Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mbi ‘botën më të mirë të mundshme’

Shko poshtë

Mbi ‘botën më të mirë të mundshme’ Empty Mbi ‘botën më të mirë të mundshme’

Mesazh nga Agim Gashi Sun May 03, 2009 1:08 am

Mbi ‘botën më të mirë të mundshme’
Të bën të qeshësh një realitet i një ‘bote më të mirë të mundshme’ ku presidenti e shkel kushtetutën, kryeministri krijon përreth vetes një ambient totalitar, ku s’ka rrymë as ujë, ku s’ka pothuajse kurrfarë zhvillimi, ku s’ka asnjë monument mendjesh të ndritura as rrugë e institucione që mbajnë emrat e tyre (sepse ka sall asosh me kallash)...


Arben Idrizi

A po e parodizonte Voltaire në të vërtetë Leibniz-in kur shkroi Kandidin? Sidoqoftë, pyetja nuk është fondamentale. Duke qenë të varur, të themi kështu sa për tolerancë mendimi, nga vështrimi metafizik i ‘fakteve’, mbase të gjitha përfundimet, edhe ato arbitrare, janë vetëm një lojë e hapur, për pasion ose për kalim kohe.

R. Barthes shkruante se Voltaire është ‘i fundmi i shkrimtarëve të lumtur’. Në vlugun e katastrofave natyrore dhe tragjedive njerëzore, ai propozonte optimizmin, duke u kapur fort pas premisës leibniziane se ‘kjo është bota më e mirë e mundshme’ dhe sa duket s’ka ç’t’i shtohet as hiqet. Si e mira ashtu edhe e keqja e kanë vendin e vet të pamohueshëm. Kjo botë kështu siç është, është për së mbari, ndoshta vetvetiu ndoshta falë Providencës; dhe vetëm idiotët mund të krekosen deri në atë derexhe sa aq të pëllasin se e kanë ndryshuar rrjedhën e natyrshme të Historisë.

Voltaire ishte optimist, e qartë. Të tillë e bënte jo shpresa për një të ardhme më të mirë, por arsyeja, qëndrimi kritik dhe angazhimi intelektual. Iluminizmi!
Afërmendsh, brenda kësaj ‘bote më të mirë të mundshme’ kemi, sa për të qëndruar në truallin e letrave, edhe një Jozef K. që në fund e vrasin si qenin, edhe një kolonel (të cilit s’ka kush t’i shkruajë) e të cilit në fund s’i mbetet veçse të hajë mut. Po bile edhe një Martin Iden, të cilit, duke u zhytur seç herë e më tepër në ujë, befas, në çastin e kalimit nga jeta në vdekje, i shkrep në mendje një vizion që ia bën të qartë gjithçka – kuptimin e jetës – e megjithatë ne s’e dimë cili na qenka ai kuptim i jetës; po, siç do të na vinte në ‘ndihmë’ Wittgenstein, ka gjëra që përmbajnë një kuptim që s’mund të shprehet – kapet por s’thuhet dot. Duket që kuptimi i jetës të jetë njëri sish.

E prapë, kuptohet, do të ishte e rëndë që këta të fundit të cilësohen shkrimtarë pesimistë. Aty ku është mendimi dhe njohja – s’ka pesimizëm.
Solzencin përvijon, te Pavijoni i kancerozëve, një ide të fiziologjisë së optimizmit. Fiziologjia e optimizmit, e mbështetur në dëshmi shkencore (ndoshta të diskutueshme e ndoshta jo), vë në pah se në fund është humori ai që e shpëton një qenie njerëzore nga vdekja e parakohshme.
Voltaire dhe Kafka, duke i lexuar në një sfond racional, janë humoristë. Vetë Kafka, thuhet, vdiste së qeshuri teksa ua lexonte Procesin miqve të vet. Sa për mua, në një moment të caktuar, racional a çmendurak, merreni si të doni, më bën të qesh edhe fundi tragjik te Muri i Sarter-it. Por jo për të qenë optimist ose pesimist. S’para ekzistojnë këto gjendje psikologjike si të tilla.

Po ndoshta ky humor s’ka të bëjë me urtësinë e Senekës, i cili propozonte një qëndrueshmëri (urtësi!) të tillë shpirtërore e psikike sa të mos dorëzoheshe, në parimet tua, as para një tragjedie që të përballte me vdekjet më të përbindshme përreth teje të më të dashurve tu.
Përvoja prej jete dhe përvoja prej letre megjithatë mund të kenë një dallim esencial.
Nëse Pavarësia e Kosovës si finalizim i përpjekjeve të ndryshme disavjeçare të mbushura me përvoja të ndryshme jetësore do të kishte qenë një përvoje prej letre – mua do të më vinte, në një moment të caktuar, të vdes së qeshuri. Po aq sa do të më vinte të qesh me ata që s’kënaqen me kaq sa është bërë. Aq më tepër me këta të fundit.

E në të vërtetë shpesh më vjen të qesh me përvojën jetësore. Sepse brenda vetë tragjedisë së përgjithshme që vjen nga jashtë ka shumë gjëra tragjike që burojnë nga brenda të cilat, në një moment të caktuar, të bëjnë të vdesësh së qeshuri. Veçse, ndoshta, më shumë se nga gazi, nga dhimbja.
Të bën të qeshësh ideja e atdheut, ideja e zotit, ideja e barazisë, ideja e demokracisë... Të bën të qeshësh një realitet i një ‘bote më të mirë të mundshme’ ku presidenti e shkel kushtetutën, kryeministri krijon përreth vetes një ambient totalitar, ku s’ka rrymë as ujë, ku s’ka pothuajse kurrfarë zhvillimi, ku s’ka asnjë monument mendjesh të ndritura as rrugë e institucione që mbajnë emrat e tyre (sepse ka sall asosh me kallash), ku duhet të jesh i rreshtuar politikisht ose s’bën ndryshe, ku s’ka asnjë respekt për qenien njerëzore, ku mund të vritesh si qeni e ku edhe po pate bërë përnjëmend diçka për vendin tënd në fund s’të mbetet veçse të hash mut (pas një ‘lufte’ të stërgjatë për një përgjigje burokratike në letër).
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi