Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Hivzi Islami:Përjashtimi i diasporës nga regjistrimi i popullsisë

Shko poshtë

Hivzi Islami:Përjashtimi i diasporës nga regjistrimi i popullsisë Empty Hivzi Islami:Përjashtimi i diasporës nga regjistrimi i popullsisë

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 08, 2011 9:32 pm


Hivzi Islami:Përjashtimi i diasporës nga regjistrimi i popullsisë


Hivzi Islami:Përjashtimi i diasporës nga regjistrimi i popullsisë Hivzi%20Islami
Akademik Hivzi ISLAMI
Faktori institucional kosovar dëmton rëndë diasporën dhe Kosovën


Nevoja për njohjen e realitetit demografik, social, ekonomik dhe politik të Kosovës pas luftës u bë më se e domosdoshme jo vetëm pse nuk kishte pasur regjistrim të popullsisë që nga viti 1981, por pse lufta e viteve 1998-1999 e kishte ndryshuar radikalisht gjendjen në terren, duke sjellë pasoja të mëdha të drejtpërdrejta dhe indirekte demografike dhe socioekonomike (shpërnguljet dhe deportimet, vrasjet, shkatërrimet e shtëpive dhe dëmet e tjera materiale, zhdukja e dokumentacionit, emigrimet në botën e jashtme, ridistribuimi i madh i popullatës brenda Kosovës etj.). Mirëpo, dolën disa pengesa në organizimin dhe realizimin e regjistrimit të popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave, nga mungesa e infrastrukturës ligjore dhe e kapaciteteve profesionale, menaxhuese e teknike të Entit Statistikor të Kosovës e deri te paaftësia e neglizhenca e institucioneve (të përkohshme) të Kosovës dhe interferimet politike të Serbisë zyrtare dhe faktorit ndërkombëtar, që i pranonte pa rezervë kërkesat e Beogradit.

Të theksojmë se operacionet që lidhen me dukuritë masive, por ku vendos individi, siç janë zgjedhjet, regjistrimi civil, regjistrimi i popullsisë etj. kërkojnë angazhim të veçantë dhe punë sistematike. Thirrjet për t’iu përgjigjur këtyre operacioneve japin pak rezultate nëse nuk përgatiten mirë profesionalisht dhe nuk krijohen rrethana përkatëse shoqërore dhe psikologjike te qytetarët që të kenë besim në institucionet e shtetit të vet. Këta 5-6 muajtë e fundit, institucionet qendrore të Kosovës nuk janë preokupuar fare me këtë projekt. Regjistrimi i popullsisë në Kosovë i prillit të këtij viti, mbetet mjaft kompleks edhe për faktin se krejt angazhimet e instancave pushtetore dhe politike ishin përqëndruar te zgjedhjet, ndërsa dy operacione masive nuk mund të realizohen me sukses brenda një harku të shkurtër kohor; data e regjistrimit ishte caktuar në kohën kur tashmë dihej se zgjedhjet do të mbaheshin. Imponimet këtu, përfshirë masat ligjore apo administrative për ata qytetarë që nuk i përgjigjen operacionit të regjistrimit, e aq më tepër imponimet nga jashtë, në asnjë mënyrë nuk japin rezultate.

Ligji për regjistrimin me defekte serioze

Vetëm në korrik të vitit 2004 Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për regjistrimin e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave, që ishte kryesisht një kopje mekanike e Ligjit të INSTAT-it të Shqipërisë, ndërsa administratori ndërkombëtar, pas disa ndërhyrjeve, e nënshkroi në dhjetor të këtij viti. Në tetor të vitit 2010 Kuvendi i Kosovës, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës (neni 65, alinea 1) miratoi Ligjin për regjistrimin e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave. Në këtë Ligj ka mjaft mangësi, ndër të cilat veçohet problemi i koncepcionit dhe zbatimi i tij i diferencuar “tinëzisht” në baza etnike. Në këtë ligj nuk e gjejmë edhe regjistrimin provues, i cili është kusht për realizimin e suksesshëm të regjistrimit të përgjithshëm. Nëse dështon regjistrimi i përgjithshëm i paralajmëruar, siç ndodhi disa herë nga 2004-2010, atëherë në përpjekje pë të mbajtur regjistrimin tjetër, nuk do të ketë mbështetje ligjore regjistrimi provues. Dihet se nga viti 2005 deri në vitin 2009 janë mbajtur tri regjistrime provuese, me një kosto jo të vogël financiare. Dihet gjithashtu se materialet e këtyre regjistrimeve as që janë analizuar, prandaj nuk mund të shërbejnë si një eksperiencë për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë. Të tri këto regjistrime mjerisht janë të dështuara.

Përfshirja e regjistrimit provues në ligj të paktën e obligon institucionin kompetent të statistikave shoqërore, Entin Staistikor të Kosovës dhe veçanërisht Zyrën e Regjistrimit të Popullsisë pranë tij, që të bëjë analizën e dokumentacionit të mbledhur, në mënyrë që gabimet eventuale të zvogëlohen në minimum gjatë procesit të regjistrimit të përgjithshëm. Nëse është vepruar kështu me tri regjistrimet provuese, në rrethanat e një pushteti pa përgjegjësi dhe pa vizion për zhvillimin e vendit, ekziston rreziku që të njëjtin fat ta ketë edhe regjistrimi i përgjithshëm i prillit 2011.

Paaftësia e Zyrës së regjistrimit

Suksesi i regjistrimit të përgjithshëm, që matet me dimensionin gjithëpërfshirës dhe cilësor, është në pikëpyetje edhe për arsye se as për 10 vjet nuk është menduar për ndërtimin e kapaciteteve profesionale e menaxhuese dhe shkollimin e kuadrove; Enti ka mbetur vetëm me një statistikan të shkolluar! Në këtë regjistrim, problem në vete mbetet Zyra e Regjistrimit të Popullsisë dhe e udhëheqësit të saj, i cili nuk posedon asfarë aftësie menaxhuese dhe profesionale, me mungësë njohurie dhe për operacionin më elementar, nxjerrjen e përqindjeve, por me mbështetje të fuqishme politike! Pikërisht këtu, në mënyrën më të pashembullt, e gjejmë dukurinë e nepotizmit dhe projekti i shtrenjtë dhe i komplikuar del nga terreni profesional dhe rrëshqet në terrenin familjar e klanor dhe rrjedhimisht në rrafshin financiarisht profitabël! Dorëheqja e u. d. të drejtorit të Entit Statistikor këto ditë është dëshmi e qartë dhe argument më tepër se suksesi i këtij regjistrimi vëhet në pikëpyetje.

Regjistrimi i popullsisë është komponent shtëtëror dhe, për të qenë institucionet e Kosovës më autonome në të gjitha fazat e operacionit, mjetet do të duhej të ishin në mos krejtësisht, bile kryesisht vetanake, ndërsa nga 11 milionë euro sa parashihet të jetë kostoja e projektit 7 milionë janë donacione! Donacionet janë të mirëseardhura, por nuk duhet lejuar që të jenë dhe imponuese në çështjet thelbësore të Kosovës. Në rastin e regjistrimit, koncepcioni është përzgjedhur nga të huajt, kurse pyetësorët dhe materiali tjetër janë përgatitur poashtu nga ata dhe në shqip janë një përkthim mekanik, më plot gabime gjuhësore e kuptimore!

Koncepcioni e dëmton diasporën

Meqenëse lëndimi i popullatës shumicë dhe veçanërisht i diasporës së saj vjen nga lloji i koncepcionit në bazë të të cilit realizohet regjistrimi, po nisemi nga versioni final i Ligjit për Regjistrimin. Te neni 3 (përkufizimet) shpjegohet nocioni ”Popullsi rezidente” (alinea 1.1) dhe thuhet: ”Popullsi rezidente – individët që kanë jetuar për një periudhë kohore të vazhdueshme në vendbanimin e tyre të zakonshëm më shumë se dymbdhjetë (12) muaj para ditës së regjistrimit, ose kanë arritur në atë vendbanim gjatë dymbëdhjetë (12) muajve para ditës së regjistrimit me qëllim që të qëndrojnë aty më gjatë se një (1) vit. Personat të cilët përkohësisht mungojnë për një periudhë të shkurtër prej vendit të tyre rezident nga vendi i zakonshëm i banimit, për një periudhë më pak se dymbëdhjetë (12) muaj, për arsye të ndryshme, si: punësimi, studimi, udhëtimit, shërimit apo shkollimit, duhet të përfshihen në regjistrim, respektivisht në popullsinë rezidente”. Sipas këtij neni, regjistrimi bëhet sipas koncepcionit të popullsisë së pranishme (population présente), që do të thotë se të gjithë personat që nuk janë në Kosovë mbi 12 muaj, nuk përfshihen në popullsinë e përgjithshme. Pra diaspora jonë, jo pacialisht, por në tërësinë e saj përjashtohet nga regjistrimi! Përmbajtja e këtij neni, megjithatë, është e mjegulluar deri në atë masë sa që një numër tepër i vogël i parlamentarëve ka mundur ta kuptoj me rastin e miratimit të ligjit!

Lista suplementare – ofendim i rëndë për diasporën

Lëndimi më i madh që i bëhet diasporës, përmes një mashtrimi e hipokrizie, është e ashtuquajtura ”Listë suplementare” (Formulari S1), e futur edhe në Ligjin për Regjistrimin. Në nenin 3 (alinea 1.2) thuhet: ”Lista suplementare – listën ku regjistrohen popullsia e Kosovës, që nuk konsiderohen si popullsi rezidente e Kosovës, por që janë qytetarë të Kosovës dhe për të cilët vet personi ose familjari jep të hënat për ta me rastin e regjistrimit” (vëreni gabimet: ...ku konsiderohen popullsia...që nuk konsiderohen si popullsi...!). Për përjashtimin e diasporës nga procesi i regjistrimit si popullsi e përgjithshme e Kosovës, përveç Ministrisë së Administratës Publike dhe Entit Statistikor të Kosovës, përgjegjësi bartin në radhë të parë Kuvendi i Kosovës me trupat e tij, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Departamenti për Çështje Jorezidente pranë Kryeministrisë; vetë nocioni i mjegulluar “Jorezidente” dhe evitimi i kategorive “bashkatdhetarë” ose “diasporë”, me gjithë kompleksitetin e tyre, tregon se është fjala për injorimin e diasporës në të drejtat më elementare njerëzore, në votime (e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur), në regjistrimin civil dhe në regjistrimin e popullsisë!

Argumentet shkencore për përfshirjen e diasporës në regjistrim

Kosova është vendi me specifika më të mëdha demografike në Evropë, veçanërisht sa i përket shkaqeve të shpërnguljes dhe deportimit të popullatës shqiptare në fund të shek. XX, çfarë janë dhuna policore, ushtarake, politike, ekonomike dhe ndjekja dhe shpërngulja sistematike e shqiptarëve me masa të ndryshme të presionit deri te ndërmarrjet gjenocidale me qëllim të zvogëlimit të numrit të tyre. Në instancë të fundit, këto arsye dhe e detyruan forcën më të madhe ushtarake në botë (NATO) të intervenojë kundër forcave serbe në mars të vitit 1999, duke i shporrur na Kosova.

Kosova rast sui generis edhe në planin statistiko-demografik

Zhvillimet e zëna në gojë, por edhe të tjerat e bëjnë edhe regjistrimin e popullsisë në Kosovë të veçantë dhe të pakrahasueshëm me vendet tjera të rajonit dhe të Ervropës. Instancat ndërkombëtare, në emër të disa normave, tashmë standarde, për regjistrimin e popullsisë, të pranueshme në situatat e tyre, dëshirojnë të imponojnë kritere që nuk përkojnë me realitetin kosovaro-shqiptar. Në qoftë se shteti ynë më i ri në botë është pranuar nga institucionet vendimarrëse evroamerikane si rast sui generis në planin politiko-juridik, pse të mos konsiderohet i tillë edhe në rrafshin statistiko-demografik. Lufta politike sot, bile në Ballkanin e pastabilizuar, po bëhet edhe me shifra, ku qarqe të ndryshme ndërkombëtare po përpiqen që Kosovës dhunshëm t’i japin dimension multietnik me qëllim që ta zvogëlojnë numrin e shqiptarëve dhe ta rrisin numrin e të tjerëve, para së gjithash të serbëve! Pranimi i vlerësimit se Kosova është rast sui generis edhe në segmentin statistik-demografik është në përputhje të plotë me realitetin në terren dhe të vërtetën shkencore.

Në emër të zbatimit të standardeve ndërkombëtare, nuk mund të largohemi krejtësisht nga specifikat tona, sikundër që nuk mund të pajtohemi që të eksperimentohet me Kosovën edhe në çështjen e regjistrimit të popullsisë. Me faktin se ”standardi ndërkombëtar” është një porosi, secili vend ka të drejtën e vet edhe në rregullimin e kësaj materie. Fundja, midis këtij standardi dhe të drejtës së shtetit sovran për të zgjedhur koncepcionin e regjistrimit, në rastin e veçantë të Kosovës, ka mundur të gjendej një model i pranueshëm i regjistrimit, por gjithnjë më afër kriterit tradicional e të vërtetës shkencore dhe në dobi të Kosovës dhe më larg një fiksioni.

Pushtetarët tanë, që në çdo situatë janë inferiorë ndaj të huajve, në një moment u ”trimëruan” dhe kundërshtuan, por vetëm në rastin e marrjes së pushtetit! Numri dy i partisë në pushtet, E. Hoxhaj, më 13 janar 2011 tha se ”zgjedhjet janë kryekput çështje e brendshme e Kosovës”, duke injoruar këtu edhe OSBE-në, ose, në paralajmërimin e ICO-së se do ta anulojë vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave, njeriu tjetër, poashtu numër dy i partisë në pushtet, H. Kuçi, më 2 shkurt 2011, deklaroi: ”Le ta harrojë dikush që në Kosovë mund të shfuqizohen vendimet e institucioneve legjitime të pavarura”. Nëse instancat politike në luftën e paskrupullt për pushtet këtu dalin ”autonome”, pse të mos jenë autonome edhe në përzgjedhjen e koncepcionit të regjistrimit të popullsisë, që pasqyron realitetin etnodemografik dhe shoqëror të Kosovës dhe rjedhimisht interesin madhor të saj.

Specifikat e popullatës shqiptare

Një numër shumë i madh i shqiptarëve sot gjendet në botën e jashtme, kryesisht mbi 12 muaj, por shumë prej tyre pa status të rregulluar të qëndrimit, çfarë janë refugjatët, të zhvendosurit, azilantët, punëtorët sezonalë, të punësuarit në “të zezë”, studentët dhe kategoritë e tjera që kanë ndonjë mbrojtje të përkohshme e të pasigurtë etj., që pritet të riatdhesohen; vetëm nga Gjermania janë gati për t’u riatdhesuar mbi 12.000 kosovarë, që është edhe kusht për liberalizimin e vizave. Të dhënat për pjesëtarët e të gjitha këtyre kategorive, që përkohësisht qëndrojnë në kurbet, duhet të mblidhen gjatë regjistrimit përmes pyetësorit individual dhe jo përmes “listës suplementare” si një mashtrim ordiner. Të dhënat duhet t’i ofrojnë familjarët, të afërmit dhe fqinjët e tyre në Kosovë.

Një specifikë e veçantë te popullata shqiptare kudo që gjendet është lidhja e fuqishme emocionale e saj për truallin gjeoetnik, për pronën e paluajtshme, për shtëpinë, tokën, farefisin dhe të afërmit. Bashkatdhetarët tanë, në forma të ndryshme, në vit sjellin miliona euro në Kosovë, në vendlindjet e tyre, duke investuar në ndërtimin e shtëpive, në bujqësi, në biznese të ndryshme, i ndihmojnë familjarët dhe të afërmit e tyre me të holla dhe në mënyra të tjera. Për këto arsye ekzistojnë supozimet objektive që një numër i konsiderueshëm i punëtorëve “përkohësisht” të punësuar që nga fillimi i viteve të 70-ta të shek. XX në vendet perëndimore evropiane do të kthehet në vendin e lindjes, përkatësisht në vendin e përhershëm të banimit pasi ta përfundojnë karrierën e punës dhe të pensionohet. Këta edhe janë tashmë në përfundim të kësaj karriere. Këta persona duhet të jenë pjesë e popullatës së përgjithshme të Kosovës dhe në mbështetje të vëllimit real demografik do të përpilohen planet e zhvillimit social e urban dhe planifikimi hapësinor.



Cinizmi i ish-ministres Tahiri

Ministrja e Administratës Publike, znj. Edita Tahiri, në përballje me gazetarët rreth përfshirjes së diasporës në regjistrim, në fund të qershorit të vitit 2010, në mënyrën më cinike thoshte se bashkëatdhetarët tonë në botën e jashtme mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar, por duhet ”vetë të vijnë në shtetin e tyre dhe të regjistrohen gjatë periudhës sa do të zgjasë procesi (!), që flet për një absurd dhe mosnjohje totale të çështjes. Regjistrimi i popullsisë nuk është si operacioni i votimit në zgjedhje: në regjistrim nuk është e domosdoshme prania e personit në vendbanimin e perhershëm sikurse kur bëhet fjalë për zgjedhje, ku personi mbi 18 vjet duhet vetë ta hedhë votën, duke prezantuar dokumentin e identifikimit. Në anën tjetër, pse u themeluan bërthamat diplomatike e konzulare? Për ta afirmuar Kosovën dhe për t’i mbrojtur të drejtat dhe interesat e bashkatdhetarëve, përfshirë të drejtën e tyre për t’i marrë dokumentet e identifikimit (letërnjoftimi, pasaporta), për të votuar dhe për t’u votuar, si dhe për t’u përfshirë në procesin e regjistrimit të popullsisë. Në regjistrimin civil (përfshirja e personave mbi 16 vjet) dhe në regjistrimin votues (mbi 18 vjet), të organizuar nga OSBE-ja pas luftës, me zbatimin e kriterit “lidhja e personit me vendbanimin” dhe pengesave të tjera, të paktën rreth 300.000 shqiptarë në diasporë nuk u përfshinë në listat e votuesve në Kosovë dhe më tepër në regjistrimin civil, duke u shkelur e drejta e tyre për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur dhe për të poseduar dokumente identifikimi. Çfarë është logjika që në listat e votuesve (1.630.636 votues në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 ndaj absurdit që Kosova ka rreth 2 milion banorë, kur dihet se rreth 45% e popullatës i përket kontingjentit votues, mbi 18 vjet) të figurojnë emrat e njerëzve në diasporë, ndërsa atyre të mos u mundësohet që të hedhin votën e tyre legjitime?!

Diaspora shqiptare e Kosovës dhe e gjithë trungut gjeoetnik shqiptar ishte ajo që çau bllokadën diplomatike e mediatike dhe punoi fuqimisht në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, në ofrimin e ndihmave financiare për shqiptarët e përvuajtur dhe në mbështetjen e luftës tonë të armatosur. Vetë ish-ministrja e Administratës Publike, znj. Tahiri, më se 10 vjet e hëngëri bukën e diasporës dhe përmes saj u afirmua politikisht.

Sot, edhe pas ngritjes së institucioneve tona, përfshirë edhe njëfarë bërthame për Çështje Jorezidente, si një dekor pranë Kryeministrisë, diaspora mjerisht mbeti nën mëshirën e vetvetes: ndonjë vizitë të rrallë që i bëjnë liderët politikë janë më tepër në funksion të promovimeve të tyre personale dhe përfitimeve partiake-politike e financiare e asgjë më shumë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi