Shpend Ahmeti:Titanët e çimentos

Shko poshtë

Shpend Ahmeti:Titanët e çimentos

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Jul 14, 2012 2:36 pm

Shpend Ahmeti:Titanët e çimentos



Duke mbrojtur “titanin” e çimentos, ministria ka hapur rrugë për mbrojtje të tjera të cilat tani i presim me padurim në mbrojtje të vendeve të punës dhe interesave ekonomike të Kosovës
Kompania “Titan” është ndër kompanitë më të fuqishme të çimentos në Evropë. Me seli në Greqi, operon në një numër të madh të vendeve, e pas luftës edhe në Kosovë. Së pari filloi duke importuar çimento në Kosovë nga fabrika e saj në Shkup e pastaj edhe e privatizoi Fabrikën e Çimentos në Han të Elezit, në një proces të kritikuar e kontestuar nga punëtorët dhe Komuna e Hanit të Elezit. Proces që la të zemëruar kompaninë e njohur zvicerane “Holcim”, që e kishte pasur në shfrytëzim këtë fabrikë nga procesi i komercializimit menjëherë pas luftës.

Përqindja e tregut që kanë titanët në Kosovë është vështirë të gjendet nga shifrat zyrtare. Por së fundi kjo kompani erdhi në lajme për shkak të një vendimi të ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, për të vendosur një taksë shtesë në të gjitha importet e çimentos prej 35 për qind nën arsyetimin se importi i çmendur i çimentos e ka tronditur tregun e çimentos në Kosovë, kurse për ta normalizuar atë nevojitet një masë mbrojtëse 120-ditore. Kjo masë mbrojtëse i sjell “Titanit” miliona euro profit të shtuar.

Nuk do ta akuzoj ministrinë, e as Qeverinë e Republikës së Kosovës për involvim në afera korrupsioni, mafi, krim të organizuar etj. edhe pse ka bazë për të besuar një gjë të tillë, dhe ani pse titanët u zunë nga Doganat e Kosovës duke importuar çimento të prodhuar në Shkup të paketuar si lëndë të parë. Po supozoj për qëllim të këtij artikulli se qëllimi i vendimit ishte i mirë dhe se kanë dashur të bëjnë diçka të mirë e jo vetëm të mbrojnë interesat e titanëve.

Ky vendim vjen me shumë pyetje, dyshime, e konkludime. Çudia e parë është se si masa e mbrojtjes vjen nga “pishtarët” e vetëdeklaruar (nga disa herë në ditë) të lirisë së tregut (jo tregut të lirë), të cilët besojnë në lirinë e egër të tregut si asnjë shtet tjetër, saqë ia hapin tregun edhe Serbisë që na lufton politikisht çdo ditë. Pra, kësaj qeverie i kujtohet që importi i çimentos, kryesisht nga Shqipëria, po na e dëmton prodhuesin vendor, duke na kujtuar se titani grek na i punësuaka 500 punëtorë. Në këtë, qeveria nuk përmend fare se sa është shitur kjo fabrikë, sa ka fituar në Kosovë prej se që është prezente dhe po ashtu sa do të jetë çmimi i çimentos si pasojë e kësaj mbrojtjeje.

Gjithashtu shtrohet pyetja se pse masa të mbrojtjes po fillojnë të aplikohen së pari në industri që më së shumti ndikojnë në Shqipërinë. Megjithatë, e dimë se qeveria moti ka hequr dorë nga politikat ekonomike kombëtare. Nuk ia vlen të pyetet kjo qeveri se pse mbron aq shumë një kompani greke kur po e njëjta qeveri ka pranuar që një fabrikë kosovare të privatizohet nga shteti, i cili nuk na ka njohur. Kur ishte çështja e masave reciproke për Serbinë, u takua Kuinti, e nuk mbet kush nga bashkësia ndërkombëtare pa dhënë deklaratë për tregtinë e lirë me Serbinë, përderisa kur është fjala për goditje ndërshqiptare, nuk flet asnjëri.

Neve mbrojtja si koncept nuk na pengon. Përkundrazi, ne jemi besimtarë në mbrojtjen e tregut të porsalindur për ta siguruar konkurrencën në të ardhmen si rrugë e vetme për zhvillimin e Kosovës dhe shqiptarëve, teori kjo e lindur tek ish-sekretari i thesarit amerikan Hamilton dhe ekonomisti Liszt. Pra besojmë se tregtia e lirë për shumicën e sektorëve për Kosovën është njëjtë sikur të qesim në konkurrencë të lirë një fëmijë 2-vjeçar me një të rritur 30-vjeçar. Fëmija duhet mbrojtur derisa bëhet gati për konkurrencë. Edhe pse kjo nuk është rasti për çimento, sepse titanët kanë histori të prodhimit të çimentos.

Po ashtu besojmë fuqimisht se politika tregtare është pjesë e politikës së jashtme dhe është ngushtë e lidhur edhe me marrëdhëniet politike të një shteti me të tjerët. Tregtia e lirë bëhet me shtetet me të cilat Kosova ka përfitim ose synim qoftë ekonomik apo politik. Qasja ndaj Shqipërisë dhe ndaj Serbisë e qeverisë tregon se kjo qeveri e bën të kundërtën, pra i bën favore marramendëse një shteti që na lufton politikisht për çdo ditë, ndërsa i shkakton humbje kombit duke marrë masa ndaj importit të Shqipërisë. Kjo vlen njëjtë edhe për masat që Shqipëria i mori për patatet, që si masë është e papranueshme.

Ajo çka ministria duhet të përgjigjet tani, para se t'i akuzojë të gjithë të tjerët për mosinformim dhe moskuptim të përmbajtjes është kjo: Cili është kriteri në bazë të cilit bëhet mbrojtja e tregut me taksa të tilla? Pra, ministria duhet të shpjegojë se mbi cilat baza merret një vendim i tillë. A është ky numri i punëtorëve në një fabrikë/industri? A është ky niveli i investimit në një fabrikë/industri? A është ky niveli i importit në një industri? A merret nën konsideratë politika e jashtme e Kosovës? A merren nën konsideratë efektet politike? Apo çka do tjetër?

Kur ta kemi që qartë një kriter të tillë atëherë do të ishte mirë të marrim masa të tilla mbrojtëse për shumë sektorë. Industria e materialit ndërtimor do të përfitonte shumë vende të punës nga një mbrojtje e tillë nga jashtë posaçërisht nga Serbia. Prodhuesit e qumështit do të punësonin shumë fermerë në qoftë se do të mbroheshim nga qumështi i subvencionuar nga të gjitha shtetet e regjionit. Para dy viteve prodhuesit kosovarë të vezëve u gjunjëzuan për shkak të një importi të vezëve nga Greqia, që kishin mbetur tepricë nga Pashkët, import ky që e tronditi tregun dhe çmimet, duke shkaktuar pasoja marramendëse që edhe sot barten nga prodhuesit e vezëve. Prodhuesit e lëngjeve do t'i mbronin investimet milionëshe që i kanë bërë në Kosovë duke i mbrojtur me një taksë mbrojtëse nga lëngjet e regjionit etj., etj. Ka me dhjetëra shembuj të tjerë në mbrojtje të vendeve të punës dhe investimeve.

Pra, kjo është pa e diskutuar faktin fare se kur bëhet fjalë për mbrojtje nga Serbia, përmendet presioni ndërkombëtar për tregti të lirë, e kur është fjala për Shqipërinë nuk ka kurrfarë presioni dhe analizohet prejardhja e pronarëve të Fabrikës së Çimentos në Shqipëri. Qeveria mos të hyjë fare në ato diskutime, sepse vendimet e qeverisë tregojnë se për ta nacionaliteti dhe e kaluara kriminale ndaj Kosovës nuk kanë kurrfarë rëndësie. Vendimet e qeverisë, përfshirë këtë të çimentos e vërtetojnë këtë fakt.

Duke mbrojtur “titanin” e çimentos, ministria ka hapur rrugë për mbrojtje të tjera të cilat tani i presim me padurim në mbrojtje të vendeve të punës dhe interesave ekonomike të Kosovës. Përndryshe nuk kemi si të mos besojmë që ky rast unik i mbrojtjes së një kompanie e ka bazën në teoritë e krimit, mafisë dhe përfitimeve personale.

(Autori është nënkryetar i lëvizjes “Vetëvendosje”)
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 64
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi