KUJTIM ÇASHKU:Keqkuptim apo mirëkuptim me Kadarenë

Shko poshtë

KUJTIM ÇASHKU:Keqkuptim apo mirëkuptim me Kadarenë

Mesazh nga Agim Gashi prej Thu May 26, 2011 11:52 am

Keqkuptim apo mirëkuptim me Kadarenë




KUJTIM ÇASHKU
Duke përshëndetur letrën e shkrimtarit Ismail Kadare, drejtuar politikanit të ri dhe kandidatit për kryebashkiak të Tiranës, z. Lulzim Basha, më është krijuar ndjesia nga disa reagime të shpejta ndaj kësaj letre, se shqetësimi i shkrimtarit është keqkuptuar. Letra e Kadaresë lidhet ngushtë me vizionet e një humanisti të madh, i cili është pjesë thelbësore e ndërgjegjes sonë kombëtare.
Shkrimtari, për nga natyra e vet, priret gjithnjë nga e mira. Madje, shpesh ai i atribuon shoqërisë vlera të cilat asaj vetë i mungojnë, por që shkrimtari dëshiron që një nga ato të bëhet pjesë e këtyre vlerave.
Nuk mendoj se i duhet kërkuar shkrimtarit apo artistit roli i gjykatësit apo i politikanit. Vepra e artit përmban politikë, por politika e saj s’mund të identifikohet me politikën e një partie apo qeverie të caktuar.
T’i kërkosh shkrimtarit apo artistit rolin e një politikani, ka gjasa që një rol i tillë ta bëjë atë me pahir një tiran apo diktator të vërtetë.
Janë krejt të rrallë shkrimtarët apo artistët që kanë preferuar të zëvendësojnë pushtetin e tyre të artit dhe letërsisë me pushtetin politik.
Për nga natyra, dueli mes shkrimtarit dhe politikanit është i përhershëm, sikurse është e përjetshme ndeshja e pushtetit koniunktural me atë universal.
Për shkrimtarin dhe artistin mbetet i shenjtë privilegji i misionit të pushtetit kulturor.
Fryma e vlerave etike e morale që shkrimtari përmend në letër, janë qartazi një garanci për soliditetin në vazhdim të shoqërisë sonë.
Vlerat e lartpërmendura, pa dyshim që janë pjesë e korpusit juridik, por ato nuk mund të njësohen me të. Vlerat etike e morale janë pjesë e kushtetutës shpirtërore të shoqërisë. Ato, edhe pse nuk shkruhen me ligje e nene të veçanta, përmbajnë në vetvete themelin e përhershëm të shoqërisë. Janë pikërisht këto vlera, të cilave u lind e drejta që ta emancipojnë e përsosin në çdo kohë korpusin juridik të shoqërisë. Ky korpus, në pamje të parë, për të funksionuar i duhet të jetë i ngurtë e solid. Mirëpo, edhe pse në dukje si i tillë, ai ka në bërthamën e tij mekanizmin e ndryshimit, me kushtin e vetëm që ky ndryshim të kryhet përmes votës së lirë të çdo qytetari.
Kur flas për votën, kam parasysh çelësin magjik të demokracisë. Ky çelës kishte humbur jo vetëm kuptimin, por edhe shenjën e tij, madje, për fat të keq, ende sot, pas 20 vjetësh, nuk është vlerësuar plotësisht.
Mund të themi se me këto zgjedhje për herë të parë, ne si shqiptarë, u bëmë më të vetëdijshëm për peshën specifike, qoftë dhe të një vote të vetme. Për herë të parë kuptuam se ndërrimi i pushtetit mund të kryhet pa armë e tanke, pa britma e histerizma pushtetarësh, por thjesht nga fuqia e heshtur e një vote të vetme. Them se këto zgjedhje ishin një leksion i fortë demokracie e qytetarie për të gjithë ne. Për herë të parë mund të themi se nisëm të çlirohemi nga idolatritë post-totalitare të fantazmës së fetishit të njëshit, të shpëtimtarit të “popullit” etj., etj.
Për here të parë vëmendja jonë u përqendrua te programet, vizionet, vokabulari politik, delegimi i pushtetit te qytetari e mjaft risi të huaja deri dje për demokracinë tonë, të bëra prezente nga zoti Basha. E keqe e madhe te ne mbetet se pushtetarët tanë nuk janë ende të mësuar me humbjen apo rotacionin paqësor të pushteteve.
Humbjen ata e identifikojnë me shkatërrimin e shtetit dhe të shoqërisë. Mospërballimi i kësaj humbjeje, psikikisht i çorodit ata, i bën agresivë e hakmarrës të rrezikshëm. Paniku i humbjes i detyron ata të zgjedhin për gjuhë komunikimi gjuhën e urrejtjes dhe strofkën e shpëtimit demagogjik. Britmat dhe ulërimat populiste përdoren si mjet emocional force për të ndërsyer turmat. Agresiviteti i humbësit në shoqëritë emotive, me kulturë zhvillimi kryesisht gojore, ka gjithnjë prirjen ta zhvendosë pushtetin nga institucioni te rruga dhe te vetëgjyqësia. Humbësit nga frika demonizojnë kundërshtarin e tyre dhe glorifikojnë liderin si hero shpëtimtar. Fantazma e frikës e bën humbësin ta ndajë shoqërinë në dy klasa, në dy kampe armike: në popull pozitar dhe opozitar.
Humbësit e shohin Shqipërinë si vend, popull e komb me shans të fundit, duke i ofruar atij një rrugë të vetme si barkë shpëtimi. Për ta përballuar këtë intoksifikim, mendoj se rregullat e lojës duhen ushtruar si proces jostacionar. Madje, edhe kur ato difektojnë gjatë rrugës s’duhet ndalur ushtrimi i tyre. E kundërta do të shmangte dinamikën që mbart vetë sistemi.
Do të bënte që në vend që korrigjimi të ndodhte gjatë rrugës brenda institucionit, por duke dalë jashtë tij, rruga do të bëhej si vlerë ndryshimi dhe pushtet i legjitimuar. Një keqpërdorim i tillë pushteti, në emër të popullit dhe pushtetit në emër të partisë, e zhyt kuptimin e institucionit dhe qytetarit në anonimatin popull, duke i përligjur formulën diktatoriale se partia bën atë që do populli dhe populli atë që do partia. Personalisht kam provuar mbi kurrizin tim dhunën e rrugës, madje gjoja në emër të shtetit, gjatë mbrojtjes së Akademisë së Filmit dhe multimedias “Marubi”.
Në fakt, ajo dhunë rruge ishte ndryshe nga ajo çfarë parashtrova më lart. Te “Marubi”, individë të veshur me lëkurën e pushtetit i anashkalonin institucionet që përfaqësonin, duke i degraduar këto institucione në dhunë rruge. Me këtë dua të them se nuk përjashtoj për asnjë çast dhunën e rrugës, të cilën e gjejmë sot në Parlament, ndër parti, qeveri e kudo në institucionet tona, por në rast se ne do ta legjitimojmë atë si forcë lëvizëse të shoqërisë, atëherë nuk duhet të çuditemi aspak se ky pushtet do të vazhdojë të jetë i tillë, pavarësisht forcës politike që vjen apo shkon nga pushteti. Është koha të çlirohemi nga fantazmat e së shkuarës. Këtë mund ta bëjmë në rast se do të besojmë së bashku se çelësi magjik në demokraci është leximi e dëgjimi i çdo vote qytetari. Më shumë se keqkuptim, unë e kam mirëkuptuar letrën e shkrimtarit Ismail Kadare si një letër të barasvlershme për këdo.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 64
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi