Alma Lama:“Një anëtar, një votë”

Shko poshtë

Alma Lama:“Një anëtar, një votë”

Mesazh nga Agim Gashi prej Fri Jan 16, 2015 4:26 am

Alma Lama:“Një anëtar, një votë”



Demokratizimi i një shoqërie, është një proces i gjatë dhe i vështirë, i cili kërkon shpesh veprime të guximshme për t’i bërë kthesat e nevojshme. Në fakt sa herë flasim për demokratizim, mendja na shkon tek politika, duke e parë atë si përgjegjësen kryesore dhe më të drejtë. Faktorët për demokratizim janë të shumtë, por politika është ajo që duhet t’i prijë procesit. Në këtë kuadër roli i partive politike është esencial.
Nuk mund të mendohet se pa demokratizim të brendshëm të tyre, partitë politike do të bartin logjikën demokratike edhe në institucione. Nga ana tjetër partitë politike këtë e kanë për detyrë, pasi ato nuk ekzistojnë për vetveten, por synojnë për ta marrë pushtetin dhe për të menaxhuar jetën e njerëzve. Pra, asnjë subjekt politik nuk mund të ndihet aq i lirë, sa të bëjë ç’të dojë me organizmin e brendshëm. Nëse dëshiron këtë, duhet të heqë dorë nga ambicia për pushtet.
Tashmë është pranuar botërisht se mënyra më e mirë për të demokratizuar partitë është përfshirja e të gjithë anëtarëve në procesin e vendimmarrjes. Sistemi “një anëtar-një votë”, sistem, të cilin kanë filluar ta aplikojnë shumica dërmuese e partive në vendet demokratike, është ai që mundëson procesin demokratik të vendimmarrjes.
Ky sistem mund të mos iu pëlqejë shumë krerëve të vjetër të partive, pasi disi ua lëkund themelet e stabilizuara nëpërmjet krijimit të klaneve apo grupacioneve të interesit, mirëpo që një parti të mbijetojë nga erozioni i brendshëm dhe i jashtëm, duhet patjetër të demokratizojë vendimmarrjen. Shembujt nëpër Evropë nuk mungojnë. P.sh. në Angli, Partia Konservatore filloi ta aplikojë këtë sistem, vetëm pas humbjeve të njëpasnjëshme në garë me Partinë Laburiste. Kjo ndodhi në vitet 2000, edhe pse ideja “një anëtar-një votë” ishte diskutuar prej vitit 1959.
Lëvizja “Një anëtar, një votë” duhej t’u shpjegohej anëtarëve të partisë, shumica e të cilëve ishin shumë konservatorë në kuptimin e plotë të fjalës. Me fjalë të tjera, duhej t’u shpjegohej se çfarë nuk shkonte në sistemin ekzistues dhe pse duhej kaluar në sistemin “një anëtar, një votë”. Kjo, natyrisht, që nuk është një punë e lehtë, sepse në aspektin praktik ndryshimi do të nënkuptonte më shumë centralizim dhe më shumë transparencë, p.sh. për anëtarët e degëve lokale të zonës elektorale. Eksperienca e Partisë Konservatore tregon se kjo periudhë formimi mund të zgjasë një deri në dy vjet, madje mund të hasë në kundërshtinë e fortë të disa qarqeve.
Mirëpo kjo kohë lidhet me regjistrimin e anëtarësisë, pasi një parti që e ka kryer tashmë këtë proces e ka shumë më të lehtë, thjesht ndryshimin dhe përshtatjen e statutit dhe aplikimin në zgjedhje.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, e cila kishte temë kryesore shpalljen e zgjedhjeve të brendshme, unë propozova një sistem të tillë për zgjedhjet që do të mbahen këtë pranverë. Në fakt nuk e dija se kjo çështje kishte qenë debat edhe më herët në LDK, por si duket nuk kishte pasur vullnet politik për ta implementuar këtë sistem. Edhe pas propozimit tim, arsyetimi për të mos e implementuar këtë sistem nga krerët e partisë lidhej me kohën e shkurtër para zgjedhjeve. Mirëpo, unë mendoj se katër vjet, derisa të vijnë zgjedhjet e tjetra do të jenë të humbura për demokracinë e brendshme.
Situata nuk është më e mirë as në subjektet e tjera politike në Kosovë. Asnjëra prej tyre nuk e aplikon këtë sistem demokratik. Rezistenca vjen nga ata që kanë krijuar monopole brenda partive dhe duan t’i mbajnë ato.  Kosova në fakt është i vetmi vend i rajonit që nuk po e aplikon këtë sistem. Shumë parti politike në Shqipëri e kanë filluar implementimin e këtij sistemi gati dhjetë vjet më parë.
Rezistenca në Kosovë lidhet me mentalitetin autoritar të liderëve politikë apo të disa klaneve që i kanë shndërruar subjektet në infrastruktura për arritjen e qëllimeve personale. Një lider që do të zgjidhej nga e gjithë anëtarësia, do të kishte legjitimitet shumë më të madh, se ai që zgjidhet nga një numër i kufizuar i delegatëve. Një grusht delegatësh mund t’i joshësh, t’iu ofrosh poste, t’i bësh pjesë të interesave më lehtë sesa mijëra anëtarë.
Vlerën e demokracisë së drejtpërdrejtë, në këtë rast nuk mund ta zëvendësojë demokracia përfaqësuese, pasi pikërisht numrat kanë rëndësi. Sistemi “një anëtar-një votë” duhet të aplikohet edhe për votimin e emrave të kandidatëve për deputetë, edhe ato të komunave, por edhe të zgjedhjes së disa organeve të partisë.
Asnjë subjekt politik nuk mund të pretendojë se ka bërë reformat e brendshme partiake, nëse nuk e ka futur këtë sistem.
Mungesa e tij një shkon në disfavor të anëtarësisë, pasi e zbeh fuqinë e saj vendimmarrëse dhe të demokracisë së brendshme, por edhe të demokracisë së një vendi në përgjithësi.
Kur jemi të LDK-ja, një subjekt i madh që e ka filluar jetën e saj si lëvizje politike kombëtare, reformën për t’u kthyer në një parti politike tipike e ka të domosdoshme. Këto përpjekje nuk kanë munguar, mirëpo ende ky subjekt e përjeton rrjedhjen e intelektualëve dhe të elektoratit në mënyrë traumatike. Që ky elektorat të mos vazhdojë rrjedhjen, por përkundrazi të përthithë intelektualë të rinj e ekspertë, njerëz me autoritet në shoqëri, të gatshëm për angazhim politik për t’i shërbyer vendit, atëherë duhet të ndërmarrë reformat e forta të brendshme, që mbështeten mbi një sistem vlerash.
Pa u futur në këtë proces, pa aplikimin e sistemit “një anëtar – një votë” unë për vete nuk besoj se LDK-ja do të jetë e suksesshme për të dalë partia e parë në zgjedhje. Prandaj, kushdo që e sheh LDK-në si subjekt serioz dhe me të ardhme, duhet të luftojë për demokratizimin e saj të brendshëm, të përkrahë sistemin “një anëtar - një votë”, duke filluar nga këto zgjedhje.
Thelbi i çështjes është: shoqëritë demokratike duhet të ndërtohen mbi institucione demokratike, jo me fjalë, por me vepra. Kjo do të thotë që partitë politike të ftojnë anëtarët e tyre të marrin pjesë aktive dhe të barabartë në vendimmarrjen kryesore, përfshirë zgjedhjen e funksionarëve të lartë.


(Autorja është deputete e LDK-së. Qëndrimet janë personale)
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi