Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mazokizmi politik i zotit Majko

Shko poshtë

Mazokizmi politik i zotit Majko Empty Mazokizmi politik i zotit Majko

Mesazh nga Agim Gashi Sat Apr 11, 2009 11:16 pm

Mazokizmi politik i zotit Majko
Skënder Minxhozi

Pse duhet lavdëruar një kundërshtar politik? Ja një pyetje që na kthen, në një mënyrë a një tjetër, tek rrënjët e rregullimit dhe të funksionimit të një shoqërie të bazuar mbi pluralizmin politik dhe rotacionin që rrjedh prej tij. Në parim, je në politikë, sepse mendon se ti ke ide më të qarta dhe më të drejta sesa oponenti yt, sepse ti mund të qeverisësh më mirë dhe në mënyrë më efiçente, sepse ti ke stafet më profesionale dhe më në fund, por jo më e parëndësishmja, sepse doktrina dhe vlerat që t’i mbron, janë (sipas pozicionimit tënd), më të përshtatshmet për shoqërinë ku ti bën pjesë.
Sipas kësaj skeme logjike kanë menduar dhe mendojnë e veprojnë sot sistemet demokratike dhe ata që i popullojnë ato. Pra, politikanët e sotëm, të cilët i ndërtojnë karrierat e tyre duke luftuar që të afirmojnë veten dhe idetë që mbrojnë. Por, për t’u kthyer tek pyetja fillestare, a ka ndonjë rrethanë në të cilën një kundërshtar politik duhet t’i hapë rrugë e të përulet para atij që ka përballë?! Në parim ka, sepse situatat që krijon jeta politike aktive dhe dinamika e saj, janë të panumërta. Ja për shembull, para pak ditësh, ish-kryeministri Majko deklaroi se hyrja në NATO duhej finalizuar nga e djathta e zotit Berisha, duke lënë të nënkuptohet se nuk i takonte PS-së që ta përmbyllte këtë proces 17-vjeçar.
Ky qëndrim zgjoi jo pak habi, aq sa vetë teza e hedhur i zuri pa vështirësi faqet e para të shtypit. Për më tepër, që këto fraza dolën nga goja e njeriut që më së shumti është angazhuar nga radhët e të majtës, për të krijuar e forcuar lidhjet me Aleancën Atlantike, si nga pozita e kryeministrit, ashtu edhe nga ajo e ministrit, e deputetit apo edhe partiakut të thjeshtë. Mund të thuhet pa frikë se Pandeli Majko shkeli mbi një tabu, të cilën PS-ja e sotme zyrtare as që denjon ta marrë në konsideratë. Pra, mbi idenë se kjo parti ka përbërë ndër vite një front skeptik ndaj integrimit në NATO, për shkak të origjinës së saj komuniste të së shkuarës. Kjo është hiç më pak, teza që PD-ja përdor sot (por jo në mënyrë masive), për të atakuar socialistët në një pikë ku ata kanë pasur rastin të japin jo pak prova konkrete për falsitetin e kësaj akuze.
Historia 17-vjeçare e marrëdhënieve të Shqipërisë me NATO nuk mund të konsiderohet e plotë, pa kapitullin themeltar të luftës së Kosovës, në vitin 1999. Një qeveri e majtë e drejtuar nga vetë zoti Majko, ofroi në atë kohë vullnetin dhe lehtësirat maksimale për tranzitimin, instalimin trupave të NATO-s, si dhe përdorimin e territorit shqiptar nga forcat e Aleancës që bombardonin Serbinë. Në atë kohë Tirana zyrtare mori një risk jo të vogël, i cili e ekspozoi vendin tonë përballë rrezikut të prekshëm të përfshirjes në një konflikt të armatosur me Beogradin. Paralelisht me këtë qëndrim zyrtar, opozita e kohës e zotit Berisha krijoi amulli publike, duke u deklaruar kundër Marrëveshjes së Rambujesë, e cila indirekt i hiqte mundësinë konkrete NATO-s që të niste sulmet kundër Millosheviçit. Dhe sa për ta plotësuar këtë imazh të së shkuarës tonë të afërt, mjafton të kujtohet mitingu “Një komb, një qëndrim” në prill 1999, në përkrahje të sulmeve të NATO-s mbi Serbi, i vetmi rast i këtyre njëzet vjetëve kur Berisha, Gjinushi dhe e gjithë PS-ja në rresht, u ngjitën në të njëjtën tribunë.
Kjo histori e dokumentuar gjerësisht, si dhe avancimi gradual (natyrisht jo-spektakolar) i qeverisjeve të majta, në rrugën e anëtarësimit në NATO, do të hiqnin çdo mundësi konkrete që mes dy krahëve politikë të mund të shquhej çfarëdo nuance “skeptike” në lidhje me afrimin në NATO. Në politikën shqiptare është ngulur fort një e vërtetë e palëvizshme: mungojnë forcat euro-skeptike dhe ato anti-NATO.
E megjithatë, Majko nuk ka ngurruar të kërkojë provokacionin edhe kësaj radhe, por duke hedhur një gur që më së pari rrezikon të bjerë mbi kokën e tij. Sepse të thuash që të drejtën e firmës në NATO e ka në mënyrë preferenciale Berisha, do të thotë të kapitullosh pa ndonjë shkak të justifikueshëm në njërën prej shinave të mëdha të politikës tonë të jashtme, që është pikërisht anëtarësimi në NATO. Si edhe herë të tjera, është mjaft e vështirë të gjesh një arsye konkrete që e ka çuar zotin Majko tek ky konkluzion i habitshëm (për të përdorur një fjalë të butë). Ndoshta ai s’ka pasur asnjë arsye për ta thënë atë që tha, por thjesht dëshiroi t’i lëshojë një mesazh të tërthortë urimi zotit Berisha me rastin e ceremonive të ditëve të fundit. E megjithatë nuk kuptohet përse e bëri këtë me “shpenzimet” e xhepit të tij, pasi rruga drejt NATO-s ka qenë kaq e gjatë, saqë në të duket se ka vend për të gjithë dhe jo vetëm për një pjesë. Dhe më në fund fare, nëse ti heq kapelën para kundërshtarit, a nuk ka vend të bëhet një pyetje që vjen natyrshëm: ti pse na duhesh këtej e tutje?!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi