Një shfaqje në Teatrin Politik

Shko poshtë

Një shfaqje në Teatrin Politik

Mesazh nga Agim Gashi prej Sun Mar 29, 2009 10:37 pm

Një shfaqje në Teatrin Politik

Bajrush Morina
Histori moderne

Mund të ndodhë që aktorët të mos jene të kënaqur me ndarjen e roleve, të shprehin revoltë e ndoshta edhe të protestojnë për shkak të konceptit regjisorial i cili nuk u shkon për shtati fare atyre... Madje ka raste kur edhe autori i tekstit mund të reagojë për arsye se përmbajtja e shfaqjes teatrale nuk i përmbahet me besnikëri tekstit të dramës... Por më në fund është regjisori ai që vendos se si do të luhen rolet në skenë, se cili tekst do të thuhet nga aktorët dhe me një fjalë se si do të duket një shfaqje teatrale.
Të gjitha këto ngjajnë në hapësirën që quhet teatër. Ndërkaq teatri, sipas shpjegimit të Fjalorit të Gjuhës shqipe është një vend, një hapësirë ku luhet një pjesë artistike teatrale...
Për historinë e shfaqjeve teatrale dinë më mirë historianët e kësaj fushe. Por, në kohën moderne, shfaqjet teatrale po luhen edhe jashtë hapësirës teatrale, apo hapësira e një shfaqje teatrale nuk është kufizuar vetëm mbi “dërrasat e Talisë’.
Një teatër modern po luhet edhe në Kosovë. Ky lloj teatri mund të quhet teatër politik. Por në këtë lloj teatri politik të Kosovës ka një përjashtim të madh nga teatri artistik. Në teatrin politik të Kosovës, regjisorët janë 100% ndërkombëtarët ose ‘të huajt”. Pra, ne aktorët e vegjël, të cilët asnjëherë nuk arritëm që të japim një shfaqje krejtësisht origjinale, krejtësisht të udhëhequr nga “regjisorët” tanë vendorë dhe që kjo shfaqje e madhe teatrale politike të shtrihet anembanë në mbarë territorin etnik shqiptar, tash jemi “rob”të regjisorëve të huaj, jemi aktorë që duhet të flasim e të sillemi në “skenën politike” rreptësisht siç na urdhërojnë “regjisorët” ndërkombëtarë.
Ky servilitet i aktrimit në skenën politike të Kosovës, ka marrë përmasa shqetësuese sidomos në këtë dhjetëvjetësh të fundit. Të vegjël për nga mundësia, dhe të pafuqishëm që të luajmë lojën politike vetëm me forcat tona (me forcat politike e luftarake) u detyruam që t’i thërrasim ndërkombëtarët që të na ndihmojnë në realizmin e premierës tonë politike që u shfaq më 17 shkurt të vitit 2008.
Por, në këtë “klithje” tonë për ndihmë “regjisoriale” ndërkombëtare, duket se pati një keqkuptim. Ne vërtetë në momente të caktuara patëm nevojë për ndihmë ndërkombëtare politike e ushtarake. Madje ne me të drejtë u jemi shumë, tepër shumë mirënjohës të gjithë atyre miqve ndërkombëtarë që na ndihmuan tash e sa vjet deri më 17 shkurt të vitit të kaluar. Ne i falënderojmë nga zemra të gjithë aleatët tanë të cilët edhe sot e kësaj dite po kujdesen me të madhe për ne dhe për shtetin tonë.
Por, megjithatë duket se një “keqkuptim” ndodhi!
Ne nuk bëmë lutje para selisë së OKB-së që ta dërgojnë “regjisorë”! Ne nuk thamë se jemi krejt popull “amator” në gjeografinë historike të botës. Ne kemi traditë e prejardhje që mund të shtyhemi vetëm me disa prej popujve e kulturave më të lashta në historinë e njerëzimit. Ne nuk kërkuam ndihmën e policëve rumunë që na vrasin në pikë të ditës gjatë një proteste popullore! Ne nuk kërkuam ndihmën juridike të një gjykatësi të UNMIK-ut i cili për një gjurmë të një cigareje duhani e dënon shqiptarin me 40 vjet burg e që më pas do të jenë gjyqtarët evropian që do ta shpallin të pafajshëm!
Me një fjalë, ne kërkuam ndihmën nga ndërkombëtarët, por jo të atyre që na vrasin në midis të Prishtinës dhe që na dënojnë pa asnjë argument apo dëshmi të fortë juridike.
Sidoqoftë, ka ardhur koha që ne vetë t’i zgjedhim “regjisorët” për shfaqjet e ardhshme politike në vendin tonë. Por para se t’i ndryshojmë regjisorët, ne duhet ta ndryshojmë vetveten, duhet që të jemi aktorë më të mirë në vendin tonë!
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi