Halil Matoshi-Shtëpia mbahet me miq!

Shko poshtë

Halil Matoshi-Shtëpia mbahet me miq!

Mesazh nga Agim Gashi prej Sun Nov 15, 2015 2:57 pm

Halil Matoshi-Shtëpia mbahet me miq!

Ky është një kallëzim privat (pa asnjë kërkesë politike) për refuzuesin e madh, njeriun e letrave, kritikun dhe «rockerin», politikanin me fat dhe burrin e shtetit, dr. Ibrahim Rugova.




Një si hyrje e trishtë


Në pranverën e vitit 1990 na priti në rezidencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd Warren Zimmermann, atëbotë ambasador i Washingtonit në kryeqytetin e Jugosllavisë. Në një takim me opozitën e atëhershme në Serbi shkova me Shkëlzen Maliqin, me veturën e të vëllait që punonte ende në Sigurimin Shtetëror serb. Pastaj e dëbuan nga puna Gazmendin dhe ai i ishte bashkuar gueriles UÇK në Koshare.
Vdiq pas luftës.
Pasi na përshëndeti, ambasadori Zimermann më tha: «Bashkëndiej me ju, zoti Matoshi, ditë të vështira po vijnë për ju». Kjo fjali më ka jehuar plot një dekadë, edhe kur kishim aheng, edhe kur mbi ne binte tortura dhe gajlet e gjallërimit! Tek ktheheshim për në Prishtinë, më kumbonte ajo fjali e trishtë: «Ditë të vështira po vijnë…». Hej, njerëz, dhjetë vjet – pothuajse bërtitja dhe brofja nga përhumbja…

Dhe u shfaq Ibrahim Rugova

Babai shpirtëror i projektit politik të kosovarëve për shtetformim dhe ideator i rezistencës pa dhunë gjatë viteve të ‘90-ta ishte Ibrahim Rugova, njeriu në dukje më i vetmuari në botë, krah thyer që dergjej tok me atdheun e tij, Kosovën, nën çizmen e robërisë serbe. Në thelb, ai ishte njeriu më i rrethuar me miq, nga më të fortit e më të respektuarit në botë, por që nuk krekosej me këtë.
«Edhe Serbia është komb i vogël, pothuajse sa ne, prandaj duhet të bëjë kujdes që të mos na bjerë në qafë», thoshte ai. Mirëpo, «kolosi i brishtë» i Kosovës, Ibrahim Rugova, kundërvënien pa dhunë e kishte të mbështetur mirë në dijet teorike, ngase veprat e tij «Kah teoria» dhe «Refuzimi estetik» mund të interpretohen si pararëndëse të politikës së tij paqësore. «Fundja, të refuzosh do të thotë të mos pranosh atë që imponohet. (…) Ose lirohemi nga shtypja nëpërmjet refuzimit, ose e thyejmë qafën dhe bëhemi skllevër. Në këtë plan njeriut i ofrohen dy zgjidhje: po dhe jo!», shkruante Rugova. 

Nëse tradhtoni – u ‹çknoj› – m’tha rapsodi!

Kam qenë vetë në delegacionin e ashtuquajtur «Alternativa kosovare» dhe kisha përshtypjen se ai po udhëtonte për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi kurrë nuk na kishte folur se kishte qenë edhe në një eveniment më 1989. Pasi kishim fluturuar me «PanAm» nga aeroporti «John F. Kennedy» në Frankfurt dhe nga aty në Dubrovnik, me Shkëlzen Maliqin, Isuf Berishën dhe Anton Berishajn, morëm taksinë për në Prishtinë. Nga stacioni i autobusëve, ku na la taksia, më mori me veturën e tij një qytetar për në Hajvali.
Më tha se ishte nga po i njëjti fshat. Më njohu dhe po më pyeste se kur do të bëhej Republika. Pasi u hamendësova disa çaste, i thashë se do të kalojnë ndoshta dhjetë vjet. Ia thashë këtë pa të keq, i nxitur nga fjalët e ambasadorit Warren Zimmermann që m’i kishte thënë në Beograd. Mirëpo, shoferi frenoi vrullshëm dhe më urdhëroi të dilja nga makina!? Ishte pasmesnate dhe kisha nja gjysmë ore për të mbërritur në shtëpi. «M’i preve të dyja këmbët në gju!», më pati thënë ai njeri dhe kurrë më s’më ka rastisur ta shoh.
Mbase e ka marrë qysh atëherë botën në sy.
I thyer nga dëshpërimi i dekadës që na priste.
Dhe vërtet, ashtu edhe doli – pritëm tamam dhjetë vjet deri në çlirim. E mua si të më zinte ai aht, kjo dekadë m’u zgjat në njëmbëdhjetë vjet!
I inspiruar nga një shkrim imi te gazeta e studentëve «Bota e re», ku i përshkruaja detajet dhe fjalimet e secilit nga kosovarët e «Alternativës», rapsodi Agim Gashi e kishte kënduar këngën: «N’Amerikë, more, po ku tjetër…». (E pata pyetur disa vjet më vonë rapsodin se çfarë do të bënte ai, nëse ndonjëri nga personazhet që u këndonte do të tradhtonin, dhe ai, i zënë ngushtë, më tha shkurt: «U çknoj!», një trajtë antiteze e padëgjuar për mua deri atëherë.

Si e humba kushtin me Shkëlzen Gashin?

Duke diskutuar me kolegët Enver Robelli dhe Shkëlzen Gashi, mësoj se që te tre po shkruanim nga një libër për Rugovën, Enveri për Rugovën në shtypin gjermanofolës (u botua te KOHA, më 2015), unë «Nga ideja dhe shteti në krijim deri te 17 shkurti 2008» (dorëshkrim i pabotuar), kurse Shkëlzen Gashi synonte të bënte libër monografik të vlefshëm për historiografinë e re të Kosovës (ende nuk është botuar). Pasi ra llafi i shkuarjes sime në Amerikë si përfaqësues i Parlamentit Rinor (1990), Gashi më pyeti nëse kisha dijeni se, në organizim të Kishës Katolike Shqiptare, Rugova kishte qenë edhe më parë në Amerikë. Unë isha kategorik: jo, nuk është e mundshme.
Dhe, u lidhëm me kusht. Sakaq ma dëshmoi, më bindi, ma kishte lënë «jadec». Po, Rugova kishte qenë më 1989 në New York dhe më 7 tetor të atij viti kishte mbajtur ligjëratë për Pjetër Bogdanin në Campus Center të Fordham University, nën kujdesin e Kishës Katolike «Zoja e Këshillit të Mirë». Atëbotë në New York ishte mbajtur seminari shkencor në përkujtim të 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit.
Sipas kujtimeve të Tonin Mirakajt, Rugova e kishte marrë ftesën dhe ishte përgjigjur pozitivisht, por se përgjigjja e tij me shkrim kishte «humbur» në «postën» ish-jugosllave të asaj kohe.
Ishte siguruar një suitë me dy dhoma fjetjeje komode dhe dhomë pritjeje në «Beekman Tower» në «49th Street», në katin e 17-të Manhattan East Hotel. Nga dritaret e hotelit shihej për bukuri ndërtesa e madhe e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Një vend shumë i përshtatshëm për mysafirët e shtrenjtë u rezervua nga vetë kisha dhe komunitetit ynë në New York. Doktor Ibrahim Rugova ishte shumë i gëzuar dhe i emocionuar se gjendej përballë OKB-së. Ndërsa po i hidhte nga dritarja një vështrim përkëdhelës ndërtesës prej xhami të Kombeve të Bashkuara, Rugova me buzëqeshje tha: «Aty në atë ndërtesë do të zgjidhet problemi i Kosovës!».
Në atë mbrëmje, ndër të ftuarit ishte edhe doktor Salvatore Delprete, i cili e kishte vënë re me habi mënyrën sesi Rugova e pinte duhanin pa ndërprerje. Dr. Delprete kishte parë gjithashtu, ndonëse nuk e kuptonte gjuhën shqipe, se Rugova ishte njeri me rëndësi nga mënyra se si njerëzit silleshin rreth tij. Mirakaj tregon se doktori Delprete kishte thënë: «Thuaj profesorit se duhani ka për t’ia marrë jetën, po e vazhdoi në atë mënyrë!»
Ia përcolla Rugovës alarmin e doktorit. Mbasi e falënderoi doktorin për kujdesin që tregoi, ai tha: «Është e vërtetë se duhani do të ma shkurtojë jetën, por në këtë kohë nuk mund lë atë. Ndoshta një ditë, dikur në të ardhmen, kushedi…!?» Dhe vërtet, Rugova u diagnostifikua me kancer në mushkëri dhe vdiq në Prishtinë më 2006. Porse nga vizita e tij në Amerikë nuk më mbetën vetëm letra e dokumente, video e libra. Ai hyri edhe në këngë. Vëllezërit Gashi dhe shumë rapsodë kosovarë ende e këndojnë ndër dasma e ahengje këngën «Shkoi Brahimi n’Amerikë».



Refuzuesi dhe qytetari me hije


Siç shihet, Rugova nuk është gjendur rastësisht në ballë të një rezistence paqësore, ajo ishte postulat i tij krijues. Refuzimi i tij ndaj dogmës komuniste së pari, pastaj edhe ndaj institucioneve zyrtare serbe dhe dhunës shtetërore, ishte më tepër mosbindje qytetare sesa kundërvënie efektive pa dhunë.
Lëvizja për liri pa dhunë që u identifikua me Rugovën del të jetë e përsosur po të kihet parasysh ajo që thotë José Ortega y Gasset se «shteti është në fillim një imagjinatë absolute, por imagjinata zhvillohet (krahas zhvillimit të vetëdijes së një populli) dhe projektohet në lëvizje të orientuar me vetëdije drejt themelimit të shtetit». Ibrahim Rugova kishte qejf ta citonte profesorin e tij nga Parisi, Roland Barthes, i cili thoshte: «Politika është një dëshirë në fillim, që duhet kthyer në veprim»! Ai dhe populli i tij e fituan simpatinë në botën demokratike, sepse lëvizja kosovare gati 100-vjeçare për liri po artikulohej nga Rugova në projekt shtetformues. Të presësh të papritura për 18 vjet, aq sa zgjati kalvari i shtetkrijimit të shqiptarëve të Kosovës, kërkonte një përmasë pothuajse jezuite të durimit, nëpër situata kur vdekja ishte më e lehtë se pritja. Këto 18 vjet Kosovën e përshkuan paqja e dëshiruar dhe lufta e imponuar. Por, në fillim ishte paqja! Me emrin e tij lidhen shumë legjenda urbane, madje edhe kulte, si të ishte ndonjë papë!
Duke e përshkruar një vizitë që kishte bërë bashkë me presidentin historik Ibrahim Rugova në fshatra të Malishevës të përfshira nga flakët e luftës, në nëntor të atij viti, ambasadori Christopher Hill shkruan: «E mora (Rugovën) në makinën time më 3 nëntor (1998) dhe shkuam së pari në fshatin e vogël piktoresk Banjë të Malishevës. Minarja e xhamisë së fshatit ishte rrëzuar nga një predhë shumë precize e tankut dhe kërma të kafshëve të banorëve të fshatit ende po prisheshin në fushë që prej një muaji, kur serbët i kishin përdorur si ushtrim për marrje në shenjë. Vazhduam pastaj për në fshatin e vogël Ostrozub, ku po ashtu dolëm jashtë në rrugën kryesore, që gëlonte me banorë të kthyer që bartnin dhe tërhiqnin zvarrë plaçkat e veta personale, teksa ktheheshin nga mali ku qenë fshehur me javë të tëra në pyll. Reagimi i tyre kur e panë Rugovën ishte i jashtëzakonshëm. Njerëzit fillimisht ngurruan kur e panë prijësin e vet prej më shumë se një dekade, pastaj iu afruan dhe iu hodhën me krahë rreth qafe, duke e puthur në faqe. Disa iu hodhën në përqafim dhe i ranë në gjunjë, duke ia puthur dorën, si të ishte papë. U ndala për ta kapur pamjen në tërësinë e saj. Për ata që kishin thënë se e ka pasur puna e tij, do të doja ta shihnin tani. Se çka i bën disa politikanë karizmatikë dhe çka jo, ka qenë koncept përherë i pakapshëm për mua, por këtë ditë e pashë se Ibrahim Rugova ishte forcë që duhej bërë hesap – ndoshta arsyeja pse UÇK-ja dhe të tjerë ishin aq të ashpër me të» (Christopher R. Hill, «Outpost», Simon & Schuster, New York, 2014, fq. 143-144; fragment i përkthyer nga Muhamet Hamiti). Rugova ishte njeri që rrezatonte njëfarë sigurie të pamatshme kur e kishe afër. Njeri me hije, thonë shqiptarët. Dhe, i kishte hije gati çdo gjë që bënte!


Portret pa kornizë


Njeri i rebeluar, me flokë të gjatë «rockerësh» të viteve të ‘70-ta (epoka e Beatles’ve), me syza të trasha e shall parisieno-rugovas rreth qafe, me çantën e madhe plot letra. Ishte njeri i letrave. I lindur në Cërcë të Istogut, por qytetar. Kur shoqëroheshim me të në fundvitet e ‘80-ta dhe në fillim të viteve të 90-ta (Sabri Hamiti e quajti me të drejtë ideator të Qarkut Kulturor të Prishtinës), ai ende ishte vetëm një intelektual i angazhuar, një mik me të cilin mund të pije kafe në ëmbëltoren «Elida» dhe të bisedoje për politikën, por edhe për letërsinë dhe «Rock ‘n’ Roll». Pas tubimit të shkrimtarëve nga ish-Jugosllavia në Novi Sad, më 1988, Rugova doli në skenë. U vu plotësisht në mbrojtje të vendit të tij. Më 1989 ia nisi me intervista këmbëngulëse në shtypin e huaj. E shquante guximi dhe siguria në atë që thoshte. Miqtë po e braktisnin. Policia sekrete serbe kishte kohë që e mbante nën vëzhgim.
Një ditë vere të vitit 1989 shkova t’ia jepja revistën «Der Spiegel», në të cilën ishte një intervistë e tij, e për të cilën për pak më rrahën policët maqedonas. E pa intervistën, disi ishte i lumtur se fjala po depërtonte jashtë shtetrrethimit! Vetëm gruaja, tha ai, po më thërret në telefon dhe po më pyet: «A je ende në liri? E pres arrestimin…», tha ashtu «cool».
Porositi kafe turke për ne dhe për veten. Ato na i solli me dashamirësi një rom që punonte atëbotë si korrier dhe pastrues i Shoqatës. «Po e kaloj ditën vetëm me këtë dostin…», tha dhe qeshi me ironi. «Tashmë rezistenca nisi», shtoi. Ia lamë lamtumirën dhe na porositi për kujdes.
Ai ende refuzonte ta merrte vetë timonin e lidershipit politik kosovar.
Një seri intervistash me fjalë uragane në mbrojtje të Kosovës e bënë atë hero.



Cezarit ç’është e Cezarit, Zotit ç’është e Tij


Më 1994 e bëra një intervistë me të për javoren politike shqiptare «Zëri» në zyrën e tij, në barakën e njohur që ai dëshironte ta quante «Shtëpia e Pavarësisë». Serbia kishte shpallur tashmë shtetrrethimin. Kishim frikë se lufta dhe masakrat ishin të pashmangshme. Më tha: «NATO-ja do të na mbrojë». «President, a ta vë titull të intervistës këtë për NATO-n», e pyeta. Piu një gllënjkë expresso, thithi cigaren dhe tha shkurt: «Po!» Por, ai nuk pranoi t’i vringëllojë shpatat dhe e ruajti frymën e tij si përfaqësues i humanizmit. Nuk hyri në ushtri.
Daytoni e «harroi» Kosovën, Serbia sikur u trimërua dhe i nisi reprezaljet. Çka sikur Ibrahim Rugova ta ndërronte kursin politik më 1995 e t’i bashkohej UÇK-së? Kjo pyetje shtrohej atëbotë, e vazhdon të shtrohet edhe sot, krejtësisht jashtë kontekstit historik. Epoka e pacifizmit rugovian funksionoi mirë. Super mirë! Më 1996 e shkrova artikullin e parë kritik për Rugovën. Menjëherë pas Daytonit. U prishëm. Pastaj kam shkruar shumë artikuj kritik për mënyrën e bërjes së politikës nga ai. E mendoja më zemërgjerë, dukej se i mbetej hatri, por, megjithatë, e mbajtëm një miqësi të brishtë.
Kur dola nga kampi i përqendrimit «Zabella» e Pozharevcit, isha i ftuar në RTK, inaugurohej një studio e re. Ishte shkurt 2000. Ai hyri me dy-trembëdhjetë roje. U nisa ta përshëndesja, pothuajse si një njeri të dashur. Rojat më shtynin nga pak me bërryla. Ai ma zgjati dorën dhe më tha shkurt dhe ftohtë: «Mirë që ke dalë…» – dhe vazhdoi të fliste më gjeneralin Klaus Reinhardt. Ndoshta nuk kishte faj, ngase Ali Podrimja në ato çaste po më njoftonte me Hashim Thaçin dhe Rugova u shmangej takimeve me «Gjarprin».
Bashkëmendimtari i viteve më të hershme, që tash ishte President i vendit tim, pas luftës filloi habitshëm të mbyllej në vetvete. E pashë se miqësia kishte përfunduar. Ndashtë, nga këtu e tëhu do të merrja një kurs më realist dhe më neutral ndaj tij! Kosova tashmë i kishte dy klishe-metafora për personin Ibrahim Rugova: Ibra i hapur, refuzuesi i dhunës dhe modelit kulturor real-socialist e provincialist dhe ky, i dyti, Presidenti i vetëmjaftueshëm, autokrat i paqëndrueshëm që shtirej si një harrestar, i mbuluar me truproja të azdisura dhe plot vezullima e furde!
Po të ishte ai Ibra i viteve të ‘90-ta, e kam pas ndërmend t’i afrohem e të flas më të si dikur. Ta pyes pse i hyri në gjak dhe e rrëmbeu politika, pse nuk mendoi për «shpatat borgesiane» pas Daytonit, pse nuk i njohu meritat e luftëtarëve dhe nuk i zbuti raportet me guerilen, pse s’bëri më asgjë për «Republikën e letrave», që ia kishte ëndja ta përmendte shpesh, për kulturën e këtij vendi, por ua la që ta menaxhojnë horrat provincialë? Dhe, mbi të gjitha, kam dashur ta pyes pse hyri në vallen e ndarjes së heronjve në «tanët dhe të tyre», sepse brezat që do të vijnë duhet të ngrohen me historinë e këtij vendi, e të thonë «ne luftuam për atdheun tonë!». Dhe, kam dashur ta pyes për romin që na bënte kafe në atë barakën e frikës, që pikonte shi e mërzi, terror: pse nuk u interesua për të, kur ai u bë i madh, kur Kosova u çlirua, t’ia siguronte një strehë, një punë, ta mbante këtu? Sepse, ishte i vetmi shoqërues i tij në çaste ankthi.
Dhe doja ta qortoj, ngase neglizhenca e tij dhe e partisë së tij prodhoi shumë frustrim dhe konfliktin politik me Lëvizjen Popullore të Kosovës, një organizatë që vepronte nga nëntoka dhe nga Diaspora dhe prej së cilës dolën disa nga krerët e gueriles. Kosova ende po i vuan pasojat e keqqeverisjes së kësaj kaste që ende vazhdon të ketë simpati për Shqipërinë koreanoveriore të diktatorit Enver Hoxha. Pastaj u rrethua me shumë njerëz, që nga veprimtarët atdhetarë të devotshëm, akademikë e politikanë të ekuilibruar, deri te karrieristë të pacipë, policë-roje, spiunë, poltronë, injorantë, paramilitarë.
Më dukej nganjëherë se kishte shumë inat, mllef, zemërim. Por, në çaste vendimtare dinte të shmangej dhe të merrte vendime unifikuese. Ai ishte politikan me fat. Fati asnjëherë nuk ia ktheu shpinën. Por, politika e kishte dërrmuar. Pastaj i ra hise zezona e dergjës së keqe, kanceri. U mbajt si trim deri në vdekje.
Vetëm pas vdekjes rendet e gjata të qytetarëve në temperatura polare për t’ia dhënë lamtumirën e fundit e dëshmuan dimensionin e tij të vërtetë, atë dimensionin e liderit historik. Madje edhe kundërshtarët e tij politikë nisën t’ia kishin lakmi, filluan ta respektonin. Ai iku në amshim, ne mbetëm t’i ndriçojmë rrugët demokratike të këtij vendi, ose të koritemi. Njeriu është qenie e vdekshme, por e lë trashëgiminë; politikani lë vizionet që t’i vazhdojnë brezat, kurse qytetari i thjeshtë i merr të gjitha më vete.
Ai la zbrazëti. Prishtinës do t’i mungojë qytetari Rugova, refuzuesi kryengritës, kritiku me stil. Pati ngërçe e hone të errëta, por edhe hapa të shkëlqyer. E shënoi epokën e kthesës së vendit të tij në vitet 1989–2006. Vizionar ishte gjithsesi. Kurrë s’ka dyshuar në pavarësinë e vendit, i ka besuar idesë shtetformuese dhe i qëndroi besnik deri në prag të realizimit faktik të pavarësisë, – por nuk e priti Ditën e Lirisë.
Liria? Askush s’e pret i gjallë. Pavarësia sot është vetëm dimensioni i parë – prej ku ne hyjmë në liri!
«Jemi të shtrënguar të jemi të lirë», shkruan José Ortega y Gasset.
«Zot, falna njohjen!», lutej Rugova. Ta njohim vetveten dhe të tjerët, dimensionet e lirisë!
Më 1998, në Parlamentin Evropian ai shpërfaqte në sytë e botës një be e fe shqiptare: «Shtëpia mbahet me miq!» – tha. Dhe, këtë po e vërejmë vetëm tani kur miqtë e Kosovës që ai i zuri me nge e përkushtim, ende po ia ruajnë Kosovës fytyrën dhe shpinën nga thika e armiqësisë serbe.



Plus tri kallëzime me Rugovën


I pari: shkuam më 1990 me Hazir Rekën dhe me gratë (Ilirianën e Nerimanen) te Brahimi në Ulpianë, në banesën e tij të vogël, por plot libra e zemër të madhe. Ia blemë një shishe uiski për dhuratë, ndërsa ai na e hapi njërën nga verërat më të mira që kishte. Pos që vera pihet me miq, kam arsye shtesë – na tha – më ka lindur një vajzë. Dhe, pikërisht ato ditë i kishte ardhur në jetë Teuta.
Maestro Reka ia bëri disa fotografi, ndër të tjera edhe me Ukën e vogël (atëherë), që e mbante në prehër. Me Ukën që s’u bë i madh kurrë.
Sakaq e mori nga rafti i bibliotekës një letër dhe na u drejtua si rëndom me ngurrim: «Ky është një grup zviceran i rockut që ka kënduar për Republikën e Kosovës». (Emrin nuk na e thoshte, vetëm qeshte me atë «Ju lutem, ju lutem…!», siç e kishte zakon). Dikur na pëshpëriti në vesh se grupi e kishte emrin «Scrotum» (që në latinisht domethënë «koqe»), kurse kënga niste me «Rock e Republikë». Na luti ta botonim te «Zëri». «Kjo shkon te ‹Zëri›» – na tha, «…sepse jeni të rinj e të guximshëm». Vargjet e këngës dolën në revistë, bashkë me emrin e grupit, për të cilin kurrë më s’kam dëgjuar!
I dyti: shkuam më 1993 me Blerim Shalën te baraka, siç quhej selia e LDK-së, ku e kishte zyrën Rugova. I thamë Enver Malokut se na duhej ta takonim. «Është shumë i zënë» – na tha, por kur e kuptoi pse e donim, na urdhëroi të hynim shkurt. Vërtet, unë sapo e kisha botuar librin me poezi «Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe», ku e kisha edhe një poezi dedikuar po atij njeriu që tash e kishim përballë – Ibrahim Rugovës. Ia kisha borxh një si pendesë, ose si falje!
Kur e kam botuar librin e parë me poezi «Frymë varresh në dallgore», më 1988, në «Botën e re», Rugovën e kam pasur recensent. Mirëpo, kam shkuar tinëz në shtypshkronjë dhe pas lekturimit, trajtën «nënë» e kam shkruar në gegënisht «Nanë», sepse kjo më dukej se ia zbehte fuqinë ikonike nanës sa herë që e përmendja! Nuk më është hidhëruar.
Na priti në këmbë në atë zyrën e tij, e cila, pos një tavoline dhe dy-tri karrige, në mur e kishte atë pikturën shumë domethënëse të Rexhep Ferrit. «Njeriu kryengritës» e pata quajtur unë, ndërsa kurrë s’më ka rënë ta pyes vetë autorin se si e ka titulluar pikturën me figurë njeriu dhe dy gishta të ngritur në ajër. Pasi na i sollën expressot, i ndezëm cigaret dhe në atë tymnajë ia lexova poezinë që e kisha titulluar «Letër Ibrahim Rugovës», në të cilën, ndër tjera, thosha: «Në vend të topuzit dhe mburojës në dyluftim – me shpatë goje prit hovet e armikut». Ishte një motërzim me poezinë gjëegjëzë të Borges-it «Mbreti», e cila fliste pikërisht për fatumin e një prijësi: «Shpërndarës i thesarit – shpërndarës i shpatave» – Ai i emocionuar, tha: «Po, vërtet fatit nuk i dihet». I kërkuam ndjesë që i morëm kohë, ai na u drejtua duke qeshur: «Jo, jo, kështu me libra hajdeni sa herë të doni».
I treti: pas luftës, ai vërtet jetonte në një pallat në Velani. E bëra zemrën gur dhe u nisa me disa kolegë për pritjen që Presidenti e bënte për gazetarët në prag festash. Më duket ishte për Vitin e Ri, 2001. E kisha takuar vetëm një herë pasi kisha dalë nga burgu dhe atë shumë ftohtë! Në hyrje, truprojat e tij më ndalin dhe më kërkojnë «ID» – «AJDI», siç i thoshin prishtinaset dhe prishtinasit që punonin për UNMIK dhe misionet tjera të huaja në Kosovë. Këtë «AJDI» e mbanin në qafë varur me zinxhirë, që zakonisht e mbanin kapakun e vogël të vaskave. Nuk e fshihnin krenarin që mbanin «AJDI», sepse të kishe një «AJDI» të tillë në qafë ishte thjesht çështje statusi në shoqëri. Unë nuk e kisha një të tillë. Dhe, as që doja t’ia dija për të!
Rojat më ndalën në dyert e kapixhikut, duke me thënë që të prisja, porse unë u mbusha me inat. «Qysh more s’më njohkan mua, Halilin?!». Më bëhej se sapo kisha dalë prej legjendave të moçme shqiptare dhe plot mllef u nisa teposhtëzës nga Velania në qytet.
Më thanë pastaj se dikush nga kolegët ia kishte pëshpëritur ndodhinë dhe ai i kishte urdhëruar Qefser Bahollit, njërit nga njerëzit e tij, që të dilte të më merrte. Por, tashmë unë i bërë tym isha larguar nja dhjeta metra. «O Halil, ktheu o Halilo!» – bërtiste Qefseri. Po unë s’doja të dëgjoja fare. Ai sërish thërriste dhe unë në kulm të pezmit ia ktheva me ca fjalë që i meritonte ndoshta jo Qefser Baholli, por truprojat e Rugovës po.
Kam dashur t’i kërkoj ndjesë Ibrës, qysh e thërrisnin të gjithë miqtë (e mua gjithnjë më pëlqente t’i thoja Brahim), porse jam takuar vetëm edhe një herë në një takim të partisë së tij, sa për një fotografi dhe atë të «ndërmjetësuar» nga miku im, Shefki Gashi. Kështu që, në prag të 10-vjetorit të vdekjes, po i them në rubrikën Beletra: Më fal, Brahim Rugova!
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi