Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dr. Enver Bytyçi Kosova sot, si Shqipëria më 1914-ën

Shko poshtë

Dr. Enver Bytyçi  Kosova sot, si Shqipëria më 1914-ën Empty Dr. Enver Bytyçi Kosova sot, si Shqipëria më 1914-ën

Mesazh nga Agim Gashi Sat Oct 17, 2015 4:36 pm

Dr. Enver Bytyçi  Kosova sot, si Shqipëria më 1914-ën 543875_10151775221937207_417302030_n
Dr. Enver Bytyçi


Kosova sot, si Shqipëria më 1914-ën

Kosova është në rrjedhat e një rënieje të lirë. Nga njëra anë një mazhorancë e përçarë që luan lojë shikas e një kryeministër inatçor, megaloman dhe i mësuar me modelin e drejtimi titist të shtetit, nga ana tjetër një opozitë po aq inatçore dhe e paskrupullt në zgjedhjen e mjeteve për arritjen e qëllimit të saj për pushtet. A ka më keq se kaq? Nuk besoj se Serbia do të donte të shihte në Kosovë një dështim më të madh sesa kjo që po ndodh tani. Të dy palët me ose pa dashje po bëjnë lojën e Serbisë, duke kujtuar se po punojnë për veten e tyre e duke na rrejtë se “po punojnë për Kosovën”. As njëra, as tjetra palë farë pune e farë lidhje nuk kanë me Kosovën. Kanë maksimumi punë me partinë ku bëjnë pjesë, por më së shumti nuk kanë punë as më partinë, janë vënë në mbrojtje të interesave të një grupi mafioz, të një klani të ngushtë.
Vetëvendosja e ka bllokuar funksionimin e institucioneve të Kosovës. Ajo e ka bërë këtë, sepse disa udhëheqës të saj i tremben Gjykatës Speciale, por jo vetëm për këtë. Janë bashkuar gjithashtu disa frikacakë të PDK-së, Nismës, AAK-së me Vetëvendosjen dhe të katër këto grupime luftojnë kundër Isa Mustafës në fakt për ta bllokuar ngritjen e Gjykatës speciale, e cila do të shqyrtojë jo vetëm krimet e disa individëve kundër shqiptarëve, serbëve e romëve në kohën e luftës, por edhe krimet politike mbas luftës. Isa Mustafën e kanë gjet në pritë, se nuk është Isa pengesë për këta derdemenë që për një hetim a një vit burg duan ta shkatërrojnë vendin e tyre. Isa, madje është njëriu më pak i interesuar për zbardhjen e krimeve politike kundër LDK-së së pasluftës. Atij nuk ia ka ndij ndonjëherë se çfarë ka ndodh me Ibrahim Rugovën, me Fehmi Aganin, Enver Malokun, Xhejmal Mustafën, ish-ministrin e Mbrojtjes Krasniqi, Tahir Zemën e shumë të tjerë. As Bujar Bukoshit nuk i ka shkuar ndërmend ndonjëherë të mërzitet për humbjen e këtyre burrave. Përkundrazi, me paratë e djersës dhe gjakut të qytetarëve të Kosovës kanë bërë pazare duke blerë e njollos disa herë edhe djalin e presidentit historik të Kosovës, Dr. Rugovës. Për këto “merita” ësthë aty ku është Isa Mustafa. Prandaj ai nuk ka lidhje me LDK-në e vërtetë.
Po pse atëherë Vetëvendosja, opozita dhe së paku gjysma e PDK-së e duan në pjatë kokën e Isa Mustafës? Pse vezët dhe atentatet i drejtohen vetëm kryeministrit të Kosovës? Sepse ai ka dalë në pritë vetë, madje duke mënjanuar me metoda staliniste garën për kryetarin e LDK-së. Ka mbjellë shiun tash korr furtunën. Në këtë lloj furtune që e ka mbërthyer ka filluar të çartet. Çfarë nuk u thotë kundërshtarëve të vet, çfarë nuk i thotë Albin Kurtit ose Ramush Hajredinit. Thjesht nxjerr dufin prej mushkrive. U përpoq ta nxjerrë këtë duf duke e arrestuar me urdhër verbal liderin e Vetëvendosjes. I çoi dhjetra policë në rrezik për shkak të dufit, inatit dhe interesave të tij, pastaj e liroi Albinin, sikur të mos kish ndodhur asgjë. E bëri këtë jo si kryeministër, që mban përgjegjësi për shtetin, por si një Isë i kohës së Rrahman Morinës, për të shfry inatin e vet. Që në këtë moment ai moralisht nuk është më kryeministër i Kosovës. Të parit të Kosovës, kushdoqoftë ai, nuk i lejohet t’i fyejë qytetarët e vet, nuk i lejohet t’i arrestojë për inat të vetin, nuk i lejohet të fshehë të vërteta, të cilat do t’i vuajë Kosova për dekada me radhë në të ardhmen.
Prandaj Isa Mustafa duhet të largohet. Sa më shpejt, aq më mirë për Kosovën. Ai duhej larguar që në momentin kur humbi Prishtinën e ia dha atë Albin Kurtit, i cili sot e gjuan me vezë kryeministrin dhe u hedh gaz deputetëve në parlament. Eshtë hera e parë në historinë parlamentare të botës kur në parlament ata që janë aty për t’i dhënë oksigjen tempullit të shtetit dhe demokracisë, i japin helm. Kjo është edhe më për turp, sesa ajo që bën kryeministri Mustafa. Eskili ka thënë se “Kur e drejta tejkalohet, ajo kthehet në të kundërtën e vet”. E drejta e Albin Kurtit është tejkaluar me dhjetra herë dhe ai nuk do apo nuk e kupton se me tejkalimin e të drejtës po dëmton rëndë interesat e Kosovës. Isa Mustafa është shndërruar në një rrezik për Kosovën, për shkak të paaftësisë dhe inatit që i buron nga natyra titiste e qeverisjes. Albin Kurti është shndërruar në një rrezik serioz për Kosovën dhe shqiptarët me vëtëdije të plotë, sepse tashmë ai duhet ta dijë se “ku ia çon mushka drutë”. Dhe jam i bindur se ai e di këtë, e përsëri nuk ndërron rrugë. U duk sikur u mënjanua kur dha dorëheqjen nga drejtimi i Vetëvendosjes. Por prapë është aty, ku e thërrasin të paudhët, antishqiptarët, ata që e duan Kosovën përgjithmonë në kaos. Unë i kam lexuar nja dy libra së paku, se çfarë është historia e doktrinës dhe filozofisë serbe për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Nikolla Pashiç në vitin 1913 thoshte se “Edhë pse po ngrihet një shtet shqiptar, ai duhet të jetë jofunksional, i paqëndrueshëm dhe i brishtë, me qëllim që ne serbët ta ruajmë epërsinë tonë morale shtetformuese mbi shqiptarët”. Dhe për ta arritur këtë ky Pashiqi pagoi Esat Pashën, Haxhi Qamilin e të tjerë. Këta të mallkuar e të paguar nga Beogradi e bënë Shqipërinë rrëmujë, iu kundërvunë me luftë Princ Vidit, shtetarit modern të kohës, i cili dëshironte ta rimëkëmbte Shqipërinë. Këta nuk lanë qeveri në këmbë, dhe vendi kaloi konflikt pas konflikti. E di Albin Kurti historinë e Shqipërisë së pas shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912. E megjithatë ai I ka shpallë luftë shtetit të Kosovës e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, njësoj si Esat Pasha që kundërshtoi vendimet e Fuqive të Mëdha edhe për atë Shqipëri të cunguar që u ngrit në Londër.
Por më çudit fakti pse ai po luan të njëjtin rol me skenarë të njëjtë tani në Kosovë?! Për t’u heq si moderator e liberator, Albini thotë se është socialdemokrat, e ndërkohë ushtron metodat anarkiste e trockiste, në pamundësi për të ushtruar një pushtet stalinist dhe enverist në Kosovë. Njësoj si anarkistët, Albin Kurti thirret në emër të popullit, një spekullim ky propagandistik dhe i dëmshëm për mendjet e njerëzve. Albini bëhet kështu më i rrezikshëm se Isa Mustafa.
Por dhe Hashim Thaçi duket se në këtë rrëmujë fërkon duart. Edhe kjo është e rrezikshme. Një politikan si Hashim Thaçi, me gjithë ato kontribute nuk mund të bëjë sehir, nuk mund e nuk duhej ta linte Kosovën të rrëshqasë në gjendje të lirë drejt degradimit. Historia i mat burrat e shtetit me kontributet që japin në momentet dramtike të kombit. Kosova po e vuan këtë moment për faj të Albin Kurtit dhe megallomanisë së Isa Mustafës. Hashimi duhet të dëshmojë se i përket një rrace tjetër politikanësh. Dei më sot ai po e ndihëmon konfliktin dhe krizën institucionale në Kosovë.
Më në dilemë prej të gjithëve është Ramush Haradinaj. Ai e kupton se veprimet e Albinit janë të dëmshme për Kosovën. Por ende e sheh Isën si të keqen e vendit. Përpiqet të jetë me opozitën, e në fakt ka një paradigmë, paradigmën e konsumimit të tij e të AAK-së me një projekt, i cili nuk është i tij. Por edhe Ramushin e shtyjnë disa bashkëpartiakë të tij të hyjë në vallen e Albinit, se këta bashkëpartiakë të tij nuk janë aq trima sa Ramushi. Ata e kanë frikë Gjykatën speciale ndërkombëtare. Ramushit nuk ia ndjen më për të tilla gjykata, sepse dy herë provoi Hagën e nuk u dorëzua. Megjithatë ai vazhdon të vuajë paradigmën, të jetë alternativë më vete, apo të shkojë pas projektit shkatërrues të Albin Kurtit. Kësaj paradigme Haradinaj duhet t’i japë fund e duhet të rrjeshtohet në anën e Kosovës, jo në anën e anarkisë dhe rrëmujës që bën anarkisti i tipit Fidel Kastro, pra, Albin Kurti.
Duhet të ndalet gjithashtu projekti i Vetëvendosjes për të ashtuquajturin “Bashkim i Kosovës me Shqipërinë”, projekt për të cilin thotë ai ka mirëkuptimin e diplomatëve perendimorë. Jam i sigurt se në këtë moment këtë projekt do ta duartrokiste edhe Milosheviçi po të ishte gjallë, sepse nëpërmjet teorisë “së pajtimit të shqiptarëve e serbëve, duke përdorur Edi Ramën dhe të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë të inicuar nga Kurti” Milosheviçi, edhe pse përgjegjës për krime macabre në Kosovë,  do ta kishte ndarë Kosovën e do ia kishte marrë asaj jo 11 apo 15 përqind të territorit, por së paku 30 përqind të këtij territori. Imagjino sot, kur diplomacia dhe politika serbe ka kapërcyer ngërçin e kohës së Milosheviçit, sa e aftë është ta realizojë ndarjen e Kosovës në vijat, në të cilat ajo dëshiron. Qeveria serbe për të përmirësuar imazhin ftoi në bashkëpunim Edi Ramën, me qëllim që t’I thoshte botës se “Ne serbët jemi tolerant e të gatshëm për pajtim”. Rama ia dha Beogradit këtë shans, sepse atij nuk ia ndjen sa viktima e dëme i shkaktoi Serbia Kosovës në luftën e fundit. Për fat të keq nuk ia ndjen as Isa Mustafës, i cili bën sehir ndaj politikës së “vllaznim-bashkimit” të Titos së ri, Vuçiç dhe Enverit të ri, Edi Rama. Albin Kurti bën demagogji kur thotë se “Serbia duhet të kërkojë falje për krimet në Kosovë”, sepse është pajtuar plotësisht me pajtimin shqiptaro-serb dhe bashkim-vëllazërimin të inicuar nga Rama dhe Vuçiç, projekt ky i shpallur në vitin 2011 nga ish-presidenti serb, Boris Tadiç. Serbia, për ta bërë reralitet ëndërrën e ndarjes së Kosovës ka ftuar kështu në bashkëpunim Albin Kurtin. “Thuaj ti që Kosova të bashkohet me Shqipërinë e pastaj ne, serbët, e kemi më lehtë ta shtyjmë njohjen e Kosovës si shtet, sepse u themi aleatëve tëp resin se ata në Kosovë e kanë një project tjetër kundër shtetësisë së Kosovës”. Kjo është formula, të cilën e zbaton Beogradi dhe Albini në Prishtinë.
Nëse Thaçi, Haradinaj, Limaj dhe LDK-ja nuk e kuptojnë këtë lojë misionare, atëherë Kosova do të vuajë më keq se Shqipëria në vitet 1913-1925. Lidhja Demokratike e Kosovës është shndërruar në një organizatë jo qeveritare, për të cilën askush nuk pyet më. Kjo falë makinacioneve të Isa Mustafës dhe diversionit të pandërprerë të Thaçit. Edhe ata burra të LDK-së që sot gjenden në krah të Isa Mustafës duhet ta lëshojnë anijen e tij, sepse bashkë me anijen e Isës po fundoset Kosova. Para Kosovës nuk vlen asnjë grosh kreu I LDK-së, Isa Mustafa. Konflikti, kriza, lufta për pushtet, lufta kundër institucioneve të Kosovës, lufta kundër integritetit territorial të vendit do të jetë parasëgjithash luftë e brendshme e paskrupullt, inatçore e jo vizionare midis grupeve e klaneve. Më shumë se kaq nuk do të dëshironte në Kosovë as Tomislav Nikoliçi, as Vladimir Putini. Shqiptarët duhet ta ndajnë tashmë të mirin nga i keqi dhe të dijnë se kush ia ka me të mirë dhe kush me hile shtetit të Kosovës.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi