kosovë “nuk ka të tjerë”. Po a dilet nga kjo situatë kur (edhe) pozita, (edhe) opozita kanë një fizionomi uniforme politike “bashkëpunimin” me “ndërkombëtarët”, që nuk lejojnë të dilet nga kjo situatë katastrofale? Para se ta akreditojmë një “qeveri teknike” le të dalë kjo e të thotë, ne do të jemi opozitë e UNMIK-ut, por jo vetëm virtuale! Mbase do ta fillojnë një luftë të armatosur, a jo! Çfarë pushteti më të madh ka Qeveria seç ka opozita para kompetencave (komplet) të rezervuara të BEOKB-së? Zotërinj, nuk e keni kuptuar Rohanin, ai ka dashur të thotë “bëhuni bashkë” t’i sfidoni ata që nuk i kanë mbajtur premtimet brenda Aleancës Euroatlantike dhe kjo “bashkë” nuk nënkupton pushtet real, se ai nuk ekziston në Kosovë. Ai nuk e ka ditur se “nuk ka të tjerë”, veç nëse eksportojmë ministra nga Zululandi për ta kompletuar një “qeveri teknike”. Dhe është e vërtetë se nuk ka të tjerë. Qe dhjetë vjet të njëjtët, plus dhjetë vjet përpara, po këto figura “karizmatike” të konvertueshme javë për javë! Të gjithë pa përjashtim kanë “qëndrim unform politik”, prandaj 1244 i vendos në ruletin e rrotacioneve “pushtetare”. Argument është Grupi i Unitetit! Që vërtet duam “qeveri teknike”, nuk ka tjetër pos ta funksionalizojmë Grupin e Unitetit, dhe kjo do të ishte zgjidhja fatlume, s’e nuk ka të tjerë, këta grumbull e kanë ndihmuar “bashkësinë ndërkombëtare” të UNMIK-ut (dhe OSBE-në), që Kosova të vazhdojë të mbetet e okupuar! Ku shihen dallimet konceptuale parimore politike mes opozitës dhe pozitës? A dekonverzohen për koncepcione parimore politike, apo në luftë për pushtet të paqenë?
Diplomati slloven Turk, Angela Merkeli… po ja tash edhe Rohani! T’i lëmë të punojnë vendësit, po kush u jep kompetencat, or vëllezër? Kushtetuta! Kur të vijë opozita në pozitë, ose kur të bëhet një “qeveri teknike”, me çka na garantojnë se do të mund të sfidojnë policinë dhe armatën ndërkombëtare të OKB-së, e cila shkel Kushtetutën e Kosovës me dhunë policore ushtarake? Që di opozita dhe “qeveria teknike” si mbrohet Kushtetuta nga OKB-ja, pse nuk po ia zbulon këtë fshehtësi Qeverisë që kjo të funksionalizohet, apo për inat të Qeverisë opozita nuk po tregon si të çlirohet Kosova prej Serbisë? Eksponentët e “qeverisë teknike” thonë se qeveria nuk ka faktoritet ekzekutiv, por vetëm politik? Është thënë këtu kjo gjë! Por faktoritet politik (pa ekzekutiv) ka edhe opozita, ndaj si do ta rrëmbente “faktoritetin ekzekutiv” “qeveria teknike”? kur kush merret me politikë në Kosovë është në “shërbim ushtarak” ndërkombëtar, dhe zbaton urdhra si çdo individ kuisling brenda aparatit “institucional”. Mos po e ndalon Qeveria të dalë në skenë një koniunkturë, e cila do t’u garantonte qytetarëve çlirimin e Republikës së Kosovës nga OKB-ja? Por nëse del një e tillë, jo veç të premtojë, por do të duhej të garantonte dhe të na tregonte cila është metoda dhe instrumenti politik, me të cilin ajo do të mund ta çlirojë Kosovën nga Serbia. Thanë de, “me ekzekutiv ekonomik” (!!!) që hë për hë është në dorë të UNMIK-ut dhe FMN-së, përkatësisht Serbisë. Pra “qeveria teknike” synuaka t’ia marrë UNMIK-ut “ekzekutivin ekonomik” para se të mund ta ndiqte UNMIK-un nga Kosova, bashkë me ushtrinë dhe policinë e tij! Le që estabilishmenti politik i Kosovës nuk ka ide si të çlirohet Kosova, por edhe kur idetë ua ofron Rohani, e keqkuptojnë të gjorët!
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 64
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi