Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Avdyl Gërvalla:“Projekt Plani i Qeverisë së Kosovo-me fus-notë për vitin 2023”

Shko poshtë

Avdyl Gërvalla:“Projekt Plani i Qeverisë së Kosovo-me fus-notë për vitin 2023” Empty Avdyl Gërvalla:“Projekt Plani i Qeverisë së Kosovo-me fus-notë për vitin 2023”

Mesazh nga Agim Gashi Mon May 28, 2012 4:11 pm

“Projekt Plani i Qeverisë së Kosovo-me fus-notë për vitin 2023”


Avdyl Gërvalla:“Projekt Plani i Qeverisë së Kosovo-me fus-notë për vitin 2023” U3_photoag

Shkruan: Avdyl Gërvalla


Mrekullia e mendjendriturve


Burgjet do të mbushen përplot me mbeturina armiqësore, të gjithë pasuesit e armikut të brendshëm - Ibrahim Rugova, ndër ta do të ketë akademikë, poetë, disidentë, azilantë, shkrimtarë, dramaturgë, gazetarë, studentë, këtu-aty edhe ndonjë nxënës i shkollës së mesme. Lëndet e tyre do të shqyrtohen vetëm pas vitit 2043.

Pas vjedhjes së 63 kg droge, të 38’756 Eurove, 44 Milion e 732’586 Lekë Shqiptare, dhe të gjitha dosjeve policore mbi vrasjet politike të kryera pas luftës së vitit 1999, të përditshmes sonë i ka arritur në pliko edhe Projekt Plani i Qeverisë së Kosovo-me fus-notë për vitin 2023.
Në realitet plikoja, e fotokopjuar iu ka dërguar edhe të përditshmëve tjera, në bllok, sipas pohimeve të dërguesit, por ato, për shkak të politikave të tyre redaksionale, ende nuk e kanë parë të udhës ta botojnë. Ne, përveç se jemi gazetë gjithë kombëtare, pra jemi edhe gazeta e parë që e botojmë Planin.
Edhe pse ne, njerëzit e kësaj bote, numërojmë fund-majin e 2012-tës, ka njerëz, pra më duhet ta përsëris se ka njerëz inteligjent, të cilët jetojnë në vitin 2015, por ka edhe të tjerë, akoma më të përparuar dhe më të mençur, që tani e kanë festuar vitin e ri 2053, dhe që, falë mundit të tyre, dhe përkushtimit të paepur të qeverisë për Kosovo-me fus-notë, para disa vjetëve, saktësisht 14 orë e 26 minuta para burgosjes së tre gjermanëve, punëtorë të sigurimeve të fshehta gjermane, Komiteti Mrekullia e Mendjendriturve përfundoi me sukses Projekt Planin e Qeverisë së Kosovo-me fus-notë për vitin 2023, të cilin ia kishin besuar me urdhër një drejtuesi të Policisë së Kosovos-me fus-notë, që të nesërmen t’ua përcjellë zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në rrëmujën e krijuar gjatë burgosjes së tre gjermanëve, ai polic, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë tonë, e kishte mbyllur gabimisht në kasafortë, ku ruhej droga, eurot, lekët, së bashku me dosjet në fjalë, të gjitha këto prova materiale. Pas shumë viteve, doli në shesh se një tjetër Këshill Shpëtimtar gjendet shëndosh e mirë, kurse të hollat, së bashku me përfitimet astronomike të trafikut të drogës gjenden në një bankë në Spanje. Materiali për ta s’ka kurrfarë vlere dhe për këtë ua dërgojnë me posten e Kosovo-me fus-notë, përmes të një shoku, të përditshmeve tona, me qëllim të botimit, dhe vetëdijesimit të opinionit gjithëkombëtarë, mbi aktivitetin dhe punën e palodhshme të ideatorëve, ideologëve dhe inteligjencies së Kosovo-me fus-notë. E vërteta është se polici i ngarkuar me bartjen e dosjes e kishte lexuar, sipas vetë-deklarimit të tij, por nuk kishte kuptuar asgjë, kishte menduar se bëhet fjalë për ndonjë dokument kadastral, apo ndonjë lëndë e vjetruar, e cila duhej t’i dërgohej në shqyrtim gjykatës kushtetuese në mënyrë urgjente.
Çdo gjë që shkruhet dhe thuhet në atë Projekt Plan të Qeverisë së Kosovo-me fus-notë, ne kosovarët e vitit 2012 nuk guxojmë kurrsesi ta marrim në mënyrë hipotetike, nga shkaku i thjeshtë se jetojmë në vitin 2012, dhe jemi krijesa që nuk shohim përtej hundës sonë, përndryshe do të bënim pjesë, edhe ne, në aparatin shtetëror. Pasi e hapa zarfin fillova të lexoj faqen e parë ku ishte shkruar:
Preambula
Neni 1. 1. Njerëzit më s'do të ecin më këmbë, por mbi duar, vetëm dhe ekskluzivisht në territorin autonom, sovran dhe të pavarur, në gjithë territorin, terrenin e Kosovo-me fus-notë.
Neni 1. 2. Ujët do të marr udhën e kundërt, prej detit përpjetë shtretërve të vet e deri në burim.
Neni 1. 3. Tymtarët e shtëpive, që tani nxjerrin tym, së bashku me KEK-un, do të marrin po ashtu kahen e kundërt, d.m.th. ata tymin do ta ngufatin, përpijnë, apo zhvatin, stufat e kosovarëve, përveç ngrohtësisë, që do të lirojnë me bollëk, nga stufat e furrumet do të nxjerrin dru, të cilat do t’i palojnë punëtorët sezonal, të përshkruar në paragrafët vijuese. Të gjitha drutë, qymyri e nafta do të jenë pronë e qeverisë me të drejtë shitjeje ekskluzive jashtë vendi, me ratifikimet e marrëveshjeve të arritura gjatë bisedimeve me Serbinë, të nënshkruara dhe të vulosura nga d.v. biçikleta, sikur patenta e shpikur, para dhjetë viteve, për përfitimin e kundër energjisë, e njohur dhe a pranuar në nivelin ndërkombëtar, në Moskë, në CERN (Qendrën e Kërkimeve Nukleare) të Gjenevës, në Boston dhe Harëard, me tre autorë: gushani, rrëmonjëza anti-turk e pro gjerman dhe biçikleta.
Bora, emri i gruas sime, do të na përgatitë sërish ndonjë kafe, për t'i përkujtuar me mallëngjim kohët e vjetra. Jo vetëm këto, por edhe shumë gjëra të tjera, të paimagjinueshme për kokat tona të vogla, sqarohet në një fus-notë, se do të ndodhin. Vazhdova leximin në faqen e pestë

RREGULLORJA
a) Kosova do ta ketë numrin e mjaftueshëm të njohjeve për t'u anëtarësuar në OKB, por atëherë, gjysma e shteteve do të dalin zyrtarisht nga ajo organizatë, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia dhe 66 shtete të tjera, për shkak të korruptimit dhe rrënimit të rendit botëror nga ndonjë psikopat ballkanik.
b) Shqiptarët do të kalojnë zyrtarisht numrin e 20 milion banorëve.
c) Për të qenë shqiptar, doemos duhet njohur, në mënyrë perfekte, gjuha angleze.
Bora, pas plot 27 vjetëve ka ende vështirësi me gjuhen frënge, e paramendoje sa do të ketë telashe me mësimin e gjuhës angleze.
d) Hajnat do t'i fusin në burg të gjithë policët.
e) Zviceranët, gjermanët dhe suedezët do të mrekullohen me përparimin dhe punën e rregullt të shqiptarëve.
f) Në Kosovo-me fus-notë do të votohet për të shtyrë moshën e pensionimit në 80 vjet.
g) Me pëlqimin dhe votimin PRO të 2/3 të parlamentarëve, do të hyjë në fuçi propozimi i partisë në pushtet, që ëeek-end-it t'i shtohen edhe dy ditë, e premtja dhe e hëna. Pra, do të punohet zyrtarisht vetëm tri ditë në javë, në shtetin tonë Kolumbinë, desha me thënë në Kosovo-me fus-notë.
h) Eurot, dhe devizat tjera do të rriten arave të Kosovo-me fus-notë, të mbështjella rreth tromakut të kollomoçit, apo misrit që i thonë në gjuhën letrare; prandaj bujq të territorit Kosovo-me fus-notë: nga lëndinat, t’iu ngjitemi maleve, për t’i bërë toka pjellore, për të prodhuar sa më shumë deviza.
i) do të hapen shumë vende pune për emigrantët e rinj ekonomik, kryesisht zviceran, gjerman, anglez, suedez, finlandez, norvegjez, belg dhe hebre, të cilëve do t'u vendosim viza të rregullta, për të punuar gjatë 3, 6 dhe 9 muajve. (Do t'ua lehtësojmë edhe mundësinë e aplikimit për nënshtetësi të Kosovo-me fus-notë, por vetëm pas 15 sezoneve të suksesshme punësimi, dhe kushtit themelor të plotësuar njohjen e gjuhës angleze).
j) Sërish do të jetë kryeministër zhapini.
k) Maca do të jetë e pensionuara e parakohshme, për shkak se do të vetëdorëhiqet, ngase do të shkelë, si pahir, vendimin e gjykatës kushtetuese të Kosovo-me fus-notë, mbi përdorimin e një lloji të llakut të thonjve, standard i vendosur nga qeveria, nga shkaku se ajo do t’i përdorë, gabimisht kuptohet, së paku tri lloje llaku.
l) ari shputa do të marr postin e drejtorit të burgjeve në tërë Kosovë, pasi të jetë pensionuar në parlamentin e Kosovo-me fus-notë, dhe pasi t’iu ketë marrë e tërë pasuria e përfituar rrufeshëm, si plumbi i pushkës (pushkazi);
m) gushani do të punësohet në cilësinë e kryekasapit në thertoren e Fushë Kosovës, pasi ta ketë shpallë të falimentuar Reifeisen Bank, për shkak të pagesave të një mori sigurimesh diku në shtete të jashtme;
n) Rrëmonjëza anti-turk e pro-gjerman, pas pozitës së Ministrit për Punë të Brendshme, si njëri i besuar i shtetit, do t'i besohet tenderi (prej 66 Miliard Euro, 20 Miliard, e do pare të imta, të pastra, sipas kuotës së tenderit 30%, mbesin në xhepin e Rrëmonjëzes anti-turk e pro-gjerman) për hapjen e linjës së metrosë Pec - Serbica – Gllogovac - Kosovo – Polje - Pristina - Podujevo - Gnjilane – Urosevac – Suva Reka - Prizren – Djakovica - Pec, dhe anasjelltas;
o) hoxha i spitalit do të rrënojë shtëpinë e vet, e në vend të saj do të shtrijë një shami, të përmasave të mëdha, 6 x 6 km, të rrethuar me thupra gardhi, lejen do të marr nga Asi për ndërtimin e të 26-tës xhami, ku do të kenë kushte për falje, të premteve, të 666‘666 kërkues të azilit - kinezë, të besimit islam, xhematit do t’i prijë në ibadet vet dr. prof. sic. mag. hoxhë efendia, imami i xhamisë së madhe.
p) Bukuroshi do të lirohet me kusht, pasi t'i ketë kryer 2/3 e burgut për keqpërdorim e korrupsion, dhe do të punësohet si bashkëpunëtor profesional i metrosë së Rrëmonjëzes anti-turk e pro-gjerman, me 6% të të ardhurave mujore nga shuma neto e tenderit.
q) Opozita e vështirë sërish do të jetë në opozitë, ngase Partia jonë do të krijojë sërish një koalicion me partitë minoritare.
r) Asi do të dënohet gabimisht me 6 muaj punë vullnetare, ngase ish-bosi i tij do të dokumentojë pafajësinë e vet.
s) Do të mbyllet i tërë interneti, me urdhrin e gushit, rrëmonjëzes anti-turk e pro-gjerman, arishputës dhe hoxhës, me myhyrin e biçikletës, nën pretekstin se gratë po e humbin vaktin pa e falur duke lexuar. Shkelësit e ligjit (meshkuj) do të dënohen me burgje mbi 18 vjet, kurse gratë mbi 17 vjet.
t) Interneti do t’iu lejohet vetëm qeveritarëve dhe dashnoreve të tyre, ministrave dhe dashnoreve të tyre, deputetëve dhe dashnoreve, kryetarëve të komunave dhe dashnoreve të tyre, zëvendës-kryetarëve dhe dashnoreve të tyre, zëvendës-ministrave dhe dashnoreve të tyre, këshilltarëve dhe dashnoreve të tyre, me qëllim të përparimit dhe kontrollit të shtetit.
u) Diaspora, apo të mërguarit do të paguajnë për vetura nga 250 Euro taks për hyrje në Kosovo-me fus-notë, dhe nga 30 Euro për person. Banorët e Shqipërisë, të malit të zi, maqedonisë, Luginës së Preshevës paguajnë vetëm ½ e çmimit.
v) një shumë modeste, në emër të paushallit, prej 1000 Eurosh do të paguhet për çdo të vdekur që të afërmit e kthejnë me qëllim varrimi në Kosovo-me fus-notë.
w) EULEXI do të largohet ne fund të vitit 2014, me plotë rezultate e përkrahje pozitive për partinë në pushtet, me një premtim se mbeten në dispozicionin e tyre dhe janë të gatshëm të vijnë përsëri në Kosovo-me fus-notë.
x) Dy vjet para vitit 2023 do të mbyllin ambasadat e veta SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Një vit më vonë do të largohen edhe gjermanet, të shoqëruar nga francezët dhe italianët.
y) Tarnakopi alias tranakopi, udhëheqësi i të gjitha ndryshimeve nga viti 1112 p. K., apo para Erës së Re, veprimtarin nga diaspora, do ta dekorojë me medalje të artë qeveria jonë, për kontribut kombëtar, atij do t’i falet ndër të tjera edhe një truall në Prishtina.
z) Një poster i përmasave gjigande 2 kilometra lartësi, me katër gjerësi, dhe që do të sillet rreth boshtit të vet, do të vendoset për të zbukuruar Malin e Goleshit. Posteri i mbuluar me qarqaf të kuq, kur të zbulohet, gjatë inaugurimit, do të dalë një pamje e paparë deri më tani, figurat e buzëqeshura të Stalinit, Enverit dhe pol potit, dhe disa pasardhësve të tyre ideologjik, nën figurat e mëdha gjithsesi, në plan të dytë, majtas. Ceremonia solemne do të mbahet në oborrin e zhapinit, dhe fjalimi kryesor do t’i besohet minit, ministrit të punëve të jashtme. Posteri, i vendosur kadimi, do të ndriçohet natën me anë të laserëve, të fuqishëm, dhe banorët e Kosovo-me fus-notë do të krenohen me të. Posteri do të shihet nga të gjitha anët e Kosovo-me fus-notë, por edhe nga shtetet për rreth.
aa) Mjegulla do të davaritet dhe s’do të ketë më forcë të bie mbi Kosovo-me fus-notë, përveç kur ta ketë prekur pullën zhapini, për ta sjellë atë, si kujtim i kohëve të vjetra, me dëshirën e vet ose pas plebishitit, në bazë të kërkesës së shumicë.
bb) Studentët do të marrin dhomat e veta, nën sqetull dhe do t’i vendosin në oborrin e parlamentit, i cili do të zgjerohet mu për këtë qëllim, për të lidhur udhëheqësinë gju me gju me popullin.
cc) Çdo katund, apo fshat, do t’i kenë nga së paku 138 ndërmarrje, në të cilat do të punojnë azilantët ekonomik, 24 orë /24 orë dhe 7 ditë / 7 ditë, nga CH, D, GB, Izraeli dhe disa shtete të njohura të botës, të gjithë me viza dhe lejeqëndrim, siç është paraparë më lartë, në ligj.
dd) Parulla “Të gjithë të barabartë para ligjit” do të skalitet nëpër punëtori të përpunimit të drurit, qafore grash, nga ari, do të mbajnë të njëjtin mbishkrim, parulla do të gdhendet nga mjeshtrit dibranë, specialistët e gurë-gdhendjes.
ee) Akademia e shkencave do të numëroj 66 akademik, të gjithë, pa përjashtim anëtarë të partisë në pushtet.
ff) Në universitete shtetërore dhe private do të rikthehet lënda e marxizmit dhe paraushtaraku.
gg) Do të mbyllen të gjitha gazetat e djathta, pa përjashtim, ngase nxisin dhe sulmojnë, në mënyrë të drejtpërdrejt shëndetin e popullit.
hh) Burgjet do të mbushen përplot me mbeturina armiqësore, të gjithë pasuesit e armikut të brendshëm - Ibrahim Rugova, ndër ta do të ketë akademikë, poetë, disidentë, azilantë, shkrimtarë, dramaturgë, gazetarë, studentë, këtu-aty edhe ndonjë nxënës i shkollës së mesme. Lëndët e tyre do të shqyrtohen vetëm pas vitit 2043.
ii) Në Lipjan do të rindërtohet burgu i femrave, ku ato do të mbahen nën kontrollin e rreptë të hajnave. Aty do të ketë edhe amvise, të vetë-denoncuara, se kanë gabuar kur iu ka shkuar mendja të përkrahin farën e keqe Rugoviane.
jj) Enver Hasani do të rizgjedhet në postin e kryetarit të gjykatës kushtetuese të Kosovo-me fus-notë. Ky do të tregohet shumë i suksesshëm në vitin 2022, duke përmbyllur gjyqin e stërzgjatur të fondeve të 3% dhe të Vendlindja Thërret, duke shqiptuar fjalinë rekapitulative (përfundimtare, përmbledhëse, pas atij studimi dhe analizimi mikroskopik dhe sidomos të kushtueshëm, rreth 166 milionë Euro), se nuk ka patur keqpërdorime.
kk) Do të lavdërohen, do të himnizohen, por edhe do të shpërblehen, me troje në mes të Prishtina, dhe me shuma milionëshe ose me qindra-mijëra euro të gjithë ideatorët, bashkëpunëtorët, së bashku me dorasit, (për të gjallë do të jenë të privilegjuar të partisë në pushtet, kurse pas vdekjes do t’ju ndërtohen përmendore të përmasave së paku sa ajo e Enver Hoxhës në Tiranë), pra vrasësit e figurave armiqësore si: Kolonel Ahmet Krasniqi, deputeti Azem Hajdari, gazetari Enver Maloku, këshilltari Xhemajl Mustafa, kryetari i komunës Ukë Bytyqi, Komandant Drini, ish-deputeti Smajl Hajdaraj, Koloneli Tahir Zema, me të birin Enisin dhe kushëririn Hasan Zemaj, gazetarët Bardhyl Ajeti e Bekim Kastrati, dhe shumë të tjerë, të cilët kanë guxuar t’iu kundërvihen vlerave të Revolucionit Demokratik të Vonuar.
ll) (trajtim të njëjtë si ata në paragrafin e mësipërm, shih pika kk)) Lëvdata, himnizime dhe shpërblime u takojnë të gjithë atyre që kanë ndihmuar në kryerjen e atentateve në diasporë: Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Vehbi Ibrahimi, Enver Hadri dhe Musa Hoti.
mm) Autobani me Shqipërinë do të shkatërrohet tërësisht, (dhe do të mbyllet) sepse banorët e Kosovo-me fus-notë preferojnë të jenë të lidhur me Serbinë, maqedoninë dhe malin e zi. Një referendum mund të shoh dritën për t’u rikthyer zyrtarisht në autonominë e preferuar me Serbinë.
nn) Në oborrin e ministrit të kulturës, 666 metra larg shtëpisë së tij do të digjet abetarja e përbashkët, me ç’rast do të kompensohet ministri për dëmin e pasurisë private me disa qindra miliona Euro.
oo) ...


... Kishte edhe diçka tjetër të shkruar, por unë e ndërpreva leximin, i magjepsur dhe i entuziazmuar nga mrekullia e mendimtarëve, mendje ndriturit dhe intelektualët e përparuar të shtetit Kosovo-me fus-notë.

(Autori është analist politik, por me banim
të përkohshëm në diasporë, prej më se 44 vitesh).
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi