Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Fehmi Ramadani:Apatia politike në Luginë

Shko poshtë

Fehmi Ramadani:Apatia politike në Luginë Empty Fehmi Ramadani:Apatia politike në Luginë

Mesazh nga Agim Gashi Thu Oct 08, 2009 11:00 pm

Apatia politike në Luginë

Fehmi Ramadani


Kohën e fundit, gjendja politike dhe sigurisë në Luginë të Preshevës është e jostabile dhe mjaft fragjile. Fillimi i gjykimit në Beograd ndaj të ashtuquajturit “Grupit të Gjilanit” për kinse krime ndaj popullsisë serbe në rajonin e Gjilanit gjatë periudhës 1999-2000, “zbulimi” i një sasie armësh në kodrinat e Miratocit mu në ditën e fillimit ë gjykimit të këtij grupi, si dhe provokimet e përditshme të xhandarmërisë serbe ndaj popullatës civile shqiptare, pa dyshim se e kanë rënduar edhe më shumë këtë rajon. Për habi, kjo gjendje është duke u toleruar edhe nga faktori ndërkombëtarë dhe deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim në parandalimin e eskalimit të saj.
Po ashtu, për veç represionit serb, një “kontribut të çmueshëm” për këtë situatë të palakmueshme e ka dhënë edhe faktori politik lokal i Luginës, i cili edhe përkundër shumë fakteve relevante në dobi të tyre nuk po mund të organizohen dhe po tregohet i paaftë në zgjidhjen e problemeve të popullatës së rajonit.
Ky faktor politik, që nga Marrëveshja e Konçulit e deri më tani ka një përgjegjësi të madhe në degradimin e procesit politik të Luginës. Për veç projektit të Policisë multietnike dhe disa projekteve të vogla në infrastrukturë asgjë nuk është punuar më shumë. Të gjitha kërkesat e këtij populli kanë mbetur të parealizuara. Pushtetarët vendor kanë realizuar vetëm kërkesat e familjarëve të tyre, të punësimit të tyre në ndonjë organ lokal.
Ky faktor politik është parcializuar në atë masë sa që krejt platforma e tyre politike është shndërruar në plotësimin e interesa personale dhe grupore. Nuk bëhet fjalë për realizimin e ndonjë projekti serioz kombëtar, ta zëmë siç është projekti i formimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, i cili do të ishte një organ jo partiak dhe do ti mbronte vërtet interesat legjitime të këtij populli. Këshilli Kombëtar i Luginës nuk ka të bëjë asgjë me propozimin e Qeverisë serbe, për të cilin ishin të interesuar mjaft përfaqësues politik të Luginës. Edhe kjo është një degradim i procesit politik në rajon, sepse me formimin e Këshillit Shqiptar sipas ligjeve të Serbisë mbyllet çdo alternative për avancimin e çështjes shqiptare të këtij rajoni. Andaj, faktori politik i Luginës ka përgjegjësi të madhe që të mos e mbyll dritaren e zgjidhjes së problemit të Luginës, sepse kjo do të ishte një aventurë shumë e shtrenjtë për popullin e saj.
Në Luginë tani ka dy opsione politike të zgjidhjes së çështjes së tyre, njërin e përkrah PVD-ja e Riza Halimit, e cila është në opozitë dhe është për integrimin e këtij rajoni në të gjitha strukturat e shtetit serb. Kjo është një platformë shumë e qartë politike, për këtë arsye dhe ky subjekt merr pjesë në Këshillin Koordinues të Qeverisë së Serbisë në Bujanoc, por njëherësh edhe kryetari i tyre është deputet i Parlamentit serb. Ndërsa, alternativa e dytë është ajo e PDSH-së dhe disa subjekteve tjera më të vogla të cilat nuk kanë ndonjë qartësi politike, për veç deklarimeve të tyre verbale se dëshirojnë të jenë pjesë e Kosovës, por në anën tjetër marrin pjesë në pushtetin lokal. Alternativë tjetër nga faktori politik i Luginës nuk ka.
Ndërsa, sa i përket faktorit politik në Kosovë deri më tani nuk ka treguar ndonjë interesim që të qartësojnë pozicionet e tyre politike se çfarë duhet bërë me Luginën e Preshevës. Tirana zyrtare ka qëndrim të integrimit të këtij rajoni në shtetin serb dhe në kuadër të këtij shteti të kërkohen të drejtat njerëzore. Në këtë frymë ishte mbajtur edhe takimi i diplomatit shqiptar në Budapest të Hungarisë z.Ilir Metës dhe homologut të tij serb Vuk Jeremiq ditë më parë.
Pra, politika kombëtare shqiptare, sa i përket rajonit të Luginës është heterogjene dhe pa ndonjë koncept të qartë. Në këtë kaos politik, padyshim se çmimin më të madh do ta paguaj populli i Luginës, i cili është lodhur nga kjo gjendje dhe zor se do të qëndrojë deri në fund i patundur. Ky popull, tani për tani nuk sheh kurrfarë perspektive për jetën e tyre në këtë rajon, për veç largimit nga vatrat e tyre. Kjo po ndodhë në masë të madhe dhe shumë të rinj të vetmin synim e kanë largimin dhe ikjen e tyre në vendet evropiane. Kjo është një vetëvrasje kolektive e këtij populli dhe faji nuk mund të kërkohet vetëm te pushteti serb, por edhe te faktorët e lartpërmendur.
Prandaj, është koha e fundit që faktori politik i Luginës të zgjohet nga apatia politike, të mobilizohet dhe të punoj që të krijojë klimë të favorshme politike, si dhe të punojnë më shumë në krijimin e perspektivës, sidomos për të rinjtë që të qëndrojnë dhe punojnë në vendet e tyre, sepse vetëm kështu dëshmohet aftësia e tyre, si politike por edhe kombëtare. Puna konkrete e çdo njërit prej tyre veç e veç do të jetë matësi kryesor i patriotizmit të tyre, ndryshe do të jenë të gjykuar nga gjeneratat e ardhshme, por edhe nga historia.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi