Teki Dervishi:Posesiviteti për Rugovën

Shko poshtë

Teki Dervishi:Posesiviteti për Rugovën

Mesazh nga Agim Gashi prej Sun Mar 29, 2009 12:32 am

Posesiviteti për Rugovën

Teki DËRVISHI


Fakti se sa mirë u prit tipizimi “binom” i Presidentit të Kosovës, dëshmon se sot është arritur një shkallë minimale në pranimin e asaj trashëgimie që sot u dëshmua si vlerë shtetërore (kombëtare) e Kosovës. Po sa është ky hap i vogël, shihet kur ende kemi parti politike që e konsiderojnë Adem Jasharin si trashëgimi e Lëvizjes ushtarake, edhe sot kur ai është ekskluzivisht vlerë kombëtare, e të gjithëve. Ai nuk është më i Lëvizjes, por i kombit. Kjo vlen edhe për Rugovën, ai më nuk mund të privatizohet prej partisë që e themeloi si dhe prej fraksioneve të saj, sepse ai ishte President i Kosovës, që do të thotë i të gjithëve, e jo vetëm i LDK-së. Adem Jashari ishte komandant suprem i UÇK-së, dhe UÇK-ja doli nga një lëvizje politike, por u bë lëvizje gjithëkombëtare.
Veç, dihet pse na ndodhin këso naivitetesh, dhe dihet cili karakter tipizues është posesiviteti. Në sferën politike, posesiviteti përmban në vete një dozë të madhe të prirjes staliniste për diferencim politik, që është karakteristikë postrevolucionare, klasifikimi i trashëgimisë në “pozitive” dhe “negative”, përvetësimi i të gjitha vlerave historike dhe njëkohësisht refuzimi i të gjitha “antivlerave” po ashtu historike. Kjo metodë përjashton kriterin e vlerësimit kritik shkencor të vlerave, dhe koincidon përkatësinë e përvetësuesit të vlerave, me të cilat ai pretendon ta identifikojë vetveten si “vlerë” e valorizuar kategorikisht.

Do të duhej që më parë të ndodhte ndokush ta mohonte rolin historik të Rugovës, që pastaj dikush ta mbronte si trashëgimi të veten. Valorizimi i kësaj vlere do të jetë punë e një procesi kritik historik, e jo qëndrim politik i ditës në shërbim të interesave partiake parazgjedhore. Pikë së pari për faktin se Rugova nuk do të mund të lavdërohet si udhëheqës i LDK-së, por si lider i çështjes kombëtare, sepse LDK-ja që në ditën e themelimit e deri sot përballej me kontradikta të brendshme fraksionesh politike, deri edhe te rrahjet publike televizive. Kështu që historia e LDK-së nuk i shkon në favor personalitetit të Rugovës, po në favor të tij është udhëheqja e shtetit, Rugova mbetet lider kombëtar, e jo partiak, ai ishte President i Kosovës katër mandate me radhë. Dhe dihet se presidenti është i të gjithëve, e jo i partisë, e sidomos jo i anëtarëve të partisë!
Edhe pse dihen marrëdhëniet e Rugovës me individualitete “të rëndësishme” të partisë së tij, vdekja e Presidentit Rugova u shfrytëzua që edhe miqtë edhe “armiqtë” e tij të prezantohen si “krahu i djathtë” i tij që u bie hise ta trashëgojnë. Kush ishte e kush jo fraksion i brendshëm kundër Rugovës për të gjallë të tij, do t’i mbetet ta zbulojë historia, në çastin kur kjo mund të jenë e dobishme për “literaturë shkollore” politike, që do të jetë një pikë në karakterin e kontinuitetin e kontradiktave historike midis personaliteteve supreme shqiptare, që nga marrëdhëniet e Kastriotit me Hamzanë dhe Golemin. Por vetë fakti i paraqitjes së separatizmit në LDK, në këtë format që shihet sot, nuk është i motivuar nga koncepcionet diferente politike, po nga pasionet për prioritet karrierist. Po të ishte luftë konceptesh politike, shumë qartë do të zbulohej cili fraksion është trashëgimtar i politikës së Rugovës. Kjo vlen edhe për disa parti politike jashtë LDK-së, që kritikojnë “devijime” nga koncepti rugovian, por në gjirin e tyre mbajnë liderë që i ka afirmuar shoqëria civile e jo partia e Rugovës, pasi që dihet se shoqëria civile ka qenë e vetmja opozitë e Rugovës sa ishte gjallë!
Mendoj se tashmë gjithnjë e më shumë po del në dritë inkriminimi që u bëhet pikërisht atyre që ende mbrojnë koncepte të politikës së Rugovës dhe - po del në dritë po ashtu – “riatdhesimi” (rikthimi në parti) i të gjithë “disidentëve” të Rugovës. Në këtë linjë analiza do të na nxirrte përfundime kapitale, por jo të rëndësishme as për çështjen, as për historinë. Ngjarjet shtetformuese janë në proces, dhe pavarësisht Rugovës, puna e secilit në këtë drejtim, do t’i diferencojë vlerat që sot përpiqen, jo me rezultate pune, po me emblemën e Rugovës provojnë të arrijnë votëbesimin.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi