Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Varshmëria Rrënuese

Shko poshtë

Varshmëria Rrënuese Empty Varshmëria Rrënuese

Mesazh nga Agim Gashi Thu Feb 26, 2009 1:41 am

Varshmëria Rrënuese

Varshmëria Rrënuese Fisnik_dobreci-darka-e-lames026-490x320
Kushtetuta e Kosovës i jep institucioneve kosovare autoritetin më të lartë për të qeverisur në territorin e vendit. Por Vojko Volk thotë se elita politike kosovare ka një raport të varshmërisë së frikshme në bashkësinë ndërkombëtare. Cilat janë planet dhe si mund të transformohet kjo gjendje? Ekspertët thonë se nëse varshmëria mbetet sikur është - do të bëhet rrënuese për Kosovën

Nga Artan Mustafa & Leonard Kerquki më 25.02.2009 në ora 8:03

Asnjë diplomat nuk e ka definuar në formë më të vrazhdë se Vojko Volk raportin e kosovarëve me praninë e këtushme ndërkombëtare. Ish-ambasadori slloven në Kosovë ka folur për një “varshmëri të frikshme”.

Nuk është gjetje e re, por ajo bëhet e patejkalueshme përderisa po i afrohemi njëvjetorit të miratimit të Kushtetutës që i bën legalisht institucionet kosovare autoritetin përgjegjës qeverisës në vend.

Volk ishte në Kosovë që prej nëntorit 2006 duke drejtuar zyrën e pastaj ambasadën e Sllovenisë. Si përfaqësues i një shteti të BE’së, ai ka qenë pjesë e përpjekjeve diplomatike për të menaxhuar procesin e statusit dhe ruajtjes së stabilitetit.

Duke folur për të përditshmen sllovene “Dnevnik”, Volk ka thënë se problemi më i madh i Kosovës është krijimi i një forme të frikshme të varësisë së strukturave shtetërore, të pushtetit dhe të elitës, në bashkësinë ndërkombëtare.

“Bëhet fjalë për formën e varësisë të cilën nuk e kam parë askund në Ballkan. Në Slloveni nuk ka ekzistuar kurrë kjo varësi... Gjithçka që kemi fituar, kemi fituar dhe rregulluar vetë, keq ose mirë”, ka elaboruar ai.

Volk ka shtuar se ndërkohë në Bosnjë është krijuar formë patologjike e varësisë në bashkësinë ndërkombëtare. “Dhe, kam frikë, kjo vlen edhe më shumë për Kosovën”, ka thënë Volk.

Tash drejtor politik për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Sllovenisë, ai ka thënë se rasti i fundit ishte vendimi që të mos ketë zgjedhje më 2009 i cili, sipas tij, u mor në rrethin e ngushtë afër Presidentit të shtetit dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare.

Deputeti Bujar Bukoshi nga grupi parlamentar i LDK’së, një politikan shumëvjeçar, thotë se komentet e ambasadorit slloven janë, në fakt, dashamirëse. “Natyrisht varësia duhet të jetë brengë politike”, shprehet Bukoshi për Express. “Kjo prirje submisive, e nënshtrimit, vjen si pasojë e mungesës së vizionit kosovar”.

Driton Tali, i pavarur, njëri nga deputetët më aktivë të kësaj legjislature, përmend raste konkrete. “Vjet kur tentova të ngrehë një mocion edhe për strukturat paralele, por edhe për planin gjashtëpikësh të Ban Ki-Moon’it, deputetët tërhiqeshin sepse kishin biseda informative nga kjo zyrë apo ajo zyrë”, ka thënë Tali.

Ai ka shtuar se shpesh mund të dëgjohen shprehjet se “X politikanin nuk e përkrahin ndërkombëtarët, karriera e tij ka përfunduar” ose “Y politikanin e përkrahin zyrat ndërkombëtare dhe do të ketë karrierë të bujshme”. “Kjo tregon nivelin e varësisë së esnafit politik ndaj ndërkombëtarëve”, shprehet Tali.

I vetëshpalluri alternativë e Kryeministrit aktual, lideri i AAK’së Ramush Haradinaj, thotë se pazotësia në qeverisje po i kthen njerëzit në servilë.
“Ata që nuk e njohin materien dorëzohen tek të tjerët”, ka thënë Haradinaj. “Kosova mundet t’i japë vetes institucione dhe qeverisje që burojnë prej saj dhe punojnë për të. Situata e tashme, mënyra se si sillet lidershipi institucional i Kosovës, është e mjerueshme”, ka thënë Haradinaj, lideri i partisë që ka qenë edhe vet në qeverisje për gjashtë vjet.

Ministri autoritativ Enver Hoxhaj thotë se duhet vënë paralele me krijimin e kombeve tjera në Ballkan. “Proceset e shtetndërtimit në Ballkan kanë qenë të bartura nga elitat vendore, mirëpo janë prodhuar edhe falë mbështetjes së faktorit të jashtëm, që ne sot e thërrasim - bashkësi ndërkombëtare”, ka thënë Hoxhaj, profesor i Historisë së Ballkanit.

“Një relacion i tillë mes elitave vendore dhe faktorit të jashtëm ose bashkësisë ndërkombëtare ka qenë i pranishëm jo vetëm këto 10 apo 20 vitet e fundit, mirëpo gjatë 200 vjetëve të fundit, që nga themelimi i shteteve të para në Ballkan”.

Ai thotë se fryma e bashkëpunimit edhe reciprociteti mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve nuk do duhej të nënkuptohej si një lloj varshmërie, mirëpo duhet të shihet si një lloj bashkëpunimi drejt arritjes së qëllimeve të caktuara.

Pritjet e transformimit

Andy McGuffie, zëdhënës në Zyrën Ndërkombëtare Civile, thotë se ky institucion e sheh procesin në kontekst të hapave praktikë në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin.

“Këto janë të pasqyruara në formën që publikohet në faqen tonë të internetit”, ka vazhduar McGuffie. “Ne shikojmë gjendjen e zbatimit - nëse një temë është kompletuar, është në rrugë apo nuk është kompletuar. Kjo siguron një pamje të qartë nga terreni dhe pastaj shërben si bazë për vendime nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar ose Grupi Ndërkombëtar Drejtues”.

McGuffie thotë se ICO beson se sa më shumë tema nga propozimi për statusin të zbatohen, aq më shumë do të ketë pronësi lokale në qeverisje. “Ka pasur progres të ndjeshëm që prej shkurtit të kaluar - tash ka më shumë institucione nën kontrollin e Kosovës për shembull”, elaboron ai.

Ai thotë se pushteti ekzekutiv i ICR’së është krejt mjeti i fundit. “Sa i përket fushave të ndërlidhura me mandatin e ICO’së, sikurse janë decentralizimi dhe çështjet ekonomike, është e qartë se Qeveria është në udhëheqje dhe po merr përgjegjësi. Ministritë planifikojnë, sqarojnë dhe ekzekutojnë programet”.

McGuffie ka thënë se qëllim i rëndësishëm afatgjatë është që komuniteti ndërkombëtar të tërhiqet përderisa Kosova bën progres dhe fiton besimin e qytetarëve të saj. “ICO po implementon mandatin saktësisht që të arrijmë në një moment kur Grupi Ndërkombëtar Drejtues mund të vlerësojë se a është plotësuar misioni i ICO’së”, ka deklaruar ai.

Ministri Hoxhaj thotë se çështja e pronësisë në procesin politik, e vendimmarrjes dhe dizajnimit të agjendës shtetërore është definuar më 17 Shkurt. “Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ne e kemi një lidership i cili, së bashku me qytetarët e këtij vendi, ofron parashikueshmëri dhe stabilitet dhe qartësi për ardhmërinë e këtij vendi”, ka thënë ai.

Prandaj, sipas tij, bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare nuk është i dëmshëm.
“Definitivisht, çdo bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar është më se i domosdoshëm dhe i mirëseardhur”, shprehet Hoxhaj. “Përderisa lidershipi i Kosovës është në agjendën e tij, e jo në ndonjë agjendë tjetër, mendoj që absolutisht nuk i dëmton as proceset politike e as Kosovën si tërësi”.

Ai ka shtuar se standardet dhe kriteret në të cilat sot ndërtohet demokracia komplekse kosovare, janë standarde dhe kritere të cilat vlejnë edhe për krejt popujt tjerë.

Por, Haradinaj nuk pajtohet. Ai thotë se aktualisht lidershipi kosovar fshihet pas miqve ndërkombëtarë. “Për tema të caktuara, apo pa nevojë, kërkon përkrahjen e tyre, kur munden vet t’i kryejnë ato punë”, insiston Haradainaj.

Ai nuk beson se kosovarët do të keqkuptohen nëse duan më shumë pronësi në vendimmarrje dhe udhëheqje të proceseve. “Kjo nuk keqkuptohet asnjëherë. Edhe në rast se ka keqkuptim, nuk prish punë. Nëse beson në punën që e bën dhe në qëndrimet që i ke, mund të ketë keqkuptim të përkohshëm, por ato përputhen një ditë”, është shprehur Haradinaj.

Deputeti Tali thotë se nuk sheh gatishmëri tek shumica e politikanëve kosovarë për të qenë origjinalë, autoktonë. “Vuajnë nga kompleksi i inferioritetit. Një numër i madh nuk kanë kualitete njerëzore dhe profesionale”, shprehet ai. “Liderët duhet të marrin rreth vetës njerëz të rinj, të cilët nuk kanë bagazhe nga e kaluara dhe me të cilët mund të ndërtojnë diçka të re”.

Bujar Bukoshi thotë figurativisht se lidershipi kosovar duhet sapo të zgjohet në mëngjes të lexojë Kushtetutën. “Nëse vazhdon kështu, ky nënshtrim do të jetë rrënues”, shprehet Bukoshi. “Kur nënshtrohesh ata edhe të përçmojnë. E keni parë sa më seriozisht sillen me Serbinë sesa me ne?”.

Ai thotë se alfa dhe omega është puna në zbatimin e Kushtetutës. “Bashkësia ndërkombëtare e ka njohur Kushtetutën tonë. Nëse ajo zbatohet me nder, pa abuzim të pushtetit dhe për të mirën e Kosovës, kjo do të rrisë respektin për ne”.

Situata e deritashme ka qenë prodhim i mungesës së vizionit, insiston ai. “Ishin dhjet vjet idiotësie në shumë aspekte”.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi