Lavdrim Lita:Rama, një caudillo-pop

Shko poshtë

Lavdrim Lita:Rama, një caudillo-pop

Mesazh nga Agim Gashi prej Mon Sep 28, 2009 10:36 pm

Rama, një caudillo-pop

Lavdrim Lita
I vetëm në shtëpi

Edi Rama është kryetari i ri i Partisë Socialiste për katër vitet e ardhshme. Fitorja për kreun e Partisë Socialiste nga ana e një politikani si Rama ishte një fitore e parashikuar sa edhe e pritur dhe duke qenë e tillë, ishte një agresion i parathënë, tamam si një rrufe pas shkreptimës. Për të thënë të vërtetën, prisnim diçka më shumë, por si duket, qenka zbutur nga lodhja nervore. As më pas e as më shumë, Edi Rama gjatë këtij turizmi zgjedhor na u duk se është një personifikim i atyre caudillo-ve (diktatorëve populistë të Amerikës Latine). Ose më saktë akoma, shëmbëlltyra e një figure interesante, por të zhdukur nga koha, për të cilën asnjë nuk e mendonte se do të kthehej e ricikluar në skenën e politikës, me një palë zgjedhje brenda kotecit politik. Rreth 56 mijë (për t’u verifikuar) anëtarë, siç duket sheshit kanë votuar jo sipas parimit “një anëtar - një votë”, por shumë anëtarë, një votë, një emër, një vetëvrasje politike. Bashkësia e socialistëve me këtë rizgjedhje ka blerë të drejtat televizive për fjalën bojkot, një copyright që sjell vetëm ngadalësim të reformave të rëndësishme për integrimin Evropian. Dikush mund të shohë në këtë fitore prej Pirroje, më shumë se një fitore të pastër demokratike, një puç-blozë për PS në stilin e një caudillo-pop të Amerikës Latine. Veçse, një puç jo klasik. Në vend që puçin brenda PS ta bënte Maqo Lakrori, punë e këtij parvenu-je e bëri vetë Edi Rama, me maninë për të qenë protagonist. Kohët janë ndryshuar e tashmë dihet se puçet tani nuk bëhen më me tanke, si në Honduras a Venezuelë, por duke marrë pozicione publike për të imponuar forcën e minorancës që përfaqëson. Këtë punë, Rama e bëri kudo nëpër Tiranë, duke e kthyer me kthetrën e pushtetit personal të dy institucioneve publike, zgjedhjen në PS si një “favelas” vendase - gjithçka me justifikimin e mbisundimit të “superioritetit” të tij moral. Fitorja e puçibabës nuk është zgjidhja, por problemi. Disa kohë më parë, nëse ju kujtohen “zërat nga lart”, të cilat i thoshin se misioni duhej të vazhdonte, farsa zgjedhore ishte pjesë e kësaj politike, ishte e inkuadruar në një skenografi teatrale. Padyshim ne patëm kohë të mjaftueshme ta stigmatizonim këtë sjellje publike të Egoarkut. Por për këtë kthim mbrapa Egokrati nuk ka faj, pasi faj kanë ata që ushqehen prej humusit të bëmave të tij. Ka një muaj që kërkon të “rrëfejë” një përrallë me katallanë e bukuroshe të grabitura, për të krijuar një tension artificial mbi rezultatin post-zgjedhor, me qëllim njëherësh rikonfirmimin në krye të PS, por edhe garantimin e një linje vazhdimësie me atë çka ka propozuar vetë më herët. Mirëpo, këtu ka një defekt qysh në nisje dhe defekti është se Rama me veprimet dhe mosveprimet e tij po e fraksionon edhe më tej Partinë Socialiste. Prej kësaj klime dalin edhe piruetat e takimeve “pa ndonjë të keq” me dy reliktet politike; Nard Ndokën e Tak Ngjelën, për të dalë përtej të djathtës. E me ta, bisedon njësoj lirshëm - si me heretikun kristian Ndoka, ashtu edhe me Robespierin e drejtësisë Spartakun. Ngecja e të dyve në rrjetat e “sistemit mason”(Nano ipse dixit) tregon edhe njëherë tjetër se “Ed Boycott” përdor energjitë e njerëzve derisa i duhen, jo më tej. Një leksion shtesë i kësaj sjelljeje është fundosja e G99-s, bashkë me Velinë Erion. Rama nuk kërkon politikanë të zotë që japin alternativa të shëndetshme për demokracinë, por kërkon dhe gjen dele politike që në vend që të bëjnë korin be-be-be i bashkohen pa teklif korit të potpurisë bojkot-bojkot-bojkot. Si ka mundësi që shumë njerëz të mirë, edhe pse duke e ditur cili është Ai, vazhdojnë t’ia japin preferencën? Përse socialistët po shfaqen kaq dritëshkurtër? Edi Rama sot është një politikan pa kauzë, kuptohet vetiu se flasim për kauzë politike, pasi për shkak të kauzave personale, ai po vazhdon të prodhojë vetëm konflikte. Proto-politika e Ramës mund të riprodhohet më së miri në metaforën e pemës. Pra nga natyra mësojmë se pema duhet të rritet nga poshtë lart, dhe frutat t’i mblidhen veç kur janë në degë, kurse Rama po bën krejt të kundërtën në Partinë e tij personale. Ai kërkon të presë degët e shtrembra nga trungu i mendimit personal, veçse për të mbledhur një frut elektoral të zgërlaqur nga koha.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi