Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Don Lush GJERGJI:Në shërbim të jetës dhe të dashurisë

Shko poshtë

Don Lush GJERGJI:Në shërbim të jetës dhe të dashurisë Empty Don Lush GJERGJI:Në shërbim të jetës dhe të dashurisë

Mesazh nga Agim Gashi Mon Apr 02, 2012 8:45 pm

Në shërbim të jetës dhe të dashurisë


Don Lush GJERGJI:Në shërbim të jetës dhe të dashurisë Don_lush_gjergji
Don Lush GJERGJI

Para 22 vitesh, në Pranverën e Madhe Shqiptare në Kosovë /1990/, kanë ndodhur disa ngjarje tejet të rëndësishme, mendoj historike, së paku për kohën dhe për hapësirat tona. Tash në mënyrë retrospektive mund t’i kuptojmë dhe vlerësojmë më mirë dhe më saktë.

Pajtimi i gjaqeve, apo lufta kundër gjak- apo hak-marrjes, e cila s’ishte tjetër përpos vetëvrasjes, vëllavrasjes dhe së fundi edhe vrasjes, “drejtësi” arbitrare, tejet e egër dhe jonjerëzore, si pasojë e së kaluarës së rëndë nën sundimin e të tjerëve, mungesës së drejtësisë dhe shtetësisë, lirisht mund të themi edhe “kanceri” i shoqërisë shqiptare.

Themelimi i Shoqatës Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Tereze”, për ballafaqim me largime masovike prej punës, varfëri dhe diskriminim ndaj të gjithë atyre që nuk u gjunjëzuan para përndjekjeve dhe diktaturës së Serbisë, e cila kishte për qëllim largimin e shqiptarëve nga trojet tona, deri edhe përgjysmimin dhe shfarosjen, si dhe dorëzimin dhe manipulimin nëpërmjet papunësisë dhe varfërisë së skajshme. Janë themeluar 44 degë dhe 636 nëndegë në Kosovë, si dhe formimi i degëve gati në të gjitha shtetet e Evropës. Kemi pasur 7200 vullnetarë për grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave; 58 donatorë ndërkombëtar. Gjatë Luftës mars–qershor 1999 janë ndihmuar 900.000 persona.

Krijimi i sistemit paralel shkollor i quajtur “Motrat Qiriazi”, si luftë kundër analfabetizmit, që kishte për qëllim fisnik ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, traditës, kulturës dhe shkollës shqip, si parakusht për identitetin dhe personalitetin tonë.

Krijimi i sistemit paralel në shëndetësi, për ta mbrojtun jetën njerëzore në çdo kusht dhe rrethanë me shërbime shëndetësore falas, me kujdes, përkushtim dhe dashuri vëllazërore.

Në këto lëvizje madhështore protagonist ishte POPULLI SHQIPTAR NË KOSOVË, i cili me mençuri, urti dhe dashuri tejkalonte çdo kufizim, paragjykim, rrezikim, me takime, afrime dhe bashkime shembullore për t’i dëshmuar vlerat dhe virtytet e lashta dhe aktuale. Vëllazërisht dhe bashkërisht i përballuam të gjitha: skamjen, dhunën, heqjen e autonomisë së Kosovës, rrahjet, burgimet, vrasjet, dhe ia dolëm jo vetëm të mbijetojmë, por të përforcohemi dhe të bashkohemi pa kurrfarë dallimi, si një trup i vetëm me shumë gjymtyrë. Kështu u krijua ndjenja e përkatësisë së përbashkët, ndjenja e bamirësisisë dhe solidaritetit, duke vërtetuar thënien e moçme shqiptare: “Nëse dëshiron t’i ndihmosh vetvetes, atëherë ndihmoju të tjerëve, sepse kështu do të ndihmojë Zoti dhe të tjerët”.

Ndodhi mrekullia e bashkimit dhe bashkëpunimit: u falen 1275 gjaqe botërisht vetëm deri më 1 maj 1990, duke mposhtur urrejtjen, përçarjet, vrasjet me ndërrimin rrënjësor të botëkuptimit dhe të veprimit. Armiqësia u shndërrua në miqësi, vdekja në jetë, urrejtja në falje, miqësi dhe në dashuri.

Popullata ishte pa punë, pa ligj dhe mbrojtje, pa asgjë, e anësuar, e përbuzur dhe e përjashtuar prej sistemit politik dhe shoqëror. Atëherë gjetëm fuqi dhe mënyrë për t’iu

kthye vetvetes dhe të vërtetës duke kuptuar se të gjithë gjendemi para sfidave vendimtare, ose do të jetë mirë për të gjithë ose për askënd.

Nëpërmjet SHHB “Nëna Tereze” e gjetëm damarin e bujarisë dhe të bamirësisë shqiptare shekullore, e mishëruam Nënën tonë Tereze në mendje dhe në zemër të çdo njeriut me përbetimin tonë fisnik dhe profetik: “As të fikur as te koritur!”. Dhe kështu garuam për ta kuptuar, përkrahur ndihmuar, dhe dashur njëri-tjetrin deri të flijimi dhe dhurimi i skajshëm për shpëtim, liri dhe demokraci.

Jetuam dhe mbijetuam çdo gjë, duke iu falënderuar Provanisë Hyjnore, bamirësisë vëllazërore gjithshqiptare dhe ndërkombëtare.

Kjo vetëdije, kjo histori, ky aktualitet na ka mbajtur gjithnjë të bashkuar dhe të vëllazëruar për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë.

Manifestimi dhe kremtimi i sotshëm është vetëm një përkujtim i thjeshtë, në stilin e Nënës Tereze, i zbehtë dhe gjithëpërfshirës i asaj që ndodhi ndër ne dhe me ne, mrekullia e urtisë, frymëzimi i dashurisë dhe vëllazërisë, bashkëpunimit dhe guximit në të mirë dhe në dobi të të gjithëve.

Bamirësia s’ka nevojë për lavdi, për reklamë, për mirënjohje, për falënderime, sepse ajo lind nga zemra dhe iu dhurohet zemrave, atyre që ishin dhe janë ende të kërcënuar dhe të rrezikuar. Bamirësia, nderimi dhe dashuria është BORXHI më i madh jetësor për çdo njeri, të cilin është tejet vështirë ta lajmë.

Bëmë atë çka ditëm dhe mundem. Këtë le ta vlerësojë Zoti dhe populli. Për ne vlen motoja latine: “SERVIRE EST REGNARE” - të shërbesh domethënë të mbretërosh. Ne patëm këtë privilegj që të jemi afër popullit të kërcënuar dhe të rrezikuar, dhe ndamë me të jo vetëm kafshatën e gojës, por çdo gjë, veçmas dhembjen dhe pikëllimin e zemrës. E kur jemi së bashku në të vështira, kjo na përgatit që të jemi të tillë edhe në të mira.

Diktaturës ditëm t’i përgjigjemi me strategjinë paqësore jodhunore gandiane, edhe më mirë të themi tereziane, me solidaritet të pashoq në bamirësi, me pajtimet e gjaqeve, me krijimin e sistemeve paralele shkollore dhe shëndetësore, kur qe nevoja edhe me luftën tonë të lavdishme.

Tani prapë, si gjithmonë, na duhet ndihma e Zotit, përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare, mbi të gjitha bashkimi dhe vëllazërimi ynë, për sfidat dhe sprovat e reja tejet të rëndësishme, për krijimin dhe kultivimin e kulturës së jetës dhe qytetërimin e dashurisë.

Me Nënën Tereze e kemi gjetur letërnjoftimin apo pasaportën tonë për ne dhe për botën. Rruga drejt lirisë së plotë dhe pavarësisë kërkon prej nesh gjithnjë flijim dhe dhurim, punë dhe përgjegjësi, bashkërenditje dhe bashkëpunim, së pari mes nesh, pastaj edhe me të tjerët.

Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët tanë, e të tillë ishim pothuaj të gjithë, ne mënyra dhe rrethana të ndryshme, sepse kështu e kemi dhënë “pjesën më të mirë të vetvetes”, siç thotë Nënsa Tereze, me veprimtari dhe krijimtari mirësie dhe bamirësie, duke “lavruar” ndërgjegjet tona me djersë, mund, lotë, duke mbjellur farën e të mirës, të drejtës, të vërtetës dhe të dashurisë.

Ky “investim” në njeriun dhe për njeriun kurrë s’mund të jetë i kotë, gjithmonë jep fryte, sepse dashuria dhe vëllazëria është pema e çdo stine, moshe, gjinie, për të cilën të gjithë kemi nevojë. “Dashuria është përgjigjja më e mirë e jetës”, thotë Erich Frommi.

Le t’na përcjellë nga qielli e Lumja Nëna jonë Tereze, që edhe ne gjurmave të saja të shkojmë, atë ta duam dhe ta nderojmë, vetveten mos ta njollosim dhe robërojmë, por ta përparojmë dhe shpëtojmë me vepra mirësie, flijimi, dhurimi dhe dashurie.

Dashuria nuk bën mrekulli, ajo është gjithnjë mrekulli, këtë e kemi sprovuar dhe dëshmuar të gjithë ne.

Porositë përmbledhëse të Nënës Tereze për ne janë: “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”; “Vepra të vogla me dashuri të madhe”; “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.

Z. Don Lush Gjergji, është një nga bahskëpunëtorët më të nderuar të gazetës sonë. Kjo është fjala e tij e mbajtur me rastin e 22 vjetorit të themelimit të SHHBK “Nëna Tereze” dhe 20 vjetori i shërbimeve shëndetësore të saj.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi