Fadil Lepaja:Armiku i quajtur Coca-Cola

Shko poshtë

Fadil Lepaja:Armiku i quajtur Coca-Cola

Mesazh nga Agim Gashi prej Wed Jul 30, 2014 12:16 pm




Fadil Lepaja:Armiku i quajtur Coca-Cola


U pa puna! Nuk po na mjaftojnë armiqtë në fqinjësi, të cilët tashmë na kanë kapur peng në vorbullën e urrejtjes, pa mundur të pranojnë ende faktin se marrëdhëniet e mira me të tjerët nuk krijohen me imponime apo dhunë. Disa me vullnet të madh po mbledhim dhe po koleksionojnë armiq nëpër glob, vende të cilët për arsye nga më të ndryshme zhvillojnë luftëra nëpër botë.
Paramendojeni sikur ndonjë deputet i besimi ortodoks, i frymëzuar nga ndjenja e vëllazërisë globale fetare, për motive të tjera vëllazërore do të përkrahte rebelët prorusë në Ukrainë dhe do të kërkojë të bojkotohet "çaji i rusit", si i themi ne në Kosovë. Për të respektuar ligjin për të drejtat e autorit, më duhet të them se këtë idenë e "çajit të rusit" e mora nga një postim i Valonit ne Facebook! Po e njihni Valonin?
Ose, si do të reagonit nëse ndonjë deputet katolik të përkrah vëllezërit nga Irlanda në luftën ë tyre kundër Anglisë protestante. Pastaj ,mund të aplikohet formula se "Armiku i armikut është..."! Po e dini!
Pastaj ka edhe dervish! Kryegjyshata botërore do të specifikojë armiqtë dhe vëllezërit tanë nëpër botë. Kështu, rrjedhimisht do të dali se me shqiptarët ortodoksë dhe katolikë nuk jemi vëllezër. Kot miku im katolik, mjek specialist në QKUK, na e uron festën e Fitër Bajramit! Visar, po kupton?! Nuk ka më vllaznillak pa ardhë në xhami dhe pa e sha Izraelin e edhe Amerikën pesë here në ditë. Nuk ka as Coca-Cola!
Edhe Vaso Pasha ishte një armik, të cilin Sulltani e degdisi me të drejtë ne Liban e ai vazhdonte të fliste për shqiptarinë si fenë e shqiptarëve. Ju duket paksa konfuze? Paksa? Paramendojeni Parlamentin ku në anën qendrore do të dominonin deputetë me mjekra të gjata dhe deputete me shamia, e anash priftërinj me kryqe të mëdhenj dhe motra nderi të mbuluara. Qoftë katolikë apo ortodoksë! Bashkësitë fetare do të zhduken si të panevojshme, se tashmë do të jetë instaluar pluralizmi fetar edhe demokracia do të jetë tejkaluar si formë primitive e qeverisjes. Ne do të jemi shtet islamik, dhe do të integrohemi në Perandori! Evropën nuk do ta lusim më, por do ta pushtojmë.
Pastaj, na del gjumi dhe e pimë një pije freskuese. Unë preferoj Coca-Cola. Pasi jemi në demokraci, më duhet të pranoj si legale edhe preferencat e deputetëve tonë të cilët ftojnë për bojkot të kësaj pije dhe pijeve të tjera freskuese të cilat vijnë nga Perëndimi. Si përfundim logjik, ne si shqiptar të besimit mysliman duhet me u rreshtu në anën e vëllezërve tanë në Palestinë dhe me bojkotu Coca-Colan. Nuk numërohet nëse ti si humanist gjykon vrasjen e fëmijëve nëpër të gjitha luftërat. Nuk pajtohen me faktin se ty të dhimbsen viktimat e luftës edhe përkundër faktit se nuk ke kurrfarë ndjenje vëllazërie ma palestinezët apo sirianët. Thjesht, nëse ekziston kjo vëllazëri, atëherë ajo është globale dhe përfshin të gjithë qytetarët e botës tonë, pavarësisht besimeve e gjuhëve.
Por, të kthehemi në realitet. Në kohën kur po e shkruaj këtë kolumne ndodhem në mes të një eksodi, përmasash biblike, ku pjesa më e madhe e Kosovës është shpërngulur përkohësisht në Shqipëri dhe po fërgohemi në të njëjtin tigan dhe me të njëjtën kripë. Dallimi i madh me eksodin e vitit 1999 është se jemi këtu vullnetarisht dhe po paguajmë me lekë për këtë. Atëherë ishte solidaritet vëllazëror i shtetit dhe shoqërisë shqiptare me një pjesë të veten, të përzënë nga tokat e veta. Pra, ishte një storje përplot me gjak, lot dhe dëshpërim, e cila me ndërhyrjen e qytetërimit perëndimor u shndërrua në një tregim suksesi e shprese.
Perëndimi ofroi përkrahjen për një popull të vogël të besimit mysliman, përkundrejt një shteti mesjetar, ku religjioni zyrtar ishte i krishterë. Një pjesë e kësaj fushate do të jetë financuar patjetër edhe nga kontributet e korporatave globale si Coca-Cola, gjithsesi jo në emër të fesë, por në emër të humanizmit.
Por, eksodi i tanishëm, përkundrejt nacionalizmit të mundshëm ekonomik, është kryesisht qejf dhe biznes. Turizëm. Tamam desha të porosis një Coca-Cola apo Fanta dhe mu kujtua se një deputet i kuvendit të Kosovës paska ftuar të bojkotohen këto pije freskuese dhe disa të tjera që prodhohen në Perëndim, me motivacion se kështu shpëtohen fëmijët palestinez, se kështu shuhet zjarri i luftës në Palestinë, se kështu solidarizohemi me vëllezërit e... tij!
Padashur mu formësua rrufeshëm një krahasim imagjinar mes kësaj vëllazërie gjaku të vitit 1999 dhe vëllazërisë së re të cilën e promovon deputeti ynë. Pak a shumë, ftesa e tij për paqe se si mori formën e një ftese për t’u përfshirë si komunitet në një nga luftërat më të vjetra në glob, në mes dy popujve për të cilët dimë fare pak dhe të cilët për ne dinë edhe më pak. Përkundrejt mirëkuptimit dhe dhimbjes njerëzore, padashur shtrohej pyetja: përse pikërisht ne duhet të mbrojmë vëllezërit e tij, cila është pesha e përfshirjes tonë dhe sa mund të ndikojmë ne në zgjidhjen e këtij konflikti tejet të komplikuar, kur ne ende nuk e kemi zgjidhur konfliktin tonë.
Pra, armiku qenka Coca-Cola! Me e shuajt zjarrin me pije me gaz!
Kjo ftesë e lëshuar nga deputeti kosovar, më tepër ngjan në taktikën e shuarjes së zjarrit me benzinë, dhe e plasuar pikërisht në këtë atmosferë verore, që më kujtoi një barsoletë për kosovarin i cili kishte porositur ushqim pikant në Shqipëri, pa e ditur saktë kuptimin e kësaj fjale. Kur kishte filluar të digjej nga speci djegës, ai me urgjencë kishte porositur ujë nga kamerieri, të cilit pikërisht në atë moment i kishte hipur të tregohej se sa i përkushtuar ishte për të kuptuar deri në imtësi preferencat e klientit.
"E doni me gaz apo pa gaz ujin", e pyeti kamerieri i përkushtuar?
“Jo, me benzinë ma sill, me benzinë", po ulërinte ai tashmë i torturuar nga shërbimi i ngadaltë dhe ekzakt dhe gjithnjë duke mos e kapur as kuptimin e saktë të fjalës gaz, pra ujit me gaz. Se, në Kosovë i thonë ujë i thartë apo mineral!
Me gaz a pa gaz, deputeti i Kuvendit të Kosovës jo vetëm se nuk i preferon pijet perëndimore, por ai konsideron se përdorimi i tyre e dëmton drejtpërdrejtë e çështjen e vëllezërve të tij mysliman. Pra, mesazhi i tij për shqiptarët - apo kosovarët të cilët në radhë të parë i konsideron mysliman, pra për myslimanët - është: nëse doni të shpëtoni fëmijët palestinezë, mos pini Coca-Cola.
Ndërkohë që raketat fluturojnë nga drejtime të kundërta dhe goditen caqe në Gaza dhe Izrael, për ne që nuk kemi ndjenja vëllazërore për asnjërën palë, dallimi duket vetëm te fuqia! Raketat e Hamasit shkatërrohen kryesisht nga mbrojtja antiraketore e Izraelit, ndërkohë qe raketat izraelite bëjnë dëme ndër civilë. Kështu vazhdon sulmi dhe kundërsulmi me raketa në këtë pjesë të trazuar të globit dhe ne ftohemi të rreshtohemi sipas vëllazërisë fetare nga deputeti i Kuvendit te Kosovës dhe të bojkotojmë Perëndimin!
Derisa në Shkup, në emër të myslimanizmit protestojnë kundër vrasjeve të myslimanëve, harrojnë të shtrojnë këtë çështje si humanitare, pavarësisht religjionit, apo etnisë, ashtu si ishte shtruar çështja e Kosovës dikur nga vet Perëndimi, të cilin deputeti ynë na fton të e bojkotojmë.
Vrasja e fëmijëve padyshim se është tmerr në vete dhe është krim i rëndë pavarësisht se nga kush kryhet. Por, deputeti ynë dhe vëllazëria e tij globale asnjëherë nuk u deklaruan kaq qartë për përdorimin e fëmijëve në aksione vetëvrasëse, për viktimat civile në aksionet vetëvrasëse apo si pasojë e shpërthimit të bombave.
Pra, duke pirë Coca-Cola, ju ftoj të dashur miq të gjykojmë vrasjen e fëmijëve kudo në botë, përfshirë edhe ata palestinezë, izraelitë, irakianë, apo ukrainas, shqiptarë apo serbë, dje apo sot. Këto veprime, nga kushdo qoftë të kryhen, janë krime të dënueshme me norma ndërkombëtare. Nuk ka asnjë arsye për një mobilizim mbi baza fetare për të shprehur mllefin tonë, përpos nëse dikush ëndërron përplasjen e civilizimeve edhe në lagjen tonë me tërë dramatikën e cila aktualisht po zhvillohet në këto vende. Importimi i konflikteve ideologjike dhe fetare, në një vend ku shprehja e pikëpamjeve është e drejtë e garantuar me Kushtetutë, është një shkurtpamësi politike e cila po e bart këtë luftë edhe në vet Parlamentin e vendit.
Kështu, duke qenë pjesë e koalicionit me PDK-në e cila pretendon të qeveris sërish, do të ishte me interes të shihet mos koalicioni ndoshta mendon që pikërisht këtij deputeti t’ia besoj resorin e integrimeve evropiane?
A mund të konsiderohet progres kur pas ministreshës e cila pinte Coca-Cola dhe nuk bartte shami, në postin e ministrit për Integrime Evropiane dhe Euroatlantike të emërohet dikush që e bojkoton pijen perëndimore "me gaz"?!
Tash ndonjë militant duke më akuzuar për cinizëm, do të më pyes se pse qenka me rëndësi nëse dikush pi apo jo Coca-Cola"?
“Keni të drejt”, do të përgjigjesha! Kjo është po aq e rëndësishme sa edhe i çfarë nacionaliteti apo feje është një fëmijë i vrarë. Aspak nuk është e rëndësishme!
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi