Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Rexhep Shahu - Aksioni tek Hani i Lacit ne Bardhoc te Kukesit

Shko poshtë

Rexhep Shahu - Aksioni tek Hani i Lacit ne Bardhoc te Kukesit Empty Rexhep Shahu - Aksioni tek Hani i Lacit ne Bardhoc te Kukesit

Mesazh nga Agim Gashi Tue Nov 08, 2016 6:50 pm

Rexhep Shahu - Aksioni tek Hani i Lacit ne Bardhoc te Kukesit 16451_1549368581977264_5471053137194479632_n



Rexhep Shahu - Aksioni tek Hani i Lacit ne Bardhoc te Kukesit
 
 
Rexhep Shahu - Aksioni tek Hani i Lacit ne Bardhoc te Kukesit 14955877_1849498948630891_3069410919079539038_n
Dhjetra gjermane te vdekur, 3 gra gjermane te vdekura, 3 gra gjermane te plagosura, 23 gjermane te zene rob, mes tyre 3 gra, njera Elsa Koh, sekretarja e komandantit gjerman per Shqieprine ne aksionin e partizaneve vendas ne Bardhoc te Kukesit, te Hani i Laçit, duke zbardhe 5 shtatori 1944.
Deshmi tronditese nga libri i komandantit gjerman Hermann Frank i cili luftoi me trupat e tij te shpetonte sa me shume gjermane te gjalle nga kjo masaker sic e cileson ai ne rrugen e vdekjes per gjermanet Kukes – Prizren
 
Dhe përsëri një aksion i banditëve* 
 
(fragment nga libri Lufta e çetave ne Shqiperi te komandantit gjerman Herman Frank, botuar per here te pare ne shqip nga Klubi i Poezise, Tirane)
 
Lehtë rrapëllin telefoni fushor në zyrën e daktilografisë të trupës luftarake, të cilën Drajeri e ka mobiluar në katin përdhes në ish fjetoren e organizatës Todt. Fraj ngre receptorin. Oficeri G3 i korparmatës do që të flasë me të. Të dy oficerët përdorin shumë emërtime të maskuara, me qëllim që asnjë i paautorizuar të mos e kuptojë bisedën. Sipas përvojës ekziston gjithnjë mundësia që banditët të ndërhyjnë. Oficeri G3 e njofton Frajin se një transport i rëndësishëm nga Tirana do ta lërë Shkodrën rreth drekës në drejtimin Kukës-Prizren. Grupi luftarak i Frajit duhet ta sigurojë rrugën dhe të pengojë sulmet e çetave mbi kolonën e automjeteve. Transporti duhet të mbërrijë patjetër “i parrjepur” në destinacion, meqë në të u ndodhkan gra, të cilat duhen nxjerrë jashtë Shqipërisë.
Fraj vë në dukje rezervat e tij dhe propozon që transportit t’i jepet një shpurë e fortë për ta mbrojtur, sepse ai me grupin e vet luftarak s’mund të përgjigjet për “sigurinë e rrugës” në distancën më shumë se 300 kilometra të gjatë. Ai s’ishte në gjendje të vendoste çdo pesëdhjetë metra një pushkatar në rrugë, por vetëm mund të përforconte ruajtjen në vendet sidomos të rrezikshme dhe ndërmjet tyre ta siguronte me patrulla që mbajnë kontaktin. E njëfarë garancie për sigurinë ekziston gjithashtu vetëm atëherë, nëse kolona e kalon gjatë ditës zonën e molepsur me çeta.
Oficeri G3 i kupton rezervat e Frajit dhe premton se do ndjekë këshillat e tij.
Menjëherë pas bisedës Fraj merr të gjitha masat e domosdoshme. I angazhon të gjitha kompanitë e grupit të tij luftarak për sigurimin e transportit. Vetëm kompania e pestë dhe elemente të kompanisë së tetë do rrinë në Kukës si rezervë.
Por dita kalon dhe transporti nuk vjen. Kur bëhet natë, Fraj pyet me telefon për vendndodhjen e tij dhe merr vesh se transporti e paska lënë Tiranën me vonesë. Kolona e transportit u përbëka nga dyzetë automjete të një kompanie transporti të stacionuar në Prizren dhe nga një autobus, në të cilin u ndodhkan gratë.
“Atëherë kolona duhet të qëndrojë në Shkodër”, propozon Fraj. Megjithatë kur realizohet më në fund lidhja telefonike me Shkodrën, kolona është nisur tashmë prej andej.
“Atëherë ndalojeni në Pukë dhe me çdo kusht lejojeni ta vazhdojë udhëtimin veçse kur të agojë!” këshillon Fraj urgjentisht.
Por linja hesht. Me gjasa është prishur përsëri. Por këto prishje janë të vështira për t’u ndrequr, sepse banditët presin gjithmonë copa të gjata telash e pastaj presin në pritë që të vijnë “arrnuesit”.
Prej kohësh kanë kumbuar tingujt e daulleve, të cilat u tregojnë besimtarëve muhamedanë perëndimin e diellit në muajin e ramazanit. Një erë e lehtë, e freskët fryn nga malet dhe dëbon ngadalë zagushinë, të cilën e përhap toka me pluhur e përvëluar nga dielli gjatë ditës. Në qiell vezullojnë tashmë yjet dhe thirrja rrënqethëse e një kukuvajke depërton përmes dritares së hapur në dhomën e mobiluar pamjaftueshëm, ku Fraj pret gjumin në shtratin e tij prej lëpushka misri.
Zogu i vdekjes! Mendon ai. Si shumica e ushtarëve në front edhe ai është bërë pak supersticioz. Përgjon i tendosur se mos jehon sidoqoftë zhurma e motorëve. Por përjashta gjithçka është e qetë e Frajin e zë më në fund gjumi.
Kur yjet fillojnë të veniten sërishmi dhe një vagëllimë shumë e hollë, rozë në lindje lajmëron ditën e re, kërcasin shumë larg krismat e pushkëve. Fraj zgjohet menjëherë, çohet dhe nxiton tek dritarja. E kur përkulet shumë përjashta, i dëgjon gjithnjë e më qartë të shtënat. Transporti! është natyrisht mendim i tij i parë.
Lehtë bie zilja e telefonit fushor. Fraj shtyp taston e të folurit dhe paraqitet.
“Kompania e gjashtë, kapiteni Kleberger. Nga drejtimi i jugut zjarr i fuqishëm armësh, midis tyre shpërthime si granata artilerie apo granata dore. Ka të ngjarë aksion i çetave në pjesën e rrugës midis nesh dhe kompanisë së shtatë.
“Mbi kë?” pyet Fraj.
“Ndoshta mbi transportin. Kolona kaloi këtu afërsisht para dhjetë minutave.”
“Pra ndodhi!”
Fraj nxiton për tek korrierët, që janë akomoduar pranë tij. “Alarm!” thërret me zë kaq të lartë, saqë të gjithë çunat brofin në këmbë dhe ia ngulin sytë si të ngrirë.
“Sharinger”, thërret kapterin, “menjëherë Fiatin, telefonistët dhe mjekun!
Korrierët nxitojnë nga sytë këmbët.
“Kompania e pestë në gatishmëri luftarake! Urdhërat e tjerë vijnë më pas!”
Urdhërmarrësi del me nxitim përjashta.
Fraj vishet duke nxituar si era, ngjesh ca karikatorë me municione në xhepat e xhaketës dhe zbret me nxitim në oborr nëpër shkallët që kërcasin, ku pikërisht në atë çast vjen Kocari me makinën, ku janë ulur tashmë telefonistët.
Pa frymë nga të nxituarit dy infermierë tërheqin kutinë e rëndë të ndihmës së shpejtë dhe e hedhin në makinë. Me ngut kërcen nga pas mjeku i ri në moshë në automjetin që po ecën.
Tek shtëpitë e fundit të Kukësit u vjen përballë një motoçiklist: “Zoti major. Ne jemi sulmuar befasisht! Kemi shumë të vrarë e akoma më shumë të plagosur. Na nevojiten urgjentisht municione, përforcime dhe materiale mjekësore. Dy kamionë i kam sjell me vete.” Rreshteri Vyst, një shtutgartas, i gjakosur e i mbulur plotësisht nga pluhuri, tregon me dorë dy kamionët, që qëndrojnë prapa tij në njëfarë distance.
“Mirë”, thotë Fraj. Shkoni tek vendi ku bashkohen Drinat. Atje ndodhet kompania e Tumës. Drejtojeni atë për tek vendi i sulmit të befasishëm!” Sa më afër vjen Fraj me makinën e tij tek vendi i aksionit, aq më me zhurmë kërcet zjarri i pushkëve. Të plagosurit e gjakosur të grupit të tij luftarak po  tërhiqen duke u zvarritur me fytyra si meit e të frikësuara në kanalin e rrugës.
Tek vendi, ku midis lumit Drini i Bradhë dhe rrugës ka një rrip të ngushtë me bar të tharë dhe shpatet thikë të malit janë të veshura me shkurre të dendura rreth dy metra të larta, ishin sulmuar automjetet e transportit. Shumica vazhdonin të digjeshin. Të gjithë automjetet kishin marrë plumba, xhamat e përparmë ishin bërë copë e thërrime e në sediljet e shoferave dergjeshin shoferët e vrarë. Shumë goma makinash ishin shpuar nga plumbat, makinat qëndronin tërthor me rrugën. Rreth e qark tyre dergjeshin të vrarë e të plagosur. Të ngjeshur pas rrotave të makinave të mbijetuarit e paktë kërkojnë të mbrohen nga zjarri armik, që vjen ende nga malet nga të dy anët e rrugës. Banditët qëllojnë mbi gjithçka që lëviz ende.
Duke shfrytëzuar çdo mbulim Fraj vazhdon të depërtojë përgjatë automjeteve. Mjeku dhe ndërlidhësit e ndjekin nga pas. Kur mbërrijnë afërsisht deri tek mesi i kolonës, gjejnë autobusin. Pamja rreth e qark tij është e frikshme, sepse banditët ishin vërsulur mbi të dhe e kishin plaçkitur.
Tre gra të vrara, të gjakosura dergjen me rroba të shqyera në pluhurin disa centimetra të rrugës. Fytyrat e tyre të bëra tualet në vështrimin e parë duken të gjalla. Pamja i trondit ushtarët. Ata kanë parë tashmë në këtë luftë të vrarë të panumërt dhe janë mësuar me të vrarët si diçka që është pjesë e luftës. Por sidoqoftë një diçka të tillë nuk e kanë përjetuar ende.
Tre gra të tjera gjermane, që dergjen gjithashtu mbi rrugë, janë plagosur. Gjatë sulmit kanë marrë goditje me plumba, gjithashtu kanë pësuar plagë nga granatat e dorës, që banditët i kishin hedhur mbi autobusin, para se t’i vërsuleshin. 
Ja ku po vjen kompania e Tumës, më herët se e priste Fraj. Ajo sulmon menjëherë banditët që hapnin akoma zjarr nga shpatet e anës së këndejme të Drinit të Bardhë, (nga ana e Bardhocit, shën. bot.), në të majtë të rrjedhes. Në terrenin e vështirë pushkatarët mund t’i afrohen vetëm ngadalë armikut, i cili kësaj here po bën rezistencë këmbëngulëse dhe nuk po zhduket si zakonisht nga pozicionet e veta. Kështu zhvillohet një luftë e ashpër këmbësorie.
Pranë rrugës, përgjatë shpatit shtrihet linja telefonike; prej saj varet poshtë një tel i lëmuar. Kur ndërlidhësit e lidhin telefonin e tyre fushor, për habinë e tyre paraqitet centrali i tyre telefonik. Drajeri, që po i pret me tension lajmet, është tek aparati.
Fraj i urdhëron shpejt turkmenët dhe elementët e gatshëm të kompanisë mitraliere për tek vendi i aksionit, meqë çetat po shtiejnë mbi rrugë edhe nga lartësitë përtej Drinit të Bardhë, (nga ana e Hasit, shën. bot.). Njëkohësisht urdhëron të njoftohet kompania e transportit e regjimentit të transportit 594 në Prizren për fatin e kolonës së saj dhe t’i kërkojë që të vijë me të gjitha mjetet në dispozicion për t’i hequr automjetet nga rruga, para se të vijnë aeroplanët e frikshëm gjuajtës-bombardues anglezë nga ana tjetër e Adriatikut dhe t’i japin fund punës.
Turkmenët kapërcejnë Drinin e Bardhë e nisin pastrimin e maleve nga partizanët. Në këtë mes veprojnë me shumë kujdes, megjithëse nuk është asnjë oficer me ta, dhe tregohen shumë të vëmendshëm për sigurinë e tyre. Ata sulmojnë vetëm pasi i bombardonin lartësitë e armikut me themel me zjarrin e fortë të granatahedhëseve të tyre. Sapo kapin një lartësi, ndalojnë dhe shtien me granatahedhëse mbi lartësinë tjetër për ta marrë edhe këtë pastaj. Në këtë mënyrë iu duhet vërtet shumë kohë, por e përmbushin misionin e tyre luftarak me humbjet më të vogla vetjake.
Zjarri i banditëve mbi kolonën e bërë shoshë nga plumbat bëhet më i dobët dhe pushon fare kur ndërhyn edhe kompania e shtatë e duke avancuar nga jugu e mbërthen armikun në shpinë.
Mjeku, infermierët, barrelistët dhe shumë ndihmës të tjerë kanë punë të rëndë. Zgjat me orë derisa trajtohen të gjithë të plagosurit, grumbullohen dhe ngarkohen të vrarët.
Një grua e plagosur raporton: kolona kishte shkuar bashkë me shpurën mbrojtëse deri në Pukë; atje të dy transportuesve të blinduar iu desh të ndalonin se kishin nevojë për t’u riparuar. Prapëseprapë kolona vazhdoi udhëtimin natën vonë. Kur kishte arritur tek pozicionet e armikut, u hodh në qiell një fishek ndriçues tek kamioni i parë dhe tek i fundit. Në këtë mënyrë filloi breshëria e fuqishme e zjarrit, që pati menjëherë efekt asgjësues. Në autobus ishin nëntë gra gjermane. Tre prej tyre nuk u plagosën e u morën me forcë prej partizanëve. Gruaja e plagosur, e cila i tregon të gjitha këto Frajit, mundi në çastin kur banditët hynë në autobus, të vraponte me frikë e tmerr poshtë nga Drini. Ajo donte të notonte në bregun tjetër, por uji në këtë vend ishte shumë i rrëmbyeshëm. Kështu u fsheh në kaçubet e bregut dhe e shpëtoi në këtë mënyrë kokën.
Këmbësorët që e dëgjojnë tundin kokat: A mund të merrej përsipër t’i lije gratë gjermane të ndiqnin pas burrat e tyre në luftë në Shqipëri? A duhej t’i lejonin të qëndronin këtu deri në shtator 1944, kur prej kohësh në tërë vendin shtihej mbi çdo gjerman? Jo, këmbësorët s’e kuptonin dot.
Tani mbërrijnë edhe njerëzit e kompanisë së transportit 594 nga Prizreni. Ata u përkasin brezave më të vjetër - burra me thinja në tëmtha; janë gati për luftë, por ajo ka përfunduar tani. Kështu i futen menjëherë punës tek automjetet e bërë shoshë. Pas pak kohe makinat e dëmtuara ecin me shumë të plagosur dhe të vrarë për në spitalin ushtarak në Prizren dhe për varreza.
Fraj urdhëron grupin e tij luftarak ta qëmtojë terrenin nga erdhi sulmi i befasishëm. Shumë partizanë të rënë dergjen rreth e rrotull - burra të rinj, të fuqishëm, me uniforma ngjyrë dheu dhe me këpucë solide, të forta. Por nuk kanë dokumenta personale me vete.
Dielli është tashmë në zenit, kur çunat që s’janë caktuar për sigurimin e rrugës mund të kthehen më në fund me majorin e tyre sërishmi në fjetoret e veta.
 
_______________________

* Aksioni te Hani i Laçit në Bardhoc duke zbardhë 5 shtatori 1944, organizuar nga partizanë vendas të Çetës së Lumës, të Hasit, batalionit Perlat Rexhepi dhe batalionit Kosova. Shën. bot.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi