Teki Dervishi:Boksierët e “modernes” evropiane në Kosovë

Shko poshtë

Teki Dervishi:Boksierët e “modernes” evropiane në Kosovë

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Aug 22, 2009 9:40 pm

Boksierët e “modernes” evropiane në Kosovë

Teki DERVISHI
Sheshi në sirtar

Mund të dëshmohet me prova se tashmë (një dekadë) ekziston “UNMIK Poetika” e një gjenerate të re “krijuese”, me do mësues të vjetër (pa vepra të kryera). Si politika kur pretendon të krijojë komb të ri, edhe arti “modern” i politikës ditore, përpiqet që edhe kulturës t’i krijojë një “identitet të ri”, duke e shkëputur nga “trashëgimia negative” e traditës kombëtare. Dihet se kultura është identiteti i kombit, ndaj politika asimiluese e ka të qartë që identiteti i ri i kulturës, e krijon kombin e ri. Kjo gjeneratë 10-vjeçare “krijuese” është subvencionuar nga producenti me adresë abstrakte në Kosovë, që ndryshe quhet “bashkësi evropiane”.
Estetika provon se aty ku nuk ka art, nuk ka kritikë (letrare, muzikore, teatrore, etj.) Nuk është e vërtetë, ose është relevante - se ku nuk ka kritikë, nuk ka krijimtari artistike. Por ku nuk ka kritikë (akademike), arti nuk ka treg. Prandaj sot në Kosovë nuk ka lexues, publik, konsumues të artit, por ka konsumues të antivlerave, kiçit.
Prodhimi më i madh se konsumi, është relacion mekanik midis “kuantitetit” dhe “kualitetit”. Mungesa e kritikës pamundëson diferencimin e kuantitetit nga kualiteti. Mungesa e kritikës krijon paragjykimin mbi vleren, e cila nuk afirmohet nga kritika shkencore po nga sorrogati diskurziv i propagandës publicistike të fizionomisë politike e jo kulturore. Kjo është punë e “policisë shpirtërore”, e jo e “akademisë në ekzil”.
Çka nënkuptojmë kur themi “paragjykim mbi vlerën”? Nënkupton superlativin kualifikues pa aparaturë terminologjike që rrudhur në konstatimin kategorik “e mirë” (vlerë) ose “e keqe”. Superlativi “më i miri” është përshtypje e folësit, e jo vlerësim kritik i tij. Shembull: sa shumë herë më ka rënë puna të dëgjoj ndonjë bashkëfolës që më thoshte, filani (emër i njohur shumë) është shkrimtari më i madh shqiptar! Por kur hyn më thellë në bisedë, e kupton se ai nuk e ka lexuar kurrënjëherë atë shkrimtar të cilin e konsideron si më të mirin. Bashkëbiseduesi im kështu e “huazon” përshtypjen e huaj mbi një shkrimtar, ose edhe “qëndrimin” e popullarizuar politik (joestetik) për atë shkrimtar.
Ndaj nuk është e vërtetë se ku nuk ka art, nuk ka kritikë, as nuk është e vërtetë se ku nuk ka kritikë arti nuk ka treg. Është fakt i pamohueshëm se sot letërsisë i mungon lexuesi, po ku e di lexuesi se letërsia shqipe nuk ka vlerë, pasi që nuk e lexon? Pra “mëson” paragjykime. Paragjykimet i fabrikon periodiku me “shfrimet” e medikokriteteve të aparatizuara nga “poetika e plejadave”. Gjenerata provon të promovohet si “përfaqësuese e modernes”, (gjithmonë kundër degadencës dhe gjithmonë ende pa e përfunduar veprën e tyre). Kjo dukuri nuk është karakteristike vetëm e kulturës shqiptare, por edhe e gjithë artit botëror, (paraqitet në periudha të ndryshme “iluministe”, kalimtare).
Periudha “iluministe” e gjeneratës “kosovare” të UNMIK-ut, po e mbushë një dekadë “krijimtarie”. Në këtë broçkullë promovohet “modernizmi” i autorëve pa vepra, ose me dy tri sosh. Janë aq arrogantë sa që intervistën në gazetë e procedojnë si “poetikë” “moderne” gjithnjë konfrontuese me çfarëdo vlere trashëgimore qe e relativizojnë me superlativin “keq” dhe pa asnjë analizë mbi veprën, por mbi autorin (e traditës). Identitetit të ri “kosovar” këta ia qepin poetiken sipas po atij diskursi politik që në mënyrë “juridike” (me kushtetutë) krijon identitetin e ri të kombit, konform kësaj, edhe kulturës. Ky lloj “diskursi” pa aparaturë shkencore bën kritikë negative ndaj një “fakturë” të trilluar, jotipizuese kombëtare. Jemi në kohën kur shihen “krijues” që vazhdojnë të prodhojnë, edhepse janë të bindur se askush nuk i lexon, nuk i shikon, nuk i dëgjon. Krijues që mungesa e tregut nuk i dekurajonë të heqin dorë nga puna e tyre që nuk u shitet. Ata shesin projektet “krijuese” (sponzorëve ndërkombëtarë) por jo edhe veprën e tyre, e cila ose nuk përfundohet kurrë, ose harrohet po ditën e promovimit të saj.
Arti nuk jeton nga akademizmi, por nga popullariteti. Krijuesit e epokave shterpe artistike nuk i popullarizon kritika akademike valorizuese, por i popullarizon “huazimi i përshtypjeve” të shumëzuara nga mediokriteti publicistik. Pra rudimentimi i reçensionit në artikull gazete, “reçensioni” që informon një vlerë, (me vetëm “keq” ose me vetëm “mirë”), nuk ia del dot të analizojë “cilësinë e vlerës” në kompleksitetin e saj. Pozitive dhe negative (bardh e zi) ishte e njohur kritika e “inxhinierëve të shpirtit” susllovian në soc-realizëm, ai far koncepti vullgar “i ri” mbi vlerat “e reja” sipas identitetit ideologjik (komunist) që ndërtoi “njeriun e ri”. Identiteti nacional (kosovar) nuk do të mund të krijohet, sepse kultura është kombi, kështu që “identiteti i ri” i kulturës (që del nga inkubatori politik) mund ta identifikojë si komb të vetëm ndonjë lloj hibridi “teorik”. Kështu që, një dekadë po furfurinë “përshtypja e paragjykuar” për afirmimin e emrave të artistëve, po jo për afirmimin e veprat e tyre. Për shkak se veprat mungojnë. Kemi artistë, por nuk kemi vepra opusi të tyre. Gjenerata e shkollës së UNMIK-ut ende nuk ka arritur shkallën e një lexuesi të veprës, e lëre më analizuesit të saj, ose krijuesit të opuseve që përjashtojnë fragmentarizmin “ekpserimental”. “Artistët e shtetit” përjashtohen nga biblioteka sa herë ndryshon kushtetuta e shtetit. Prandaj thonë, arti është i përjetshëm, kurse politika është vetëm ditore.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 64
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi