Ilaz Bobaj:MJEKRA E KRYEMINISTRIT (tregim humoristik(

Shko poshtë

Ilaz Bobaj:MJEKRA E KRYEMINISTRIT (tregim humoristik(

Mesazh nga Agim Gashi prej Wed Jun 17, 2009 2:33 pm


MJEKRA E KRYEMINISTRIT










(ribotohet)



ILIAZ BOBAJ



tregim humoristik



Gjithshka ishte gati për fillimin e bisedës televizive.Në studio ishin ulur të ftuarit,ishin fiksuar mikrofonët,kamerat dhe gjithë vogëlsitë e tjera të nevojshme.Drejtuesi,pasi vendosi në vendin e caktuar pesë-gjashtë vetë në studion përbri dhe pasi i porositi që të telefononin sa herë që dy numrat e caktuar për teleshikuesit do të mbeteshin të lirë dhe të lidheshin direkt me studion e bisedës,duke folur si teleshikues,u kthye në studion e emisionit të drejtpërdrejt.

-Të nderuar teleshikues!Në vazhdim të trajtimit të temave me interes të veçantë për shikuesit tanë,sot do të zhvillojmë bisedën:”Mjekra e kryeministrit”.Veç të ftuarve në studio,të cilët desha t’i falënderoj për pjesmarrjen,filmimeve dhe intervistave të drejtpërdrejta,po japim edhe dy numra telefonikë,me të cilët mund të lidheni drejtpërdrejt me studion tonë.

Në ekran u shfaqën dy numra telefonikë.

Drejtuesi i emisionit vijoi:

-Dëshira jonë ishte që vet zoti kryeministër të merrte pjesë në këtë bisedë.Por,megjithë dëshirën e tij të zjarrtë,ai,pasi na falënderoi për ftesën dhe na përgëzoi për emisionin,na shprehu edhe keqardhjen për pamundësinë e pjesmarrjes,pasi pas përfundimit të Samitit të Bashkimit Evropian,ndodhet me pushime jashtë shtetit.

Në bisedën tonë mendoj të përqëndrohemi sa në vlerat estetike,po aq edhe në ato filizofike,psikologjike dhe burrërore që lidhen me të.Fjalën po ia japim njerit prej të ftuarve.

I ftuari hapi një çantë të rëndë,mori prej saj një dosje,prej të cilës nxorri një tufë fletësh të lidhura,hoqi kapësen,vuri syzet dhe nisi të lexonte,duke theksuar çdo fjalë:

-Fillimisht më lejoni t’ju falënderoj për ftesën dhe t’ju përgëzoj sinqerisht për këtë emision befasues.Zoti kryeministër,në vazhdim të punës së tij të palodhur për këtë vend,ka lënë edhe mjekër.Ajo që të bën të biesh në mendime,është koha në të cilën e ka lënë mjekrën.Është mesmosha e tij e artë ajo që ia diktoi këtë veprim burrëror.Mjekra lidhet sa me traditën,aq edhe me të renë,sa me gëzimet,aq edhe me hallet e popullit.Ajo e tregon më fisnik,më të pjekur e më serioz,çka i shkon për shtat figurës së tij të ndritur.

-Unë mendoj se në radhë të parë kjo lidhet me klasikët,ndërhyri një i ftuar tjetër,që ishte edhe më i moshuari i të ftuarve.Por ajo është më e mbajtur,domethënë më e shkurtër,në përshtatje me kohën në të cilën jetojmë.

Pa e mbaruar mirë fjalën,e ndërpreu një i ftuar i tretë:

-Këtu nuk është as vendi dhe as koha të flasim për klasikët e një apo dy shekujve të shkuar.Po e them që në fillim se lënia e mjekrës prej kryeministrit, është një marrëzi e shkuar marrëzisë.U bëka njeriu fisnik se lënka një mjekër si të cjapit!U matka fisnikëria e njeriut me një copë mjekër!

-Aaa,të lutem!Nuk është mirë t’i sjellim shikuesit shijen e hidhur të fyerjes! E ndërpreu ai që nisi të fliste i pari.-Në fund të fundit mjekra e zotit kryeministër është diçka vetiake,të cilën ne e përkrahim.

-Nuk është thjesht vetiake,pasi kryeministri është figurë shtetërore.Mjekra e tij na takon të gjithëve,e ndërpreu tjetri.

Fjalën e mori një i ftuar,mosha e të cilit ishte aty-aty me atë të kryetarit të qeverisë:

-Ne,tha ai,mjekrën e kryeministrit e shohim si një eveniment që lidhet me shijet e tij estetike.Sot mund ta lerë,nesër mund ta presë.Ne jemi për ta mbajtur, kur e mban dhe për ta prerë,kur e pret.

-Një kryeministër nuk mund të luajë me mjekrën.

-Po as të marrë leje nga njeri dhe nga tjetri.

Drejtuesi mendoi ta kanalizonte pakëz bisedën:

-Le të dëgjojmë edhe përgjigjet e disa të intervistuarve.Pyetja e vetme që iu kemi drejtuar është:ç’mendim kini për mjekrën e kryeministrit?

Në ekran u shfaq një grua:

-Unë mendoj se e mban për modë.

Paspak doli një burrë moshthyer:

-Kjo lidhet me traditën tonë,ndoshta edhe me besimin fetar.

Një i ri:

-Nuk më intereson aspak.Kryeministri do të bënte mirë të hapte ca vende pune,se jam i papunë.

Një vajzë rreth të njëzetepestave:

-Një imitim i disa liderve evropianë.

Një dyzetvjeçar:

-S’paska ndonjë problem tjetër vendi ynë,veçse të merret me mjekrën e kryeministrit?

Një flokrënë:

-Zakonisht mjekra mbahet kur të bien flokët.Ajo vendos njëfarë ekuilibri ndërmjet pjesës së qimezuar dhe asaj të paqimezuar.

Një mjekërosh,pasi përkëdheli mjekrën e vet:

-E përshëndes zotin kryeministër!Mjekra i jep madhështi!

-Këto ishin disa nga përgjigjet e qytetarëve të ndryshëm,vijoi drejtuesi i emisionit.Për t’iu ndihmuar në trajtimin sa më të plotë të temës,po shfaqim në ekran disa pamje të zotit kryeministër gjatë kohës që ka lënë mjekër.Pamja e parë është në zyrën e tij të punës.Vërrejeni me kujdes!Mjekra i shton seriozitetin,e bën më zyrtar,më të përqëndruar në punë,ajo është pjesë e psikologjisë së një burri shteti.Pamja e dytë është në familje,pranë të shoqes.Mjekra i shton humorin,gëzimin,është një urë lidhjeje ndërmjet dy bashkëshortëve.Buzëqeshja e fytyrës ngrithet mbi piedestalin e butë të mjekrës bardhezi.Pamja tjetër është në kohën e lirë.Kryeministri ka marrë një gotë uiski në dorë dhe po e kthen.Mjekra nuk qëndron e shkëputur.Ajë është në funksion të lëvizjes dhe së bashku me tymin e cigares,formon një kompleks lëvizor marramendës,si një tymtajë e tejdukshme.Po kaq interesante është edhe pamja që sapo u shfaq në ekran,ku zoti kryeministër debaton ashpër me një kundërshtar të tij.Mjekra i jep përparësinë e një komandanti të rreptë,qëllimi i të cilit është fitorja me çdo kusht.Është,si të thuash,ngadhnjim mbi kundërshtarin.

Fjalën e kërkuan dy prej të ftuarve në studio,por edhe telefonat e lidhur me teleshikuesit binin paprerë.

-Më lejoni t’iu bëj të ditur se,sipas të dhënave që kemi,emisionin tonë e ndjek një numur rekord teleshikuesish,tha drejtuesi.Le të lidhemi me disa prej tyre:

-Alo! Mirëmbrëma!

-Mirëmbrëma dhe urime për këtë emision të mrekullueshëm.Por do të doja t’iu bëja edhe një vërrejtje.Si ka mundësi që ndërmjet të ftuarve të mos ketë asnjë femër?Mjekra e zotit kryeministër nuk është një çështje vetëm për burra,por edhe për gra.Janë gratë ato,që mund të thonë diçka të veçantë për mjekrën e një burri,aq më tepër të një kryeministri.

Drejtuesi mbeti i shtangur.Zonja që sapo telefonoi kishte plotësisht të drejtë.”Po unë ku e pata mendjen,tek emisioni apo tek mjekra?Tutkun që paskam qënë!” tha me vete.

Telefonata e dytë:

Alo!Ju flasim nga selia e partisë tonë.Duam t’i bëjmë të ditur opinionit publik se ne jemi për ta prerë mjekrën,kur e mban dhe për ta mbajtur,kur e pret.

Telefonata e tretë:

-Ju falënderoj sinqerisht!Është emisioni më i bukur humoristik që kam parë!

Përsëri të ftuarit në studio:

-Po them dy fjalë për historinë e mjekrës,tha i pari dhe hapi fletët e përgatitura.Ajo nis…

-Më mirë filloje tek klasikët,tek të cilët mjekra mori vlerën e saj të vërtetë,e ndërpreu më i moshuari.

Të dytin e ndërpreu i treti:

-Ora jote ka mbetur tek klasikët.Meqë nuk je i zoti ta zësh kaun nga brirët,e zë nga bishti.Po kur e zë nga bishti,veç që të merr zvarrë,të jep edhe ndonjë shqelm.

-Të lutem…!

-Këtu nuk kemi ardhur të dëgjojmë përralla me mbret.

Të ftuarit i ndërpreu përsëri drejtuesi i emisionit.

-Dhe tani e papritura e këtij emisioni.Po lidhemi direkt me zotin kryeministër.Lidhja satelitore u bë në çast.Një gazetar me mikrofon në dorë kishte hyrë në vilën e tij të pushimit jashtë shtetit.-Zoti kryeministër!Në këto çaste televizioni ynë shfaq drejtpërdrejt bisedën:”Mjekra e kryeministrit”.Ajo ndiqet nga një numur rekord teleshikuesish,të cilët presin me ankth fjalën tuaj.Pyetja e vetme që kemi përgatitur për ju,është:si ju duket mjekra juaj?

-Si mjekër kryeministri,ia ktheu ai duke buzëqeshur dhe u largua.

Lidhja me jashtë mbaroi.Kamera u kthye në studio.

-Me përgjigjen e tij të mënçur,zoti kryeministër i tha të gjitha,tha njeri prej të ftuarve.

-Edhe i tha edhe nuk i tha,shtoi i dyti.

-Kurse unë mendoj se nuk tha asgjë,mohoi i treti.

-Le të hyjmë në thellësinë e fjalëve të tij të shumëkuptimta!

-Jo po të ngjitemi në majë të pemëve të mjekrës!

-Ti flet si e ëma e Zeqos në majë të thanës!

-Kurse ti si i ati i Zeqos në majë të fikut!

-Ju lutem…flasim për një temë serioze…!

Të ftuarit vazhduan të kundërshtonin njeri-tjetrin,duke folur njëherësh me zë të lartë.Edhe zilja e telefonit nuk pushonte.

Fjalën e mori drejtuesi i bisedës:

-Të nderuar teleshikues!Edhe pse biseda e sotme ishte planifikuar për dyzetepesë minuta,duke parë interesimin tuaj të jashtzakonshëm,e dyfishuam kohën e tij.Po përsëri diskutimet,mendimet dhe telefonatat janë të pafundme.Ndoshta do të na duhet të zhvillojmë një cikël bisedash për temën në fjalë.Biseda e sotme na hapi një horizont të ri.Duke e mbyllur këtë emision emocionues,ju njoftoj se ai do të vazhdojë nesër në të njëjtën orë.Sidoqoftë,mirupafshim nesër mbrëma!



Fjala e Lirë
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi