Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Porosia e Krishtlindjes 2010

Shko poshtë

Porosia e Krishtlindjes 2010 Empty Porosia e Krishtlindjes 2010

Mesazh nga Agim Gashi Sat Dec 25, 2010 1:45 pm


Porosia e Krishtlindjes 2010



Porosia e Krishtlindjes 2010 Dode-gjergji

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, me rastin e Krishtlindjes 2010 ka dërguar këtë porosi:

“Ky dhjetor ishte muaji i pritjeve të shumëfishta: fëmijët pritnin, që, edhe kësaj here, t’iu sillte plaku i Krishtlindjes ndonjë dhuratë, pensionistët dhe familjet në nevojë pritnin ndonjë përkrahje sociale, punëtorët pritnin t’iu rritej paga, partitë politike që të fitonin pushtetin, ndërsa Kosova jonë vazhdon të jetë në pritje që të ketë njerëz të aftë, të drejtë, të ndershëm dhe të përgjegjshëm për ta udhëhequr vendin. Në gjithë këtë vorbull ankthi dhe shprese, ne të krishterët jetuam në pritje të ardhjes së Zotit ndër ne, përderisa përgatiteshim për ta kremtuar festën e përvjetshme të Kërshëndellave; e sot, me kënaqësi, dëshirojmë të bashkëndajmë me të gjithë njerëzit vullnetmirë, ndjenjën e gëzimit dhe të shpresës që sjell lindja e Jezu Krishtit Zot në jetën tonë.

Nga të dhënat biblike mësojmë se lindja e Jezusit ndodhi në një përiudhë të paqartë historike dhe në një kohë të turbullt politike siç ishte regjistrimi i popullatës, gjë kjo që e detyronte Jozefin e Marinë të dilnin nga shtëpia e tyre dhe të shkonin në Betlehem, nën presionin e rëndë të situatës familjare, kur Jozefi duhej të kujdesej për të fejuarën e tij, Marinë, e cila priste të lindte një foshnje që nuk ishte fëmija i tij. Mbi të gjitha, situatën e këtij çifti të ri, të Jozefit e Marisë, e vështirësonte udhëtimi i gjatë, terri i natës, mungesa e bujtinës, gjërat më të domosdoshme për foshnjën dhe acari i dimrit në shpellë të Betlehemit.

Kur shqyrtohen të gjitha këto vështirësi, vetvetiu lind pyetja: Si është e mundur? Aq më tepër, kjo pyetje përsëritet, kur i shtohet dëshmia biblike se Jezusi, i lindur nga Maria, është zënë me ndërmjetësinë e Shpirtit Shenjt, se Ai është Fjala e Hyjit e mishëruar në kraharorin e saj, se Ai do të jetë Shëlbuesi i botës, Krishti Zot, i cili do t’i falë mëkatet tona dhe do të na pajtojë përgjithmonë me Hyjin dhe me njëri-tjetrin.

Hijet e dyshimit mbi këtë të vërtetë biblike vijnë nga krenaria dhe egoizmi njerëzor, mbi të cilin ne duam të hedhim dritë me shembull jete, duke vepruar me dashurinë e të bijëve të Hyjit, në dobi të të tjerëve. Me anë të veprës me dashuri dhe shërbimit të përvuajtur, po ashtu dëshmojmë se: Dashuria e paskajshme e Tij, e treguar ndaj nesh në Fjalën e mishëruar, nuk mund të kapet me mendjen e kufizuar njerëzore, por një gjë e tillë mund të kuptohet vetëm me fe dhe të pranohet me besim. Kjo dëshmi e përvojës personale me Zotin e paqes dhe të dashurisë, na zbulon se Ai nuk tregohet i fortë, kërcënues, hakmarrës dhe nuk na frikëson, por na fton t’i bindemi në dashuri, sepse Ai është i butë, i përvuajtur dhe i mëshirshëm në trajtën e Foshnjes.

Kjo përvojë e bashkëjetesës me Zotin në fe, që na dhurohet nga Ai, si dhe në besim që buron nga thellësia e zemrës sonë, na bën të aftë ta duam Zotin mbi gjithçka, dhe të afërmin porsi vetveten, të mos i trembemi më vdekjes, por t’i gëzohemi jetës, të mos kemi frikë nga ata që na shajnë, na sulmojnë dhe na shpifin, por duhet të jemi të bijtë e pafajësisë dhe pronë e të vërtetës. Si në të kaluarën, ashtu edhe sot, nuk duhet të plogështohemi kur lypet marrë mbi supe vuajtjet në padrejtësi dhe përgjegjësitë që bartin në vete flijime dhe përbuzje, sepse në çdo rrethanë të jetës Ai na vjen në ndihëm dhe i thotë zemrës tonë: Mos ki frikë!

Vëllezër e motra, festa e Krishtlindjes është moment hareje dhe gëzimi, por njëkohësisht edhe dëshmi, se Zoti ka hyrë në historinë njerëzore dhe na shoqëron në udhëtimin tonë jetësor kah amshimi. Në këtë përvojë të ecjes së bashku me Zotin, Kisha jonë në Kosovë, me afsh të zemrës dëshiron ta ftojë shoqërinë:

• Të jetë më e kujdesshme për njerëzit në nevojë, të cilët nuk duhet harruar as atëherë kur lypset duresë dhe sakrificë për çështje madhore dhe për ruajtjen e vlerave të përbashkëta. E gjithë kjo, duhet të bie mbi supet e drejtuesve të pasurive tona kombëtare dhe mbi përdoruesit e të mirave tokësore dhe assesi jo mbi të mjerët, të varfërit apo mbi ata që kanë nevojë për kujdesin tonë shoqëror, dhe as mbi ata që kanë kontribuar gjatë gjithë jetës së tyre për të mirat që ne i gëzojmë sot.

• Ta ketë zemrën e drejtuar kah qielli, derisa ec mbi tokë, sepse vetëm kështu do të mund të rrugëtojmë së bashku me të tjerët drejt gjetjes së thesarit të humbur, që është bashkëjetesa në paqe me të gjithë njerëzit në këtë nën-qiell. Individë apo popuj, që angazhohen për të gjetur të mirën e përbashkët, duhet të bëjnë dialog të sinqertë me njëri-tjetrin dhe të kenë synime të qarta, që të mos jetë në dëm të askujt.

• Jo vetëm shoqëria, por edhe secili prej nesh, është i ftuar t’i vërë në shërbim kapacitetet shpirtërore dhe intelektuale, si dhe pasuritë që i kemi në dobi të të gjithëve.

Derisa Ju marr ngryk me duart e njoma të Krishtit foshnje, uroj që të gjithë ta ndiejnë aromën e këndshme të kësaj Dashurie hyjnore, që Ju mbush me shpresë. E ai që përjeton gëzim në zemër, nëse do, mund të bëhet ‘krijesë e re’!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi