Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Çerkin Ismaili (1948 – 2010)

Shko poshtë

Çerkin Ismaili (1948 – 2010) Empty Çerkin Ismaili (1948 – 2010)

Mesazh nga Agim Gashi Wed Oct 27, 2010 1:36 am

Çerkin Ismaili (1948 – 2010) Flamuri_shqiptar
Çerkin Ismaili (1948 – 2010)
Me keqardhje Zemrës Shqiptare ju desh, që në dy ditë të njëpasnjëshme të bëhet vatër për dy dhimbje që ngjasojnë kaq shumë me njëra-tjetrën.
Dje mësuam ndarjen nga jeta të atdhetarit, shkrimtarit dhe intelektualit Ferit Ramadani, ndërsa sot mësojmë së është larguar nga ne, një tjetër njeri i kulturës dhe kombit tonë, Çerkin Ismaili, shkrimtar, poet, ish i dënuar politik!
Në muajin shkurt të këtij viti, i ndjeri na ka dërguar dy libra për publikim. Romanin ‘’Ethe të trishta’’ pjesë të së cilit, do vazhdojmë herë pas here t'i publikojmë.
Vërtetë që Cerkini u largua fizikisht, por realisht njerëz të tillë nuk largohen kurrë. Kemi veprat letrare, kemi edhe Veprat Kombëtare për të cilat krenohemi.
Kjo nuk është një krenari çasti, jo! Veprimtaria Kombëtare e të dashurit tonë Çerkin Ismaili, do na shoqërojë gjithnjë dhe do jetë frymëzim engjëllor për Bashkimin dhe zhvillimin e kombit tonë.
Me dhimbje e mall do e lexojmë dhe rilexojmë frymëzimin e shpirtit të tij prej poeti të vërtetë.
Gjithë krenari do e shikojmë flamurin tonë kombëtar, sepse ai ishte një krah shqiponje.
Faleminderit që u linde për t’u bërë i pavdekshëm për ne, në Zemrën Shqiptare, për miqtë e vizitorët tanë, për mbarë ata që e duan artin e kombin.
Familjarët dhe të afërmit, humbën njeriun e tyre të shtrenjtë,
shkrimtarët kolegun, simpatizantët e letërsisë idhullin e tyre,
heronjtë, martirët, bashkëvuajtësit humbën të shtrenjtin e idealit Liri.
Ne humbëm njeriun normal, por ne kemi fituar atë që cituam më sipër, të pavdekshmin.
Me keqardhje të thellë po citojmë një pjesë të mesazhit të tij të fundit, dërguar në adresen tonë më 24 shkurt 2010:
''Më besoni, se me botimin e poezive të mia në internet i keni kontribuar zgjatjes së jetës sime.
Ju falemnderit!
Nderime e respekt nga Çerkin Ismaili''
Ngushëllime të gjithëve!
Redaksia Zemra Shqiptare
Çerkin Ismaili (1948 – 2010) U1_CerkinIsmaili
Çerkin Ismaili u lind në vitin 1948 në fshatin Banjskë të Vushtrrisë. Shkollën fillore e mbaroi në Smrekonicë, një fshat afër fshatit të tij të lindjes. Gjimnazin klasik e mbaroi në Vushtrri, kur edhe filloi të botojë në shtypin letrar të kohës krijimet e para letrare. Studimet në degën e albanologjisë i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Akoma si student filloi të punojë në gjimnazin e Vushtrrisë si profesor i gjuhës e letërsisë shqipe dhe gjuhës latine. Pas mbarimit të studimeve, një kohë, redaktoi gazetën “Trepça” në Mitrovicë, ndërsa pranvera e vitit 1981 e gjeti duke punuar në Shkollën e Mesme Ekonomike në Mitrovicë, kur për shkak të qëndrimit që e konsideron parimor, organizimit dhe pjesëmarrjes në demostratat e 3 prillit, u diferencua politikisht, u largua nga puna, u dënua dhe u burgos.
Për shkak të aktivitetit të mëtejmë ilegal dhe politik, ndonëse në vëzhgim të përhershëm, pas shpërndarjes së trakteve politike në Mitrovicë dhe në minierën “Trepça” në vitin 1986, u detyrua që dy vjet të qëndrojë larg syve të pushtetit të kohës, në Dalmaci, ku punoi si punëtor krahu. Përndjekjet, arrestimet e shantazhet politike ndaj tij kurrë nuk kanë pushuar. U burgos përsëri në vitin 1992. Shërbimi sekret jugosllav në vitin 1999 e kishte klasifikuar në listën e intelektualëve të Mitrovicës, që i kishte paraparë t’i likuidonte.
Me krijimtari letrare ka filluar të merret qysh si gjimnazist, kur edhe ka filluar t’i botojë shkrimet e para.
Botime:
“Lindjet e shpërndara”, poezi,Prishtinë, 1993,
“Tela të këputur,” poezi, Mitrovicë,1997,
“Drama e qëndresës së Vocëve të Shalës së Bajgorës”, monografi, Prishtinë, 1998,
“Shtrëngata”, roman, Prishtinë, 2006
“Ethe të trishta’, roman, Prishtinë, 2009.
Përveç këtyre veprave , autori ka botuar edhe një mori recensionesh, vëzhgimesh letrare dhe esesh. Gjithashtu, për veprimtarinë e tij letrare janë shkruar një mor kritikash dhe studimesh letrare.
Në dorëshkrim ka disa vepra letrare akoma të pabotuara.
Disa here ka marrë çmime letrare për poezi
Ishte bashkëthemelues dhe kryetar i parë i Klubit Letrar “Lumi i bardhë”në Mitrovicë dhe anëtar i redaksisë së revistës letrare “Fjalë e valë” që botohet në Mitrovicë. Ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Çerkin Ismaili
KRYQËZIM I DHEMBJEVE ME MOTET
Shkëputur nga vëllimi ''Gjirmë shpirti''
Tashmë motet u dogjën në mua
Stinët m’i ka përhitur hiri
E fundit shpresa dha shpirt
E s’rilindet më kurrë-
Fjala e fundit më ngriu në grykë.
Ani, s’ka gjë të keqe
Të gjitha fjalët kush s’i ka thënë
As të gjitha fijet e jetës kush s’i ka zënë
Përderisa stinët e vitet –
Me hapat e vet ngatërrohen në lak
Vdekja tinzake vjen e merr hak...
Hija ime këndej e andej përjetësisë
Në lapidar matet me emrin tim
Në mote flakësh, me syrin e largësisë
Se kryqëzohen dhembjet me motet
Medet, si s’e paskam ditë...
Në vend të përkujtimit
Me rastin e vdekjes së poetit dhe shkrimtarit Çerkin Ismaili
ATY KU ZE FILL DHEMBJA
Nga Sadik Krasniqi
"Në Kosovë do të kthehem brenda disa javësh me librin më të ri të gatshëm për botim të titulluar "Derisa mjegull ka në horizont",përmes së cilit e kam edhe porosinë për të rinjtë shqiptarë. Më duket se është bërë mjaft për të rinjtë tanë si hamaj në metropolet e Evropës.
Fundja ,Kosova ka tokë,qiell ,ajër,ujë bukë dhe perspektivë edhe për kurbetcarët. Kosova do të marrë frymë shqip vetëm atëherë kur të kthehen të gjithë shqiptarët në të", thotë Çerkini për gazetën tonë.
Titulli i bisedës, është ky një varg i një poezie të autorit me dy përmbledhje të botuara poetike:"Lindjet e shpërndara", "Tela të këputur",të një monografie historike"Drama e Qëndresës të Vocëve të Shalës së Bajgorës të një dorëshkrimi për botim,por edhe të tre librave të djegur (pa e parë dritën) nga barbaria serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Eshtë ky Çerkin Ismaili (1948) nga Mitrovica, i cili përpos i burgosur e i përndjekur nga regjimi serb gjithashtu ishte edhe i anatemuar një kohë të gjatë nga servilët e kulturokracisë komuniste në Kosovë. E takuam si mërgimtar në një qytezë të vogë në Gjermani, me të cilën bëmë një bisedë të lirë për gazetën më të preferuar në diasporë "Bota sot"
"Bota sot": z.Ismaili sipas informacioneve,edhe Ju ishit në "Listën e zezë" të përpiluar nga Shërbimi sekret i policisë serbe, e cila parashihte likuidimin fizik të intelektualëve shqiptarë të Mitrivicës, sic ndodhi me veprimtarët demokratë Latif Berisha dhe Agim Hajrizi. A ishit të njoftuar me parë për këtë gjë?
Ç.Ismaili:Se edhe unë gjendem në atë listë për likuidim fizik si intelektual i Mitrovicës,jam njoftuar më 28 shkurt të vitit të shkuar nga misionari turk i OSBE-së,Shenazi Serdar.
Ky emisionar turk me prejardhje shqiptare,në një mbledhje me intelektualët mitrovicarë na njoftoi se në këtë listë gjenden 82 intelektualë,ndërsa realizimi i kësaj liste do të fillonte së eksekutuari menjëherë pas sulmit eventual të NATO-s mbi forcave serbe.
Kështu edhe ndodhi,me të filluar bombardimi i serbëve prej NATO-s, hordhitë serbe të prira nga Zvonko Gjorgjeviq (atëherë drejtor i financave në burgun e Smrekonicës) filluan vrasjet e shqiptarëve, ndër ta edhe të intelektualëve të shquar si z. Latif Berisha e Agim Hajrizi.
"Bota sot": Si u zhvillua ceromonia e varrimit të prof. Latif Berishës?
Ç. Ismaili: Mikun tim prof.Latif Berishën e varrosëm tri ditë pas vrasjes nën fishkëllimë të plumbave. Në varrim morën pjesë tre-katër veprimtarë të LDK-së, djemtë e tij dhe disa miq krijues. Atë mezi arritëm ta lëshojmë në dhe, pa pasur mundësi as për dy fjalë mortore për veprën e tij të madhe kombëtare.
"Bota sot": T'i kthehemi vokacionit Tuaj kreativ.Poezitë Tuaja të para i hasim qysh herët në periodikun shqiptar,aty rreth viteve ´60,ndërsa përmbledhjet Tuaja me poezi dalin në dritë shumë vonë, cila është arsyeja?
Ç. Ismaili: Përmbledhja me poezi"Lindjet e shpërndara"që u botua tek në vitin 1993,ishte e gatshme për botim që më 1979.Varianti origjinal i këtij libri më është konfiskuar gjatë burgosjes sime më 1981. Marrjen "pengë" të librit në fjalë e ka bërë punëtori i sigurimit "shqiptar" Zejnullah Shala , i cili edhe vetë gjendet në burgun e Nishit.Andaj"Lindjet e shpërndara"nuk është i plotë, por i rishkruar nga ajo sa i kam të mbajtur mend vargjet e variantit të burgosur pergjithmonë.Për vonesën e daljes në dritë të librave të mi"meritë" të posaÇme pos regjimit serb ka edhe kulturokracia e Kosovës me frymë komuniste dhe titiste të saj,e cila nuk
përkiste me parimet e mia morale dhe krijuese.
"Bota sot": Duke lexuar poezitë e librit"Tela të këputur",sikur na imponohet që një varg Tuajin ta bëjmë edhe pyetje:(aty) ku zë fill dhembja......?
Ç.Ismaili:Dhembja në vëllimin"Tela të këputur"është nxjerr nga palca e Kosovës dhe nga dhembja individuale e përjetuar drejtpërdrejt shpirtërisht dhe fizikisht. Andaj vargu "Aty ku zë fill dhembja është më shumë se varg, më shumë se poezi, më shumë se libër, është më shumë se jetë, është përjetësi, është amshim.
"Bota sot":Z.Ismaili,me gjithë shtëpinë Tuaj,policia barabare serbe dogji edhe një bibliotekë të tërë me libra,në mesin e tyre edhe disa dorëshkrime të gatshme për botim,cilat ishin ato dorëshkrime?
Ç. Ismaili: Po Çetniku Zvonko ,më 13 prill të vitit të shkuar u dha zjarrin shtëpive të shumta shqiptare në Mitrovicë e në mesin e të cilave u bë shkrumb dhe hi edhe e imja.Në shtëpi kam pasur një bibliotekë me 3500 libra.Me shtëpi u dogjën edhe shumë dorëshkrime,ndër ato dorëshkrimi i romanit "Buzëqeshje nga morgu", drama "Megjithatë protagonisti mbeti gjallë", po ashtu u dogjën edhe 220 njësi folklorike të mbledhura në trevën e Shalës së Bajgorës si dhe mjaft poezi të sistemuara për një vëllim poetik.
"Bota sot":Në një poezi shpreheni:"Korbi i Poe-s, krrat mbi kokën time dhe këngën e kobit tim këndon"; Çka mendoni, se ky korb (kob) ka ikur përgjithmonë nga dega mbi Çatinë e etnisë shqiptare?
Ç. Ismaili: Kaherë e kam parandier se pushtuesi do ta bëjë të keqen ashtu siÇ bëri mbi kombin tim. Pushtuesi serb afër 100 vjet ka që këngën e Korbit i "këndon"kombit tim. Mendoj se korbi metaforik nuk mund më të fluturoj dhe të kërrat mbi Çatinë e etnisë shqiptare. Por e dij se po t´i jepejë shansi, ai do të kthehet përsëri mbi Çatitë tona me kërramën e vet ogurzezë.
"Bota sot": Z.Ismaili a ktheheni në Kosovë me ndonjë vepër të re letrare dhe si e shpjegoni hezitimin e shumë të rinjve që të rikthehen në atdhe?
Ç.Ismaili: Në Kosovë do të kthehem brenda disajavësh me librin më të ri të gatshëm për botim të titulluar "Derisa mjegull ka në horizont", përmes së cilës kam edhe porosinë për të rinjtë shqiptarë. Më duket se është bërë mjaft për të rinjtë tanë si hamaj në metropolet e Evropës. Fundja Kosova ka tokë, qiell, ajër, ujë, bukë dhe përspektivë edhe për kurbetÇarët, Kosova do të merr frymë shqip vetëm me kthimin e gjithë shqiptarëve në të.
Shënim: Çerkin Ismaili përpos veprave që figurojnë në këtë intervistë, të bërë pra 10 viteve ka të botuar edhe dy romane "Shtrëngata" dhe "Ethe të trishta". Poeti dhe shkrimtari Ismaili vdiq para disa ditësh nga një sëmundje e rëndë dhe në shenjë respekti dhe nderimi pët të, e pamë të arsyeshme ta ripublikojmë këtë intervistë ne faqen e kulturës ''Zemra shqiptare'' ku edhe ai publikoi shume shkrime të ndryshme.
S.K.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi