Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Xhesika Vula:Perandoria Osmane ishte pushtuese dhe mohuese e identitetit kombëtar të shqiptarëve

Shko poshtë

Xhesika Vula:Perandoria Osmane ishte pushtuese dhe mohuese e identitetit kombëtar të shqiptarëve Empty Xhesika Vula:Perandoria Osmane ishte pushtuese dhe mohuese e identitetit kombëtar të shqiptarëve

Mesazh nga Agim Gashi Mon Sep 19, 2011 11:32 am

Xhesika Vula:Perandoria Osmane ishte pushtuese dhe mohuese e identitetit kombëtar të shqiptarëve 41501_1639025407_3357_n

Xhesika Vula:Perandoria Osmane ishte pushtuese dhe mohuese e identitetit kombëtar të shqiptarëve

Qeveria e Kosovës pas kërkesave këmbëngulëse të Qeverisë së Turqisë, ka arritur marrëveshje, e cila parasheh ndryshimin e disa pjesëve të historisë në librat shkollorë, që kanë të bëjnë me Turqinë. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë pranuar ndryshimin e të gjithë atyre fakteve apo komenteve, në tekstet e h...istorisë shqiptare, të cilat autoritetet qeveritare të Turqisë i konsiderojnë fyese dhe të njëanshme, pavarësisht se historianët në Kosovë dhe në Shqipëri e mohojnë kategorikisht mundësinë që në tekstet e historisë së popullit shqiptar të ketë fyerje kundër Turqisë. Pavarësisht nga faktet, pavarësisht se çka dëshmojnë dhe argumentojnë historianët shqiptarë, Qeveria aktuale e Turqisë kërkon me këmbëngulje një qasje tjetër të historisë së Shqipërisë, për hir të marrëdhënieve, aktuale miqësore në mes të dy vendeve.

Mirëpo fjala e historianëve shqiptarë nuk çon peshë kur është në pyetje politika, e cila është e gatshme të bëjë pazare, madje edhe në kurriz të identitetit kombëtar, me qëllim për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, dhe për t’iu nënshtruar interesave të ndryshme, ashtu sikur ka pranuar ndërrimin e Himnit dhe të disa simboleve të tjera kombëtare. Duke folur lidhur me këtë marrëveshje, zëvendës-ministri i Arsimit, Nehat Mustafa thotë se ndryshimet do të bëhen për shkak se autorët e teksteve historike, sipas tij, paskan bërë shumë gabime, por edhe për shkak se strategjia e BE-së po kërkuaka që tekstet e historisë të lirohen nga gjuha e dhunës.

Duke folur për këtë skandal të llojit të vet, profesori dhe historiani i mirënjohur i Universitetit të Tiranës, Pëllumb Xhufi thotë se ndryshimet e caktuara në tekstet e historisë së popullit shqiptar edhe mund të bëhen për shkaqe politike, por e vërteta është se nuk ka asgjë fyese dhe jo reale në tekstet e Historisë së popullit tonë. Qeveria e Kosovës nëse pranon ndryshimet, atëherë bën pranimin e një kërkese politike dhe për nevoja politike ka saktësuar, Pëllumb Xhufi, duke shtuar se një kërkesë e tillë, të paktën, është dashur të shqyrtohet me autoritetet e Shqipërisë, për shkak se Shqipëria dhe Kosova ndajnë të njëjtën materie historike sa i përket periudhës së sundimit të Perandorisë Osmane në trojet shqiptare.

Ndryshimi i historisë së kaluar për hir të miqësisë aktuale është një “pazar i keq politik” dhe një precedent i rrezikshëm, jo vetëm për tekstet e historisë, të cilat mjerisht janë ndërruar e censuruar sa e sa herë në të kaluarën, por edhe për fatin se miqësia mbi baza të mohimit të së kaluarës, është miqësi sa për sy e faqe, miqësi me interes dhe në esencë është miqësi tok me hipokrizi e djallëzi.
Të përkujtojmë edhe me këtë rast se historia e marrëdhënieve turke shqiptare është një kapitull i rëndësishëm i këtyre dy popujve. 500 vjet bashkëjetesë të pabarabartë, me hir apo pa hir, kanë bërë që shqiptarët dhe turqit të kenë qenë miq dhe armiq në të njëjtën kohë. Shqiptarët edhe pse pranuan islamin nuk u turqizuan, ashtu sikur turqit edhe pse pranuan islamin, në periudhën më të hershme të përhapjes, nuk u arabizuan.

Duke qenë se shqiptarët në shumicë pranuan islamin, Turqia i trajtonte si qytetarë të barabartë të Perandorisë, duke iu besuar edhe postet më të larta në hierarkinë ushtarake, fetare e politike. Në të njëjtën kohë, kur një shumicë dërrmuese shqiptare ishte bërë pjesë e synimeve pushtuese të Perandorisë, pjesa tjetër luftonte për më shumë autonomi, për vetëqeverim e më në fund edhe për shkëputje. Turqia, asnjëherë gjatë 500 vitesh të sundimit nuk ua ka njohur shqiptarëve të drejtat kombëtare, gjuhën, historinë, kulturën dhe i ka detyruar të deklarohen “turk elhamdulilah”.
Shqiptarët i kanë dhënë Perandorisë rreth 30 serasqerë, vezirë dhe komandantë të nivelit më lartë ushtarak, në anën tjetër nuk kanë qenë pakicë ata vezirë, komandantë e guvernatorë që i tradhtuan interesat e Perandorisë për interesa të trojeve arbërore, si Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Halil Patrona, Ali Pashë Tepelena, Mustafë Pashë Bushati, Avdyl Frashëri, Imer Prizreni, Ismail Qemali e shumë të tjerë.
Kjo ta quajmë bashkëjetesë e detyruar shqiptare-turke gjatë tërë sundimit 500 vjeçar të Perandorisë Osmane, në trojet shqiptare ka pasur specifikat e veçanta historike, të cilat mbase edhe nuk janë gjurmuar sa duhet dhe si duhet.

Pretendimet e politikës së mjerë shqiptare për të rehabilituar të gjithë pushtuesit pa dallim, janë përpjekje të mendjeve dhe kokave servile, thellësisht antikombëtare, të njëjta sikur ato të kohës së pushtimeve shekullore. Nëse vazhdon kjo logjikë e degjeneruar, atëherë pas një kohe të shkurtër do të gjenden politikanë servilë, të cilët do të rehabilitojnë edhe sundimin serb dhe sllav në Kosovë, madje edhe vetë kryekriminelin e damkosur Milosheviq. Të mos harrojmë se ishin pikërisht zyrtarët e UNMIK-ut në Kosovë, ata të cilët kanë kërkuar nga Instituti i Historisë që të rishikohet tekstet e historisë dhe të hiqen përmbajtjet, të cilat konsiderohen se nxisin urrejtje mes kombeve. Dhe çuditërisht ata kanë hasur në përkrahje pa rezervë në këtë drejtim.

Loja cinike lidhur me rivlerësimin e së kaluarës u bë para dy vitesh, edhe me rastin e organizimit të një manifestimi, në 621-vjetorin e vrasjes së Sulltan Muratit të Parë, në Betejën e Kosovës, të vitit 1389. Manifestimi u mbajt në Tyrben e Sulltan Muratit, në Gazimestan afër Prishtinës. Ky tubim ishte organizuar nga zyrtarë të kulturës së Turqisë, pastaj të komunës së Mamushës, ku mori pjesë edhe kryemyftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Në përkujtim të vrasjes së Sulltan Muratit, u tha se Sulltani nuk kishte ardhur në Kosovë si pushtues, me qëllim për të përfituar, apo për të ngritur pasuri, por vetëm si mbret dhe me qëllim kryesor të përhapjes së islamit. Vrasja e tij, sipas disa pjesëmarrësve paskësh ndodhur në rrethana ende të pasqaruara.
Myslimanët shqiptarë të Kosovës e më gjerë, nuk e pranuan islamin për hatër të sulltanëve, as për hatër të merhumit, Sulltan Murad, që la kockat në Kosovë, por për hir të përkushtimit ndaj krijuesit dhe me qëllim që të ndaheshin nga Kisha ortodokse serbe, greke, e cila të gjithë shqiptarët e krishterë i konsideronte dhe i konsideron edhe sot me prejardhje serbe e greke.

Kujtesa jonë e pasur kombëtare e afishuar edhe në tekstet tona të historisë, flet për qindra luftëra e beteja, që zhvilluan shqiptarët myslimanë kundër despotizmit të sulltanëve, kundër mëkëmbësve e pashallarëve gjakatarë turq, por edhe atyre shqipfolës në shërbim të tyre. Në të gjitha lëvizjet çlirimtare kundër pushtimit turk, prej kohës së Skënderbeut, të Halil Patronës, i cili udhëhoqi kryengritjen më të madhe të të gjitha kohëve në Stamboll, në shtator të vitit 1730, Ali Pashë Tepelenës, Abdyl Frashërit, Imer Prizrenit, Haxhi Zekës, Isa Boletinit, Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës e qindra të tjerëve, e deri te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912, rezistencën heroike në mbrojtje të identitetit kombëtar dhe në luftë për çlirim nga Turqia e kanë mbartur mbi supe shqiptarët me besim islam, të cilët nuk e luftuan islamin, sepse të tillë ishin edhe vetë, por luftuan despotizmin, dhunën, shkombëtarizimin, luftuan kundër detyrimeve të dhunshme në ndërrimin e fesë, kundër marrjes së dhunshme të fëmijëve të krishterëve, kundër tagrave e plaçkitjeve, kundër marrjes nizamë dhe kundër katandisje së përgjithshme, që ndodhi për afër 500 vjet të pushtim aziatik mbi kurriz të popullit shqiptar.
Në luftërat e tilla morën pjesë edhe vëllezërit tonë krishterë, vëllezërit e gjakut e të gjuhës. As ata nuk e luftuan islamin si fe, por luftuan kundër despotizmit turk, përkrah vëllezërve të tyre, të cilët ishin shumicë, luftuan dhe u copëtuan për krijimin e Shqipërisë etnike, pa dallim feje e ideologjie.
Pretendimet për ta përzier përkatësinë islame të shqiptarëve me kohën e pushtimit turk, meqë në atë kohë, të parët e pranuan islamin, janë pretendime hileqare dhe nuk përkojnë me realitetin historik dhe shkencor. Është e vërtetë se islami erdhi në Shqipëri me turqit, por konvertimi zgjati disa qindra vjet. Shumica shqiptare pranoi islamin, por jo edhe kulturën, zakonet gjuhën dhe pushtimin turk, sepse përcaktimi për një fe, cila do qoftë ajo nuk nënkuptonte, as nuk nënkupton në asnjë mënyrë edhe ndërrimin e identitetit kombëtar, gjuhësor e kulturor.
Miqësia që kanë shqiptarët sot me turqit, e veçmas me shtetin turk, nuk nënkupton vasalitetin, nënshtrimin dhe keqinterpretimin e falsifikimin e së kaluarës. Të besojmë se Turqia nuk e kërkon këtë, por janë disa shqiptarë pacifistë dhe pa kurriz, janë të nënshtruarit denbabaden, të cilët i thurin himne pushtimit, ashtu sikur i kishin thurur himne sulltanit, më vonë Pashiqit e kralit, Musolinit, Hitlerit, Josip Broz Titos e tërë sojit të pushtuesve. Kjo klasë shqipfolësish e injoron identitetin kombëtar dhe pikërisht për këtë e injoron edhe historinë shumëshekullore të rezistencës.

Përpjekjet për ta shtrembëruar historinë janë bërë alfa dhe omega e shumë “intelektualëve, shkrimtarëve dhe historianëve” shqiptarë, të cilët këtë luftë të pandershme e bëjnë për lekë, e bëjnë për hir të padronëve të tyre, për përfitime të pista mbi kurriz të gjakut të derdhur rrëke për liri gjatë shumë shekujve.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, të cilat aktualisht janë në ngritje, historia e shkruar me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të kombit, do t’ua errësojë, jo vetëm shkrimet perverse, por edhe sytë e tyre të lëbyrur nga përfitimi, lakmia e mashtrimi.
Shqiptarët që kanë përkatësi fetare islame nuk kanë asnjë nevojë të ndihen turq, arabë apo kurdë. Këtë, besojmë fort se nuk e kërkon Turqia as shtetet arabe. As vëllezërit tanë të krishterë nuk kanë nevojë të ndihen italianë apo grekë. Çështje e fesë është çështje individuale e besimit dhe nuk duhet të keqpërdorët, meqë keqpërdorimi i fesë për qëllime politike ka sjellë dhe aktualisht po sjellë tragjedi kudo në botë. Bashkëjetesa e besimeve të ndryshme fetare në mesin e shqiptarëve, ka qenë dhe do të mbetet diga kryesore e përcaktimit kombëtar dhe këtë digë nuk e shpërthejnë dot mendjet e terratisura dhe ata që prore i ndërrojnë bindjet dhe përcaktimet e tyre. Zyrtarët tanë do të duhej që këtë të vërtetë t’ ua bënin me dije zyrtarëve turq, duke iu kujtuar edhe rastin se turqit osmanë e kishin pranuar islamin nga arabët dhe ata jo vetëm që nuk u arabizuan por edhe i pushtuan pothuajse të gjitha vendet arabe, gjatë sundimit të tyre 700-vjeçar në Azi, Evropë dhe në Afrikë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi