Skënder Buçpapaj:Thaçizmi

Shko poshtë

Skënder Buçpapaj:Thaçizmi

Mesazh nga Agim Gashi prej Wed Feb 09, 2011 7:00 pm

Thaçizmi



Nga Skënder Buçpapaj

Ndoshta jam unë i pari që e përdor fjalën "thaçizëm" ose së paku ndoshta jam i pari që e përdor me seriozitetin e termit. Me thaçizmin unë kuptoj mirëfilli projektin për Kosovën të kryeministrit Hashim Thaçi për katër vitet e ardhshme, kuptoj vizionin e tij për Kosovën në afat të afërt dhe atë çfarë përbën ky vizion në afat më të largët deri te koncepti dhe nocioni i përkufizuar si ardhmëri e Kosovës, si perspektivë e Kosovës.
Ky projekt në vetvete dhe si pjesë e një tërësie kohore përmban edhe precedentin ose precedentët, përmban nisjet, zanafillat, përmban fillet e atyre zhvillimeve të cilat në mëvonshmëri shndërrohen në tradita të Kosovës, në aspektin shtetndërtues e shtetkonsolidues, në aspektin integrues, në aspektin hierkakik të Kosovës në kuadrin e garave rajonale, evropiane e globale.
Hashim Thaçit zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 ia kanë ngarkuar projektin e udhëheqjes së krijimit të institucioneve të reja qendrore shtetërore të Kosovës të dala nga vota e sovranit. Do të kenë këto institucione përfundimisht firmën e Thaçit, do të jenë bazë e projektit katërvjeçar të Thaçit, do të jenë shprehëse të vizionit të tij në katër vitet e ardhshme të vendit e në vijimësi.
Nuk e konsideroj dhe aq trevjetëshin e kaluar, për shkak të kushtëzimeve të shumta dhe përcaktuese që sillnin rrethanat e zyrtarizimit të pavarësisë, të hartimit dhe të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të njohjeve ndërkombëtare të shtetit të pavarur dhe sovran. Më pastaj do të dihet se sa e mbajnë këto zhvillime vulën e Thaçit. Por është e qartë se krijimi i institucioneve të reja të Kosovës dhe programi katërvjeçar i qeverisjes së Kosovës do të jenë vepër e tij. Nëse nuk do të jenë kështu, atëherë do të jenë pjesë e mosveprës së tij. Pra, do të jenë pjesë e suksesit të tij ose mossuksesit të tij. Do të jenë thaçizëm i realizuar, i përmbushur, i vijueshëm apo do të jenë thaçizëm i mbetur në projekt, në skicë, i papërmbushur, i dështuar.
Dhe shumëçka e pothuaj gati gjithçka varet pikërisht nga arkitektura që do të kenë institucionet e reja qendrore shtetërore të Kosovës, pra nga përpjesëtimi i pjesëmarrjes së partnerëve të koalicionit të ri në këto institucione. Do të varet shumëçka nga emrat e përveçëm të titullarëve të institucioneve, nga emrat e përveçëm të zyrtarëve të lartë të këtyre institucioneve, deri edhe nga emrat e tjerë të përveçëm të krejt vertikales dhe horizontales së kësaj hierarkie.
Kosova ka shtrirje të përmbledhshme, prandaj të gjithë njihen, të gjithëve iu njihen huqet, veset, cenet, dobësitë, mbrapshtitë, iu njihen cilësitë, tiparet, karakteristikat, virtytet, karakteret, temperamentet, prejardhjet, përkatësitë, identitetet dhe mangësitë apo tepritë e tyre, iu njihet çdo qelizë, çdo ind, çdo nerv, iu njihet çdo puls, çdo hap. Të gjithë, me një fjalë, janë në pasqyrë të thellë, në pasqyrë të gjerë, në pasqyrë të pagabueshme të syrit të opinionit.
Prandaj emrat e zgjedhur nga Thaçi do të jetë e domosdoshme të mishërojnë më shumë se miratimin pozitiv nga ana e opinionit të vendit. Në përcaktimin e tij ndaj këtij aspekti do të shprehen shumë synimet e vërteta të projektit katërvjeçar, profili i vërtetë i projektit, stili i qeverisjes katërvjeçare, mëtimet e vërteta të qeverisjes së re, përkundër retorikës së saj sado entuziaste, mobilizuese apo vetëkënaqëse.
Kufijtë e bujarisë ndaj partnerëve, mirësjellja, mirëkuptimi, fryma e pajtueshmërisë me partnerët, aftësia e zotësia bindëse, aftësia e zotësia e krijimit të mirëbesimit, përkushtimit, besnikërisë ndaj partneritetit do të flasin shumë për mundësinë e jetëgjatësisë apo jetëshkurtësisë së partneritetit, për realizmin, largpamësinë apo shkurtpamësinë e autorit të projektit, autorit të vizionit, pra për pjekurinë apo papjekurinë, për themelshmërinë apo pathemelshmërinë e thaçizmit, për fatin e mbarë apo të prapë të tij.
Tundimet janë të mëdha në radhët e partnerëve. Nga deklaratat e qëndrimet e tyre duket se mëtimet janë të forta dhe jo pak kryeneçe. Vendosmëria, këmbëngulësia aq sa edhe fleksibiliteti, pra përshtatshmëria dhe përkulshmëria ndaj partnerëve në rrethanat dhe në caqet e duhura janë në provën më të qartë tashmë. Nga ana tjetër, tundimet më të papërballueshme e më të kushtueshme mund të jenë ato brenda radhëve të partisë së vet. Nga mediat merret vesh, për shembull, që kolegët më të afërt të kryeministrit në PDK duan që kjo parti ta mbajë kreun e të tria institucioneve ose së paku kreun e dy më të rëndësishmëve, pra Presidentin dhe Kryeministrin. Një oreks i tillë i ka bërë shumë dëm më herët LDK-së. Partitë e mëdha, prirëse të koalicioneve qeverisëse, e kanë të domosdoshme të jenë të vetëdijshme për kufizimet e krijuara nga Kushtetuta e vendit edhe më tej dhe prandaj të mësohen të veprojnë e të sillen në kuadrin e këtyre kufijve.
Funksionimi në partneritet iu vë detyrime të gjithë partnerëve në raport me njëri tjetrin, por detyrimet më të mëdha ia vë partnerit kryesor. Toleranca, lëshimet, bujaria, mirësjellja i takojnë pikësëpari partisë kryesore. Vetëpërmbajtja e vetëkontrolli ndaj tundimeve të korrupsionit, ndaj ngasjeve për t'iu shmangur drejtësisë apo për ta trembur e trusur drejtësinë i takojnë së pari partisë kryesore. Mosngurrimi për t'ia dorëzuar ligjit shkelësit në kreun e vet apo në përbërjen e vet i takojnë partisë kryesore.
Nga të gjitha këto pikëpamje e këndvështrime, Hashim Thaçi, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës dhe në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës njëkohësisht do të jetë përgjegjës i drejtperdrejtë për qeverinë e cila do të ketë emrin e tij, por do të jetë përcaktues edhe për funksionimin e krejt qeverisjes së vendit, pra për funksionimin e të gjitha institucioneve qendrore shtetërore aq sa edhe për mbarëvajtjen e institucioneve të pavarura dhe raporteve të qeverisë e të qeverisjes me këto institucione. Kështu do ta kemi të prekshëm konkret e të mirëfilltë thaçizmin në realitetin e Kosovës. Nëse do të dështojë, do të mbetet si përvojë për Kosovën. Nëse do të triumfojë, autori i saj do të bëjë epokë. E para do të jetë në dëm të Kosovës, gjithsesi me pasoja negative, por i ndreqshëm, ndërsa për Thaçin e partinë e tij demi të jetë i pandreqshëm. E dyta do të jetë në të mirë të të gjithëve dhe pasojat më shembullore pozitive.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi