Shaip Beqiri:VETËPËRJASHTIMI SI FLIJIM ABSURD

Shko poshtë

Shaip Beqiri:VETËPËRJASHTIMI SI FLIJIM ABSURD

Mesazh nga Agim Gashi prej Wed Jul 08, 2009 9:25 pm

VETËPËRJASHTIMI SI FLIJIM ABSURD

Shaip Beqiri



Rrethanat në të cilat u bë përcopëzimi dhe përçarja e mërgatës shqiptare në organizimin e saj ndër parti politike në fillim ndoshta edhe mund të kuptohej si një solidarizim euforik dhe identifikim në largesë me organizimin që nisi të bëhej në vend, por vazhdimi i saj kaq këmbëngulës për të mbetur e pandryshuar kjo formë e organizimit të saj është një çudi që vështirë mund të kuptohet dhe pothuaj e pamundur të shpjegohet. Nën trysninë e madhe të rrezikut të përndjekjes së përhershme, të deri vonë e ndjenin njësoj si në vend ashtu edhe në dhe të huaj, mërgimtarët tanë u organizuan pa u hamendur aspak ndër parti politike shëmbëllyeshëm siç ishin ato brenda vendit. Në atë kohë kjo mund të luante një rol në afrimin dhe bashkimin e tyre sidomos përsa i takon lidhjes së drejtpërdrejtë me të gjitha çështjet preokupuese të atëhershme në vend. Mirëpo është e çuditshme që këtë lloj organizimi e bënë vetëm mërgimtarët tanë nga Kosova dhe viset e tjera jashta Shqipërisë. Thashë që ishte deri diku e kuptueshme kjo gjë, por njëherësh edhe krejtësisht e jashtëkohshme dhe absurde. Ndërkaq ky organizim partiak shpejt do të kthehej në një bumerang tepër të rrezikshëm me goditje të gjerë e të fortë përsa u përket mundësive të pashtershme të manipulimit dhe të përçarjes që vazhdoi të thellohej pandalshëm në vijë të veprimit të tërësishëm kombëtar. Amëzat në vend të këtyre partive politike dhe grupimeve të tjera partiake në mërgatë kishin interes praktik që këto dega e degëza t`i mbanin në mbikëqyrje si një logjistikë të nevojave të veta, por sidomos për burim të ardhurash në dorë e pas dore; kurse vetë ato bëheshin se po luanin një rol të rëndësishëm në çështjen e madhe kombëtare, duke i derdhur në çdo anë vërshueshëm frustrimet e tyre për dalje nga zhgualli i ntrashur i inferioritetit dhe anonimatit. E vetmja gjë “harmonike” ishte përqendruar në këtë pikë. Në anën tjetër, pikërisht këta veprimtarë që ishin strehuar ndër organizime partiake për të dalë papritur në krye të tyre, do të pengojnë gjithmonë çdo përpjekje për ndonjë lloj organizimi me bazë kombëtare të mërgatës shqiptare. Ata ishin pozicionuar lehtësisht në krye të këtyre formave të bashkimit, të cilat rriteshin nga dita në ditë me shpejtësi të madhe, pa dhënë pothuaj kurrfarë provash dhe pa përmbushur asnjë kriter përzgjedhës të konkurrencës së lirë, duke përftuar njëkohësisht një shtresim meritash pas të cilave truma e madhe e karrieristëve do të ngjitet pashkëputshëm deri në varr! Është e padrejtë të thuhet se të gjithë ishin njësoj karrieristë të frustruar, që dobitë e tyre i mbulonin gjoja me bindje e ide politike, shpesh duke shkuar deri në fanatizëm. Ndër ta ka pasur gjithnjë edhe veprimtarë të palodhshëm, të gatshëm të bëjnë çdo sakrificë për të mirën e kombit dhe atdheut, gjë që jo rrallë e kanë provuar konkretisht, por, sidoqoftë, veprimi i tyre me ngjyrim partiak, aq më parë në dhe të huaj, ua ka zbehur së tepërmi profilin moral dhe ua ka bërë të shurdhër zërin kundruall trumave të karrieristëve me etje të pashuar për t`u dukur në krye të tribunave…
Fakti që ky organizim i mërgatërs vazhdoi herë më me vrull e herë si i mosqenë edhe në kohën e pasluftës, e bën të patundur idenë për dëmin që e bëri ai shumëfish më të madh se ndonjë dobi eventuale që do të ketë mundur të sjellë. Ndonëse u paraqitën shumë heret disa përpjekje të vogla për një organizim të qenësishëm me bazament kombëtar të mërgatës shqiptare, ato u tretën si vesa para diellit para synimit të prapaskave të kurdisura për t`i mbajtur këta njerëz përgjithmonë të shpërndarë, të ndarë e përçarë jo rrallë deri në armiqësi të kota. Ç`është e vërteta, këtë farë të përçarjes e kishin lënë trashëgim të keq organizimet e hershme ilegale të grupeve të ideologjizuara të mërgatës sonë, kurse shpërndarja e re ndër parti politike ishte një përgjigje disi e vonuar dhe tepër e mjerë e një grushti njerëzish të tjerë apo të njëjtë, të cilët bënë këtë manipulim të madh për të dëftuar se ishin diku dhe nuk duhej kaluar në heshtje pranë tyre.
Mbetja e shqiptarëve ende në këtë formë organizimi kaq të prapambetur në fillim të këtij mileniumi në Europën që synon intergimin me vlera tepër të larta të qytetërimit modern, duke lënë prapa të mbuluara përgjithmonë edhe vetë ajo jo pak të palara të vetat të tmerrshme, është një shkak tepër i madh që dëfton thelbësisht gjendjen e mospërfaqësimit të një mase kaq të madhe shqiptarësh në asnjë listë të të drejtave themelore qytetare: e drejta të zgjedhësh dhe jesh i zgjedhur!
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 64
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi