Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mirë se vini te Kasollja e internimit

Shko poshtë

Mirë se vini te Kasollja e internimit Empty Mirë se vini te Kasollja e internimit

Mesazh nga Agim Gashi Thu Nov 04, 2010 2:28 pm

Mirë se vini te Kasollja e internimit
Mirë se vini te Kasollja e internimit 5094
Nga Gjekë Marinaj



Me rastin e 65-vjetorit të lindjes, poeti vlonjat Dalan Luzaj e fton lexuesin shqiptar jo në tavolinën katërkëndëshe të shtëpisë së tij në Çikago, por në sofrën e rrumbullakët, që në rininë e humbur të poetit i ngjante një zeroje të madhe vendosur në qendër të kasolles së tij të internimitnë Sherisht të Vlorës. Luzaj e bën këtë, tani, kur forma gjeometrike e asaj sofre nuk mund të përkufizohet më si një vijë e lakuar dhe e mbyllur, e baraslarguar nga një pikë që quhet qendër e ferrit. Përkundrazi. Ai shtron një sofër poetike që i ngjan rrethit më të lartë të Purgatorit të Dantes—parajsës tokësore. Kasollja e internimit, libri i pestë i poetit, nuk do pikojë lot mbi lexuesin, këtë nuk e lejon as krenaria e njohur vlonjate as burrëria personale e poetit. Ai e ka thyer lëkurën e tij të rrjepur nga komunizmi në një llamarinë shtesë mi mbulesën origjinale të kasolles. Pra Luzaj nuk do ju qahet se kur i ati u detyrua të arratisej nga Shqipëria poeti ishte akoma në bark të së ëmës, se nëna i vdiq duke kërkuar një lugë qumësht për të njomur buzët, nuk do ju qahet as për deformimet fizike që poeti pësoi gjatë hapjes së kanaleve, as për pasojat që e çuan atë drejt një edukimi të kufizuar shkollor etj., sepse “të tjerët kanë vuajtur edhe me shumë” thotë me modesti ai. Ashtu siç pritet nga ky poet interpersonal, Kasollja e internimit është më tepër ADN-ja e plagëve dhe dashurive të popullit shqiptar se sa të vetë poetit.

Tangente me këto rrethe mendimi, zëri poetik i Dalan Luzajt mund të kategorizohet si një ushtimë kolateike që vjen nga një zemër e gjerë për t’u holluar në një fishkëllimë melodioze që shoqërohet njëherësh nga shumë nota melankolike dhe nocione dhimbjesh për fatin dhe fatalitetin e faktorit shqiptar gjatë shndërrimit të poetit nga jeta në internim në Atdheun e tij për tek jeta e lirë që shijon sot në Amerikë. Thënë ndryshe, Kasollja e internimit sjell një poezi unike me një aromë të këndshme Asdreno-Migjeniane. Ajo ndahet në dy kanale kryesore komunikimi, atë të imagjinatës dhe të realitetit. Që andej zgjerohet dhe konglameron në vetvete dy çështje të rëndësishme siç janë marrëdhëniet tona me ambientin, si botëkuptime të metafizikës dhe epistemologjisë, dhe efektet e përvojës njerëzore nën trysninë e fenomeneve të etikës, teorive të ndryshme politike e sociale, tabanit kulturor dhe skicave të tjera të ekzistencializmit bashkëkohor shqiptar.

Gjithmonë duke na u drejtuar me një gjuhë glaciere poetike, që është në vetvete gjuha më e ngjeshur e gjuhës letrare, forca sugjeruese e Luzajt i jep lexuesit shpresa të reja se poezia është subjekt te një numër më i madh jetësh se sa ç’janë poetët që e krijojnë atë. Dhe ngaqë është poet në shpirt, poet në sjellje, poet në krijimtari, i matur, i duruar, i kuptueshëm dhe shumë zemërgjerë, sugjerimet i tij janë të besueshme. “Ju duhet të keni kaos në shpirt që të lindni një yll vallëzues,” thoshte dikur Niçja, por Luzajt i mjafton kaosi i së kaluarës ose plagët që ai la në shpirtin e tij që të krijojë jo nj,ë por një qiell të tërë me yje të tillë.

Ai është në gjendje ta bëjë këtë, pjesërisht sepse është një mjeshtër i lindur i metaforave. Në këtë pikë, Luzaj është një evidencë e gjallë në mbështetje të filozofisë së Aristotelit për poetët. Aristoteli, i pranuar si filozofi më influencues i botës perëndimore pas Platonit, thoshte se provat e të qenarit poet shtrihen në metaforat e tij; aty gjendet poeti i lindur, jo poeti i bërë.” Nisur nga mënyra e të menduarit të tij, po të mund të kthehej prapa ingranazhi i kohës, jam i sigurt se fqinji grek nuk do të ndaj i zhgënjyer nga metaforat disa-dimensionale që do të gjente te Kasollja e internimit.

Por kaq me bisedën tonë në oborrin human të Luzajt. Le të futemi brenda ne kasollen e tij poetike që të shijojmë nga afër odat e tij metaforike. Si fillim le t’i referohemi poezisë me titull “Emri”, e cila sinkronizon lexuesin me peripecitë e emrit dhe të mbiemrit të poetit. Në sistemimin e koncepteve metaforike të kësaj poezie shpaloset gjuha metaforike e natyrës konceptuale, tërësia e vlerave më të përgjithshme e më të qenësishme që përbëjnë identitetin e poetit, i cili i sheh ato si fenomene abstrakte duke poetizuar: “Pas lindjes më varën në qafë dy rrokje”. Leximi deri në fund i poezisë na ndihmon të kuptojmë forcën dhe rrezikshmërinë e gjuhës kur ajo përgjithësohet mendërisht e aplikohet praktikisht në vetëdijen e poetit si nocion sa krenarie aq edhe frike. Aforementuar në konsideratat linguistike dhe epistemologjike ndarja në rrokje e emrit nënvizon të prera të padukshme, plagë që nuk mund të qëndrojnë jashtë trajtimit të Luzajt, jashtë modernizmit dhe anakronizmit të botës reale si pjesë të analizimit të tij autorial.

Jo shumë larg hijeve të këtij shqetësimi omniprezent, shtrihen edhe metaforat në ilustrim dhe fshehje si te poezia “Me dashurinë”. Kjo poezi është pjesë e sistemi që na lejon të kemi botëkuptim të plotë të një aspekti të konceptit kundrejt një tjetri, ku Luzaj dashje pa dashje herë jep e herë fsheh disa aspekte të konceptit: “Me gjak Kanine jam gatuar / Me shpirt vlonjat, / nga Uji i Ftohtë / Dy kontinente kam afruar / Me urën më të gjatë në botë“. Kjo metodë metaforizmi është shumë e rëndësishme në poezi të tilla, sepse na sugjeron ta devijojmë përqendrimin në aspektet akoma më të thella të cilat në dukje nuk janë në përputhje të plotë me multitutën e problemeve të ngritura por që në realitet përbëjnë tabanin e poezisë.

Këto soj metaforash që në esencë janë edhe orientuese mbrujnë efektin e vete edhe te poezitë me karakter alegorik siç është midis tjerash edhe poezia “Kryqëzim”. Natyrisht këtu kemi të bëjmë me një situatë ku një koncept është i strukturuar haptazi në akord me tjetrin: “Brenda meje kryqëzohet qyteti dhe fshati / Dy paterica më mbajnë në këmbë”. Këto metafora orientuese që shumica prej tyre në poezinë e Luzajt nuk kanë të bëjë me hapësirë orientuese gjeografike japin shpjegime të vyera se si trupat tanë mbijetojnë kështu si mbijetojnë në ambientin fizik të gjërave. Pavarësisht se këta metafora nuk janë arbitrare, midis tyre ekziston një konsensus në lidhje me arsyet se pse poeti ndjehet i kryqëzuar në botën e vet. Dhe ky kryqëzim është metaforik ndihmon në përpjekjet e poetit për të dhënë jo një qartësi personale por më tepër një koherencë kulturore të realitetit. Shumica e vlerave fondamentale të kulturës do të bëhet koherente me strukturën metaforike të shumicës se elementeve bazë vërtetësisë së kohës për të cilën shkruan. Fakti se cilave vlera apo shqetësime ai u jepet prioritet është pjesërisht esencë e një grupi social brenda kulturës kombëtare që ka si karakteristikë kryesore rëndësinë e sjelljes dhe besimet ndaj njerëzve brendapërbrenda formimeve të tyre personale dhe ndikimeve që ato kanë kundrejt njeriut shqiptar.

Si rezultat i ballafaqimit me këto ndikime, në Kasollja e internimit, Luzaj na jepet si një dëshmitar i transformimeve filozofike të kohës. Këndvështrimi i përvojave të tij personale na lejon që, si lexues, të bëhemi pjesë specifike e secilës variencë dhe t’i trajtojmë konkluzionet tona si pjesë të dallueshme njësish apo substancash që plotësojnë hapësirat e mundshme të arsyes dhe domethënieve të tyre. Poezia “Trëndafili” është ilustrimi më i saktë i kësaj energjie që poeti e fiton nga subjekti i tij, një trëndafil i thjeshtë që pas “Shtërzimit të parë djersiti” e “Nga turpi petalet të gjakta i ka”. Ky personifikim metaforik merr jetë në shumë poezi të Luzajt. Duke gjykuar nga lirshmëria me të cilën i manipulon objektet, krijojmë bindjen se personifikimi si mekanizëm poetik, ku një objekt fizik është i specifikuar më tej sikur të jetë një njeri, janë një nga pjesët e të shkruarit poezi që pëlqen me shumë. Me këtë ai na ndihmon të përfytyrojmë në mënyrë të qartë një sërë firencash me njësi që nuk janë humane në kuptimin e motivimit, karakteristikave, dhe aktiviteteve. Por duhet thënë se personifikimi nuk është një proces i përgjithshëm por i unifikuar në librin Kasollja e internimit. Luzaj tregohet shumë i kujdesshëm si poet kur u jap kualitete humane gjerave që nuk asfencojnë në produktivitetin e tyre natyral apo funksionues në të mirë të njerezimit. Poezia “Vite të zemëruara” është një barometër i besueshëm pasqyrimin e kufijve që poti i vë vetes në këtë drejtim.

Një kufizim i tillë ka efekte pozitive. Pa të ai nuk do i linte hapësirën e duhur metonimisë në poezinë e tij. Ndryshe, poezia “Tepelena” nuk do e kishte aq gjysmën esensacionalitetit që ka. Në ketë poezi nuk matet shkëmbi me tepelenasit por tepelenasit me shkëmbin. Ata nuk e shfryjnë dufin nën kala, duke lënë Vjosën ta bëjnë një gjë të tillë. Këto janë disa manovrime poetike që Luzaj i aplikon me mjeshtri në varg, por që për shumë poetë gjenden jashtë mundësisë së rasatizimit të plotë. Gjithsesi metonimitë nuk janë të rastësishme në poezinë e tij, ato formojnë efekte ekfrastike në kuptimin alegorik.Aktivitet i diskurseve të paradigmës së fizionomisë së ligjeve të natyrës u japin përgjigje pyetjeve skeptike dhe relativizmit shoqëror duke përkufizuar në mënyrë të qartë termat morale që janë pjesë të pandara të jetës së tepelenasve.

Disa nga shprehjet linguistike që reflektojnë gdhendjen e metaforave të Luzajt luajnë rolin e tyre të caktuar në poezitë si në ato “Shtylla” dhe “Rrugët”. Teoritë standarde të domethënies supozojnë që të gjitha mendimet e ndërlikuara mund të analizohen në shkallën më të mundshme të ndarjeve të origjinalitetit. Këto ndarje mund të konsiderohen si pjesë përbërëse të domethënies që tentojnë të japin. Një nga gjërat më të rëndësishme që duhet të mbajmë në mendje rreth metaforave në poezinë e Luzajt është roli dhe qëllimi i tyre. Një strukture metaforike e poetizimit, thuaj strategjia e paraqitjes së argumenteve për metaforat e udhëtimit të tij me aeroplan drejt Çikagos, na lejon të vëmë nën kontroll një pjesë të perceptimit të poetit si shkëputje nga zona ku ai ndjehet i qetë në vetvete. Kështu metafora bëhet funksionale sepse i përshtatet një qëllimi të caktuar, më së shumti, në formimin e një botëkuptimi më të plotë të një aspekti të udhëtimit të tija nga vendlindja për në vendbanim. Kështu pra, kur poezia me titull “Qiellit” shpalosh dy lloj metafora, ato u shërbejnë dy qëllimeve të caktuar dhe kemi të bëjmë me një palosje shtresash që e dyfishojnë jo vetëm rëndësinë e idesë por edhe provat me të cilat mbështeten ato. Poetit i afrohet Çikagoja gjatë kohës që ai është në qiell, vjen tek ai, ne vend qe te ndodhi e kunderta, normalja; afrimi i tij drejt qytetit.

Kjo tregon se metaforat e Luzajt nuk jane vetem nje insentiv shtese për të parë realitetin, por mund ketë fuqinë për ta përkufizuar atë në një mënyrë të re dhe me efektivitet. Ato luajnë një rol qendror në konstruktin e realitetit social dhe politik te kohes. Fjala “vertetesi” eshte kyce ne kete mes. Luzaj mund te luaje rolin e nje qiriu per filozofet bashkekohore, te cilet e shohin vertetesine vetem si nje bashkim elementesh reale dhe objektive. Por une do te shkoja me tej duke i shtuar perberjes se saj me nuanca shprehese e imagjinuese pa ngritur pyetjen ne se ato jane te verteta ao krijesa subjektive. E verteta ne poezine e Luzajt eshte e vertete pa nevojen per t’u paraqitur si dicka objektive, dikca absolute. Poezite e tij nuk e japin të vërtetën në mënyrë drejtperdrejte por, nëpërmes mekanizmave shtesë që që thelb kanë dukuri oksimorone: “Rrugët të gjata, të ngrohta. / Mbi to, sy e zemra të ftohta” (Rrugët). Në këto dy vargje metafora e ka të vërtetën brenda aq sa ç’e ka e vërteta metaforën brenda. Këtu për Luzajn e vërteta është e bazuar në botëkuptim dhe gjithmonë relative tek domethëniet e perceptimeve—që edhe ato sipas natyrës janë metaforike.

Aq më teper ne poezi të tilla si “Sirena në Ujin e Ftohtë” ku bukuria dhe miti, lakmia dhe realiteti përbëjnë bazamentet artistike të metaforës si elemente bazë të poezisë. Që ta kuptojmë poezinë e Luzajt në thellësi, ne duhet të jemi në dijeni se sa delikate dhe e komplikuar është lidhja mes gjuhës dhe të gjitha komponenteve të tjera që përdor poeti si pjesë shprehëse të ndjenjave të observimeve të tij. Ndaj ai e paraqet si të nevojshme të ndërmarrim një qëndrim të veçantë në drejtim të gjuhës, ndryshe nga qëndrimi i përditshëm, për t’u dhënë jetë në fizionominë tonë imazheve surrealiste që kompozon. Për Luzajn, natyrisht, metafora është pjesë vitale e gjuhës, por ai e sheh si veçanërisht te rëndësishme per kuptimin e plote të poezise se tij. Sepse ai i kultivon ato, i rritë, i hijeshon dhe u jep misione brenda kapacitetit funksionues që kanë ne varg.

Asgjë më pak nuk gjejmë në mjeshtërinë e Luzajt asnë gjetjen dhe përdorimin e metaforave që kanë natyrë surrealiste. Një nga poezitë më të bukura të kësaj kategorie është poezia “Vlonjatja” E gjithë poezia është një metaforë e madhe e ndarë në metafora më të vogla. Gjatë zgjatjes së saj në metabolë poezia gjeneron nocionin e një miti, ngjall kuriozitet duke i dhënë vargut dimensione të reja sa ambivalente aq edhe ambiguitet në surrealizmin e saj. Lëvizja poetike drejt surealizmit është një nga mënyrat e Luzajt për të na shkëputur nga rutina dhe për të na dhënë mundësinë të futemi në një realitet abstrakt edhe më të thellë, tek realiteti poetik i botës imagjinuese. “Gjoksin, ja qëndis trantella e shkumës së dallgëve. / Sirenë mbi shkëmb, nën kaltërsi. / Ngjala vlonjate duarve s’të ndalet. / Kripur me rërë, si kulpër në gji”. Por sic shihet, përveç imazhit të tejdukshëm dhe figuracionit ngacmues, duhet shtuar se ngjeshja gjuhësore dhe sugjerimi që gjejmë në këtë poezi nuk do e kishte forcën që ka pa ritmin e brendshem dhe muzikalitetin elokuent që ofron.

Kjo dukuri eshte pjese e faktiti se intuita dhe kultura letrare e poetit në gjithë librinKasollja e internimit funksionon në mënyrë të përkryer. Edhe kur formimi i tij si njeri, jo si poet, vihet ne dispozicion te poezise si nje element plotesues ne ndihme te argumentit qe jep, poezia paraqitet aq natyrale sa qe lexuesi nuk e dallon menjehere ate si nje nderhyrje private ne varg. Në shumicën e rasteve kjo lloj nderhyrje metaforike është e fuqizuar nga shkathtësia e analogjisë poetike dhe bashkëpunimi i saj me ndjenjën. Poezia “Nënës” shfaq një perseverancë të tillë: “Internimi ma lidhi nënën me zinxhir. / Viti ters erdh` dhe ma vrau. / Jashtë e brenda jeta nxirë. / Nga rrobat e zeza, as varri s`e ndau”.

Edhe një herë, Aristoteli, kritiku i parë letrar i botës perëndimore, na kujton se “nga të gjitha dhuratat e domosdoshme për një poet, dhurata e metaforës është më e rëndësishmja.” Për Dalan Luzajn hapësira metaforike nënvizon njëtrajtësinë, e cila është qendrore në shëtitjen e tij nga metafizika, politika, historia e deri tek gjendja sociale e personale brenda humanizmit.

Fakti qe Kasollja e internimit është nje nga librat me te mire qe kam lexuar keto vitet e fundit, nuk perben cudi. Çudia qëndron te madhështia e Luzajt si poet; si erdhi edhe si mbijetoi në letërsinë shqipe. Aq me teper ku ai u formua si poet në një kohë kur, në momentin e shkruarjes së një poezie Elioti shkëputej nga personaliteti i tij, Keats argëtonte idenë se duhet të mbushte një trup tjetër me frymëzimin qe kishte, Yeats parashikonte nocionin e fshehjes pas një maske, Auden preferonte shndërrimin në një njeri tjetër, Valèry praktikonte të vinte një vet-superioritet mbi veten. Ndërsa Luzaj, Luzaj debatonte me veten nëse do të ishte më pak e rrezikshme për jetën e tij të fshihte poezinë brenda vetes apo veten brenda poezisë kur shkruante në internim.


Mirë se vini te Kasollja e internimit Kapaku_i_librit_Kasollja_Internimit

Mirë se vini te Kasollja e internimit Kopertina_e_librit_dalan_luzaj
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi