Njera vale te shtyne, tjetra te terheqe

Shko poshtë

Njera vale te shtyne, tjetra te terheqe

Mesazh nga Agim Gashi prej Wed Dec 02, 2009 11:53 am


Njera vale te shtyne, tjetra te terheqe


01.12.2009
nga Kim MEHMETI
Për Kosovën, Bujanoci ndodhet në lindje, e për shqiptarët e Maqedonisë, në veri. Për Shqipërinë, Bujanoci është në verilindjen e saj. Por për të gjithë së bashku, dhe nga do që ta ...

... shikosh, Bujanoci mbetet një nga ato pikat e skajshme që shënojnë vendin deri ku shtrihen vendbanimet shqiptare, pika që ndërlidhet me ato tjerat që mbyllin kufirin deri ku ka arritur gjatë shekujve tkurrja e trojeve shqiptare. Kështu që, malet në veri të Bujanocit, shënojnë kufirin matanë të cilit fillon deti i sllavëve, e këndej shtrirja e viseve ku bukës i thuhet bukë e ujit ujë, e që shtrihet deri te brigjet e detit Adriatik. Të mbetur në këtë pikë të skajshme, shqiptarët e këtij vendbanimi i ngjajnë notuesit të cilin edhe vala që e shtynë, edhe ajo që e tërheqë, e çojnë në të njëjtin drejtim: drejtë brendisë së detit të shqiptarisë. Pra, vala e pushtetit serb, banorët e këtushëm i shtynë të largohen nga aty ku janë, e ajo e shqiptarisë i tërheqë, i josh t’i marrin plaçkat dhe të nisen drejt vendbanimeve me të sigurta në brendinë e trojeve shqiptare. Dhe të rrahur nga këto dy valë të ndryshme, por që i çojnë në të njëjtin drejtim, banorët e komunës së Bujanocit të duken paksa më të veçantë se gjithë shqiptarët e viseve tjera, e ku merret frymë më lirshëm dhe nuk ke hallin si të mbrohesh nga i huaji, por si të shpëtosh nga “maunokratët” tu: ata janë nacionalromantik të këndshëm, ata e dinë në cilin shtet jetojnë, por ndjehen edhe banorë të atdheut të tyre imagjinarë që shtrihet deri atje ku jetojnë bashkëkombësit e tyre. Duke qenë të tillë, ata nuk i gëzon gjithaq pasaporta e shteti serb me të cilin së shpejti do mundet të bredhin lirshëm nëpër Evropë, por i lumturon çdo veprim që mund të mbrojë letërnjoftimin e tyre etnik të vulosur me gjuhën, kulturën dhe çdo gjë që identifikon shqiptarët.
Bujanoci është një nga ato komunat shqiptare që ndërlidhin unazën e jashtme të popullit tonë në këtë Ballkan, janë një nga shtyllat e murit që mbron brendinë e “kalasë” kombëtare. E të jesh pika e skajshme e popullit tënd në këtë Ballkan, do të thotë të mbijetosh me vështirësi dhe pandërprerë të ndjesh mbi ty përplasjen e valëve të urrejtjes së tjetrit ndaj etnisë tënde. Aq më shumë kur ke punë me një Serbi, e cila mbase edhe shumë vite nuk do çlirohet nga prangat e vetëdijes se ka qenë, e duhet të mbetet, “pandur” i Ballkanit, andaj edhe nuk të ndërton as biblioteka e as shkolla, por pranë pragut të derës t’i sjell kazermat ushtarake.
Bujanoci, si edhe e tërë Lugina e Preshevës, është peshore e saktë që pagabueshëm e matë sasinë e nevojshme të vuajtjes që duhet ta përballësh për të jetuar e mbijetuar në një shtet të cilit i pengon ekzistenca fizike e shqiptarëve, në një shtet i cili bënë çmos që ata sa më shpejtë t’i shkulin rrënjët nga vatrat shekullore dhe të vazhdojnë tkurrjen e trevave shqiptare. Dhe mbase kjo barrë e rëndë, ata i ka bërë edhe më të durueshëm, i ka kalitur në rojtarë të pathyeshëm të “atdheut” të vetëm, pa të cilin një popull zhduket edhe atëherë kur ka shtetin dhe administratën e vetë shtetërore: gjuhën dhe kulturën kombëtare. Andaj, të ardhurin nga trojet tjera shqiptare, banorët e kësaj komune e mirëpresin si i harruari që i gëzohet çdo të ardhuri të familjes së vet. Dhe posa t’ju dëshirojnë mirëseardhje, ata me mburrje do u tregojnë vendet ku djemtë e këtyre anëve flijuan rininë për të drejtat kombëtare, do u çojnë ta vizitoni bibliotekën e tyre të cilën e pasurojnë me titujt e autorëve shqiptarë nga të gjitha trojet, si dhe te godina e re e gjimnazit të ndërtuar viteve të fundit.
Pasi t’i vizitoni fshatrat përreth Bujanocit, e ku me ngulmë mbrohet shqiptaria, nuk ka si mos ia shtroni vetes pyetjen që mbase banorët e kësaj komune e ndërmendin, por nuk duan ta thonë zëshëm: ç’bënë mëmëdhe Shqipëria për banorët e këtushëm ku nuk është e lehtë të jesh e të mbijetosh si shqiptar. Mbase duke e ditur se Shqipëria është zënë me protesta që kanë për qellim të përcaktojnë se cili është vjedhës më i pafytyrë i votave dhe, duke e vlerësuar drejtë hallin e Kosovës që ta njohin sa më shumë shtete të botës, banorët e kësaj komune të lënë përshtypjen se nuk kërkojnë asgjë nga këto dy shtete shqiptare përpos që gjatë drekave dhe darkave që i hanë zyrtarët e Prishtinës e Tiranës, të ngrihet ndonjë dolli edhe për shqiptarët e kësaj ane. Edhe atë jo që të jenë më të shëndetshëm e më burrnorë, por të ngushëllohen se mëmëdheu nuk i harron kurrë.
Kur jemi te Shqipëria e Kosova, mbase do mjaftonte që këto dy shtete të investonin në Luginën e Preshevës aq mjete sa harxhohen për darka e dreka ministrore dhe qeveritare në Prishtinë e Tiranë, e që shqiptarët e këtushëm më lehtë të mbijetonin nëpër vendbanimet ku mund të jesh shqiptarë, por ku vështirë mund të “shqiptarosh”. Andaj, gjatë vizitës së Bujanocit, e ndjen qartë se sa vështirë mund të mbijetosh në këtë Ballkan nëse je pjesë e unazës që shënon kufijtë e jashtëm etnik, por e mbetur në shtetin ku askush nuk të donë. Apo, kur vjen në Bujanoc, e kupton qartë se shqiptarët që jetojnë nëpër vendbanimet që shënojnë kufirin ku përfundon shqiptaria, mund një ditë edhe të “mbyten”, por jo pse vala e urrejtjes i ka shtyrë tutje, e ajo e detit shqiptarë i ka tërheq nga brendia e vetë, po pse s’kanë pasur ku të mbahen, pse “s’kanë” mëmëdhe që u qëndron mbrapa. Pra, kur viziton Bujanocin, e kupton se banorët e këtyre trevave i bënë të fortë vetëm bindja se mund të jetosh kudo, por duhet të vdesësh aty ku ke lindur. Duke jetuar me këtë bindje, ata bëjnë të pamundur që të ndërtojnë edhe rrugën e gjerë të mirëkuptimit mes popujve të Ballkanit, me çka edhe tregojnë sa janë lodhur duke ecur vetëm nëpër dy rrugët që tani për tani ua ka shtruar fati i mbijetesë: atë të qëndresës dhe rrugën e ikjes nga vendlindja. Pra, duke jetuar me atë bindje, më mirë se çdokush tjetër, ata e kanë kuptuar se rruga e parë ecet mundimshëm, e dyta ngutshëm. Dhe duke e kuptuar këtë, banorët e Luginës së Preshevës e dinë se cilëndo ta ecësh nga ato dy rrugë, do duhet të ngopesh me të njëjtin ushqim – mallin. Duke ecur rrugës së qëndresës, me mall do ëndërrosh ditën kur do mund të jetosh lirshëm i tillë siç je, e nëse nisesh rrugës së çrrënjosjesh nga vendlindja, tërë jetën do përtypësh mallin për t’u kthyer atje nga ke ikur. (lajm)
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 64
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi