Aleksander Çipa:MATANE MATANISTEVE

Shko poshtë

Aleksander Çipa:MATANE MATANISTEVE

Mesazh nga Agim Gashi prej Thu Jul 16, 2009 10:41 pm

MATANE MATANISTEVE

Aleksandër Çipa


Mashtrimi është pandershmëria më e përhapur në shoqërinë tonë. Prej disa vitesh, politikanët e këtij vendi po vetësigurohen dhe vetëndihen që në jetën tonë publike nuk ka gjë më të zakonshme se mosmbajtja e fjalës së dhënë. Janë kokolepsur në fatin e vetëtjerrur politik në atë farë feje, sa sot e kemi krejt të pamundur të mbesim në ndarjen, sipas përkatësisë dhe përfaqësimit real të tyre. Në këtë tjerrje mashtruese nisi të bjerë së pari ish-quajtura e Majtë, e cila dukej se po rendte disa hapa para së ashtuquajturës e Djathtë, në sprovat për demokraci të brendshme.

Ish-kryetari i socialistëve, Fatos Nano, u përball keqazi me pasuesin e tij si Kryeministër, Ilir Meta, dhe në një kapitull rrënimtar e sollën ndarjen e Partisë së tyre Socialiste si të pashmangshme. Gjërat rrodhën në atë farë feje, saqë në përpjekjen politike ndarëse, të dy protagonistët e shembën detyrimin moral të ruajtjes së "të tërës për shkak të pjesës". Ndarja u bë e madhe, sa degradimi moral i pushtetit që kishin dhe i partisë që i kish, u shndërrua në rrënim qeverisjeje dhe pashmangshmërisht edhe rënie nga pushteti.

Koha që vijoi nuk u përdor për të rikthyer edhe një herë dialogun apo reflektimin analitik të asaj që ngjau, të asaj që u përdor si protagonizëm fraksionues dhe ndarës, apo edhe si krizë e tejzgjatur e së majtës. Mes fjalës dhe veprës u përthellua honi ndarës me të vërtetat. E majta ra në krizë dhe në krizë mbeti. Protagonistët e sherrit mbetën në sherr edhe paskësaj, ndonëse mes tyre erdhi pasardhësi Edi Rama. Politikani që shkëlqeu si administrator ndryshues i Tiranës, por që nuk i mjaftoi koha për të mbyllur edhe ciklin e hedhjes nën kontroll të plotë, partinë që mori nga Nano, por që refuzoi radikalisht ta konsiderojë si të trashëguar prej tij.

Në këtë vijimësi, kontradikta që gjeti u mbulua, pa e ditur se në ditët e reja, kontradikta e re që do të gjeneronte ishte në kuptim të parë si vijim i së vjetrës. Telenovelat që ndërpreu dhe pretendoi se i mbylli, ka për t‘i shijuar si protagonist në muajt e afërt paszgjedhorë. Kjo kontradiktë e riaktualizuar ka vetëm një ndryshim: Dikur ishte jashtë spektrit dhe brenda partisë. Rama e nxori jashtë, por e mbajti brenda spektrit, madje e riformatoi edhe më rrezikshëm si proces endogjen për të majtën në tërësi. Lufta u bë brenda spektrit, më e ashpër se ajo që ishte zhvilluar pesë vjet më parë mes vetë partisë. Në këtë kontradiktë antagoniste, protagonistët e rinj të së majtës së ndarë, pra Edi Rama dhe Ilir Meta, u mbarsën me pamëshirën për njëri-tjetrin.

Natyrisht kjo është një marrëdhënie vërsnikësh në politikë. E njohur si në sjelljet dhe marrëveshjet e përkohshme Nano-Meta të dikurshme, kur pajtoheshin për një çast dhe urreheshin përbuzshëm në shumicë të kohës. Në këtë bi-sherr të përsëritur, udhëheqësit e socialistëve, vetëm të vërtetën nuk e patën një herë referencë! U akuzuan mes tyre sa harruan se fjala nuk mbetej vetëm mes tyre, por më së shumti rëndonte në ndërgjegjet e votuesve dhe qytetarëve. Ata e harruan veten ku ishin dhe për kë flisnin. Nxorën nga vëmendja e tyre dhe harruan se inskenonin dhe aktronin në sy të një populli, që për shumë arsye kureshtjen dhe njohjen i ka virtyte natyrale.

Në këtë kontekst, politikanët tanë në konflikt harruan se kishin vetëm një mundësi në raport me mashtrimin; ta përdornin atë si artikulim, por jo ta shisnin si besim.

Koha që rrodhi, mavijosi konfliktin Rama-Meta në atë farë feje, sa "qelbi" i sjelljes dhe prapaskenave mes tyre u bë pellg dhe zezoi krejt besimin e të majtëve. "Kusure mëdhenj" të dy- quhen sot prej të majtëve. Natyrisht është vlerësimi që u bëhet pas humbjes së mundësisë për të qenë të dy bashkadministratorë të një qeverisjeje.

Ky pësim për të majtët, në një lexim realist është mbarësi për shumicën e votuesve shqiptarë, ndër të cilët shumica të djathtë. Më të qetët, pra votuesit që prej vitesh kanë ikur prej përkatësisë dhe devocionit ideologjik të tyre, lëvdojnë këtë zgjidhje, pasi shohin se ekziston një moment kur energjia për konflikte negative do të jetë më e paktë. Duket sikur dy antagonistë të gjithhershëm gjetën kazusin për të qenë aleatë në një moment kuptimplotë të tranzicionit. Është fjala për aleatët e shpallur paszgjedhorë Berisha-Meta. Mes tyre është një e shkuar me sjellje dhe të thëna konfliktuale, me bëma dhe zarare armiqësorësh.

Por tashmë ka ardhur kohë tjetër. Ajo e shkuar e afërt, pra ato të vërteta të hidhura janë bërë e shkuar. Mendimtari politik Baladyr shprehet se ky është çmim i suksesit, madje aty sheh edhe talent…, pasi "praktikat e pushtetit nuk përputhen me ligjet e moralit të zakonshëm"… I talentuari për interes, në këtë mes, është Berisha dhe për këtë s‘ka dyshim askush.

Mirëpo këtu ekziston mundësia të ngrihet sërish një "fole për mashtrimin". Në një terren dhe kohë politike ku mashtrimi është përhapur gjithkund, vështirë të besohet se protagonizmi i vjetër i personazheve të njohur politikë mund ta sjellë shpëtimin. Ajo që po ngjet me kapitullin e fundit zgjedhor duket se është paradhomë e një marrëveshjeje matanë zgjedhjeve të 28 qershorit. Në horizont të saj, një lexues i vëmendshëm i politikës dhe një qytetar që e mendon fatin politik të vendit të tij, sheh korridorin që të çon në zgjedhjet presidenciale. E majta e shpërndarë si një mashtrim ideologjik ndodhet pa strategji dhe pa vizion strategjik. Gjithë halli i saj nuk duhet të jetë pushteti, por brendia dhe morali i të vërtetave që deformoi dhe rrënoi. Ky korpus i rrënuar politik i shoqërisë sonë na nevojitet jo si fortesë për kryesocialistët e kryematanistët, por si institucion bazik i pluralizmit dhe demokracisë partiake në vend. Ristrukturimi dhe reformimi real i saj mund të na e bëjë shumë herë më të lehtë këtë pjesë të tranzicionit të mbetur. Zërat e tjerë të shoqërisë janë të lutur të pohojnë qenien dhe të realizojnë veprimin. Socialistët në këtë gjendje dhe në këto dasi nuk mund të na japin hë për hë shpresë për diçka të tillë. Matanistët (ata që kryesocialisti zyrtar Rama i ftoi në pagëzimin e matanë së majtës dhe së djathtës) aq më pak.

Fjala është për një nisje prej moralit, prej së qenit dhe së bërit shërbestarë të së vërtetës për të vërtetat dhe jo së qeni hileqar në shoqërinë e pandershmërisë sunduese.



Shqip
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi