Hasan Saliu:Maqedonasit, kombi që nuk ekziston?

Shko poshtë

Hasan Saliu:Maqedonasit, kombi që nuk ekziston?

Mesazh nga Agim Gashi prej Fri Sep 25, 2009 1:28 pm

Maqedonasit, kombi që nuk ekziston?

Hasan Saliu


Pas dështimit të përpjekjeve të faktorit ndërkombëtar për stabilizimin e Maqedonisë, pas dështimit të Shkupit zyrtar për t’i zgjidhur problemet me fqinjët dhe identitetin problematik, pas dështimit të jetësimit të dokumentit të paqes si frikë e maqedonasve nga identiteti i pakonsoliduar, në këtë kohë, mbase ka ardhur momenti i duhur që të lehtësohet ky siklet i palës maqedonase: të hapet debati demokratik për rregullimin e brendshëm të këtij vendi sipas modelit të Belgjikës, kryeqytetit të BE-së dhe selisë së NATO-s
“Maqedonia: kombi që nuk është” (Macedonia: la nazione che non c’e) është studimi më përmbajtjesor i botuar deri më tani nga studiues të huaj. Autorët, studiuesit më të mirë italianë dhe themeluesit e katedrave të marrëdhënieve ndërkombëtare, Carlo Simon Belli, Luciano Bozzo dhe Umberto Gori, që në vitin 1999, në bazë të paradigmave të ndryshme shkencore, e analizojnë realitetin e Maqedonisë, faktorët e brendshëm që ndikojnë në qëndrueshmërinë politike dhe pozicionin gjeopolitik, strategjik dhe gjeo-kulturor të shtetit të ri.
Konkluzioni i tyre, dy vjet para se në Maqedoni të shpërthejnë luftimet ndëretnike, ishte se ky vend kishte vetëm 50 për qind mundësi të mbetet i patrazuar dhe gjysma tjetër e fakteve çonin në përfundimin se ky vend do të destabilizohet dhe është pa të ardhme stabile. Megjithatë, sipas tyre, është konstelacioni rajonal dhe ndërkombëtar që e detyron mbajtjen e këtij shteti, e jo koherenca e brendshme.
“Si përfundim, në të mirë dhe në të keqe, ‘vendi që nuk ekziston’ vazhdon ta ketë një peshë relevante në mekanizmin e komplikuar të marrëdhënieve që e mbajnë status quo-n në rajon dhe paraqet një protagonizëm për t’u mbikëqyrur me shumë kujdes”. Në këtë kuptim, për interesat rajonalë dhe evropianë, ata rekomandojnë një mbikëqyrje të vazhdueshme ndërkombëtare.
Duke pasur parasysh fakte të tilla, bashkësia ndërkombëtare në vitin 2001 e kontrolloi konfliktin, duke e amortizuar atë dhe duke kërkuar që nëpërmjet ndryshimit të kushtetutës, pra konstituimit të raporteve të brendshme ndëretnike, ta mbajë gjallë këtë shtet. Lufta rezultoi vetëm me ndryshimin e dokumentit themeltar si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit, implementimi i së cilës do të mbikëqyrej nga BE-ja dhe SHBA-të me ndihmë fillestare teknike nga NATO-ja.
I gjithë faktori ndërkombëtar konstatoi me të drejtë se ndërtimi i këtij shteti ka qenë diskriminues ndaj shqiptarëve dhe u bë një rishikim konstitucional. Por, edhe përkundër ndryshimeve sipërfaqësore në shtyllat e shtetit, megjithatë histeria maqedonase vazhdoi të rritej. Ndonëse implementimi i kësaj marrëveshjeje paqësore (e cila megjithatë pësoi disa ndryshime nga frika e maqedonasve se do ta humbnin identitetin) praktikisht ka dështuar qe disa vjet, sepse si kufi i arsyeshëm i implementimit të saj përmendet vitit 2004.
Problemi i implementimit te pala maqedonase, mes tjerash, është identiteti i rrezikuar etnik, ndonëse shqiptarët nuk paraqesin asnjë rrezik për këtë identitet të tyre. Në vetë popullatën sllave-maqedonase, çështja e identitetit mbetet e dyzuar: ata që e pranuan identitetin e ri si maqedonas pas vitit 1945, tani janë në konflikt të brendshëm me ata që e ruajnë identitetin e mëhershëm, atë bullgar, të deklaruar si maqedonas, por që i kultivojnë vlerat trashëguese bullgare. Tek ata, kështu lind edhe konflikti i trashëgimisë historike, që mbisundohet nga figura historike bullgare.
Edhe faktorët dhe elitat politike mbeten të ndara kur është fjala për debatin etno-kulturor të maqedonasve: e majta me identitetin e ri maqedonas dhe orientim proserb dhe e djathta që kërkon rrënjë të tjera me orientim bullgar, ndërsa ka prej tyre që kërkojnë të heqin dorë nga prejardhja sllave dhe nga ardhja e tyre në Ballkan në shekullin VI dhe kërkojnë një lidhje me Aleksandrin e Madh, katër shekuj para Krishtit.
Kontesti që provokon pasoja direkte në proceset integruese është identiteti shtetëror i Maqedonisë. Ajo si subjekt i së drejtës ndërkombëtare del me emër të përkohshëm, pra ky shtet ka dy emra. I pari, i pranuar në OKB si Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM), me të cilin emër ka vënë marrëdhënie dypalëshe dhe shumëpalëshe me shtete dhe organizata ndërkombëtare, ndërsa emri i dytë është ai kushtetues në përdorim të brendshëm - Maqedonia, të cilin emër gjithnjë e më shumë synon ta imponojë në marrëdhëniet e jashtme.
Mirëpo, afrimi me Bashkimin Evropian shtron domosdoshmërinë e zgjidhjes së identitetit të dyfishtë. Kjo nuk e paraqet thjesht një problem të emërtimit, por në vete ngërthen një sërë problemesh politike, etnike historike dhe kulturore në raport me realitetin e brendshëm dhe në raport të këtyre elementeve me vendet fqinje. Madje, Greqia është e vendosur të mos lëshojë pe, ashtu si edhe Shkupi zyrtar që nuk pati guxim të gjejë zgjidhje për emrin nga frika e identitetit, duke sakrifikuar kështu anëtarësimin në NATO.
Problem tjetër maqedonas është edhe ai me Kishën dhe kontestet për këtë me Serbinë.
Dhe, si përfundim, Maqedonia del me përplasje me të gjithë fqinjët që i ka, përveç shqiptarëve që i ka në dyja anët e kufirit të saj (Shqipëri e Kosovë), por me politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve etnikë brenda shtetit. Në këtë kontekst, Marrëveshja e Ohrit si kuadër i rregullimit të marrëdhënieve të brendshme tashmë e ka humbur sensin dhe i ka kaluar të gjitha afatet, ndërsa ditëve të fundit Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Artit dëshmoi se nuk dëshiron t’i shohë shqiptarët si qytetarë të barabartë në këtë shtet, madje duke lëshuar fyerje të rënda dhe duke shprehur doza të papërmbajtura shoviniste.
Këtu nuk do të ndaleshim në faktin se “përhapja e urrejtjes ndëretnike, ndërfetare e raciale” dënohet me Kodin penal të këtij shtetit, por me mesazhin që kërkon të japë institucioni më i lartë shkencor i këtij vendi. Ky mesazh është marrë edhe më herët, që në vitin 2001, kur po ky institucion kërkonte ndarje me shqiptarët. Dhe, duket se vetëm shqiptarët nuk janë të gatshëm ta hapin këtë debat.
Por, nëpërmjet këtij mesazhi dhe mosimplementimit të Marrëveshjes së Ohrit, akademikët maqedonas e kërkojnë një shtet vetëm për veten, ku nuk do të kishte vend për shqiptarët, ndonëse formimi i shtet-kombeve është një proces i përfunduar që në shekullin XIX dhe XX.
Megjithatë, duke i parë shqiptarët si element mjaft konstruktiv për stabilitetin dhe prosperitetin në rajon, duke parë se nuk ka gatishmëri për rregullimin e marrëdhënieve të brendshme të derivuara nga Marrëveshja e Ohrit, duke e parë mosgatishmërinë e palës maqedonase për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj qytetarëve - shtetas të saj, duke e parë sikletin e madh që kanë për konsolidimin e një shteti demokratik me shqiptarët brenda shtetit, pas përpjekjeve të kota për stabilitet të brendshëm dhe demokraci të mirëfilltë gati prej dy dekadash që nga pavarësimi i këtij shteti dhe një dekade pas marrëveshjes së paqes, duket se më në fund, mbase, edhe shqiptarët në Maqedoni duhet ta shprehin gatishmërinë për t’u bërë pjesë e debatit demokratik për rregullimin e ri të brendshëm të këtij shteti, natyrisht duke pasur parasysh edhe mosdurimin e maqedonasve ndaj shqiptarëve.
Për modelin e rregullimit të brendshëm të këtij shteti, si zgjidhje për shtensionimin e situatës, tashmë është folur shpesh edhe nëpër instanca të larta ndërkombëtare: modeli belg i rregullimit të Maqedonisë. Përzgjedhja e federalizmit të Maqedonisë sipas shtetit ku e ka selinë Bashkimi Evropian e NATO-ja është një model i mirë mbi të cilin do të hapej debati demokratik së bashku me faktorin ndërkombëtar pas dështimit gjithnjë e në rritje të konsolidimit të një demokracie dhe stabiliteti ndëretnik në Maqedoni.
Kjo do t’i lehtësonte edhe maqedonasit për ta krijuar një etnitet më të pavarur sesa në realitetin e tanishëm shumetnik të shtetit dhe për ta zgjidhur mbase edhe lëmshin e identitetit etnik e shtetëror.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi