Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Prishtinë: Policia e Kosovës, arrestoi Albin Kurtin

Shko poshtë

Prishtinë: Policia e Kosovës, arrestoi Albin Kurtin Empty Prishtinë: Policia e Kosovës, arrestoi Albin Kurtin

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jun 12, 2010 8:06 pm

Prishtinë: Policia e Kosovës, arrestoi Albin Kurtin

Policia e Kosovës ka arrestuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pak orë pasi Kurti, në një konferencë për gazetarë, shpalli se do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Bashkë me të u arrestuan dhe pesë aktivistë të tjerë. "Vetëvendosje" tha se policia ka përdorur dhunë dhe gaz lotsjellës gjatë arrestimit dhe si pasojë disa persona kanë kërkuar ndihmën mjekësore. Policia thotë se ka përdorur forcë proporcionale.


Prishtinë: Policia e Kosovës, arrestoi Albin Kurtin Xalbini-arrest-24


Policia e Kosovës ka arrestuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe pesë aktivistë të tjerë të kësaj lëvizjeje.
Përfaqësues të "Vetëvendosjes" thanë se policia ka përdorur dhunë gjatë arrestimit dhe si pasojë gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë në qendrën emergjente.
Policia konfirmoi arrestimin e zotit Kurti dhe pesë aktivistëve të tjerë, që, sipas policisë, kanë penguar detyrën e personave zyrtarë.
“Mund të konfirmojmë faktin se Policia e Kosovës ka zbatuar urdhëresen e lëshuar nga Prokuroria Speciale, me të cilën kërkohej sjellja e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para organeve të drejtësisë".
"Unë konfirmoj se gjatë zbatimit të urdhëresës, Policia e Kosoëvs ka hasur në një rezistencë aktive nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë përdorur mjete të ndryshme, për të penguar arrestimin e zotit Kurti".
"Përveç arrestimit të zotit Kurti, deri më tash janë arrestuar edhe pesë aktivistë të tjerë, të cilët kanë penguar detyrën zyrtare të policisë”, i tha Radios Evropa e Lirë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Por, në anën tjetër, aktivisti i "Vetëvendosjes", Xhelal Sveçla, tha se policia, në përpjekje për ta arrestuar zotin Kurti në selinë e "Vetëvendosjes", ka përdorur forcë të tepruar mbi pjesëtarët e lëvizjes.
“Përkundër bllokadës pasive të aktivistëve, ata arrestuan liderin Albin Kurti dhe së paku 6 aktivistë të tjerë. Ata, këtë dhunë e shfaqën përkundër impotencës së tyre për arrestimin e strukturave paralele dhe qindra figurave udhëheqëse skajshmërisht të korruptuara dhe zgjodhën mënyrën më të lehtë që të ballafaqohen me aktivistët duarthatë të 'Vetëvendosjes'”, tha Sveçla.
Ai tha se kanë qenë qindra policë të angazhuar në këtë aksion, me uniformë dhe në rroba civile.
“Kanë përdorur gaz lotsjellës, është përdorur spreji djegës, janë përdorur shkopinjtë e gomës, edhe shqelmat, edhe grushtet, është përdorur çdo mjet rrethanor i tyre për t'i goditur aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, edhe pasi që lideri Albin Kurti është arrestuar”, tha Sveçla.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha se policia ka përdorur forcë proporcionale.
“Sa i përket forcës, mund të them se është përdorur një forcë proporcionale për ta vënë situatën nën kontroll. Mund të them se është përdorur edhe spreji për ta vënë situatën nën kontroll”, deklaroi Kelani.
Ndërkohë, një aktivist tjetër i "Vetëvendosjes", Visar Ymeri, i tha Radios Evropa e Lirë se tre nga të arrestuarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pasi, siç tha ai, janë rrahur nga policia në stacionin policor.
Por, rrahja brenda stacionit policor hedhet poshtë nga zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.
“Ata kanë mundur të pësojnë ndonjë lëndim gjatë arrestimit”, tha Kelani, i cili konfirmoi se të tre personat kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Kelani tha se ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që, sipas tij, janë lënduar gjatë operacionit për arrestimin e zotit Kurti.
Kurti u arrestua në selinë e "Vetëvendosjes", pak orë pasi mbajti një konferencë për gazetarë, ku njoftoi se Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Një gjykatës i EULEX-it ka lëshuar urdhër-arrest për zotin Kurti, i cili akuzohet “për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale dhe për pjesëmarrje në një grup, që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare”.
Akzuat kanë të bëjnë me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues.
Akuza për “thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës” është kërkuar të hidhet poshtë nga vetë prokuroria.
Zoti Kurti ka thënë se këtë proces gjyqësor e sheh si “proces me motive politike”.
******************
Më herët, në pesëvjetorin e themelimit të saj, Lëvizja Vetëvendosje bëri të ditur se do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Megjithatë, kreu i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, siguroi se lëvizja nuk do të shndërrohet në parti politike, por në zgjedhje do të marrë pjesë si lëvizje politike qytetare.
Sidoqoftë, ndryshimi i strategjisë së deritashme, sipas Kurtit, vjen si nevojë që kjo lëvizje të përfaqësohet në institucione.
“Kemi vendosur, në parim, për pjesëmarrje në zgjedhje në të ardhmen. Pra, përveçse tashmë nuk e përjashtojmë mundësinë e pjesëmarrjes, po ashtu mendojmë ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, tha Kurti.
Kurti, për të cilin është në fuqi një urdhër arrestimi, i lëshuar nga EULEX-i, në procesin gjyqësor që vetë Kurti e quan politik, përmendi rrethanat, në të cilat "Vetëvendosja" nuk do të shkonte në zgjedhje.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm vetëm nëse rrethanat në Kosovë cilësisht ndryshojnë shumë, duke u bërë të jashtëzakonshme e krejtësisht të tjera”, tha Kurti.
Lideri i Vetëvendosjes pranoi se përpara kanë shumë pengesa dhe vështirësi. Ai siguroi se ndryshimi i startegjisë nuk është edhe zëvendësim i mënyrave të veprimit, por, siç tha, shtim i tyre.
Kurti sërish kritikoi qasjen e institucioneve ndaj problemeve ekzistuese në vend. Kështu që, sipas tij, në Kosovë duhet të ndërrohet pushteti.
“Ky ndërrim i pushtetit nuk duhet të jetë për hir të ndërrimit të pushtetarëve, por për hir të ndërrimit të karakterit të shtetit të Kosovës. Pra, jo vetëm pushtetarë të tjerë, jo vetëm pushtet tjetër, por edhe tjetër lloj shteti, sepse Kosovës nuk i mjaftojnë reformat. Kosova nuk ka nevojë vetëm për reformim të kësaj gjendjeje abnormale, por edhe për transformim në një gjendje normale".
"Kosova duhet të bëhet nga një shtet që negocion me Serbinë për ndarjen e brendshme të Kosovës, në një shtet që negocion me Shqipërinë për bashkim me të; nga një shtet që është në shërbim të tregtarëve të huaj, në një shtet që i mbështet prodhuesit vendorë”, tha Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje, e themeluar pesë vjet më parë, ka nisur aktivitetin duke kundërshtuar negociatat për zgjidhjen e statusit. Në vend të tyre kërkonte vetëvendosje. Për të shprehur këtë qëndrim, ajo ka mbajtur aksione protestuese dhe demonstrata. Një nga to, ajo e 10 shkurtit të 2007-ës, u përmbyll tragjikisht, me vrasjen e dy protestuesve nga ana e policisë së UNMIK-ut.
Pas përfundimit të negociatave, "Vetëvendosje" kundërshtoi Planin e Ahtisarit, që doli nga negociatat dhe mbi bazë të të cilit u shpall pavarësia e Kosovës.
Tani, përfaqësues të kësaj lëvizjeje kanë bërë të ditur se kanë filluar një fazë të ristrukturimit. Lëvizja është bërë me statut të ri dhe është strukturuar në komitete, të cilat thuhet se merren me politikat e saj si dhe sekretariatet që e mirëmbajnë organizatën.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi