Enver Bytyçi: Pse e harrojmë kaq shpejt armiqësinë e Serbisë ndaj shqiptarëve?

Shko poshtë

Enver Bytyçi: Pse e harrojmë kaq shpejt armiqësinë e Serbisë ndaj shqiptarëve?

Mesazh nga Agim Gashi prej Mon Aug 15, 2011 10:22 pm


Pse e harrojmë kaq shpejt armiqësinë e Serbisë ndaj shqiptarëve?
Nga Enver Bytyçi
Kur në jetën private përsëriten gabimet, dështimet, pësimet, kjo do të thotë se njeriu nuk është i gatshëm të mësojë nga ajo çfarë ka pësuar. Harresa është një fenomen që shkaktohet nga shkalla e interesit për të mbajtur mend, nga emocionet që shkakton një ngjarje, një dukuri, një lajm, një e dhënë si dhe nga rëndësia që merr zhvillimi i asaj që quhet “proces i ndodhive”. Harresa është një dukuri e zakonshme në përditshmërinë e rutinës njerëzore, është e dukshme më së shumti tek individët. Po a mund të ndodh që procesi i harresës të ngjizet edhe te grupet shoqërore, te popujt dhe kombet, tek elita politike dhe intelektuale e tyre?
Nëse kemi parasysh atë çfarë po ndodh në Veriun e Kosovës, nëse ndjekim hap pas hapi politikat serbe në Kosovë, nëse vlerësojmë dhe studiojmë deklarimet si dhe veprimet e udhëheqësve serbë të Beogradit, përfshirë edhe presidentin Boris Tadiç, atëherë nuk do të ishte aspak e vështirë të dallonim se “Serbia e sotme është në të njëjtën rrugë që ndiqte Millosheviçi. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka pohuar më në fund këtë të vërtetë të kahershme e të pandryshuar: faktin se Serbia sillet në Kosovë njësoj si në kohët e sundimit të saj prej Milosheviçit, faktin se ajo dhunshëm kërkon ta vazhdojë sovranitetin e saj (kupto sundimin e saj) në Kosovë. Ai ka theksuar se "Presidenti i Serbisë, Tadiç, ministrat e qeverisë serbe kanë nxitur dhunë në Veri. Zhvillimet e fundit dramatike janë organizuar dhe financuar nga qeveria në Serbi. I dërguari i Serbisë në dialog vjen ilegalisht në Kosovë dhe mban fjalime që të kujtojnë luftërat e viteve ‘90. Serbia ende nuk ka arritur të përpunojë të kaluarën". Analistët vendas e të huaj e kanë vënë prej kohësh në dukje këtë fakt. Më së shumti kur në pushtetin e Beogradit ishte Vojsllav Koshtunica e më pak pas largimit të tij. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, edhe pse është kursyer nga të krahasuarit me Millosheviçin dhe regjimin e tij brutal, përsëri nuk është mënjanuar nga analiza krahasuese me të shkuarën. Në fakt, Tadiç ka mbajtur një pozicion më të sofistikuar, e ka mënjanuar disa herë veten nga deklarimet ekstreme, ka folur gjithnjë për “paqen”, siç e kushtëzon ai në vetëdijen e tij, gjithnjë me “sovranitetin serb në Kosovë”. Presidenti i Serbisë praktikisht ka dëshmuar se është po aq i rrezikshëm sa dhe Millosheviçi. Ai i ka mbajtur të fshehur me dijeninë e vet kriminelët e luftës në Bosnjë e në Kosovë për t’ia dhënë Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës në kohën e përshtatshme, kur i duhej për të siguruar pa meritë kredite në rrugën e integrimit evropian. Ai ka përfituar nga fakti që evropianët kanë zgjedhur të mbështesin të keqen më të vogël në Serbi me emrin “Tadiç” në vend të keqes më të madhe me emrin “Koshtunica”. Këto ndoshta janë arsyet pse dikush nga analistët shqiptarë vijon edhe pas ngjarjeve në Veri të Kosovës t’i japë pikë pozitive diplomacisë dhe politikës së Beogradit.
Ndërkaq është fakt se presidenti i sotëm i Serbisë ka mundur që t’i imponohet politikës shqiptare në Kosovë, veçanërisht asaj të qeverisjes. Këtu kanë ndikuar dy faktorë: në njërën anë politikanët e Kosovës janë ndodhur para presionit të ndërkombëtarëve “evropianë” dhe nga ana tjetër janë prirur që të dëshmojnë modernitet fals, duke bërë thirrje herë pas here për “kapitull të ri në marrëdhëniet me Serbinë”, deklarime të cilat janë dëgjuar edhe në Tiranën diplomatike. Enver Hoxhaj duke folur për gazetën zvicerane “Neue Zuhricher Zeitung” ka pohuar më në fund një të vërtetë të fshehur e të harruar prej disa vjetësh. Ai ka rikthyer në vëmendjen e opinionit të brendshëm e të jashtëm faktin se Serbia vazhdon edhe më tej të zbatojë politikat e Milosheviçit kur është fjala për Kosovën. Dhe ai ka plotësisht të drejtë. Boris Tadiç është takuar pardje me përfaqësuesit e serbëve të Veriut të Kosovës, të kryesuar nga ministri Bogdanoviç dhe kreu i negociatave, Stefanoviç. Tri orë diskutime kanë shërbyer thjesht për të ripërsëritur qëndrimin e Milosheviçit për sovranitetin serb në Kosovë. Aty është thënë troç se serbët dhe Serbia duhet të jenë në unitet kur është fjala për injorimin e shtetit të Kosovës dhe rikthimin e Serbisë në territorin e saj. Është thënë se KFOR-i dhe EULEX-i duhet të jenë neutral ndaj statusit të Kosovës, çka do të thotë se këto dy struktura përgjegjëse në Kosovë janë “urdhëruar” të zbatojnë politikën e Millosheviçit pa Millosheviçin. Edhe pse më 22 korrik të vitit të kaluar (2010) Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka rikonfirmuar legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës në kufijtë e saj aktualë, edhe pse në atë vendim të GJND-së thuhet se pavarësia e Kosovës është thirrur në pajtim me rezolutën 1244, me të cilën serbët spekulojnë pas vitit 2008 për të mos humbur plotësisht mbështetjen ndërkombëtare, edhe pse 77 vende të botës kanë njohur pavarësinë, integritetin dhe sovranitetin e shtetit më të ri në Evropë, në Beograd e në disa qendra të tjera evropiane si dhe në Veriun e Kosovës vijojnë t’i mohojnë këto fakte juridike të konfirmuara nga një trupë gjykatësish me autoritet ndërkombëtar të pakontestueshëm. Presioni i Beogradit në këtë drejtim është i koordinuar me shumë aspekte. Ndërkaq, të gjendur përballë këtij presioni, shumë prej shqiptarëve janë shprehur të gatshëm të pajtohen me idenë e ndryshimeve në Serbi dhe formulën e një vije të re politike ndaj saj. Madje, disa prej tyre kanë shprehur gatishmërinë që të ndryshojnë kombësinë shqiptare e të vetëquhen “kosovarë’. Shteti, institucionet e Kosovës kishin pranuar më parë në emër të pajtimit të ndryshonin simbolet e tyre, duke u dëshmuar serbëve se dy milionë shqiptarët janë të gatshëm të sakrifikojnë simbolet e veta kombëtare për hatrin e nja njëqindmijë sish, sa jetojnë sot në këtë vend. Edhe himnin në emër të harresës së të kaluarës e lanë pa tekst. Më saktë, nuk e shkruan tekstin, sepse duhej të dëshmonin historinë e dhimbshme të dhunës e terrorit serb në Kosovë. E kjo do t’i “lëndonte” serbët e pakënaqur me pavarësinë e Kosovës. U pajtuan shqiptarët me shkallën e autonomisë që plani i Ahtisarit i jepte komunave serbe. Kaq shumë lëshime ishin bërë në emër të paqes, sa nuk ka mundur të ndodhë kjo praktikë shtetërore as në vendet më të përparuara e të civilizuara të botës demokratike. Serbët janë shndërruar de facto në një forcë imponuese. Ata e dominojnë dhe “sundojnë” Kosovën e rrjedhat e saj. Për ta mund të sakrifikohet shumëçka, nga ajo pjesë e dinjitetit, integritetit dhe sovranitetit, të cilin vendet e tjera evropiane e kanë tabu ta ndryshojnë e ta lëshojnë. E gjitha kjo është bërë e bëhet në emër të paqes. Sapo qeveria dhe policia e Kosovës u përpoq të kontrollonte thjesht kufirin dhe doganat, serbët dëshmuan se dinë të bëjnë vetëm luftën. Dëshmuan gjithashtu se ata nuk kanë bërë asnjë hap përpara në ndryshimin e madh që duhej të ndodhte prej kohës së Millosheviçit. Në përplasjen e fundit ata i vranë dhe i plagosën shqiptarët, u vunë flakën doganës dhe pikës kufitare, i bënë barrikada KFOR-it dhe e përzunë përtej Kosovës EULEX-in, duke u dhënë të gjithëve mesazhin e forcës e të dhunës si dhe duke risjellë në vëmendje dramën e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavinë e fundit të shekullit XX. Kjo situatë lufte shërbeu që ne shqiptarët të kujtoheshim se gjërat nuk kanë ndryshuar, se Serbia e Millosheviçit është ende në trend, pavarësisht se lideri shpirtëror i saj nuk jeton më. U desh të derdhej sërish gjak shqiptarësh që të rikthejmë kujtesën tonë. Vetëm kur pamë që snajperët kriminelë serbë dolën sheshit, u kujtuam se Beogradi i Tadiç i furnizon ata me armë. Vetëm kur na përgjakën u kujtuam se ata janë serbët e vitit 1998-1999. Nëse nuk do të kishte ndodhur 25-26 korriku, do të vijonim edhe më tej të flisnim për “bashkim-vëllazërimin” nostalgjik të tipit komunist. Vetëm pas 25 korrikut u kujtuam se serbët e Tadiçit nuk kanë asnjë ndryshim nga serbët e Millosheviçit. Më 26 korrik serbët e sotëm nisën një aksion antishqiptar të koduar dhe praktikuar në kohën e Millosheviçit. Pamë se nuk kishte ndodhur asnjë ndryshim në koncept, në strategjinë dhe në taktikën e serbëve kundër shqiptarëve. Më 1989 Milosheviçi pati shkuar vetë në Kosovë dhe u pati deklaruar serbëve se “tash e tutje askush nuk do të mund t’ju kërcënojë”, duke nënkuptuar përdorimin e forcës për mbrojtjen e tyre. Madje, ai ishte deklaruar me sentencën e Hitlerit: “Serbia ose do të jetë e madhe, ose do të shuhet fare”. Në korrikun e vitit 2011 në Kosovë kanë ardhur ilegalisht përfaqësuesit e qeverisë serbe pa Millosheviçin, duke u prirë turmave në dhunën kundër shtetit të Kosovës. Ata bënë thirrje që të mos pranohen institucionet e këtij vendi, duke legjitimuar dogmën e Millosheviçit për Serbinë e madhe. Më 1990 Millosheviçi i pati armatosur thuajse të gjithë serbët lokalë në Jug e në Veri të vendit. Serbia e Koshtunicës dhe e Tadiçit ka vijuar që prej një dekade e më shumë që të armatosë strukturat paralele e kriminale në Veri të Mitrovicës. Më këto armë në ditët e pas 25 korrikut 2011 serbët hapën zjarr kundër shqiptarëve dhe forcave të KFOR-it. Më 1990-n Millosheviçi e pati filluar luftën de facto në Kosovë, më 2011 këtë gjest ka dëshmuar Tadiçi po në Kosovë. Prej Kosovës Milosheviçi kishte dërguar sinjalet e kërcënimeve ndaj republikave të tjera si Kroacia, Sllovenia dhe Bosnjë-Hercegovina. Prej këtu Tadiçi po dërgon sinjale të njëjta për Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Ndonëse ka devijuar disi kufiri i hartës së presioneve dhe kërcënimeve serbe, në thelb mbetet e njëjta strategji dhe politikë destruktive në rajon. Serbia, edhe pse mbetet vendi më kërcënues i rajonit, ajo shitet shpesh herë si vend demokratik dhe i civilizuar. Shumë prej shqiptarëve patën filluar ta besojnë këtë. Mund të thuhet se pati filluar ta besojë edhe kryeministri i vendit kur deklarohej se “Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës”. Por 25 korriku ka shënuar kthesën e bindjes së vetë kryeministrit. Ai tha pardje për “Zërin e Amerikës” se “ndarja e Kosovës do të shkaktonte të njëjtën gjë të paktën në gjashtë shtete ballkanike”. Megjithatë, duket se nuk është e mjaftueshme që për të vendosur sovranitetin e plotë në Kosovë të kujtosh pasojat e mosrespektimit të kufijve të saj. E rëndësishme është të mos harrojmë, të nxjerrim mësime dhe të jemi të kujdesshëm edhe kohë paqeje, në ditët e qetësisë relative.
Kështu situatat e zhvilluara, ngjarjet e dhunshme që kemi parë në ekranet televizive të këtyre javëve na kanë rikthyer kujtesën për të kaluarën e afërt e të largët më se njëshekullore. Pozitiv është fakti se thuajse të njëjtin efekt e patën ngjarjet e dhunshme në Veriun e Kosovës edhe te bashkësia ndërkombëtare, e cila po rivlerëson qëndrimin e saj ndaj Serbisë. Ndërkohë mund të justifikohen perceptimet e gabuara të ndërkombëtarëve për Serbinë është i pashpjegueshëm perceptimi iluziv i shqiptarëve për politikën e saj. A nuk ishin shqiptarët shtëpi për shtëpi viktima dhe kavie në duart e Millosheviçit? A nuk eksperimentoi regjimi i Beogradit një tragjedi të paimagjinueshme me shqiptarët, duke u shkaktuar atyre në tre muaj gati 15 mijë viktima të pafajshme dhe 120 mijë banesa të rrënuara nga zjarri i artilerisë serbe? A nuk ishte bërë Peja, Gjakova, Mitrovica, Deçani dhe qytetet e fshatrat e tjerë të Kosovës para 12 vjetësh shkrumb e hi, aq sa reporterëve perëndimorë u kishin kujtuar Hiroshimën?! Kush nuk i ka parasysh gjithë ato krime makabre që u bënë në emër të territoreve e në luftën etnike e racore të Serbisë kundër shqiptarëve?! Dhe a nuk jemi dëshmitarë të atij destruksioni të vazhdueshëm të Serbisë kundër shqiptarëve në këta 12 vjet pas hyrjes së NATO-s në Kosovë? Sigurisht që të gjitha të vërtetat e dhunës dhe terrorit serb kundër shqiptarëve ndihen më shumë se në memorien time te subkoshienca e secilit shqiptar që jeton në Kosovë. E megjithatë ëndrra e “Serbisë demokratike” vijon edhe më tej të çoroditë një pjesë të opinionit. Prapa iluzionit të “Serbisë demokratike” fshihet e vërteta e konstruksionit të Serbisë së madhe e projektuar prej kriminelit Sllobodan Millosheviç. Ndaj dhe ndodhi ajo që ndodhi, ndërhyrja kaq brutale, provokuese dhe injoruese e Serbisë në territorin e Kosovës, përkatësisht në Veriun e saj. Maskimi i Serbisë së madhe me “Serbinë demokratike e evropiane” shpjegon faktin që Serbia dhe Beogradi mbahen si partner të zgjidhjes së problemeve në Kosovë, edhe pse ata dëshmohen çdo ditë si armiqtë e saj.
10/08/2011
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi