Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ramiz BOJAJ:Çfarë po ndodh me veriun?

Shko poshtë

Ramiz BOJAJ:Çfarë po ndodh me veriun? Empty Ramiz BOJAJ:Çfarë po ndodh me veriun?

Mesazh nga Agim Gashi Tue Dec 27, 2011 3:22 am

Çfarë po ndodh me veriun?Ramiz BOJAJ:Çfarë po ndodh me veriun? Ramiz-BOJAJ-150x150
Serbia arrestoi kriminelët (vëllezërit Veselinoviç), për të hapur pazare të reja me BE (dialogun për anëtarësim). Kriminelët u kapen, por kriminaliteti vazhdon. Strukturat paralele janë aktive, ashtu siç vazhdojnë të mbeten edhe rrugët e bllokuara. Nga kjo mund të kuptojmë se Serbia, mund t’i ndërrojë kriminelët, por jo edhe politikën e saj hegjemoniste.


Shkruan: Ramiz BOJAJ

Veriu i Mitrovicës, (si potencial krimi) mbetet “peshqesh” edhe për vitin 2012. Prolongimi i zgjidhjes së problemit në fjalë, hapë dilema me shumë të panjohura, rreth stabilitetit afatgjatë të kësaj pjese të shtetit të Kosovës, por edhe të rajonit. Veriu i Kosovës edhe më tej mbetet plagë e çelur (shteg i hapur), përmes së cilës Serbia keqtrajton shtetin e Kosovës dhe komunitetin ndërkombëtar këtu. Duke mbetur jashtë kornizave unikate juridiko-kushtetuese (fillimisht nga OKB e më pas edhe nga Republika e Kosovës), veriu mbetet poligon që mblodhi në vete, bandat kriminale, mafiozët dhe trafikantët. Që nga 25 korriku (aksioni i Qeverisë për rend dhe ligj edhe në këtë pjesë), doli në skenë e vërteta e madhe, se çfarë fshihej në të vërtetë në veriun e Mitrovicës. Hapja e betejës për rend dhe ligj, bëri qe së fundi të hapet edhe një front me Serbinë. Kjo luftë e ftohtë (e pa shpallur), prej më shumë se 12-vjetësh, tashmë u bë luftë e nxehtë dhe e hapur, në mes të qendrave politikëbërëse, Prishtinë, Bruksel dhe Uashington në njërën anë, dhe Beogradit e Moskës në anën tjetër. Pikërisht nga ky fakt, 25 korriku (tentimet e para për vendosjen e doganave RKS), preku në esencë problemin, por pa shënuar ndonjë hap para drejt zgjidhjes. E kam fjalën drejt vendosjes më të shpejtë të rendit, ligjit dhe autorësisë së sovranit edhe në këtë pjesë të shtetit tonë. Pra, Qeveria e Kosovës, edhe pse autoritet sovran, (përpos prekjes së problemit), nuk tregoi ndonjë strategji të qartë, ose efektive. Mungesa e aftësisë për të aplikuar autorësinë e sovranit, po zgjatë tej mase, natyrën e problemit, duke lënë përshtypjen se këtu po dëshirohet edhe një protektorat i ri. Qeveria duhet të debatojë në Kuvend, për strategji gjithëpërfshirëse (konsensus i partive parlamentare) për çasje më serioze në veri: Të këmbëngulet më shumë për vendosjen e doganierëve, hapjen e rrugëve të bllokuara, dhe kapjen e kokave të krimit. Por jo, të vazhdohet edhe më tej me praktikën e gjertanishme, qe të tjerët të tregojnë zotësinë e tyre (arrestimi në Serbi i Veselinoviçëve), të cilët vite me radhë, keqtrajtuan shtetin dhe autoritetet e KFOR-it, e të mos flasim për qytetarët e rëndomtë. Plaga e hapur duhet të trajtohet, pavarësisht sa zgjat kurimi i saj. Ndryshe me këtë qasje qe ka treguar Qeveria e Kosovës ndaj veriut, (qoftë edhe pa vullnetin e saj), do të qojë në bisedime të reja me Serbinë, pikërisht për këtë çështje, në kontekst të të cilit do të ndodhte trashja e pranisë së Serbisë këtu.


Në veri mbrohen vlerat euro-atlantike

Vështruar nga këndi juridiko-kushtetues i shtetit sovran të Kosovës, Serbia në asnjë formë nuk mund të jetë e pranishme në vendin tonë. Tash e kurrë më. Paqja dhe siguria në Kosovë, janë ndërtuar në sajë të projektit madhor qe komuniteti ndërkombëtar ka ndërtuar në Ballkan(shteti i Kosovës). Prandaj, lufta e vendosur mbrojtëse e KFOR-it, në veri, nuk është e rastësishme. Në veri, mbrohen vlerat euroatlantike, mbrohet sovraniteti i një shtetit të pavarur (Republika e Kosovës), e në fund, mbrohet paqja dhe siguria qytetare e njerëzore. Në këtë kontest, reagimi i vendosur i BE-së dhe Uashingtonit, gjunjëzuan politikën e Serbisë (mohimi i kërkesës për dialog me BE-në, për integrimet europiane). Ky është ndëshkim politik (edhe pse në dukje afatshkurtër), pasojat do të jenë afatgjata dhe të rënda për Beogradin. Ky mbeti leksion i qartë se mendësia milosheviqiane ka perënduar. Kjo mendësi mund të kultivohet vetëm brenda kufijve të shtetit serb (vetëm si fushatë). Serbia e di fare mirë se, që nga viti 1999 (dëbimi ushtarak i saj nga vendi ynë), Kosova është tokë e humbur, por si gjithmonë, ndarja me të keqen e ka edhe bishtin prapa. Serbia është dëbuar nga Kosova, dhe dëbimi i saj do të vazhdojë edhe nga veriu, pavarësisht faktit se procesi po shkon tepër ngadal. Politika e Beogradit është prezente në Kosovë, për aq kohë sa do të jenë evidente vet bandat kriminale. Pra, për aq kohë, sa do të mbahen rrugët e mbyllura, kontrabanda dhe vet ekzistenca e strukturave kriminale. Fundi i banditizmit po troket, e bashkë me këtë edhe të pranisë së Serbisë në tokën e gabuar.

Gjahu i krimit

Arrestimi i fundi i vëllezërve Veselinoviq, të njohur si projektues dhe udhëheqës të bandave krimianle në veri, tregon për qasjen, ndikimin dhe menaxhimin e këtyre bandave nga vet shteti serb. Serbia i kapi kriminelët, për të shtuar pazare të reja me BE-në. Kriminelët u kapen, por kriminaliteti vazhdon. Strukturat paralele janë aktive, ashtu siç vazhdojnë të mbeten edhe rrugët e bllokuara. Nga kjo mund të kuptojmë se Serbia, mund t’i ndërrojë kriminelët, por jo të ndryshojë edhe politikën e saj hegjemoniste serbomadhe. Veriu i Kosovës, edhe në këto ditë të ftohta dimri, vazhdon të mbetet i bllokuar, nga barrikadat e vendosura, (nga ana e grupeve kriminale serbe). Pra, banditët që sulmuan policinë e Kosovës, KFOR-in e EULEX-in, janë parantezat e politikës së Tadiçit, të cilave, pak kohë u ka mbetur për ta mbajtur “gjallë”, Serbinë në Kosovë.

Banda brenda bandave

Fronti i bandave në veri, si në Zupç dhe në dy pikëkalimet kufitare në (G1) Jarinje dhe (G31) në Bërnjak, mbrohen nga neonazistët serbë. Ky fakt ndërlidhet me deklaratat e grupit fashist “1389”, i proklamuar sipas vizioneve hegjemoniste për krijimin e Serbisë së madhe etnike. Këtë e forcon bindshëm dalja haptas e kësaj organizate (ditëve të fundit), e cila mer përgjegjësinë se ka vepruar dhe vazhdon të veprojë në veri. Pra, pjesëtarët e organizatës fashiste “1389″, shprehen haptas “se do të luftojnë me të gjitha mjetet për ta çliruar Kosovën nga okupimi i huaj, por, edhe për t’i zhdukur të gjithë shqiptarët”. Këto struktura terroriste, shprehen qartë se “pushteti lokal” (pas zgjedhjeve ilegale serbe), u ka siguruar kushte akomodimi. Po sipas tyre, rehabilitimi më i mirë do të ndodhë pas përpjekjeve të Qeverisë së Beogradit, për legalizimin e ‘pushteteve’, paralele në veri. Pikërisht për këtë arsye, shteti serb ka shtuar zërat për legalizimin e strukturave ilegale në veri, brenda të cilave, funksionojnë edhe rrjete tejet të rrezikshme për të ardhmen e Republikës së Kosovës. “Unë jam Darko Panoviç anëtar i Lëvizjes Kombëtare Serbe ’1389 ‘. Ne jemi aktualisht në pjesën veriore të Kosovës. Ne jemi të pranishëm edhe në barrikada. Këtë (Kosovën) e konsiderojmë territor të okupuar dhe i kemi të gjitha të drejtat që ta çlirojmë”. Proklamimi i vazhdueshëm i Serbisë (diplomacisë dhe kishës serbe), për kultet e mitet serbe, është sinjal i qartë për krijimin e këtyre strukturave neonaziste. Lideri i organizatës, “1389″, Misa Vaçiç, ka thënë se në barrikadën e Rudares kanë të vendosur edhe qendrën koordinuese. E gjithë kjo shton një pyetje të madhe: A i kanë “vizituar” ndonjëherë këto pika, Policia, KFOR-i a EULEX-i. Nëse jo, atëherë për çfarë masash të sigurisë mund të flitet. Kush mund tu besojë më! -Duket tejet i quditshëm, pasiviteti i autoriteteve tona të sigurisë, PK-së, EULEX-it, por edhe KFOR-it, të cilët nuk po tregohen të vendosura në masë të duhur, për kapjen dhe shpartallimin e këtyre bandave fashiste, e bashkë me këto edhe shpartallimin e strukturave ilegale në veri. Qytetarët e Kosovës, nuk duan të shohin reklama me pagesë (për KFOR-in, policinë a EULEX-in), por duan të endën të lirë në shtetin e tyre.

Sinjale të vogla këndelljeje

Politika si fushatë ditore në Beograd, po e qon gjithnjë e më shumë në humnerë vet shoqërinë serb. Serbia në vend qe të orientohet realisht kah integrimet evropiane, kjo i matë sukseset e veta, me sulmet dhe fushatën për dobësimin ose edhe cenimin e shtetësisë së Kosovës. Me këtë logjikë mesjetare, është ngritur dhe vazhdon të mbahet “në fron” politika e Beogradit. Kjo piramidë politike do të notojë, deri në këndelljen e mendësisë së shoqërisë në Serbi. Tek e fundit klasa teokratike serbe është formuar në sajë të vet elektoratit shumicë, me “kushtrimin për Kosovën”. Andaj u mbetet vet qytetarëve të shtetit fqinj, qe ti kthehen realitetit ose të jetojnë me ëndrrën për ‘krajlin e vdekur’. Pavarësisht kësaj, disa zëra (edhe pse në miniaturë) kanë filluar të japin sinjale të vogla këndelljeje. Edhe pse këndellja duket se ecën shumë ngadalë. Vet lideri i opozitës në Serbi, Vuk Drashkoviq, disa herë është shprehur se politika aktuale e Serbisë, po e mashtron popullin serb me ‘marshin’ për Kosovën. “Udhëheqësit e Serbisë duhet t’i tregojnë popullit serb se Kosova është e pavarur. Populli serb është mashtruar dhe vazhdon të gënjehet për Kosovën, që nga viti 1999. Kjo politikë tashmë ka falimentuar”. Ndërkaq, kryetari i Klubit Përparimtar në Serbi, Çedomir Antiq, pohon se politika e deritanishme e Serbisë në raport me rrjedhat realpolitike ka dështuar plotësisht. Kjo tashmë duhet të thuhet qartë dhe hapur. “Është e turpshme, që nga pozicionet e politikanëve të lartë (Tadiç, Daciç etj) të mos thuhet e vërteta. Problemi kryesor është tek falimentimi i politikës serbe ndaj Kosovës”. Ndërkaq, profesori i Fakultetit Filozofik, Nikola Samarxhiq, thotë se Kosova është e pavarur dhe se Serbia duhet të jetojë me këtë realitet. “Serbia duhet të përballet me faktin qe Kosova është e pavarur. Por, fatkeqësisht, shumica e qytetarëve në Serbi nuk janë përcaktuar as për Evropë, por as për Kosovë”. Edhe kryetari i Partisë Liberal-Demokratike të Serbisë, Çedomir Jovanoviç, thekson se për Kosovën duhet ndërtuar politikë realiste, jo përralla për Gazimestanin. “Urgjentisht na duhet pikë e re e mbështetjes në politikën e Kosovës. Nuk kemi çka të kërkojmë në Shekullin XXI me Rezolutën 1244.Vetëm kështu mund ta frenojmë rënien e lirë në të cilën gjendemi 22 vjet rresht. Nga Gazimestani, nga ku gjoja jemi nisur për ta kërkuar veten dhe Serbinë, e deri te agonia me barrikadat. Qytetarët dhe Serbia kanë mbetur dy dekada në budallallëk”. Këto deklarata duken paksa interesante, sepse zëra të tillë duken të paktë në Serbi. Megjithatë, duket se ndërgjegja serbe ka filluar të këndellët. Gënjeshtrat dhe mashtrimet që u kultivuan në akademitë famëkeqe të Serbisë (ASHAS, PSS etj), ende mbesin kërcënim për rajonin. Dhe kjo mendësi, mbetet e tillë, për aq kohë sa vazhdojnë të jenë aktivë në pushtet, mbeturinat post milosheviqiane. Serbia arrestoi kriminelët (vëllezërit Veselinoviç), për të hapur pazare të reja me BE (dialogun për anëtarësim). Kriminelët u kapen, por kriminaliteti vazhdon. Strukturat paralele janë aktive, ashtu siç vazhdojnë të mbeten edhe rrugët e bllokuara. Nga kjo mund të kuptojmë se Serbia, lehtësisht mund t’i ndërrojë kokat e kriminelëve, por jo edhe politikën e saj hegjemoniste.
(Autori është publicist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi