Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Poezi nga Beqir MUSLIU

Shko poshtë

Poezi nga Beqir MUSLIU Empty Poezi nga Beqir MUSLIU

Mesazh nga Agim Gashi Wed Feb 02, 2011 10:07 pm

Poezi nga Beqir MUSLIU 168689_184795561554321_100000716346990_492957_30932_n

Poezi nga Beqir MUSLIU


BARIU I DEÇANIT
(Frymëzim nga pikturat e Ibrahim Kodrës
komponuar në Deçan, verë e vitit 1969)


Ngutu, nëpër atë urtësi të drurit, shtegtar i lodhur
në fundin e përrallës që nuk është më përrallë
- druri e hëngër bariun me fyell në dorë
që ngarendte kah ato kope të çetuara përtej ditës
kurse peizazhi që po krijohet nga gjethi i mbetur
prej vjeshtës së vjetme u shndërrua tanimë në zjarr!
Vraponi, o fëmijë, që po luani me pyllin
që ndezej nëpër atë përrallë
që nuk është më përrallë, por – vetëm heshtje që e krijoi
atë njeri që e hëngrën urtësitë e drurit dhe pylltari
që u ngul në pushkën e vet për nder
të trëndafilit që do të lulëzojë
Shtegtarë, në majë të ditës shkoi poeti për t`u varur!
Duhet të ndërrohet kjo ditë vetëm brenda kësaj kënge!

*
E sollën një piktor në ditën që u shndërrua në një mollë
tani fëmijët e padjallëzuar ngarendin që ta grimcojnë
si planetin, si ëndrrën, si fëmijërinë e tyre që merr
edhe atë paqe që e ruajnë nën gishta; dhe shkelin tokën
edhe këtë pikturë të verës që bariu me fyell në dorë e kërkon
ndër përralla e përralla atë Qytet ku do të dalë
i barazuar me atë magji që e pa njëherë gjersa u shikua
me diellin e varur nëpër shuplakat e pishave
ndërsa legjenda e mbylli prapa kapakëve të librit të vet:
Shtegtar, ngutu e shpëtoje atë dru që e hëngër bariun
i cili po përkundet në qetësinë e barit që po zhduket
në peizazhin që do të zgjohet në një dorë magjike
dhe do t`i mbyllë të gjithë rrathët që do ta shkurtojnë
atë fantazi të butë që po endet nëpër drunjtë e gjallë
e ndoshta ajo do ta shpëtojë bariun e ëndërruar të verës!
Dita po e grimcon atë kokërr mollë në dorën e fëmijës!

*
Ku mbeti Nusja e Deçanit që fliste për engjujt e zinj
që thoshte se krejt pishat mund t`i përbironte
nëpër gishtat e saj që i bleroheshin
sa çel e mbyll sytë: ah, cili është ai dhëndër në rroba
të gjetheve që do të bien në natën e gjerdekut të saj
cila është ajo kullë që do t`ua hapë dyert udhëtarëve të humbur
Në majë të pishës dielli përgatit lojën e vet
o kush foli aq shumë për magjinë e trilluar
e cila zogun e zuri fjetur në verën e dashur që i zhdukej
bashkë me ëndrrën që ndërtonte çerdhen në syrin-magji
pra: do të ndërtohet kjo kullë ai zog ajo dashuri – sa çel
e mbyll sytë: o ku mbeti ai dru që e hëngri
Bariun e Deçanit që rrinte dhe fliste vetëm me gjuhën
e magjisë me gjuhën e zogut në një vizatim që e harroi
dita në Blokun e Ibrahim Kodrës
Ai dhëndër në rroba gjethesh po kthehet në vjeshtë!

*
Zogu që foli për ditën e sharruar në atë magji
Hapi tëra dyert e ditës: piktorin po e ndëshkon syri i tij!
që e krijuan ngjyrat gjersa i përshkoi
prapa dyerve të ditës: o në cilën ujëvarë u mbytën thneglat
në Bistricë ndoshta do t`ia gjejnë emrin edhe kësaj luleje
dhe këtij fyelli që rastësisht hyri në këtë Blok të ditës
ku me siguri do të krenohet ai bari me vizatimin e syrit të tij
që shkon edhe përtej bjeshkës që na pengon edhe ne
të shikohemi edhe për atë fyell që me të i zgjon barërat
e fjetura të kohës dhe dashurisë së balsamosur ndër kohë
dhe për atë gjuhë që cicëron aq bukur dhe aq ëmbël –
si bilbilat që kanë mbetur në mesditën e murrme të heshtur
Por: cili do të shkruajë këngën apo baladën për atë dru
të urtë që hëngër bariun me fyell në dorë s`di në cilin qytet e pyll
Shtegtarë, ngarendni dhe kërkojeni në këtë vizatim të ditës!


Botuar në “Zëri i rinisë”, nr. 29, 11 tetor 1969




BEQIR MUSLIU (1945 – 1996)

Beqir Musliu u lind më 11.VI.1945 në Gjilan. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Studioi Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.
B. Musliu një kohë të gjatë punoi gazetar e redaktor i rubrikës së kulturës i revistës „Zëri i rinisë“, redaktor përgjegjës i revistës letrare „Plejada“, pastaj redaktor i të përdyjavshmes për kulturë, art e letërsi „Fjala“ dhe së fundi i të përdymuajshmes letare „Jeta e re“.
B. Musliu vdiq më 24.VI.1996 në Prishtinë dhe u varros të nesërmen në Gjilan.

B. Musliu ka shkruar poezi, prozë, dramë; është marrë me kritikë latrare, teatrore dhe me eseistikë e publicistikë të një spektri të gjerë. Pjesë të ndryshme nga vepra letrare e tij janë botuar ndër antologji e forma të tjera të paraqitjes, sidomos të inskenuara në teatër apo të transmetuara në radio e televizion. Këtu po veçoj librin e zgjedhur të poezisë: „Libri i Anatemave“ („Rilindja“, Prishtinë, 1987).
Poashtu pjesë nga vepra letrare e B. Musliut janë përkthyer në gjuhë të ndryshme: serbokroatisht, frëngjisht, anglisht, spanjisht, italisht, arabisht, gjermanisht, hungarisht, rumanisht, turqisht, sllovakisht etj. në ç`mes duhet përmendur librin e përkthyer serbokroatish nga Mirko Gashi: „Drvene ruže “(„Jedinstvo“, Prishtinë, 1974).


Beqir Musliu ka botuar librat:

poezi:
1. „Rima të shqetësuara“ („Jeta e re“, Prishtinë, 1965)
2. „Lulëkuqet e gjakut“ („Rilindja“, Prishtinë, 1966)
3. „Skënderbeu ose shqiponja e maleve“ - kurorë sonetesh („Jeta e re“, Prishtinë, 1968)
4. „Bukuria e zezë“ („Rilindja“, Prishtinë, 1968)
5. „Sezamet“ („Rilindja“, Prishtinë, 1972)
6. „Parabola“ („Rilindja“, Prishtinë, 1976)
7. „Darka e magjisë“ („Rilindja“, Prishtinë, 1978)
8. „Skënderbeu“ – poemë („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
9. „Orfeiana“ – Shtatë Libra Anatema - („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
1. Metafizika e Sfidimit
2. Mandragora
3. Klepsidra e Magjisë
4. Martirium
5. Magna Karta
6. Ekzodus
7. Kodeksi i Argasit


prozë:

1. „Vegullia“ - roman („Rilindja“, Prishtinë, 1979)
2. „Mbledhësit e purpurit“ - roman („Rilindja“, Prishtinë, 1982)
3. „Kori i gjelave të vdekur“ - tregime („Dukagjini“, Pejë, 2002)
4. „Makthi“ - roman („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
5. „Amullia“ - roman („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
6. „Krupa“ - roman („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
7. „Skërluta“ - roman („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
8. „Ndeshtrasha“ - roman („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)

dramë:


I. „Shtrigani i Gjel-Hanit“ – libër-teatër, tetralogji („Rilindja“, Prishtinë, 1989):
1. Unë Halil Garria
2. Faustiana
3. Ora e Kukuvajkës
4. Panari i Gjilanit
II „Rrakullima“ – teatër-libër, tetraptik („Flaka e vëllazërimit“, Shkup, 1990):
1. Murana
2. Kori i Korbave
3. Familja e Shenjtë
4. Antifona


Zgjodhi e përgatiti: Shaip Beqiri

_______________
P.S.
Poezia eshte e organizuar ndryshe grafikisht, por ne FB nuk mundem ti publikojme si ne orgjinal.



FALENDERIM

Falenderojme poetin Shaip Beqiri qe solli ne sofer poezine dhe biografine e krijuesit Beqir Musliu. Njeherit e falenderojme edhe per KETE foto te B. Musliut, qe fale mikut Shaip Beqiri, publikohet per here te pare ne "Sofra poetike".

Haxhi Muhaxheri
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi