Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Valon Murati-Ku na mbeti sovraniteti?

Shko poshtë

Valon Murati-Ku na mbeti sovraniteti? Empty Valon Murati-Ku na mbeti sovraniteti?

Mesazh nga Agim Gashi Thu Dec 25, 2008 10:34 pm

Ku na mbeti sovraniteti?

Valon Murati-Ku na mbeti sovraniteti? F.1224230924710_m
Valon Murati


1. Kosova edhe me kushtetutën në fuqi e me legjislacionin përcjellës që janë produkt i Pakos së Ahtisaarit që i rri varur në qafë (e që duhet përsëritur se është mbi këto dy të parat në rast se ato nuk janë kompatibile me të) e ka një sovranitet të kufizuar. Madje edhe pavarësia e saj quhet jorastësisht pavarësi e mbikëqyrur dhe kushtëzuar.
Për më tepër, ky sovranitet më tej u kufizua me Planin Gjatëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Munit, përmes të cilit u mundësua vendosja e EULEX-it në Kosovë në bashkëpunim dhe me lejen e Beogradit zyrtar. Sikur të mos mjaftonin tërë këto kufizime, të pranuara (herë heshturazi, e herë hapur) nga pala kosovare (nga qeveria dhe nga opozita parlamentare), Serbia çdo ditë ndërmerr hapa, që atë pak sovranitet që mbetet, ta shkelë, ta dëmtojë, ta kufizojë. Dhe këtë nuk e bën vetëm në veriun e Kosovës, ku ajo e ka një situatë krejtësisht të ndryshme me brendësinë e Kosovës, por ajo po e bën këtë edhe me enklavat brenda Kosovës, si dhe me ofensivën diplomatike që po ndërmerr për ta dobësuar pozitën politike të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Një gjë është e qartë: Serbia e di se ndarja e Kosovës sot zyrtarisht nuk mund të ndodhë. Rrjedhimisht, ajo po punon që t’i përforcojë pozitat e veta në Kosovë, në mënyrë që ta përgatisë ndarjen sa më të favorshme për të në momentin kur të krijohen rrethanat ndërkombëtare për këtë gjë, të përcjellura me krijim të realiteteve të reja në terren. Kjo punë e vazhdueshme përcillet me një dobësim permanent të shtetit të Kosovës, duke ndikuar në anën tjetër që në arenën ndërkombëtare Serbia ta paraqesë Kosovën si një shtet të dështuar, pa mundësi që ta ushtrojë sovranitet në tërë territorin e vet.
2. Po ne ku jemi në këtë mes? Ku është qeveria jonë që me të madhe thirret në Kushtetutë dhe në ligjet e Republikës së Kosovës? Si është e mundur qeveria e një shteti sovran ta lejojë ardhjen në territorin e saj të një delegacioni zyrtar të shtetit që jo vetëm nuk po e njeh, por po ia bën çdo ditë e më tepër të vështirë ekzistencën!? Si është e mundur që kreu i kësaj qeverie të deklarojë se me këtë vizitë për herë të parë Serbia po e njeh de jure Kosovën, sepse paska kërkuar leje tek UNMIK-u, e UNMIK-u paska kërkuar mirëkuptim nga qeveria e Kosovës!!?
Për më tepër, kreu i qeverisë ishte krenar që këtë delegacion po e shoqëron Policia e Kosovës. Por cila është e vërteta në këtë mes? E vërteta është se Qeveria e Serbisë nuk ka kërkuar leje as nga UNMIK-u (e lëre më nga Qeveria e Kosovës), por vetëm e ka njoftuar atë. Qeveria serbe në vazhdimësi është sjellë dhe sillet me Kosovën si një territor i veti, andaj ka kujdes të veçantë kur ndërmerr hapa të tillë. Në anën tjetër UNMIK-u ka kërkuar (nëse nuk e ka urdhëruar) nga Qeveria e Kosovës që Policia e Kosovës ta ndihmojë atë në përcjelljen e këtij delegacioni. Dhe Policia e Kosovës, e konsideruar tani së voni edhe me ligj si Polici e shtetit të Kosovës, me bekimin e qeverisë sonë e ka përcjellë delegacionin e shtetit serb për ta minuar sovranitetin e Kosovës në çdo hap të tyrin, në çdo pjesë të Kosovës ku ata shkonin.
Ky delegacion e inauguroi zyrën (ilegale) e Postë-telekomit të Serbisë në Graçanicë, u takua me zyrtarët komunalë të zgjedhjeve ilegale serbe në Kosovë, u tall publikisht me institucionet e Kosovës (duke i ofruar kryeministrit tonë procedurë të shpejtë për një pasaportë serbe) dhe bëri kudo thirrje publike tek zyrtarët komunalë serbë dhe tek qytetarët serbë që të mos i njohin institucionet e Kosovës dhe t’i bojkotojnë ato.
Këta zyrtarë të lartë serbë, që tani paralajmëruan se serbët e Kosovës do t’i bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë, sepse ata i kanë institucionet e tyre, që janë institucione të Republikës së Serbisë. Nën përcjelljen e policisë së Kosovës ata disa herë iu referuan Kosovës si pjesë të Serbisë dhe deklaruan se ata nuk i kërkojnë leje askujt për të ardhur në Kosovë. Kjo vizitë nuk mund të shihet ndryshe veç në vazhdën e përpjekjeve të Beogradit zyrtar për ta rrënuar vazhdimisht edhe atë pak sovranitet që e ka Kosova dhe të sigurohet se Plani Gjashtëpikësh do të zbatohet në terren.
3. Në të vërtetë, po të ishte kjo një vizitë zyrtare e shtetarëve të një shteti tjetër, do të përcillej me njohjen e shtetit ku po shkojnë dhe të institucioneve të tij. Si mund të thuhet se ata po e njohin de jure shtetin e Kosovës, kur ata nuk denjuan të takohen me institucionet e Kosovës në Prishtinë!? Për më tepër i injoruan, i tallën, i treguan si të parëndësishme për ta dhe për synimet e tyre në Kosovë. Po si është dashur të reagojë qeveria jonë në këtë rast? Në vend se të jepen deklarata që nuk përkojnë me realitetin dhe që janë vazhdimësi e politikave të improvizimeve, të mishëruara në mendësinë tonë politike në 18 vitet e fundit, është dashur që të dëshmojë një çikë se këtu ka një shtet sado i dobët që mund të jetë në këto rrethana.
Qeveria e Kosovës jo veç që është dashur ta urdhërojë policinë tonë që të mos e përcjellë këtë delegacion, por është dashur që të mos e lejojë hyrjen e tij. Në qoftë se kjo nuk do të lejohej nga KFOR-i, është dashur që së paku këtij delegacioni t’i bëhej jeta e vështirë, e penguar në çdo hap nga Policia e Kosovës dhe e përcjellë nga protestat e qytetarëve që do të duhej - me thirrjen e qeverisë - t’i bllokojnë rrugët kudo që ky delegacion do të kalonte.
Gjithashtu është dashur t’i çohet një sinjal i qartë bashkësisë ndërkombëtare se kësi aktesh janë të patolerueshme për institucionet e Kosovës. Këso situatash, jo që do ta ndihmojnë integrimin e serbëve të brendësisë së Kosovës në institucionet e Prishtinës, por përkundrazi, së bashku me moszgjidhjen e drejtë të problemit të veriut të Kosovës (dhe të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, që mund të zgjidhen vetëm nëse aplikohet parimi i reciprocitetit dhe atë deri në vetëvendosje) janë faktorë që këtë pakicë do ta mbajnë të izoluar, të paintegruar dhe instrument të shovinizmit serb. Për më tepër, kjo situatë e pamundëson çfarëdo kthimi efektiv të tërë atyre që janë larguar nga Kosova që nga viti 1999.
Mbi të gjitha, brengosëse në këtë mes është se si është sjellë Prishtina zyrtare. Kështu, me këtë qasje, Qeveria e Kosovës ia ka bërë me dije Beogradit zyrtar se ai këtu nuk ka farë pengesash serioze të punojë çdo ditë në minimin dhe rrënimin e sovranitetit të Kosovës. Atij i është bërë me dije se e ka të hapur derën të vijë e të bëjë çka të dojë në oborrin tonë. Në këso situate qytetarët tanë vërtet mund të pyesin me të drejtë se kur do t’i vijë fundi politikës totale të indolencës, improvizimeve dhe të josinqeritetit ndaj realitetit që na rrethon nga ana e institucioneve të Kosovës, por edhe të opozitës parlamentare; kur do të vijë dita që qeveritë tona ta dëshmojnë sovranitet shtetëror?
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi