Albin Kurti:Veriu dhe Lugina

Shko poshtë

Albin Kurti:Veriu dhe Lugina

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Mar 31, 2009 11:50 am

Veriu dhe Lugina

Albin Kurti






Shkëmbimi territorial i veriut të Kosovës me Kosovën Lindore si zgjidhje e kontestit “shqiptaro-serb” nuk është i drejtë dhe as i dobishëm. Ushtrimi i së drejtës për vetëvendosje të kombit nuk është i shkëputshëm prej territorit që e popullon kombi (dhe thelbësore e ka vazhdimësinë territoriale të kombit). Çfarëdo referendumi i njerëzve mbahet në tokë – për çdo referendum është thelbësore se cili është territori i përgjithshëm që e ngërthen kutitë e votimit. Ndryshimi i kufirit (sado që formal) të Kosovës përfundon si shkëmbim territorial me Serbinë i veriut të Kosovës me Kosovën Lindore, e i cili i ka disa probleme dhe vështirësi shumë të mëdha:

1. Nuk mund të bëhet në mënyrë paqësore për shkak të Serbisë e tillë çfarë ajo vazhdon të jetë. Shkëmbimi paqësor i territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo edhe shqiptarëve dhe serbëve, është i mundur vetëm në bazë parimore: e drejta për vetëvendosje të kombeve. Mirëpo, kjo në mënyrë paqësore është e mundur vetëm nëse në Beograd e merr pushtetin një parti, le të themi, e trashëgimisë së Dimitrije Tucoviqit, ndërkohë që e dimë se e gjithë skena politike në Beograd aktualisht është trashëgimi e Nikolla Pashiqit. Në shoqërinë serbe nuk ka pendesë dhe as spastrim të strukturave kriminale nacional-shoviniste. Përkdhelja ndërkombëtare është përkthyer veçse në inkurajim që Serbia ta vazhdojë avazin e vjetër me forma të reja. Kur kësaj i shtohet fakti që vatrat e rezistencës parimore në Serbi kundër hegjemonisë së saj janë të vogla dhe të shkapërderdhura, përfundimi është që nuk ka gjasa që ky brez i politikanëve në Serbi (e ndoshta as ai pas këtij) të bëhet parimor.

2. Faktori tjetër që e pamundëson zgjidhjen paqësore është ndërmjetësimi i pashmangshëm ndërkombëtar i cili parimisht s’është parimor, por e gjen një kompromis midis palëve që i lë të dyja palët të pakënaqura, ia mban anën të fortit dhe e rrit armiqësinë anipse e ngrin konfliktin. Shembull e kemi ndërmjetësimin e Ahtisaarit: Serbia kërkonte 19 komuna serbe në Kosovë, negociatorët e Kosovës në fillim thoshin vetëm pesë për të përfunduar me kompromisin 10+1 komuna, por edhe me mundësi të rritjes së numrit të tyre. Negociatat si ballafaqim i pastër interesash ndërmjet shqiptarëve, serbëve dhe ndërkombëtarëve të ndryshëm (që veçse mbrojnë interesat e veçanta kombëtare apo financiare) për kufij do të sjellin gjakderdhje të reja sepse secila palë do të përpiqet ta avansojë situatën e saj në terren para raundit të ri negociator.

3. Konsiderimi i çështjes së Kosovës, si popull e territor, si një çështje e kontestit shqiptaro-serb nuk është e drejtë. Problemi i Kosovës është problem ndërmjet shqiptarëve liridashës (dhe disa pakicave të tjera të vogla) në njërën anë dhe Serbisë si shtet ekspanzionist në anën tjetër. Kjo mënyrë disi e shfajëson regjimin e Milosheviqit dhe pushtetet e tjera pararendëse në Serbi të cilat e kolonizuan Kosovën dhe e shtypën popullin e saj si zbatim të politikave të hartuara dhe urdhëruara nga qendra, nga Beogradi. Shteti i Serbisë tradicionalisht ishte një teokraci militariste: akademia ka planifikuar, politika ka miratuar, kisha ortodokse ka bekuar, kurse ushtria ka ekzekutuar. Shqiptarët nuk janë vrarë e dëbuar prej serbëve si qytetarë apo komb por prej ushtarëve e policëve serbë në mënyrë programatike e sistematike (këtu megjithatë nuk mund ta mohojmë faktin se kolonët kanë qenë të përfshirë në vrasjen e shqiptarëve. Kolonët për nga natyra janë një lloj tjetër i njeriut dhe vështirë se mund t’i quajmë qytetarë, mirëpo kjo mendoj se duhet qartësuar).

4. Sot, nuk ndodhemi në kohën kur ka gjasa të ndodhë shkëmbimi territorial por kur po zbatohet Plani i Ahtisaarit i cili kur të implementohet në Anamoravë e rrethon dhe e izolon Kosovën Lindore duke na e shkëputur vazhdimësinë territoriale dhe duke i enklavizuar shqiptarët. Pengimi i zbatimit të Planit të Ahtisaarit duhet të jetë prioriteti e jo shkëmbimi territorial. Sepse, i pari është realitet kurse e dyta vetëm ide.

5. Plani i Ahtisaarit e bën Kosovën fushëbetejë të pretendimeve mbi baza etnike dhe ai është dëshmi që kontesti “shqiptaro-serb” nuk është i lokalizuar vetëm në relacionin “Veriu i Kosovës” – “Kosova Lindore”: kemi eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve ortodokse që i serbizon ato, privilegjin e vetos për deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës, dëmet e luftës (që nuk i paguan Serbia) dhe borxhin e jashtëm të Serbisë (ku e kërkojnë edhe kontributin e Kosovës!) etj. Në fakt, Serbia nuk e do ndarjen e Kosovës por kontrollin mbi tërë Kosovën përmes ndarjes së brendshme të saj.

6. Po qe se vetëvendosja kombëtare e shqiptarëve parimisht do të mund të ushtrohej aty ku shqiptarët janë shumicë, kjo do ta përjashtonte Medvegjën meqë shqiptarët aty tashmë janë pakicë. Komuna e Medvegjës i ka 10.760 banorë sipas regjistrimit të vitit 2002. Shqiptarë janë 2.860 ose 26.8%.

7. Kur kërkesa për vetëvendosje kombëtare vjen e lokalizuar nga shqiptarët e Kosovës, ajo doemos përkthehet në shkëmbim territori midis Kosovës e Serbisë. Serbët janë të privilegjuar edhe në veri të Kosovës edhe në Kosovën Lindore pikërisht për shkak se Serbia i kontrollon të dyja këto. Në kohën kur Serbia i kontrollon me forcë edhe veriun e Kosovës, edhe Kosovën Lindore, të kërkosh shkëmbim do të thotë të heqësh dorë nga veriu. Asgjë më shumë. (Mbase, përveç krijimit të animoziteteve ndërmjet shqiptarëve që banojnë në këto dy zona.) Në çfarëdo variante të mundshme, kërkesa e ideja për shkëmbime territoresh ndërmjet kombit shqiptar dhe atij serb eventualisht duhet të vijë nga Tirana e kurrsesi nga Prishtina. Shqipëria e cila është sovrane, ka subjektivitet të plotë ndërkombëtar dhe ushtri do të mund të bënte pazar të levërdishëm – kurrsesi Kosova.

8. Kurrfarë shkëmbimi territoresh s’duhet pranuar si ofertë dhe as hedhur në tavolinë pa i ditur pasuritë që po shkëmbehen. Agjensioni Kosovar i Mineraleve dhe Minierave nuk i publikon rezultatet e vlerësimit të Trepçës tash disa vjet. Sipas Halil Qelës, gjeolog me profesion dhe i cili njëkohësisht kryeson me sindikatën atje, vlera e përgjithshme e Trepçës është 502 miliardë euro. Veriu i Kosovës është interes i Kosovës, i popullit të saj dhe i kombit shqiptar në përgjithësi. Sepse, interesi ka të bëjë me pasuritë natyrore dhe nënokësore që reflektohen në punësim, zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe begati. Bashkangjitja e Kosovës Lindore me Kosovën nuk do të ishte e vlefshme vetëm për shkak se Kosovës do t’i shtoheshin afër 100.000 banorë por gjithsesi edhe për shkak të tokës së tyre e cila paraqet pasuri në shumë aspekte.

9. Duhet pasur shumë kujdes me kufijtë që propozohen. Nuk duhet harruar që sipas regjistrimeve të viteve 1971 dhe 1981 Kosova i kishte 22 komuna. Zveçani dhe Zubin Potoku janë bërë komuna në fund të viteve të ‘80-ta – pra, në periudhën e sundimit të Milosheviqit ato i janë marrur komunës së Mitrovicës (ndonëse komuna e Zubin Potokut ka ekzistuar që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1965). E drejta e vetëvendosjes gjithsesi e nënkupton dekolonizimin si korrigjim historik të padrejtësive nga e kaluara.

10. Vetëvendosja e kombit shqiptar deri në shkëputje nga Serbia nuk mund të afirmohet pa kthimin te koha kur Kosova u pushtua me dhunë nga Serbia në vitet 1912-1913. Vetëvendosja si parim nuk kufizohet në realitetin e tanishëm që është pasojë, por ajo trajton shkaqet dhe historinë e një problemi që duhet zgjidhur duke u bërë korrigjimet e pasojave të shkaktuara nga politikat kolonialiste. Prandaj, pretendimi i shqiptarëve për veriun e Kosovës, të cilët kur u pushtuan nga Serbia ishin shumicë prej Jeni pazarit e deri në Shkup, nuk është assesi hegjemonist. Rrjedhimisht është e padrejtë, madje edhe antihistorike, që shqiptarët të vendosen para zgjedhjes pjesën veriore të Kosovës ose Kosovën Lindore. E aq më tepër që ne ta vendosim veten para kësaj zgjedhjeje.

11. Projekti për shkëmbimin e 3 komunave në veri të Kosovës me 3 komunat në Kosovën Lindore e përforcon komunën si njësi administrative dhe territoriale duke e vendosur komunën në qendër të konceptit të së drejtës dhe jo njeriun. Theksimi i komunës u pat kodifikuar në Dokumentin e Rambujesë dhe sot kjo vazhdohet përmes projektit të quajtur ‘decentralizim’.

12. Politikisht, kërkesa për shkëmbim territorial (e cila siç u përmend në pikën 7 shndërrohet në heqje dorë prej veriut të Kosovës), e relakson Qeverinë e Hashim Thaçit dhe gjithë koniukturën institucionale në Kosovë. Trysnia e tanishme e qytetarëve të Kosovës mbi ta është që ata të angazhohen për veriun e Kosovës e jo që ta marrin Kosovën Lindore. Po ashtu, nuk është i mundur mobilizmi i shqiptarëve vetëm për veriun e qytetit të Mitrovicës (që ka vetëm disa kilometra katrorë sipërfaqe) kur dihet që nevojitet mobilizim e organizim i madh. Ta kërkosh vetëm pjesën veriore të qytetit me ndonjë paralagje është mënyrë pak më e butë drejt pranimit të Ibrit si kufi.

Energjia paralele

Afërsisht 300 milionë euro është borxhi i përgjithshëm që qytetarët ia kanë borxh KEK-ut. Kjo është rryma elektrike e shfrytëzuar, faturuar dhe e papaguar, e shprehur në vlerë monetare. Prandaj na thonë se nuk kemi rrymë. Sipas zyrtarëve të KEK-ut por edhe sipas zyrtarëve qeveritarë të kaluar e të tashëm, po të paguhej ky borxh në Kosovë nuk do të kishte reduktime.

Të gjithë që e kanë paguar rregullisht faturën e tyre të KEK-ut e dinë se kjo nuk është e vërtetë. Ata kanë qenë të privilegjuar duke pasur më shumë furnizim se të tjerët (plani ABC), por kjo nuk ka ndodhur gjatë tërë kohës. Kur nuk ka pasur prodhim të mjaftueshëm e as import, edhe joborxhlinjtë kanë pasur reduktime.
Edhe ata që nuk e kanë paguar faturën e dinë se kjo nuk është e vërtetë. Për shembull enklavat serbe. Shumica prej tyre nuk kanë paguar kurrë rrymën elektrike. Mirëpo furnizim me rrymë kanë pasur rregullisht, madje në shumë raste edhe më shumë se sa pjesa tjetër e vendit. Sipas raporteve të medieve, 120 milionë nga borxhi i përgjithshëm është borxh i enklavave. 5% të popullsisë e kanë 40% të borxhit. Në këtë borxh hyjnë edhe ndërmarrjet e Serbisë të cilat operojnë lirshëm në Kosovë, siç është ajo e Genexit nga Beogradi, e cila ilegalisht operon me resurset turistike të Brezovicës.

Deri vonë enklavat serbe nuk janë prekur kurrë për këtë mospranim të hapur të legjitimitetit të KEK-ut si furnizues publik i energjisë elektrike. Intervenimi me shkyqje ndaj tyre është konsideruar si çështje politike nga UNMIK-u. Kështu të paktën arsyetohej KEK-u. UNMIK-u nuk bëzante duke e pohuar në heshtje. Kohëve të fundit kemi parë një ndryshim të vogël në këtë drejtim: enklavave nuk po iu rregullohen trafot e prishura pa e paguar borxhin. Kjo nuk është përherë e vërtetë. Prilluzhës i është kthyer furnizimi me energji pas protestave përkundër mospranimit të banorëve atje që të nënshkruajnë kontrata me KEK-un (kushti kryesor) vetëm me premtime të vagullta se do ta paguajnë borxhin. Ndërkohë që enklavave në Anamoravë nuk iu është rregulluar ende trafoja njësoj për shkak të borxhit që e kanë.

Ky borxh i enklavave serbe nuk është i rastësishëm dhe nuk ka të bëjë fare me pamundësinë e tyre për ta paguar rrymën (natyrisht se këtu mund të ketë raste sociale, siç ka në tërë territorin e Kosovës, mirëpo kjo është tjetër gjë). Serbët nuk e paguajnë rrymën për shkak se nuk lejohen ta bëjnë një gjë të tillë nga strukturat paralele. Janë udhëheqësit e këtyre strukturave ata që i organizojnë protestat e serbëve, dhe të cilët negociojnë në emër të tyre. Protestat në Shillovë i ka organizuar Dragan Nikoliqi i cili nga pushteti në Serbi konsiderohet si udhëheqës i Qarkut të Anamoravës. Të gjitha deklarimet mediatike për rrymën për sa i përket Anamoravës deri tash i ka bërë po ky person. Strukturave paralele u intereson t’i mbajnë serbët e Kosovës jashtë çfarëdo lloj integrimi në jetën publike në Kosovë, për shkak se sa më të integruar serbët, aq më e pamundur ndarja e Kosovës.

Rasti i Shillovës e pasqyron më së miri këtë strategji. Këtij fshati të banuar me serbë u është prishur trafoja elektrike. KEK-u refuzon t’ua riparojë atë për shkak të mospagesës së borxhit dhe mosnënshkrimit të kontratës me KEK-un. Strukturat paralele organizojnë protesta kundër mosfurnizimit me energji elektrike. Pengohen nga policia për shkak se dëshirojnë ta bllokojnë rrugën kryesore që lidh Gjilanin me Dardanën. Akuzojnë policinë se i kanë rrahur (ta paraqesin veten si viktima të dyfishta). Në asnjë mënyrë nuk pranojnë kontratat me KEK-un. Trafoja nuk u riparohet. Pas tërë kësaj ofrojnë zgjidhjen: kërkojnë një ofrues tjetër të energjisë elektrike për enklavat e tyre. Cilin ofrues? Elektroekonominë e Serbisë (EPS), natyrisht. Kërkojnë ndarjen dhe integrimin me Serbinë për sa i përket furnizimit me energji elektrike. Elektroekonomia e Serbisë funksionon në Kosovë tash e sa kohë. Në pjesën veriore të Kosovës tërë rrjetin e kontrollon EPS-ja, e po ashtu edhe në Shtërpcë. Edhe pse këto pjesë të Kosovës furnizohen me rrymë elektrike nga KEK-u, ato nuk paguajnë asnjë cent, dhe madje as që lejohen t’i lexojnë njehësorët në këto pjesë. Kështu janë bërë 120 milionë euro borxh. Kështu ky do të vazhdojë të rritet. Sa të jenë strukturat paralele këtu nuk mund të presim pranim të Kosovës nga serbët në Kosovë. KEK-u po preket drejtpërdrejt nga këto struktura. Kosova po preket drejtpërdrejt nga këto struktura. Mirëpo asnjë nga këta nuk kanë paraqitur kallëzimin penal në prokurori!
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi