Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Halil Matoshi: Halil Matoshi: Uji: Sfida globale e shekullit 21. Këtë analizë ma rikujtoi komenti i Adnan Mustafës në B92, po ashtu më 2007

Shko poshtë

Halil Matoshi: Halil Matoshi: Uji: Sfida globale e shekullit 21. Këtë analizë ma rikujtoi komenti i Adnan Mustafës në B92, po ashtu më 2007 Empty Halil Matoshi: Halil Matoshi: Uji: Sfida globale e shekullit 21. Këtë analizë ma rikujtoi komenti i Adnan Mustafës në B92, po ashtu më 2007

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jul 04, 2010 12:14 am

Halil Matoshi: Halil Matoshi: Uji: Sfida globale e shekullit 21. Këtë analizë ma rikujtoi komenti i Adnan Mustafës në B92, po ashtu më 2007 4434_102730647320_696552320_2373638_890517_n

Halil Matoshi: Halil Matoshi: Uji: Sfida globale e shekullit 21. Këtë analizë ma rikujtoi komenti i Adnan Mustafës në B92, po ashtu më 2007

Një koment i Adnan Mustafës më 2007 me nxiti kureshtjen ta postoj këtë analizë të botuar më 2007. Sa me deshmue se gjithëherë dikush ka mendu, ka folë dhe ka shkru - e në këtë, më bindi Adnani me komentin e tij në B92: "Političari pre nego što govore o podeli Kosova, treba da se zapitaju šta je jedan od razloga Blisko-Istočne krize između Izraela i Palestinaca? Izvori vode! Čudno! Ali istinito! A kako će Kosovo bez Gazivodskog jezera? A kako će Ameri da sagrade niz elektrana na polju kosovskome bez Gazivodske vode?
A kako će Kosovski veliki gradovi bez Gazivodske vode?Ajd' sad da podelimo Kosovo!...
Tek onda će biti krize! "
(adnan, 13. jul 2007 00:04)


Uji: Sfidë globale – rikthen rivalitetet


Fjala latine rival, rivalitet d.m.th. konkurrencë në ndarjen e ujërave. Sipas fjalorit të gjuhës standarde shqipe ... Kurse në tė folmet e Himarės, rival-i (shem/ėr-ri), rivalitet-i (shemri-a).
Uji sot është një nga të mirat publike ndërkombëtare që sfidojnë rendin botëror, pra sfidë e shekullit XXI. Rivalitetet midis serbëve dhe shqiptarëve nuk do të jenë më të rrafshit mitik (miti për Kosovën si djep të serbizimit, ose Kosova –gjaku im që nuk falet), por të rrafshit jetësor, kontrollin mbi burimet e ujit. Ashiqare, në Ballkan infrastrukturën mendore dhe psikologjike të luftës më nuk e ngrehin propagandat nacionaliste dhe TV-të por etja!


Uji sfidë globale e shekullit XXI

Fjala rivalitet (që sot përdoret kryesisht për tokat, gratë, futbollin dhe sferat e interesit) e ka gjenealogjinë në ndarjen e ujërave përgjatë historisë së qytetërimeve.
Dhe ky rivalitet për ujëra ka shkaktuar qindra konflikte të hapura gjithandej në botë.
Shumë ekspertë të shquar të gjeopolitikës, apo gjeostrategjive, janë tashmë të bindur se konfliktet kryesore në shekullin XXI do të kenë në themel jo vetëm naftën, siç jemi mësuar të dëgjojmë e verifikojmë deri tani, por në radhë të parë ato do të kenë konflikte për ujin. Mjaft ekonomistë të zhvillimit kanë kohë që po argumentojnë se "uji po shndërrohet gradualisht në sfidën kryesore të shumë popujve e rajoneve të botës", se uji po bëhet faktor determinant i zhvillimit të bujqësisë e industrisë, i zhvillimit të turizmit, i cilësisë së shëndetit të njerëzve. Terma të tillë si "refugjat klimaterik", apo "refugjat hidrik", deri para pak kohësh krejt të panjohur, tashmë po bëhen pjesë e fjalorit dhe terminologjisë së mjaft institucioneve ndërkombëtare që merren me lëvizjen migratore të popullsisë në botë.
Në një konferencë ndërkombëtare të zhvilluar para disa kohësh në Kairo mbi problemet dhe sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm në rajonin e Mesdheut, ndërkohë që u nënvizua fakti se vende si Izraeli, Libani, Turqia, Franca, Malta, Qipro etj., tashmë arrijnë të "kapin" e të shfrytëzojnë për qëllime ekonomike e sociale mbi 90% të burimeve e kapaciteteve të tyre ujore, Shqipëria u përmend në sensin e kundërt, duke u cituar si një nga vendet me burimet ujore nga më të mëdha në Mesdhe, por dhe më gjerë, por që "kap" dhe shfrytëzon për nevojat e saj vetëm 28-30% të mundësive e potencialeve të kapaciteteve të saj ujore. Në këtë mënyrë, duke parë sasinë dhe cilësinë e ujit të konsumuar, apo përdorur për banor, familje, bujqësi, energji, industri etj., ne renditemi në grupin e vendeve "të varfra në burime", apo me infrastrukturë të pazhvilluar, ndërkohë që duke parë potencialet tona reale, konsiderohemi në grupin e vendeve "me kapacitete ujore nga më të lartat në botë".
Ndërkohë që uji po konsiderohet si sfida më e madhe e njerëzimit në shekullin XXI, ndoshta më e madhe se sfida e naftës dhe energjisë, ndërkohë që, siç thekson Loic Fauchon, president i Këshillit Botëror të ujit, uji po shndërrohet në faktorin e parë të zhvillimit ekonomik e social të çdo vendi.
"Në elementin kryesor të cilësisë së shëndetit publik".
Edhe Kombet e Bashkuara, në kuadrin e Objektivave të Mijëvjeçarit dhe reduktimin e varfërisë e kanë fiksuar si objektiv prioritar për t‘u realizuar deri në vitin 2015 përgjysmimin e numrit të personave të privuar nga aksesi në ujin e pijshëm dhe infrastruktura e administrimit të tij, në një kohë që në Shqipëri nuk është fiksuar akoma në mënyrë specifike dhe në gjithë dimensionet e tij një objektiv i tillë.
Forumi botëror i ujit, i mbajtur në kryeqytetin e Meksikës në vitin 2006, evidentoi disa nga sfidat e shqetësimet më të mëdha me të cilat po përballet e pritet të përballet planeti ynë në lidhje me ujin. Një rubinet me ujë të rrjedhshëm gjatë 24 orëve të ditës dhe një tualet korrekt është gjëja më e zakonshme për rreth 1 miliard banorë të vendeve më të zhvilluara të botës, ndërkohë që kjo gjë është akoma një "ëndërr" për 5,3 miliardë njerëz të tjerë që banojnë përgjithësisht në vendet e varfra e ato në zhvillim. Në Amerikën Latine, Afrikë dhe Azi, më shumë se 1,5 miliardë njerëz nuk kanë akses e nuk disponojnë ujë të pijshëm brenda parametrave normale e në një rreze prej 1 km, 2.6 miliardë njerëz të tjerë në botë nuk disponojnë ndonjë instalim apo infrastrukturë minimale për shkarkimin e ujërave të përdorura; cilësia e ujit është shkaku kryesor i vdekjeve në botë në kundërshtim me opinionin se shkaku kryesor është uria, epidemitë apo luftërat; mbi 8 milionë njerëz vdesin çdo vit nga sëmundjet e lidhura me përdorimin e ujërave të ndotura e të infektuara, ndërkohë që mbi 500 milionë të tjerë preken rregullisht nga sëmundje të rënda të shkaktuara nga uji i ndotur apo infektuar; me dhjetëra milionë fëmijë privohen çdo ditë nga mundësia për arsimim pasi janë të detyruar të "shkojnë të mbushin ujë" etj.
Sipas OKB-së, nëse ne nuk e zgjidhim në mënyrë të qëndrueshme këtë problem, ne do t‘u krijonim një hapësirë shumë të madhe sëmundjeve vdekjeprurëse që mund të prekin me dhjetëra milionë banorë çdo vit, ne do të pengonim aksesin në arsimin bazë dhe pjesëmarrjen në zhvillimin ekonomik të disa qindra milionë njerëzve". Objektivi i OKB-së për vitin 2015 është të garantohen të paktën 20 litra ujë i pastër për person në ditë i disponueshëm në një rreze prej 1 km. Sfida është kolosale: vendet në zhvillim duhet të realizojnë deri në vitin 2015 atë që vendeve të pasura ju është dashur 2 shekuj për ta arritur. Për realizimin e Objektivit të Mijëvjeçarit duhet që çdo ditë 260000 njerëz të rinj të lidhen e të kenë akses në rrjetin e ujit të pijshëm dhe 370000 të tjerë të pajisen me infrastrukturën e nevojshme për shkarkimin dhe përpunimin e ujërave të përdorur, pa llogaritur këtu efektet e eksplozionit demografik që po njohin këto vende.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, financimet e nevojshme për të realizuar këtë objektiv janë rreth 25 miliardë euro në vit, ndërkohë që aktualisht për këtë qëllim nuk disponohen më shumë se 4 miliardë euro. Një sfidë të veçantë paraqet dhe bujqësia e ushqimi. Sipas ekspertëve, nevojiten rreth 3000 litra ujë për person për të prodhuar një racion ushqimor normal të përditshëm. Aktualisht, 40% e ushqimit botëror prodhohet në sisteme agrare dhe toka të ujitshme. Në 2030, që është vetëm 13 vite larg, popullsia botërore do të ketë nevojë për 55% më shumë ushqime e për pasojë dhe për sasi kolosale uji për ta përballuar këtë sfidë, ndërkohë që aktualisht më shumë se 850 milionë njerëz, kryesisht në zonat rurale, vuajnë rregullisht nga uria dhe një nga mënyrat për ta luftuar atë është pikërisht administrimi i mirë dhe shtimi i disponibilitetit të ujit.

"Luftërat për ujin" të mundshme? Por s’ka patur të tilla në 4 500 vitet e fundit

Përballë parashikimeve të zymta se gjatë shekullit XXI do të ketë luftra për ujin për shkak të shterjes së rezervave te tij, betejat mes dy qyteteve-shtete sumeriane 4 500 vite më parë duket se përbëjnë një shembull shqetësues.
Por lajmi i mirë, thonë shumë ekspertë,është se konflikti mes Lagashit dhe Umës rreth të drejtave të ujitjes, në atë që sot është Irak, ishte hera e fundit që dy shtete hynë në luftë për shkak të ujit. Përgjatë shekujve që pasuan atë luftë, rivalët ndërkombëtarë që ndajnë ujërat, siç janë lumi Jordan, Nil apo Gang, në përgjithësi kanë parapëlqyer bashkëpunimin për zgjidhjen e konflikteve.
Kështu, nëse mund t’i besohet historisë, gjërat mund të qëndrojnë ashtu siçjanë.
“Shpjegimi më i thjeshtë është se uji është tepër i rëndësishëm për t’u luftuar për të”, thotë Aaron Wolf, profesor në Universitetin shetëror të Oregonit.
“Shtetet shpesh shkojnë në prag të luftës për ujin, por pastaj i zgjidhin kontestet mes tyre”.
Që prej fillimit të luftës mes Lagashit dhe Umës, e dokumentuar përmes një gdhendjeje në gur, ku shihen disa shpendë grabitqarë të cilët fluturojnë me kokat e luftëtarëve të mposhtur të Umës, nuk është bërë asnjë luftë dhe janë nënshkruar 3 600 marrëveshje ndërkombëtare për ujin, thotë ai.
Megjithatë, politikanët vazhdimisht paralajmërojnë se mungesa e ujit e shkaktuar nga vala e shtimit të popullsisë dhe ndryshimet klimatike mund të nxisë konflikte gjatë këtij shekulli, në një botë ku rreth një miliardë njerëz në vendet në zhvillim nuk kanë qasje në ujë të pastër për
për pije.
“Garat e ashpra për ujë të pastër mund të kthehen në burim konfliktesh dhe luftrash në të ardhmen”, deklaroi në vitin 2001 Sekretari i atëhershëm i OKB-së Kofi Anan.
Madje edhe fjala angleze ‘rival’ rrjedh nga gjuha latine; rivalis që do të thotë ‘subjekt që e ndan një lumë me dikë’.
Ekspertë të tjerë thonë se luftërat për ujin nuk do të ndodhin.
“Nuk mendoj se do të ketë realisht luftra për ujin… sepse përfitimet e bashkëpunimit janë shumë të mëdha”, thotë Frank Rijsberman, kryesyes i Institutit Ndërkombëtar për Menaxhimin e Ujrave (IWMI).
Achim Steiner, drejtor ekzekutin në Programin për Mjedis të Kombeve të Bashkuara (UNEP), thotë se uji mund të jetë faktor për konflikte në të ardhmen, dhe se kjo është veçanërisht e mundshme në rajonet kufitare në të cilat vendet ndajnë lumenjtë.
"Nuk jam nga ata që mendojnë se lufta e tretë botërore do të bëhet për shkak të ujit por mendoj se mundësia për një konflikt për ujin do të rritet me rritjen e mungesës së tij”, tha ai për Reuters.

Uji dhe luftrat arabo-izraelite

Të marrim si shembull vetëm konfliktin palestinezo-arab për ujin, cili vazhdon të jetë i nxehtë edhe sot e kësaj dite.
Pra kjo mosmarrëveshje është një konflikt për tokën, ngjashëm me konfliktin e Kosovës, e madje, çka është ende më thelbësore, edhe për ujin që rrjedh në atë tokë.
Në vitin 1919, delegacioni sionist në Konferencën e Paqes të Parisit, tha se rrafshnalta e Golanit, lugina e Jordanit, ajo që sot është Bregu Perëndimor, si dhe lumi Litani në Liban, ishin “thelbësore për bazën ekonomike të një vendi”.
Në luftën e vitit 1967, Izraeli mori kontroll të plotë të ujërave në Bregun Perëndimor, por jo Litanin. Ato burime i jepnin Izraelit 60 për qind të ujit të pijshëm, një milion metra kub në vit.
Izraeli thotë se sasia e ujit që i nevojitet nuk ka ndryshuar shumë që nga vitet e ‘50-ta, por uji vazhdon të rrjedhë në Izraelin e para vitit 1967. Në anën tjetër, palestinezët nuk arrijnë t’i shfrytëzojnë rezervat e tyre të ujit dhe ndalohen ta bëjnë këtë nga një fuqi e vërtetë ushtarake. Mijëra njerëz detyrohen të blejnë ujë nga “okupatorët” e tyre, madje me çmim të lartë. Jo pa qëllim, në kohën e kërkimit të paqes arabo-izraelite, në vitet e ‘90-ta, e drejta e ujit u bë një nga temat më të nxehta të diskutimit.
Negociatat e bllokuara për mosmarrëveshjen e Sirisë me Izraelin, në lidhje me rrafshnaltën Golan, të pushtuar nga Izraeli më 1967 dhe të aneksuar më 1980, gjithashtu e kanë në qendër ujin. Siria kërkon që Izraeli të tërhiqet në kufijtë e 5 qershorit 1967, çka i lejon asaj të ketë akces në lumenjtë Jordan dhe Jarmouk

Sfida e ujit dhe Kosova


Sa i përket Kosovës, negociatat e reja midis palëve në konflikt rreth Kosovës në realitet konfirmuan epërsinë e Rusisë posaçërisht ndaj politikës së jashtme të BE-së, në marrëdhëniet e havarisura ndërkombëtare.
Natyrisht se treshja ndërmjetësuese nuk do të vë bllokadë në opsionet e palëve, ose në ato që inicohen nga qendrat e ndryshme të vendosjes, pra në tavolinë mund të jetë edhe hapja e Pakos Ahtisaari dhe mundësia e koncesioneve të reja për serbët, ndarja territoriale ose autonomia territoriale e politike e veriut të Kosovës, kurse në brendësi të vendit, eksterritorialiteti i kishave si dhe aplikimi i decentralizimit pra jetësimi i Planit të Ahtisaarit sa u përket enklavave aktuale serbe. Palët mund të ballafaqohen edhe me sfida të reja, siç është mundësia e shfaqjes në tavolinë e opsionit të një lidhjeje të brishtë të Kosovës me Serbinë, ose ndonjë Konfederatë, siç po spekulohet aktualisht në disa çarqe evropiane.
Konfederata e Kosovës me Serbinë është opsioni më i rrezikshëm se sa status quo-ja ose ndarja territoriale në lumen Ibër.
Pra për Kosovën shumë më fatale do të ishte kjo lidhje “vallëzimi me ujq” se sa ndarja në lumen Ibër.
Opsioni i dytë praktikisht është realitet sa do i hidhur dhe i papranueshëm nga Prishtina zyrtare, sepse ajo nuk ka mund ta shtrijë administratën e vet në këtë pjesë të Kosovës, tash e tetë vjet, por edhe në të ardhmen, veriu do të ishte një kancer në trupin e Kosovës, i cili, duke pasur parasysh se me Planin Ahtisaari enklavat serbe në brendi të Kosovës do të fitojnë pushtet të madh, mund edhe të metastazojë në trupin joimun të Kosovës.
Opsioni i ndarjes nuk përjashtohet, madje ai po merr dimensionin e koncesioneve shtesë “Ahtisaari Plus”, që do të thotë se mbi palën kosovare do të bëhet presion i fuqishëm që parimin “decentralizim për shtet” ta modifikojë në një tjetër, në “territor për shtet”, pa asnjë kompensim. Në këtë rast, i vetmi kompensim për humbjen e veriut, do të mund të ishte Gazivoda.
Në këtë situatë, edhe nëse SHBA-ja do ta pranonte pavarësinë e Kosovës, kjo gjë nuk do të kishte rëndësi dhe nuk do të ndryshonte gjendjen në terren. Sepse gjendja në veri të Kosovës është e betonuar dhe administrate e Prishtinës nuk ka pasur qasje, madje Prishtina nuk ka pasur ndonjë projekt serioz për integrimin e veriut porse ka qenë vetëm vëzhguese pasive nga Ura mbi Ibër.
Mirëpo në këtë luftë me harta, interesi vital nacional i Kosovës është ruajtja e liqenit akumulues të Gazivodës, rreth të cilit do të thyhen shtizat, nëse ky opsion shtyhet në tavolinë nga Perëndimi. Në këso kushtesh, pala kosovare, duhet të luftojë për optimumin, pra për ruajtjen e Gazivodës si pjesë e Kosovës, ose të hartohet strategjia e marrjes me koncesion, ose me ndonjë kundërvlerë monetare të tij.
Pse?
Sipërfaqja e pellgut ujëmbledhës në territorin e Kosovës është 3800 km². Gjatësia e përgjithshme është 280 km, por vetëm 85 km është gjatësia që përshkon Kosovën.
Sasia mesatare vjetore e ujit në pellgun e ujëmbledhësit të lumit të Ibrit është 1.146,33 milion m³. Me qëllim të përmirësimit të regjimit të rrjedhjes së lumit Ibër dhe shfrytëzimit racional dhe kompleks të ujërave të tij, është krijuar Liqeni i Gazivodës, vëllimi i ujit të të cilit është 390.000 000 m³. Liqeni artificial Gazivoda në Zubin Potok ka gjatësi prej 35 kilometrave dhe gjerësi mesatare 300 - 430 mrtra, kalon matanë kufirit me Sanxhakun. Në këtë shekull ky ujëmbledhës do të jetë pasuria më e madhe e një kombi apo shteti.
Uji i tij është planifikuar të përdoret, pos për pije, edhe për ujitje përmes sistemit të Ibrit, i cili ka derdhje në liqenin e Badovcit. Nga ai liqe furnizohet me ujë të pijshëm Mitrovica, Skenderaj, Vushtrria, pjesërisht Zveçani dhe në raste emergjence, sikurse sivjet, edhe Prishtina e Fushë Kosova; Nga ai liqe furnizohen me ujë industrial: Objektet e Trepçës;TC Kosova A, TC Kosova B dhe në të ardhmen TC Kosova C; Feronikeli; dhe një serë objekte industriale të Rrafshit të Kosovës; Nga ai liqe furnizohen fushat bujqësore në Rrafshin e Kosovës.
Së këndejmi uji i akumulimit Ibër – Gazivoda është damar gjaku për Kosovën, trajtohet nga institucionet kosovare më me rëndësi se edhe vet Trepça dhe termocentralet për Kosovën.
Në anën tjetër, liqeni i Përlepnicës po shteron, kurse nga Batllava dhe Badovci, që kanë kapacitete të prodhimit të ujit rreth 1 mijë e 400 litra në sekondë, sipas zyrtarëve, më 2007 kishin rezerva vetëm për 5 muajt e ardhshëm. Niveli i liqenit të Batllavës këtë vit ishte më i ulët në 50 vitet e fundit. Liqeni i Batllavës kishte 8 metra më pak ujë nga niveli i zakonshëm, ndërsa liqeni i Badovcit kishte rënë për 7 metra. Tashti, verë 2010, kur po i bëjë rilexim dhe rifresh këtij shkrimi, gjendja është dukshëm më e mirë, për arsye te reshurave të dendura gjatë këtij viti.
Sfida e ujit dhe Shqipëria
Zona e Mesdheut, ku edhe ne bëjmë pjesë, sipas shumë studiuesve të klimës pritet të jetë një nga zonat e prekura nga thatësirat në kuadrin e efektit "të ngrohjes globale" në këtë shekull të ri, prandaj raportet tona me ujin duhet të konceptohen ndryshe.
Në morinë e një numri shumë të madh strategjish, Shqipëria ka tashmë një dokument që quhet "Strategjia e Ujit", por nga ana tjetër, Shqipëria nuk e ka shpallur akoma ujin si "prioritet strategjik", nuk e konsideron akoma ujin si një nga pasuritë kombëtare më të rëndësishme që ne disponojmë, nuk e ka cilësuar atë akoma si element të rëndësishëm të fjalorit politik e politikave publike. Ne nuk kemi akoma, në sens të kundërt me shumë vende të tjera të botës, një "kod të përdorimit racional të ujit", një seri nxitësish fiskalë e financiarë për futjen e teknologjive që përdorin racionalisht ujin apo rrisin shkallën e "kapjes" dhe futjes në përdorim familjar e industrial të tij, një paketë ligjore të plotë për përdorimin dhe trajtimin e ujit si vlerë strategjike, një sistem dijesh e njohurish të përfshira në programet shkollore e edukuese që japin gjithë njohuritë e nevojshme për ujin dhe rëndësinë e tij etj.
Megjithëse, sipas specialistëve, burimet tona të rinovueshme arrijnë në rreth 42 miliardë metra kub ujë, ose rreth 13200 metra kub për frymë në vit, shifër kjo nga më të lartat në botë, vetëm 66% e familjeve shqiptare kanë akses ndaj ujit të rrjedhshëm; vetëm 50% e familjeve shqiptare kanë ujë të rrjedhshëm brenda shtëpisë. Ndërkohë që në Tiranë pothuajse çdo familje (96.6%) ka akses në ujë të rrjedhshëm dhe 91.8% ka ujë të rrjedhshëm brenda banesës, në zonat rurale vetëm 25% e familjeve kanë këtë mundësi dhe rreth 30% e tyre kanë akses në ujë të rrjedhshëm, por jashtë banesës (në oborr apo në çezma kolektive).
Nëse shohim cilësinë e ujit, situata paraqitet më problematike në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të mëdha, ku rreth 75% e familjeve mendojnë se uji që ata përdorin për të pirë nuk është i një cilësie të mirë, ndërkohë që në zonat rurale situata është relativisht më e mirë: 87% e familjeve mendojnë se uji është i cilësisë së mirë. Shumë nga ujërat sipërfaqësore në Shqipëri janë të ndotur si rezultat i hedhjes së mbeturinave urbane dhe ujërave të ndotur industrialë. Po kështu dhe cilësia e disa lumenjve është mbi nivelin e ndotjes së standardeve evropiane, duke shfaqur shenja ndotjesh të mëdha në lëndë organike dhe deficite në oksigjen të tretur dhe oksigjen biologjik.
Vetëm 25% e familjeve në rang vendi ka ujë të pijshëm pa ndërprerje gjatë gjithë ditës, ndërsa rreth 30% e familjeve deklarojnë se kanë ujë vetëm 5-6 orë në ditë. Sasia mesatare e ujit në dispozicion për një banor në vit në Shqipëri është rreth 200-250 litra/vit; 250-300 l/vit për zonën e Tiranës, apo qytetet dhe zonat ku ka vazhdimisht ujë të rrjedhshëm, 180-200 litra/vit për zonën e veriut dhe 230-250 l/vit për jugun e vendit. Mbi 50% e ujit të pijshëm humbet në rrjet apo shpërdorohet. Mungesa e ujit është më evidente në zonat dhe familjet që konsiderohen të varfra. Për të përballuar mungesën e furnizimit me ujë, familjet në zonat rurale hapin vetë puse pa asnjë lloj monitorimi e kontrolli të cilësisë së ujit. Në shumë raste puset hapen në brigje lumenjsh shumë të ndotur, ujërat e të cilëve nuk janë të përshtatshëm për konsum nga njeriu. Mungesa e zonave të mbrojtjes sanitare po shkakton ndotjen e burimeve nëntokësore. Sipas një hulumtimi të viteve të fundit, mbi 70% e puseve që përdoren për ujë të pijshëm janë të ndotur bakterologjikisht. Bujqësia konsumon pjesën dërrmuese të ujit, rreth 90% të përdorimit të tij për aktivitete prodhuese në shkallë vendi, ndërkohë që industria, shërbimet, artizanati dhe sektorët e tjerë konsumojnë më pak se 10% të tij.
Shumë problematike paraqitet gjendja edhe në raport me rezervuarët kodrinorë e malorë apo ujëmbledhësit lokalë. Ka shumë vite që për to flitet vetëm në rreshtat e kronikës së zezë, kur dikush mbytet apo gjendet i braktisur buzë tyre. Dikur përmendeshim si një nga vendet me më shumë rezervuare e ujëmbledhës në rajonin e Mesdheut dhe më gjerë, ndërsa sot konstatohet lehtësisht se ato janë lënë krejtësisht jashtë vëmendjes politike, qeveritare dhe publike. Për t‘u bindur se sa indiferentë jemi në këtë aspekt, mjafton të shtrojmë pyetjet: Sa rezervuare të rinj janë ndërtuar këto 17 vitet e fundit? Sa kanë qenë fondet dhe investimet për mirëmbajtjen e baseneve dhe digave të këtyre rezervuarëve këto 17 vite? Sa për qind është rritur ndikimi i tyre në furnizimin me ujë të pijshëm, apo me ujë për vaditje për zonat ku ato shtrihen? Përgjigjet e mundshme imagjinohen lehtë nga të gjithë, mjafton ta njohin sadopak gjendjen reale.

Çfarë propozohet në debatet ndërkombëtare?

Aktualisht në debatet ndërkombëtare shtrohen shumë pyetje e bëhen mjaft propozime: A duhet të jetë pjesë e Kushtetutës "e drejta e ujit"? A duhet të pranohet si e pakundërshtueshme "e drejta e sektorit privat mbi burimet e ujit"? Kush duhet të paguajë për furnizimin korrekt të popullsisë me ujë: konsumatorët, gjithë shoqëria, apo thjesht komunitetet lokale? Kush duhet të ketë prioritet në përdorimin e ujit: konsumi familjar, bujqësia, industria apo shërbimet? Si të eliminohen humbjet në shpërndarjen e ujit? Si të edukohet më mirë popullsia për vlerat dhe rëndësinë e ujit? E të tjerë...
Në thelb, të gjitha debatet dhe propozimet konvergjojnë në domosdoshmërinë e trajtimit të ujit jo thjesht si një burim natyror, si një mall apo lëndë e parë që mund t‘u nënshtrohet rregullave të tregut, apo mënyrave individuale e private të konsumit, por trajtimin e tij si një "e mirë publike ndërkombëtare" që duhet t‘i nënshtrohet trajtimit në nivel ndërkombëtar, duke e kufizuar të drejtën e përdorimit "si pronë e një vendi apo individi të veçantë". Në kuadrin e një mungese kronike të investimeve publike në këtë sektor, institucionet kryesore ndërkombëtare inkurajojnë qeveritë që të zgjerojnë privatizimin e sistemit të shërbimeve të ujit, duke e kombinuar këtë me ruajtjen e "pushtetit të strukturave publike për të fiksuar objektivat themelore të përdorimit të ujit". Të gjitha qeveritë dhe institucionet publike inkurajohen gjithashtu që të evidentojnë e stimulojnë vazhdimisht aplikimin e teknologjive dhe praktikave sa më efektive në përdorimin e ujit, në "kapjen" dhe futjen në qarkullim ekonomik, social apo mjedisor të çdo burimi ujor, qoftë ky në formën e shiut, lumenjve e përrenjve, burimeve etj.
Përfundimi ose lufta për ujin, njësoj si lufta për naftën
Në literaturën e specializuar bashkëkohore dhe debatet ndërkombëtare mbi zhvillimin dhe sfidat strategjike në këtë shekull të ri, po zë vend gjithnjë e më shpesh termi dhe koncepti "të mirat publike kombëtare e ndërkombëtare". Në top listën e tyre renditen: uji, toka bujqësore, ajri dhe pyjet. Këto katër elemente, të cilësuara si "të mira publike" dhe raportet e njeriut me to, përbëjnë pa dyshim sfidën dhe pikëpyetjen më të madhe të së ardhmes sonë.
Para rreth shtatë vjetësh, në shtator të vitit 2000, 189 vendet anëtare të OKB-së miratuan një katalog me qëllimet e tyre për mijëvjeçarin e ri. Njëri prej tyre ishte që brenda 15 viteve të ardhshme të reduktohet me 50% numri i njerëzve që nuk kanë akses në rrjetin e furnizimit me ujë të pishëm.
Tani kur ka kaluar thuajse gjysma e kësaj kohe duket se bashkësia ndërkombëtare nuk i ka arritur këto qëllime, sidomos në Afrikë.
'Në rast se u hedhim një vështrim shifrave konstatojmë se shumë vende të Azisë po i plotësojnë qëllimet e vëna të deklaratën e OKB-së për mijëvjeçarin. Por në rast se hedhim një vështrim në të dhënat për Afrikën, atëhere shohim se punët nuk janë mirë, dhe këtu bëhet fjalë për 80% të shteteve afrikane.' - thotë Manfred Mac (Manfred Matz), inxhinier i hidrologjisë pranë Institutit ndërkombëtar të hidrologjisë në Stokholm.
Shumë investime në rrjetin e furnizimit me ujë kanë shkuar kot, sqaron Mac. Kjo sipas tij ka shkaqe të ndyrshme. Njëri prej tyre është mungesa e remontit dhe përkujdesjes për rrjetin hidraulik. Nga ana tjetër ka shumë raste kur donatorët kanë vënë në dispozicion paratë për shtrimin e rrjetit për furnizimin me ujë, por pas kësaj qeveritë e këtij apo atij shteti nuk kanë vënë në dispozicion para për t'i vënë në shfrytëzim rrjetet e ujësjellësve.
Në konferencën e Stokholmit marrin pjesë rreth 2.000 pjesëmarrës nga mbi 100 vende të botës që prezantojnë projektet dhe idetë e tyre.
Uji është më i rëndësishëm se nafta dhe në Lindjen e Mesme mund të shpërthejë edhe ndonjë luftë për këtë lëndë të rrallë, prognostikon
Manfred Mac, i cili ka drejtuar mjaft projekte për ujin e pishëm në shumë vende të botës. Ai tregon se disa vende, si p.sh. Jordania, janë duke shfrytëzuar rëndë natyrën për të siguruar ujë të pishëm:
'Në Jordani janë instaluar në shkretëtirë tubacione dhe pompa që thithin ujin e një liqeni nëntokësor duke e shterruar atë. E qartë është se në kushtet e sotme klimatike, ky liqen nuk mund të mbushet më kurrë."
Një nga detyrat e së ardhmes është gjetja e alternativave për zgjidhjen e problemeve të tilla:
'Ne duhet të mendojnë për mundësinë e transferimit të ujit, sipas modelit të sotëm në Spanjë. Aty po planifikohet ngritja e një sistemi të madh furnizimi me ujë nga veriu i Spanjës në jug të vendin, sepse jugu ka mungesë uji."
Në forumin e ujit në Stokholm do të dorëzohet të enjten (16.08) edhe çmimi botëror për ujin, i cili shoqërohet me 120.000 euro. Këtë vit me këtë çmim nderohet amerikani Perri Mek Karti (Perry Mc Carthy), i cili ka zhvilluar një metodë për pastrimin dhe riciklimin e ujërave të ndotura me kimikate. Çmimin do ta dorëzojë vetë mbreti i Suedisë Karl Gustaf. Prania e oborrit mbretëror, thotë Shtefani Venkert (Stephanie Wenkert) është një vlerësim edhe për këtë forum, qëllimi kryesor i të cilit është që t'i bëjë të qartë publikut të gjerë se sa i vlefshëm është uji:
'Unë do të dëshiroja që ne ta fshinim nga kujtesa fjalinë: "S'dua gjë, vetëm ujë" dhe të themi me krenari: "Unë pi ujë!":

(Burimet: Hulumtime autoriale, Reuters, DW, Gazeta Shqip dhe autori Ardian Civici, Zyra e këshilltarëve të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave të Kosovës (MEM), Internet: Web: www.mitrovica-komuna.org)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi