Rama-Ngjela, “armiqtë” që bëhen aleatë

Shko poshtë

Rama-Ngjela, “armiqtë” që bëhen aleatë

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Sep 22, 2009 10:38 pm

Rama-Ngjela, “armiqtë” që bëhen aleatë


Kreu socialist takon avokatin për bashkim kundër mazhorancës
Kreu në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me kryetarin e partisë Ligj dhe Drejtësi Spartak Ngjela. Takimi është zhvilluar në ambientet e Kullave Binjake në Tiranë dhe zgjati më shumë se 60 minuta. Dy rivalët për bashkinë e Tiranës në vitin 2003, duket se e kanë harruar rivaliteti e asaj kohe dhe kërkojnë të krijojnë një aleancë të re. Të dy protagonistët e takimit nuk bënë asnjë koment për takimin, por burime pranë tyre bëjnë të ditur se dy politikanët e zhvilluan takimin lidhur me qëndrimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Pritet që Rama dhe Ngjela si drejtues të dy partive të ndryshme do të nën shkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi e cila do t’i kundërvihet pushtetit të krijuar nga koalicioni Berisha-Meta. Partia Socialiste ndodhet vetëm pesë ditë nga zgjedhja e kryetarit të ri të saj, ndërsa Spartak Ngjela, i cili doli si parti më vete në zgjedhjet e 28 qershorit me një program që i dedikohej kryesisht çështjeve të drejtësisë, është kthyer në një nga zërat “e djathtë” më kritikë kundër kryeministrit Berisha. Spartak Ngjela, e ka përkrahur publikisht qëndrimin e Ramës për rinumërimin e votave të procesit zgjedhor të 28 qershorit. Ai ka shtuar se nëse pas rinumërimit rezultati do të jetë i njëjtë, atëherë ata që e kundërshtojnë duhet të ndryshojnë qëndrim.
Pak ditë më parë, kreu socialist është takuar dhe me kreun e demokristianëve, Nard Ndoka, i cili po ashtu si Rama nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Politika e Ramës përtej së majtës dhe së djathtës, duket se do të vihet në praktikë pas zgjedhjeve të përgjithshme.

Shabani: Nuk ka të dhëna për të ardhurat nga donacionet private
TIA: Partitë politike nuk deklarojnë financimet
Organizata jofitimprurëse “Transparency International Albania”, për të disatën herë u kërkoi partive politike të publikojnë burimin e financimit të fushatës zgjedhore. Në një deklaratë për median e lexuar nga përfaqësuesi i kësaj organizate, Endri Shabani, thuhet se kjo transparencë "lë për të dëshiruar". Transparency International Albania kujton se partitë politike janë të detyruara të qëndrojnë transparente përballë elektoratit, në respekt të dispozitave Kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor në fuqi, duke publikuar në çdo kohë burimet financiare si dhe shpenzimet e tyre dhe i bën apel të bëjnë publike sa më parë shumën e shpenzimeve të tyre.
Publikimi
“Transparency International Albania” shpreh me shqetësim se ndonëse kanë kaluar 3 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare në vend, partitë politike ende nuk kanë bërë transparencën financiare përballë elektoratit. “Informacioni ekziston vetëm për fondet e përftuara nga buxheti i shtetit, por nuk ka asnjë të dhënë për të ardhurat nga donacionet private. Në asnjë nga mjetet e informimit publik partitë politike nuk kanë deklaruar shumën totale të shpenzimeve të tyre gjatë kësaj fushate elektorale”.- thekson TIA-ja. TIA-ja kërkon nga partitë politike që të publikojnë sa më parë regjistrin e financimit të fushatës zgjedhore, bazuar në Nenin 90 të Kodit Zgjedhor të RSH-së, i cili parashikon se çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. TIA-ja kërkon respektimin e nenit 9 të Kushtetutës, i cili parashikon se burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike. TIA-ja vëren se nenet për transparencën financiare të parashikuara në Kodin Zgjedhor nuk arrijnë të garantojnë zbatimin e kësaj dispozite të rëndësishme kushtetuese.
Propozimi
“Transparency International Albania” gjykon se nenet e kodit aktual zgjedhor, nuk arrijnë të garantojnë zbatimin e transparencës, një detyrim që parashikohet edhe në Kushtetutë. Ndaj “Transparency International Albania” propozon hartimin e një ligji të plotë për financimin e partive politike.
“Transparency International Albania” i bën thirrje partive politike për t’i dhënë fund heshtjes për financimin. Shqipëria është e vonuar në hartimin e një legjislacioni të plotë, si hap i parë për t'i dhënë fund informalitetit në funksionimin e demokracisë në Shqipëri.

KQZ: Mblidhet sot për fondet e partive humbëse
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtoj sot projektvendimin "Për kthimin e sasisë së fondit të përfituar nga partitë, të cilat nuk kanë fituar asnjë mandat në kuvend dhe rishpërndarjen e tij partive që kanë fituar mandat në Kuvend në zgjedhjet e 28 qershorit". Sipas Kodit Zgjedhor (neni 87, pika 3), partia që ka përfituar fonde publike dhe që nuk fiton asnjë mandat nga zgjedhjet e radhës, duhet të kthejë shumën përkatëse të përfituar. Kthimi i fondeve bëhet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Partia, e cila nuk kthen fondet përkatëse, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni. Fondet e kthyera, me vendim të KQZ-së, u rishpërndahen partive politike, që kanë marrë vende në Kuvend. Shpërndarja bëhet në përqindje të njëjtë me përqindjen e vendeve të fituara në zgjedhjet e radhës. Vendimi merret nga KQZ-ja jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi