Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sylejman Aliu:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit (Dramë)-

Shko poshtë

Sylejman Aliu:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit (Dramë)- Empty Sylejman Aliu:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit (Dramë)-

Mesazh nga Agim Gashi Thu Apr 14, 2011 11:56 pm

Sylejman Aliu:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit (Dramë)- 215361_10150153800984077_644509076_6898983_7269718_n

Sylejman Aliu:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit (Dramë)

Sylejman ALIU

Kupola e lumturisë
Magjia e mashtrimit


Redaktor: Agim Gjakova
Recensionist dhe lektor: Faik Mustafa


Botoi: Shtëpia Botuese “SAGA”
Prishtinë, 2011


Në vend të parathënies

Drama të realitetit tonë dramatik

Nuk mund të ndërtohet një komunitet politik, pa ndërtuar më parë një komunitet moral!
Hegeli


Njeriu është një kafshë politike
Aristoteli



Përditshmëria jonë veprimesh dhe vesesh aq të paimagjinueshme gati në kufinjtë absurditetit karshi asaj kornize më tepër imagjinare të një idealizmi, i cili na kishte mbajtur të paepur në situatat e rënda historike (për të cilin mendonim të ishte shndërruar në një platformë vetëdijeje të palëkundshme kombëtare), tashmë është shndërruar në një pasqyrë, ku mund të shohim vetveten e trilluar, por të hijeshuar gati dhunshëm. Njohja ndryshe e vetvetes tashmë, që nga lirimi nga pushtuesi dhe, sot nga liria e keqpërdorur nga perandorët uzurpues dhe privatizues të saj, “epidemia” e zhgënjimit në përmasa edhe kombëtare është bërë lëngatë e përditshme shpirtërore. Lavdet heroike të njeriut tonë qeverisës, të gatuara marramendshëm, mbi të gjitha, vetëm provincialisht, ku qeverisë vetëm egoja e klikave dhe e mentaliteteve prej kapidanëve, gjëmojnë sot e gjithë ditën gjithandej atdheut tonë gadi të plandosur e të gërryer nga varfëria dhe nga vjelja e tij e pandalshme harbutërore. Këta qeverisës provincialë sikur kërkojnë të shndërrohen (dhe janë shndërruar) vetëm në autoritete kërcënuese ndaj lirisë dhe frymëmarrjes së zorshme kolektive të popullit të Kosovës. Kështu shfaqen në teatrin tonë të çmendur politik. Jo vetëm qeverisësit e kësaj lirie, të privuar krejtësisht nga liria, por edhe të tjerët, që bredhin kaq të copëzuar dhe kaq të pjesëtuar në të njëjtat shtigje qëllimesh (të pista) politike, jashtë çdo zone morale, janë dhe bëhen personazhe shkaktuese të këtij gjëmimi tonë kolektiv. Në përspektivën e tyre politikëgaruese kanë të njëjtat ambicie lakmishë të sëmura. Duke u nisur nga pohimi i Aristotelit se “Njeriu është kafshë politike”, mund të përfundojmë se në këtë llavë qëndron dhe njeriu ynë politik, i cili avancon perfidshëm gënjeshtrën si premtim, sjell në mesin tonë të njëjtat trishtime të gënjeshtrës sa për t’i zënë njëri-tjetrit postet, që t’i përmbushin pastaj, aspiratat, jo të atdheut, por të vetveteve të tyre. Në secilën garë politike të deritashme në Kosovë dhe, përgjithësisht ndër shqiptarët, u shfaqën dhe po shfaqen vetitë e “njeriut kafshë politike”, duke lënë, jashtë përbërjes së tyre, forcën që shpie, siç shkruan prof. dr. Gjergj Sinani në një recension të tij, në progresin e historisë njerëzore, siç janë mençuria njerëzore, vyrtyti njerëzor, meritat njerëzore në përgjithësi. Ngjau dhe po ngjet e kundërta: në vend të mendimit, sjellin manipulimin me opinionin! Koha jonë, sipas shpjegimit të dr. Gj. Sinanit, “po tregon se ne po shpalosim të menduarit kalkulativ. Hapni faqet e shtypit ose ndiqni debatet televizive, dhe do të konstatoni me lehtësi këtë pamje të shëmtuar të mendimit. Ju aty do të gjeni të gjitha produktet e “kolerës shpirtërore”, por kurrë nuk do të gjeni mendim mediativ…, sepse, në kohën e demokracisë, sharllatanë të çdo lloji dijnë aq mirë t’i pëlqejnë popullit, ndërsa shpesh, miqtë e tij të vërtetë (të atdheut) dështojnë”.
Janë bërë deri tash analiza të shumta, komente serioze, çasje filozofike e sociologjike, bile dhe shkrime letrare, rreth fenomeneve të tilla provincialisht të degjeneruara vetëm për vetëpasurim të këtij komuniteti politik, duke e varfëruar vendin gjithnjë e më tërbueshëm. Komuniteti ynë vetëm politik nuk bëri asnjë përpjekje të ndërtojë, në emër të dashurisë për vendin dhe për të ardhmen e tij dinjitoze, edhe komunitetin moral, i cili do të mund të ndërtonte fuqinë e mendjes dhe konsideratën për dije. Megjithatë, këto asnjëherë nuk arritën të prekin ndërgjegjen e munguar të aktorëve politikë. Mu për këtë dhe për ta, auori vuri këtë temë të përditshme satirike me përmasa edhe tragjike, edhe komike, pikërisht ashtu siç shfaqet sot ky komunitet politik në teatrin tonë të shtetndërtimit, që mungon, edhe pse i “mbikëqyrur” ose i nënkëqyrur nga fuqia shumë e zhvilluar europiane, e cila është edhe personazh i këtij teksti drame, personazhe këto që rrojnë bashkë brenda “Kupolës së lumturisë”…

Ndërkaq, drama e dytë “Magjia e mashtrimit” ofron një përpjekje pasqyruese në mënyrë satirike rreth ngjarjeve të “revolucionit të vonuar demokratik”, nëpërmjet të të cilit revolucion bandash “të vonuara” dhe të porositura e të drejtuara nga brenda dhe nga jashtë, u vra Shqipëria më 1997, nga mbrotjësit e ideologjisë komuniste e enveriste, por dhe të orekseve sunduese greke nëpërmjet kishës së saj, vrasje kjo e Shqipërisë edhe nga lakmitë organizuese të mentalitetit gjithnjë gllabërues bizantin e sllavë. Bandat ideologjike të këtij “revolucioni të vonuar demokratik”, siç paraqiten në këtë dramë satiric plot dinamizëm, ishin shërbyese të zhbërjes tragjike të Shqipërisë.
Faik Mustafa, shkrimtar

Kupolla e lumturisë
Dramë satirike në pesë pamje

Vetat

Mamuti
Truzori
Gojëtari
Zemëraku
Gjaknxehti
Mushkërizeza
Anusi
Pushtetari i dikurshëm
Sindikalisti 1
Sindikalisti 2
Kryetullaci 1
Kryetullaci 2
Zëri i Ndërgjegjes
Altoparlanti

PAMJA E PARË

Para se të hapet perdja, dëgjohet një zhurmë e qartur fjalësh dhe nuk merret vesh asgjë. Pas një minuti hapet perdja dhe shihet një ambient kabineti qeveritar apo parlamentar. Të gjithë vetat janë aty, të ulur në kolltuqe.

Truzori, duke i rënë me grusht tavolinës
Ju duhet të bindeni! Pa mua jeni një hiç. Asnjëri nga ju s’e ka aftësinë e mendjes, prandaj unë e kam vendin e parë këtu…
Gojëtari, duke qeshur
E çfarë të nevojitet mendja, or i uruar, nëse mendjen tënde nuk ta thotë goja ime. Do të dilje ti një hiç dhe jo unë. Prandaj, unë duhet të jem i parë mes jush…
Truzori, edhe më nervoz
E di, e di! Nuk ta ndalë kush krrokamën ty. Flet marrëzira instinktive të njëllojta përditë dhe, që t’i thuash ato, thërret në ndihmë rafinimin tënd katunaresk… E, çfarë mund të thotë ajo gojë jotja nëse unë nuk ta kullojë mendimin që duhet ta thuash?
Gojëtari, me buzëqeshje ironike
E po, mendo atëherë zotrote! Nëse nuk e thotë goja ime mendimin që e gatuan në atë trurin tënd, kush do të ta dëgjojë atëherë?
Zemëraku, ngrihet në këmbë me rrëmbim dhe i drejtohet Gojëtarit
E them unë, ja sikur tash! Më xhindosët të dy. As Truzori, as ti Gojëtar, nuk mund të jeni të parë, sepse e gjithë situata juaj është e varur nga unë. Unë jam ai që vendos në këtë trupë dhe, po heshta unë, do të heshtë edhe mendja e Truzorit, edhe goja jote Gojëtar! Ua them unë dhe pikë. Unë qeverisë me këtë trupë…Ti dhe Truzori nuk jeni gjë tjetër përveç shërbyes të vullnetit tim.
Gjaknxehti, i qetë fare
Ju flisni dokrra! A nuk më thoni se si do të mund të mendonte Truzori, si do të mund të fliste Gojëtari, qoftë edhe me instinkte, si mund të nxehet e të reagojë me të gjitha emocionet e veta Zemëraku, nëse unë, po e zëmë, vendos të ndaloj shetitjet e mija të zakonshme nëpër gjithë damarët e kësaj trupe? Ju nuk e meritoni të jeni të parë. Jam unë ai që u jap jetë të gjitha aspiratave tona vepruese.
Truzori, ndërron vendin dhe del në ballë të të gjithëve
Zotëri, nuk jemi mbledhur këtu që të shpalojmë pa asnjë takt kërcënimet e këtij lloji, siç bëni ju, që folët deri tash. Në këtë mënyrë trupa jonë e gjithëpushtetshme nuk do të mund t’ia dalë me sukses e me mend të përvetësojë gjithë këtë hijeshi pasurie…
Gjaknxehti, brof në këmbë gjithë mllef
Se mos mendoni se gjithë trupa jonë do të vihet në shërbim të mendjes suaj që të përvetësoni gjithë pasurinë e kësaj natyre?
Truzori, bëhet si i thelluar në mendime
Jo! Ne duhet të mendojmë dhe të jemi unikë në të gjitha këto aspirata. Ju premtoj se nën udhëheqjen time do t’i arrijmë të gjitha këto që thashë.
Gojëtari, ngrihet edhe ai në këmbë
Ju thoni mendimin edhe kështu dhe harroni se pa pyetur fare trupën tone vini në shërbim koalicioni edhe pjesë të heshtura dhe të nënshtruara të trupës sonë.
Truzori, i habitur
Nuk ju kuptoj për ç’koalicione dhe për ç’pjesë të heshtura dhe të nënshtruara flisni!
Gojëtari
Po ja! Më shumë ju funksionojnë duart e gishtrinjtë se ç’ju shndrrit mendja zotrote! Ato që ua gatuan mendja, nuk do të mund t’i shprehnit pa fuqinë time të domosdoshme të të folurit. Që ta zhvlerësoni këtë fuqi time, që është mbretëresha e jehut, ju qitni mendimin tuaj me duar e gishtrinj të bindur…
Truzori, duke mbledhur vetullat, i drejtohet Gojëtarit
Ç’dërdëllisje është kjo? Thuaje pra atë që unë jam duke menduar tash! Më shumë je Gojë për llapërqitje…
Gojëtari
Mendon të bëhesh i pari mbi trupën tonë dhe ne, pastaj, të të vijmë prapa e të thithim dhe të përvetësojmë gjithë natyrën e pasur të këtij vendi. Por ta them se ti nuk ke kaçik të jeshë prijëtar. Askush nuk ta dëgjon mendimin nëse nuk ta them unë, me gojën time, të cilës, edhe kur nuk i besojnë, detyrohen të heshtin para fuqisë së saj. As të llapërçitësh e ta ngopësh urinë tënde të çmendur nuk mundesh pa mua.
Mushkërizeza, duke u shtrirë e lodhur mbi tavolinë
Dëgjoni! Unë tashmë jam lodhur me të gjitha këto që thoni. Po vazhduat kësisoji, me duhet funksionin tim ta flejë. Atëherë do të shihni se ç’ligështi do të vërtitet brenda jush. Pa mua ju do të jeni një hiç i madh… Do të jeni hiç më shumë se kilogramë plehu, që bartni me vete…
Pushtetari i dikurshëm, me lëvizje të butë dore dhe me një të qeshur të akullt
Unë ju kuptoj të gjithëve. I kam kaluar të gjitha këto. Na merrnin dhe gojën na e mbushnin gënjeshtër, zemrën na ftohnin akull në frizët e laboratorëve konvertues dhe ne duhej të harronim ç’jemi e kush jemi. Zemrën na e futnin në biruca minjsh, ku kishim frikë edhe nga frika e lepujve. Na bënin të parë, nëse thonim vullnetarisht se kishim hequr dorë krejtësisht nga qenia gjenetike e lakmive intime...
Të gjithë si në kor
Atëherë, ti që paske këtë përvojë, na e thuaj çfarë duhet të bëjmë!
Pushtetari i dikurshëm, pas një heshtjeje të shkurtër
Duhet të krijojmë sharmin e jashtëm të harmonisë sonë të brendshme të zejes sonë të uritur…
Anusi, duke reaguar me tallje
Ouuu! Ç’këshilltar të vyer të paskemi ty! Këshillat tua janë njësoj si të mijat. Te ne vepron vetëm instinkti i mrekullueshëm i lakmisë dhe ai i hapjes e rrudhjes, sipas nevojave tona meraqesh. Unë mendoj se ne duhet të bëhemi institucion i parë i hapit tonë historik drejt riciklimit moral gjithnjë brenda britmave të zakonshme folklorike, të cilat na e mbulojnë të qenmit tonë …
Gojëtari, duke ndërhyrë
Ç’është kjo fjalë e huaj që e përdorë? Kush është morali? Me rëndësi është që tash në mesin tonë ka hyrë zeja jonë e ëndërruar e hajnisë dhe pikërisht për këtë bëhemi copë se cili prej nesh të zëmë vendin e të parit në këtë zeje. Mandej, ku di ti, Anus, se… Ti di më shumë se ç’është morri e horri jo morrali…
Anusi, gjithnjë duke u tallur
E di, e di. Mu për këtë luaj bythën dhe rjepem pas kësaj zeje. Po nuk do të isha i vëmendshëm për të gjitha këto, puna ime nuk do të ishte asgjë tjetër përveç një pordhë boshe për vetveten!
Zemëraku, mallëngjyeshëm
Ah, o Zot! Më kujtohet se sa herë e rrudhje atë të shkretë dhe nuk lije gjë të dilte nga aty, në punën time shkaktoje siklete të mëdha. Anusrrudhurit dikur dilnin menjëherë në këngë dhe shkriheshin me aq lehtësi në ritme sharkishë e qiftelishë. Të gjithë Anusrrudhurit i quanin heronj.
Gojëtari, duke kruar nënhundën
Merita për amshim ishin këto. Sakrificat e tilla nuk mund të shpjegohen pa mua.
Zemëraku, ngrihet në këmbë me naze
Ç’marrëzira kam bërë gjithë jetën time deri në ditën e sotme. Sa vajin e kam bërë për këto sakrifica dhe sa herë kam dashur të pushoj dhe të mos funksionoj më. Tash, ju them juve, kam nisur dhe do të vazhdojë të qeverisë me të gjitha kënaqësitë, që do t’ia krijoj vetes në pozitën e të parit. Të gjithë të tjerët, që nuk janë këtu me ne dhe që kanë vërshuar në gjymtyrët tona, do të jenë krejtësisht të bindur në ato që diktoj dhe do të diktoj unë.
Truzori
Me këto, që thotë Zemëraku, kujtoj se të gjithë pajtohen. Do të binden, por jo me kërcënime të tilla zemërore, por me gjithë hilenë e mendjes sime. Do të shihni kur të jemi i pari…
Pushtetari i dikurshëm, hijerëndë
Duhet të na bindësh, jo vetëm për kahet, por edhe për volumin e hileve Truzor!
Truzori
Do t’ua them, por me disa kushte…
Gjaknxehti, i nxehur
Cilat janë këto kushte o mendjendrituri ynë? Na i thuaj më shpejt se pëlcitëm!
Truzori, si gjithnjë mendueshëm, ngreh gishtin e madh të dorës, pastaj atë e prek me gishtin tregues
Ua them me përgjegjësi të plotë se duke ua bërë me dije pjesëve të tjera të masës sonë hiret folklorike, do të marrë përsipër, që duke i adhuruar heronjtë e vërtetë, të vetëbëhem hero. Duke u bërë kështu, të gjithë të tjerët do të ulin bishtin dhe do të rrinë nën hijen time prej heroi…
Gojëtari, me të madhe
Dokrra flet ti, dokrra! Tash të gjithë të njohin kush je dhe çfarë je dhe kjo hile nuk të shkon! Mandej , a nuk sheh se të gjithë janë bërë heronj e patriotë? I madh e i vogël, i vërteti dhe gënjeshtari… mu si ne! Po kushti tjetër?
Truzori, duke i mospërfillur fjalët e Gojëtarit
Duke u bërë vetëhero dhe gjithnjë në majat e shpifura më të larta patriotike, ne do të bëhemi se mbështetemi vazhdimisht dhe pandalshëm në pjesët e tjera të masës sonë, sepse duke u mbështetur tek ajo, ajo, naïve siç është, do të mendojë se edhe ajo qëndron në ato maja heroizmi. Prandaj, nuk do të bëjë më të voglën zhurmë. Por, duhet t’u them se, në këtë shtrirje hilesh, ne, që jemi këtu, duhet të kemi një unitet të fuqishëm, sepse vetëm kështu arrijmë t’i realizojmë me përpikëmëri qëllimet e hileve, të cilat aq shumë do t’u përngjajnë ligjeve.
Gojëtari, i vendosur
Jo t’u përngjajnë, por të jenë ligje!
Anusi, duke liruar një pordhë të lehtë
Do të thotë se ne duhet të bëjmë gjithë këtë që thua ti?
Truzori
Po!
Gojëtari
Do të thotë se ti do të jeshë i pari?
Truzori
Po!
Gojëtari, qeshet me zë
E kush duhet t’ia thotë masës sonë, kësaj mase, që qenka kaq budallaqe, se ne të gjithë përmbëjmë suitën pushtetore në krye më Truzorin?
Truzori, me të shpejt
Fuqia jote e gojës, Gojëtar, e cila do të mbushet me vullkane të tëra emocionesh bindëse që të ofron Zemëraku. Pastaj dëshira e madhe për t’u shpifur si vetëhero bën Gjaknxehtin të gurgullojë, kurse Mushkërizeza do të sjellë me afshin më të madh midis masës sonë numër flladin e këtij nënqielli mashtrimesh…
Pushtetari i dikurshëm
Zoti Truzor! Unë kam këshilla me thasë, që e bëjnë hilenë edhe më të bëshme, më të bukur, e cila do të shfaqet si e vërtetë jotja e mbushur me aq shumë sakrifica për masën e dëgjueshme apo renegate…
Truzori, pak me nervozë
E ke vendin tënd për këshilla. S’e ke vendin këtu, as ti as këshillat e tua! Ja ku e ke Mushkërizezën, ja ku e ke Anusin!
Pushtetari i dikurshëm
Ama desha të them se unë kam përvojë të tillë shumë të rafinuar dhe e di se masën e bën të përgjumosur… dhe mund t’ia fusësh prapa si ta dojë qejfi…
Truzori, pak më but
E di, pastaj e dimë të gjithë ne këtu që jemi…
(Dëgjohet një rrapëllimë që vjen nga jashtë. Të gjithë heshtin përnjëherë dhe të gjithë brofin në këmbë)
Anusi, i frikësuar
Zhurmë këmbësh janë këto. I ndjej se janë ato. Rrijnë gjithmonë ngjitas meje dhe nuk më lënë rehat.
Truzori, me urtësi
Rrini të qetë! Rrapëllimë e përkohshme është kjo e këmbëve! Ne që dirigjojmë së bashku me to, mund t’i qetësojmë fare lehtë, aq lehtë sa i bëjmë edhe ato të lehta fare në ikje të përhershme…
Gojëtari, me ironi
Nuk janë ato të dëgjueshme, zoti Truzor, siç janë të dëgjueshme duart tua!
Mushkërizeza, me shqetësim Gjaknxehtit
Ç’ke që më vërsulesh me aq frikë or lëng i çoroditur?
Gjaknxehti, i mërdhezur
Nuk duroj dot rrapëllima të tilla masash kaq të degjeneruara këmbësh. Nëse nuk reagoj kështu, këto rrapëllima nuk do të ndaleshin asnjëherë. Reagoj kështu dhe ua mbushi enët këmbëve dhe ato pëlcasin prej meje…
Truzori, paksa i lodhur
Edhe mua se ç’mu morën mendtë or i respektuari Gjaknxehtë! Rri qetë dhe s’kanë çfarë të të bëjnë këmbët ty. Ti je freni i këmbëve…
Gjaknxehti, me një këndellje të menjëhershme
Unë jam freni i të gjithë juve këtu dhe i masës rrapëlluese atje… Ju duhet të bëni gjithë atë që them unë, sepse, siç po e shihni, jam kryesori dhe unë vendos për të gjitha!
Anusi, me qesendi
Eh, që të bëni diçka të rëndësishme, duhet të keni prapanicën sakrifikuese. Kurse ju nuk e keni as njërën, as tjetrën. Unë jam ajo që rrudhem kur duhet dhe hapem kur të ma dojë qejfi i frkës...
(Dëgjohet prapë një zhurmë, një zhurmë e fshehtë, që vjen nëpërmjet një dridhjeje plot shqetësim. Të gjithë fillojnë të shikojnë njëri-tjetrin)
Të gjithë, të frikësuar
Tërmet?!
Truzori, me një qëndrim burri të mbushur frikë
Po ngjet tërmeti, apo janë shqetësimet nga rruga e të pakënaqurve të masës sonë?
Zemëraku, i fishkur fare nga frika
Ciladoqoftë, është e njëjta. Më e vështirë se tërmeti janë kërcënimet e të pakënaqurve tanë, që janë aq shumë…
(Ngrihen të gjithë në këmbë, pastaj prapë ulen. Pas pak ngrihen prapë. Kur ngrihen, vetëm Truzori ulet me të shpejtë, sepse nuk e mbajnë këmbët. Ulen prapë edhe të tjerët, përveç Gjaknxehtit, i cili nuk mund të qëndrojë në një vend)
Gjaknxehti, duke shtrënguar kokën me të dyja duart.
Keni frikë të lëvizni. Unë lëvizi edhe më shumë para secilës trembje… Dilni dhe shikoni se ç’ishte ajo dridhje e tmerrshme në nënkëmbët tona… Dilni dhe shikoni se mos po na rrëshqet dheu nën këmbë!
Truzori, Gojëtarit
Gojëtar, dil dhe shiko! Nëse këto dridhje vijnë nga pakënaqësitë e masës, ti më së miri di se si t’ua bësh lëmsh kërkesën e tyre idiote. Sikur kjo masë të ishte aq e uritur dhe aq me skamje, moti do ta kishte lëshuar shpirti… Edhe nëse nuk do ta kishte lëshuar shpirti, ajo do të duhej të ishte aq e lodhur deri tash, sa nuk do të kishte fuqinë fizike të shkaktonte dridhje të tilla shqetësuese… Mu për këtë ne kemi instaluar skamjen si medikamentin më të sigurt të paralizimit me sukses të plotë të fuqisë së pakënaqësive…
Gojëtari
Le të dalë Anusi, sepse ka fuqinë e rrudhjes më shumë se ç’e kam unë…
(Përsëri dëgjohen dridhje të reja dhe përplasje që vijnë nga jashtë. Të gjithë ngrihen përsëri në këmbë dhe vështrojnë njëri- tjetrin)
Mushkërizeza, kërcen me shqetësim dhe i mbështetet Gjaknxehtit.
Dil Anus!
Truzori
Dil Gojëtar!
Mamuti
Dil Pushtetar i dikurshëm! Ti je mësuar si t’i vrasësh shqetësimet e tilla! Nëse dalë unë, atëherë unë do të jem i pari juaj!
Të gjithë si në kor bërtasin
Ma…muti i pari nesh! Ha, ha, ha… Ti lirinë dhe demokracinë e bën të kudërmueshme dhe shumëllojshmëria e përfitimeve tona do të vjen e ndotur fare!
Mamuti, me hidhërim
Nëse nuk doni të dalë unë dhe, nëse nuk pranoni të jem unë i pari juaj, atëherë, që tash, duhet ta dini se asnjëri nga ju nuk do të mund të funksionojë. Po deshët e provojmë…
Gjaknxehti, me nervozë trimërie
Nëse është kështu kjo garë, atëherë rrini të gjithë këtu! Do dalë unë dhe… do bëhem unë i pari!
Truzori
Jo, do të dalë unë se edhe ashtu jam i pari! Mendja gjithnjë ka prirë.
Anusi
Jo! Ti jo! Hiletë e tua perfide të mbushin me frikë… Mendja e tillë të bën frikacak dhe frikacakët nuk mund të jenë të parë. Dal unë se kam forcën e rrudhjes! Kjo forcë më bën që të jem i parë!
(Të gjithë vrapojnë nga dera përveç Mamutit, por asnjëri nuk merr guxim të kapë dorëzën e derës. Sillen e pështillen para saj. Shtrijnë duart të kapin dorëzën e derës dhe të gjithë i tërheqin ato me frikë. E shikojnë Mamutin, i cili rri i qetë pranë tavolinës dhe vështron hallakamën e lëvizjeve të tyre plotë frikë e trishtim. Në këto lëvizje të shrregullta e të trishtuara, Zemëraku shtrëngon kraharorin dhe fillon të kalamendet, Mushkërizeza përpiqet të marrë frymë dhe shtrihet në skenë. Gojëtarit i shtanget goja dhe përpiqet të thotë diçka, por nuk mundet. Anusi shtyp barkun me forcë dhe me shtërzime të mëdha. Truzorit fillojnë t’i merren mendtë dhe të hulatet pa forcë dhe i mbështetet Pushtetarit të dikurshëm dhe mezi i pëshpërit diçka në vesh atij. Pushtetari i dikurshëm bartë gati zvarë Truzorin dhe e ulë në karrigë).
Pushtetari i dikurshëm, i drejtohet Mamutit gati si me lutje
Përpara, nga shqetësimet e tilla, gjaku çohej peshë dhe më ndihmonte të ngrihesha edhe unë. Nuk e di se pse tash nuk funksionon kjo gjë… Mamut! Nëse nuk del ti, këta të gjithë do të vdesin, siç kam vdekur, më duket, edhe unë! U tregove se pa ty këta nuk mund të funksionojnë. Ti je i pari jonë!
(Mamuti i shikon të tjerët dhe nga ta merr miratimin me lëvizje të zorshme koke. Pastaj, ngrihet i qetë, hapë derën dhe del. Përnjëherë të gjithë shlirohen nga shtrëngimet që kishin. Vonohet pak, pastaj hyn kryelartë, duke përplasur derën nga prapa. Të gjithë përgjojnë me një lemeri tronditëse. Nuk dëgjohet më asgjë. Pas pak Anusi, duke u ndjerë mirë, në prani të të gjithëve lëshon një pordhë të zëshme)
Anusi, pak i mërdhezur
Mos ia vini veshin. Kështu e ka zakon të reagojë barku, sa herë Mamuti del … Tash e bëj barkun të heshtë (Mbahet fort në krahët e karriges, dhe me zor liron pordhën tjetër). Kështu gjithmonë përfundojnë sikletet zhurmuese të barkut, të kësaj strajce tonë të neveritshme, e cila përherë më ndotë gojën time të paçme.
Pushtetari i dikurshëm, shikon me neveri Mamutin
Ç’ishte ajo dridhje jashtë?
Mamuti, i trimëruar
Asgjë! Kujtoj se ajo që na u duk dridhje, duhet të ketë qenë frika jonë… Jashtë nuk pipëtinë asgjë!
Truzori, tash i këndellur dhe me kurnaze
Ç’frikë, or Mamut? Ne jemi heronj dhe zjarri i patriotizmit tonë është shumë përvëlues! Përgjove me kujdes?
Mamuti, duke qeshur
Kur të dalë të gjithë më ndjejnë dhe, edhe po të ishte kush para derës, do të ikte. Ma njohin duhmën ata, ma njohin!
(Dëgjohet një trokitje e lehtë në derë. Të gjithë përnjëherë zbresin nga karriget dhe hyjnë nën tavolinë. Shikojnë njëri tjetrin dhe asnjëri nuk bëzënë. Trokitja dëgjohet edhe një herë dhe, pas pak, heshtjen e trishtueshme të vetave, e prishë dhe një trokitje tjetër. Pas një pauze ngrihet në këmbë Pushtetari i dikurshëm. Fërkon duart, mbledhë forcën e shkapërderdhur nga frika dhe përçapet nga dera).
Truzori, me një zë gati të shurdhët, por të prerë
Mos e hap!
Gjaknxehti, duke vënë gishtin mbi buzë!
Shshsht!
Mamuti
Unë dola një herë, nuk dal më kështu pa nevojë.
Pushtetari i dikurshëm, pranë derës
Kush është?
(Nuk dëgjohet asnjë zë nga jashtë. Prapa tij dëgjohet në vazhdimësi një frymëmarrje e tronditur e vetave të frikësuar)
Pushtetari i dikurshëm
Kush je ti, që vjen e troket në derë e nuk përgjigjesh? (E hap derën, por nuk sheh askë). Derë e mallkuar! Të prekka Perëndia ty, i cili se ka guximin të shfaqet e të përgjigjet…para nesh!
(Në skenë bie një terr i lehtë, disi si muzgu i parë i mbrëmjes. Trupa shihet të tkurret edhe më shumë brenda këtij terri të befasishëm. Truzori rrëzon karrigen dhe e qet para vetes. Me këmbën e saj merr shënjestër derën si të ishte ajo armë. Mbretëron një heshtje e mbushur me frikë. Pushtetari i dikurshëm mbyllë derën me të shpejtë i frikësuar nga terri dhe kërkon një skutë për t’u fshehur)
Ndërgjegja, flet lodhshëm, por nuk shihet askund. Dëgjohet vetëm zëri i saj.
Unë jam Ndërgjegja juaj! Unë jam kufoma juaj! Ç’keni që i frikësoheni kaq shumë vetvetes? Mua më keni braktisur dhe unë tash, kështu e shtrirë në shtratin e vdekjes pas aq shumë plagëve që mora nga ju, erdha t’u them lamtumirë.
Anusi, duke dal nga nëntavolina
Për ç’ndërgjegje flet o engjëll i vrarë!? Ku ke ti bythë të qëndrosh përballë gjithë këtyre shkrepëtima hileshë! Vjen me gjithë këtë errësirë dhe ngarkon edhe më shumë frikën e Truzorit, të Zemërakut e të Mushkërizezës… Shporru o kufomë e pavlevshme!
Truzori, qëndron ende nën tavolinë me këmbën e karriges në shënjestër
Mund të të vrasë edhe një herë siç të kam vrarë paprajshëm deri tash. Më duket se tash jam në të njëjtën pozitë luftarake, si pak vite më parë. Megjithatë, mendja ime e kthjellët më thotë të të mos vras përgjithmonë nëse plotëson kushtin që do ta them.
Ndërgjegja, përsëri me zërin pëshpërimë të lodhur
E vrarë jam dhe asnjë shpresë më nuk ekziston se mund të kthehem në ambientin tuaj shpirtëror dhe fytyror. Më ka dërrmuar pafytërsia dhe paturpësia juaj, që po rritet në ju me kamje përrallore. Megjithatë, ma thuaj kushtin!
Truzori, merr karrigen dhe ngrihet nga nëntavolina. Atë vazhdon ta mbajë në duar para vetes
Të mos guxosh të pranosh se të kemi vrarë dhe se tash nuk ekziston! Përkundrazi. Do të tregohesh gjithkund dhe në secilin çast se je brenda nesh edhe më e fuqishme se kurrë më parë. Do ta shashë të keqen, që është e mira jonë, dhe t’ia mbushësh bindjet masës përtej nesh se ne jemi perëndia e tyre… Nuk guxon të shpalosh të vërtetën se ne kemi vendosur, për të mirën tonë personale, të jemi bashkë me djallin përbindësh! Ne duhet t’i mashtrojmë me ndërgjegje të lartë intelektuale, historike dhe se gjithçka fillon me ne! Kuptove?
Gjaknxehti, gjithnjë i trishtuar nga gjysëmerrësira
E ndjej se Ndërgjegjes s’i beson më askush dhe të gjithë e dinë se ne tashmë e kemi shporrur një herë e mirë…
Ndërgjegja, nga larg mezi dëgjohet
Unë ose jam, ose nuk jam! Nuk mund të bëhem ajo që nuk më latë të jem… Por ju duhet ta dini se ai që është i vlefshëm vetëm për veten, nuk vlen fare…
Pushtetari i dikurshëm, qeshet me të madhe
Ke harruar pohimin e miletit tone se ai që nuk është për vete, nuk është as për të tjerët?
Mamuti, nervoz
Ç’keni që përziheni ju? Unë jam i parë dhe unë i sqaroj gjërat! (Zërit të ndërgjegjes) Shporru o lavire e ndytë! Ti rron me budallenj…

(Skenës, edhe pse largohet Ndërgjegja e padukshme, nuk i kthehet drita. Errësira bëhet edhe më e dendur. Tashmë trupa mezi shihet. Dëgjohet vetëm zhurma kërcënuese e vetave, por nuk kuptohet asgjë më. Kjo zhurmë zgjatë disa çaste dhe vetat sharrojnë në një terr të dendur. Mbyllet perdja).
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sylejman Aliu:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit (Dramë)- Empty Pamja e dytë

Mesazh nga Agim Gashi Thu Apr 14, 2011 11:57 pm

PAMJA E DYTË

Hapet perdja. Skena është bosh. Dëgjohet një fishkëllimë ere. Pas pak dëgjohet një zhurmë mase, që vjen nga larg. Nuk vonon dhe ajo pranë. Vijnë nga jashtë thirrjet me emra të njëri-tjetrit të vetave. Prajnë këta dhe prapë nis zhurma e parë e masës. Pastaj, kur pushon ajo, dëgjohen kollitje të zorshme dhe krejtësisht artificiale. Nga hyrje të ndryshme hynë në skenë Gojëtari, Zemëraku, Mushkërizeza, Gjaknxehti. Ulen pa bëzë në vendet e tyre. Anusi dhe Mamuti vijnë me turr pak më vonë, nëpër zhurmën e jashtme të masës. Janë të trishtuar dhe gabojnë vendet e tyre të uljes. Sillen dhe pështillen dhe mezi gjejnë karriget e tyre. Të gjithë kanë para vetes në tavolinë emrat, që tregojnë paracaktimin se ku duhet të ulen secili. Në çastin kur pushon zhurma, nga publiku shihen të ngjiten në skenë Truzori dhe Pushtetari i dikurshëm. Ky i fundit qëndron në këmbë prapa Truzorit, të cilit ia përgatitë karrigen që të ulet.
Pushtetari i dikurshëm, në këmbë, duke u mbajtur në mbështetësen e karriges së Truzorit
Ju ftuam në një diskutim parlamentar, që të merremi vesh se si ta ndalim këtë zhurmë marroçe të kësaj mase kaq mosmirënjohëse ndaj nesh, të cilës ia sollëm edhe lirinë e guximit simbolik të zhurmës, edhe lirinë e heshtjes së domosdoshme… Truzori e ka fjalën i pari…
Gojëtari, ndërhynë me nervozë, duke i rënë me pëllëmbë tavolinës dhe duke u ngritur në këmbë rrëmbimthi
Ti mund të heshtësh, o kalbësirë e moçme! Të njohim se çfarë ke bërë mbi kurrzin tonë dhe tash kërkon t’i rrëmbeshë edhe meritat e lirisë… Shporru nga auditori ynë parlamentar!
Pushtetari i dikurshëm, pa e prishur fare terezinë
Ke të drejtë të shthuresh edhe kështu, sepse ti, si Gojëtar që je, vetëm gojë ke. Nuk e kupton as lirinë, as protokolin…
Gojëtari, edhe më me pezm
Nuk jemi këtu që të flasim për portofole, o fundrrinë e egër! Ti ke një histori të trishtueshme dhune mbi këtë masë tonën. Ke prerë gjuhë e duar, ke prerë kokë e ke hapur këmbë … Ke ulë kokë e ke ngritur bythë…
Pushtetari i dikurshëm, me buzëqeshje të thatë
Nëse qenka kështu, Gojëtar, atëherë as më thua se si të paska shpëtuar ty gjuha pa ta prerë?
Gojëtari, pak më butë
Fati më ka shpëtuar…
Pushtetari i dikurshëm, lëvizë nga prapambështetësja e karrigës së Truzorit dhe i afrohet Gojëtarit
Meqenëse ti kërkon që me mburrje të sotme të fshishë të djeshmen tënde, e ke gabim! Ti ke qenë, jo vetëm krah imi shkurreve përdhunuese, por ke shërbyer shumë më dhunshëm mbi masën tonë se ç’e kam pasur atëherë në programin intim të kohës…
Truzori, ngrihet edhe ai në këmbë
Pushoni! Të djeshmen mos e sillni këtu, sepse asnjëri nga ne nuk do të përngjajë në atë që duam të ndërtojmë veten me të gjitha ligësitë demokratike dhe diplomatike për sot dhe për nesër…
Pushtetari i dikurshëm, pa i vënë veshë qortimit të Truzorit
Na thuaj, pra, Gojëtar, se si arrite që në kohën tënde e timen të atyre tmerreve, që ti tash i përmend, t’i kesh të gjitha. Të keshë dhuratë një pjesë të madhe të gjeografisë së këtij vendi në katundin tënd të përvuajtur, të cilin aso kohe e shtrinim bashkë, edhe unë, edhe ti, në shtratin e vdekjes, edhe me dhunë, edhe më skamje… edhe me kënaqësi?
Mushkërizeza, gati me lutje
Do prani, apo do të më detyroni t’u them se ç’zvarranikë ishi atëherë dhe ç’pjellë e ndotshme jeni edhe sot. Atëherë, bile rronim në katund dhe unë kisha ajrin e pastër. Tash kemi lënë djerrë katundet dhe kemi zbritur në kryeqytet, të cilin e kemi shndërruar torishtë të trishtueshme. Unë dua të kthehem atje dhe nuk dua të jem pjesë e sëmundjes suaj…
Anusi, ia plasë gazit
Më bën të qeshë, o zonja Mushkërzezë! Ç’mendon ti? Nga torishta katundesh erdhëm dhe deshe që qytetin ta bëjmë ndryshe nga ne? Flet mesele ti, apo çfarë ke?
Mushkërizeza, gjithë nerva
O, lamë tokë, bjeshkë e livadhe. Lamë ara të pambjella dhe katundeve ua sollëm vdekjen dhe shkrumin…
Gjaknxehti
E lumja ti Mushkërizezë! Tash e kam të qartë se iriqin e heq nga ferrat dhe në ferra ikën! Nuk të vjen mirë që këtu, bile të thonë qytetare dhe jo katundare? Nuk të vjen mirë që edhe katundet tona shpëtuan kur ne i braktisëm ato? Nuk jemi atje që të vrasim për një pëllëmbë tokë. Jemi këtu dhe vrasjet kanë hijeshi të veçantë, sepse nuk vrasim për tokën, por për pushtetin e parasë, e cili na bën kaq të pasur dhe të fuqishëm si luanë… Unë s’e dua qytetin, por pushtetin! Unë do t’u shpie në majat më të larta të tij…
Gojëtari, me qesendi
Ajo pjesë e gjeografisë, siç thua ti, është në katundin tim. S’ka lëvizur fare. Unë asgjë s’i kam marrë katundit. Unë i kam dhënë katundit sakrificën time të pashembullt. Kam lënë fusha e zabele atje dhe, si një rrugëtar i përzënë, kam ardhur në këtë qytet të madh e të pistë që t’ju shpie juve horizonteve të lirisë, të demokracisë dhe të diplomacisë. Kush do të mund të bënte këtë përveç meje? (Pushtetarit të dikurshëm). Prania yte këtu nuk sjell gjë tjetër përveç kujtimeve të të etshme për të djeshmen, e cila sot më jep fuqi dhe përkrahje…
Truzori, ngrihet me një qetësi horri
A nuk e kuptoni, zotërinj, se ne këtu kemi ngarkuar në kurrizin tonë gjithë barrën e historisë që, në emër të masës, në emër të këtij populli kaq të padukshëm, këtë vend, që ne e quajmë nënë, sepse është mëmëdheu ynë, ta bëjmë tonin, ta ngarkojmë sa më shumë, deri në alivanosje të plotë, me shpirtin tonë të madh e heroik dhe me fuqinë e jashtëzakonshme të nëntokës sonë, që të mos ketë mundësi as të bëzëjë nga një peshë e tillë shkërdhyese…
Gjaknxehti, si me pëshpërimë, duke shikuar rretherrotull përgjueshëm
Ashtu është! Duhet ta kuptojnë të gjithë kështu.
Pushtetari i dikurshëm
Duhet ta kuptojmë se ne këtu jemi të gjithë njësoj. Historia e deritashme ka vdekur përgjithmonë. Me ne fillon secila histori e mundshme dhe ne do të veprojmë edhe në drejtim të shlyerjes së kujtesës historike të të gjithëve! Ata që janë kokëfortë dhe vendosin të rrojnë me të djeshmen, do të ndëshkohen si plehëra…
Truzori, duke ndërhyrë me sertësi
Përse duhet t’i ndëshkojmë? Le të kujtojnë çfarë të duan. Me rëndësi është që ne as duhet t’i dëgjojmë dhe, nuk do t’i dëgjojmë, as duhet të përfillim gjëmën ose madhështinë e përpjekjeve të djeshme. Ligësia jonë duhet të shkëlqejë. Nëse vendi deri tash ka pasur të vetmin terr nga qielli, tash e gjithnjë do ta ketë këtë terrin prej nesh! Unë do t’u shpiej…
(Frynë një erë e ashpër, e cila sjell një zhurmë britmash. Me këto britma era sjell edhe emra të ndryshëm të historisë. Pas pak, kur të gjithë në skenë heshtin dhe përgjojnë, përnjëherë hapet dera me rrapëllimë dhe përplaset sa para, sa prapa. Era që futet brenda me furi ua rrëzon emrat e atyre të vendosur para secilit mbi tavolinë).
Mushkërizeza, me dihatje të thella shqetësimi
Kush e hapi derën?
Zemëraku, i trishtuar
Ose era, ose është tufani i zhurmës dhe i britmave të historisë, që e përplaska derën kështu!
Anusi, i fshehur nën tavolinë
Nuk e di çfarë ishte, por e di se mua më lëshoi fare kjo e shkretë!
Truzori, me gjithë frikën, niset nga dera
Tash do ta mbyllë derën me çelës…
(Frynë edhe më shumë dhe dëgjohet edhe më shumë dhe më afër zhurma e britmave. Truzori, duke mbajtur me duar flokun e ngjyer me gel, ndalet për një çast. Përpiqet t’i afrohet derës, por nuk arrinë. Era e fortë e shtynë prapa).
Gojëtari, i afrohet Truzorit dhe përpiqet ta shtyej përpara drejt derës
Është furia e mëkateve tua të menduara, Truzor!
Truzori, i shtyrë edhe nga Gojëtari, përpiqet t’i afrohet derës
Kurrë! Duhet të ruhemi nga heshtakët dhe jo nga britmaxhinjtë e tillë kaq të zhurmshëm! Ne jemi ata që nuk bëjmë zhurmë, por djegim cerga…
Gojëtari, me dihatje të thella
Heshtakët janë si fena. Hetohen se ekzistojnë vetëm nga duhma… Këta që bërtasin janë si pordha, të cilat zakonisht shpërthejnë nga nevoja e barkut… Pastaj, gjithçka qetësohet. Qetësohet barku, qetësohet zhurma. Edhe kjo zhurmë do të mbytet në qetësinë tonë, e cila, natyrisht, do të jetë shumë e egër.
Zemëraku, duke kërcyer nëpër skenë
Më vdiqët! Këtë egërsi ere unë nuk mund ta ndalë! Mbyllne, mbyllne derën!
Mushkërizeza, duke dihatur me të madhe ngrihet me zor nga vendi
Jemi një trupë. Të vemi të gjithë dhe ta mbyllim atë të shkretë dere se na mori shpirtin…
(Ngrihen të gjithë dhe në radhë shtyjnë Gojëtarin, i cili shtynë Truzorin dhe si në kor bërtasin: Jepi! Me forcë të përbashkët arrijnë ta mbyllin derën, kurse Truzori rrotullon çelësin e derës)
Pushtetari i dikurshëm, i gëzuar
Kur bëhemi bashkë s’ka forcë që na mund!
Gojëtari, shkrehet në gaz
Prandaj jemi të zgjedhurit e masës. As natyra nuk mund të përballet me ne!
Truzori, fërkon duart
Të ulemi tash! Qetësuam edhe këtë fuqi të çmendur ere! (Ulen) Nuk do të lejojmë tash e tutje që teket e tilla edhe të natyrës të lëkundin në këtë mënyrë demokracinë tonë të fuqishme në vendin tonë sovran dhe shumelementësh me ne e kundër nesh. Këtë ua them me përgjegjësi të plotë! Do të jemi bashkë, sepse ne sëbashku e fituam të drejtën të jemi sovranë të plotë mbi gjithçka që lëvizë pakontrollueshëm dhe jashtë izës sonë.
Anusi, mendueshëm
Por, zotrote, çfarë duhet të bëjmë nëse barku i paqëndrueshëm, siç është me gjithë këto të ngrëna tona, tollovitet dhe kërkon të shpërthejë. Duhet ta lë të çlirohet?
Truzori, serioz
Duhet ta lejosh një zbrazje të qetë, që të mos e marrë vesh askush. Por edhe nëse e merr vesh dikush, nuk do të ketë guxim të përflas rreth kësaj çështjeje, sepse nuk janë punë të tyre këto, por janë punë tona. Për shkak se mund ta marrë vesh dikush një zbrazje të tillë, ne nuk mund të prajmë të mos zhvatim po kaq, e, ndoshta edhe më shumë se deri tash!
Anusi, si i zënë ngushtë
Ja, edhe tash barku bën presion. Kërkon të lirohet! T’ia hap derën time?
Truzori, me një siguri tallëse
Liroje, liroje! Sa më shumë të lirohet barku, aq më shumë hapësirë lirohet edhe për ne. Po nuk i lirove pordhët e fenat, ne nuk mund të hamë sa duhet, përkundër këtij oreksi të tërbuar që kemi. Ne tashmë e dimë se kurrë nuk do të arrijmë të ngopemi… Llaskucëria na ka mësuar të mos ngopemi asnjëherë.
Gjaknxehti, i mërdhezur
Sa fatlume është masa jonë e gjerë! S’ka çfarë ha dhe është aq e ngopur. Vuan dhe nuk e pranon asnjëherë instinktin e llaskucit! Nganjëherë mendoj se më mirë do ta kisha sikur të bëhesha pjesë e saj. Nuk do të ndihesha kështu i mërdhezur deri në pëlcitje dhe nuk do të vinte ndërgjegja, siç na erdhi neve, të më thoshte lamtumirën… Bile, nuk do të më mbushej barku nga pordhët, siç na mbushet tash…
Anusi, serioz
Ruhuni! Do e zbrazi Barkun!
(Të gjithë mbyllin hundët me gishtrinj me një pështirosje të rëndë. Presin por nuk dëgjohet gjë dhe as ndiejnë asnjë kutërbim).
Zemëraku, i fryrë nga mbyllja e gojës dhe hundës
Hë më të shkretën, lëshoje se pëlcitëm!
Anusi, me shtrëngime të mëdha
Nuk do! Si duket barku kërkon ta ndiejmë kryeneçësinë e tij…
Mushkërizeza, ngrihet në këmbë duke u lakëdredhur
Ndoshta barku pret të mbushet dhe neve të na gjumëhazë për dhe! Ta hapim derën e këtij Parlamenti, të cilën e kemi kyçur me çelës! Le të hyjë edhe masa jonë, që sigurisht është strukur diku jashtë dhe përreth nesh dhe përgjon këto hile tona!
Truzori, disi i trishtuar
Në asnjë mënyrë! Masa na ka zgjedhur neve që të jemi këtu. Pak i duket asaj se ne kemi humbur lirinë dhe detyrohemi të rrimë kyçur, kurse ajo ngarend jashtë si t’ia dojë qejfi. Kush ua dha këtë liri? Ne! Përpara nuk guxonin të bënin zhurmë. Edhe kur u vinte të zhurmonin, dukeshin si llamarina: nxeheshin shpejt dhe po aq shpejt ftoheshin!
Pushtetari i dikurshëm, shetit nëpër skenë dhe dikur ndalet para publikut
E shoh masën! Sa e bekuar është. Na shikon dhe rri qetë krejtësisht e paluar! Është krejtësisht e bindur. Doni të shikoni? Unë tash do të hyjë në mesin e saj, do të shetis brenda saj dhe do të kthehem prapë këtu ndoshta edhe i përcjellë me duartrokitje. (Zbret shkallët e skenës dhe bredhë nëpër publik. E gjithë trupa del para publikut në skenë dhe me trishtim përgjojnë rrezikun që mund t’i kërcënohet Pushtetarit të dikurshëm në mesin e masës. Mbajnë njëri-tjetrin me frikë dhe të gatshëm të iknin nëse ngjante diçka kërcënuese në mesin e masës (publikut). Pas bredhjes jashtë skenës, Pushtetari i dikurshëm kthehet përsëri në skenë). E patë? Është masë e disiplinuar kjo, si atëherë, si tash! Zë nuk bën! Hiqeni çelësin nga dera…
Truzori, ende pa u shkoçur nga njëri-tjetri
Në asnjë mënyrë! Kjo që pamë tash, nuk është dhe nuk i përngjet në asnjë mënyrë disiplines së masës. Ajo nëse nuk ka frikë, nuk mund të ketë as disipline! (I drejtohet Pushtetarit të dikurshëm). Ua provokove frikën, apo ngarendje ti ashtu nga frika që kishe nga masa?
Pushtetari i dikurshëm, me një zë bindës
Masa m’u bë se s’kishte frikë, por gjatë gjithë bredhjes sime brenda saj, pashë në sytë e saj një urrejtje të egër. Më panë, më njohën dhe gjithë asaj mase ua solla në ato çaste të djeshmen time zullummadhe! Duhet të zbresësh ti Truzor në mesin e saj…
Truzori, i ngarkuar me një dilemë plotë frikë
Do të zbres, ama të gjithë ju duhet të jeni vigjilent. Mos më shikoni mua, por masën dhe, nëse hetoni ndonjë lëvizje edhe më të vogël kërcënuese, ju duhet të ndërhyni menjëherë, edhe pse atje gjendet syçelë mbrojtja jonë e armatosur! U bë?
Të gjithë si në kor
U bë!
Truzori, i kthehet Anusit
Jo! Do të vishë edhe ti me mua! Ti je ai që mund ta rrudhësh dhe me rrudhje të fitosh guximin tënd heroik!
Anusi, krenar rrah kraharorin
Po deshe o Truzor, ta sjell unë masën këtu të gjunjëzuar fare!
Truzori, duke lëvizur kokën mohueshëm
As gjunjëzimit të saj nuk ia kam besën. Gjunjëzimi i masës është akti i parë i dukjes para kafshimit përfundimtar! Unë dhe ti tash duhet ta provokojmë frikën e saj dhe trimërinë tonë.
(Truzori dhe Anusi, zbresin në publik. Truzori ec i pari, Anusi prapa tij i rrudhur fare. E gjithë trupa fillon duartrokitjet nga skena. Edhe një grup i përgatitur poshtë skenës, duartrokit.pas bredhjes në të dy anët e publikut, kthehen me të shpejt në skenë të përcjellë gjithnjë me duartrokitje nga skena dhe nga grupi i përgatitur).
Mushkërizeza, duke u çliruar nga frika
Unë gati vdiqa!
Zemëraku
Unë gati pëlcita nga frika!
Mamuti
Unë gati sa nuk shpërtheva dhe përpak nuk e fëlliqa gjithë autoritetin tonë perandorak!
Pushtetari i dikurshëm
Jeni njeri i madh, shoku… më falni, zoti Truzor! Ju tash dëshmuat me guximin tuaj se jeni i parë dhe se as heshtja tinëzare e masës, nuk do të mund t’u zbres nga shkallët e larta të autoritetit tuaj. As ne këtu nuk mund të kemi më asnjë fije dyshimi për këtë. Ju sot bëtë aktin më heroik, që keni bërë ndonjëherë në jetën tuaj.
Anusi, me nervozë i afrohet Pushtetarit të dikurshëm
E unë që i shkova prapa dhe gjatë gjithë kohës e rrudhja deri në dhembje këtë të shkretë? Unë s’paskam bërë asnjë heroizëm?
Pushtetari i dikurshëm, pa e prishur rehatinë e tij mburrëse
Ti vetë e thua se i shkoje prapa Truzorit, do të thotë ishe i dyti dhe atje poshtë i tregove të gjitha aftësitë e tua të guximshme shërbyese!
Truzori, tashmë krenar, fërkon duart dhe i drejtohet trupës dhe një pjese të publikut
Për dashuri lë kokën, për para lashë atdheun…
Pushtetari i dikurshëm, duke u ngutur i afrohet Truzorit
Ju, zoti Truzor, deshët të thoni se për dashurinë leni kokën, kurse për atdhe leni dashurinë… Kështu disi ka thënë një shkrimtar i njohur, që nuk ishte i sojit tonë!
Truzori, duke mos i vënë vesh kësaj vërejtjeje
Hapeni portën! Tash po e kuptoj se era e pakmëparshme nuk kishte asgjë kërcënuese. Përkundrazi! Ajo vinte nga natyra e gjithë botës të na flladiste, kurse ne, të pasherr siç jemi, kujtuam se ajo vinte të na shkundte nga degët e kësaj peme të praruar të pushtetit. Hapeni derën, le të hyjë ai fllad i domosdoshëm që të na i freskojë ballin e djersitur nga frika. Deri tash kam menduar, ju them me përgjegjësi të plotë, se flladi i porositur do të vijë nga nëntoka jonë demokratike! Ku e di unë, ndoshta nëntoka e ka trazuar erën mbitokësore të botës, që të na flladitë aq befasishëm…
Zemëraku, thyen gishtrinjtë e duarëve
Ju po nguteni! Trimëria juaj e pakmëparshme brenda masës enigmatike, e cila luan rolin e bollës së fjetur, mund të jetë shumë mashtruese. Mund ta hapim derën, zotërote, vetëm pasi gjithë ambientin tonë të brendshëm e të jashtëm ta mbyllni me hekura të shpeshtë, të lartë dhe të fortë. Në portën e këtij rrethimi të hekurt duhet të vendosim rojat, që do të jenë nën komandën tonë dhe që do të jenë gjithëherë ata në kontakt të parë, por parandalues, të secilit kërcënim të rastësishëm ndaj nesh, ndaj kësaj kupolle të shenjtë të pushtetit tonë demokratik apo multidemokratik… siç i thoni ju.
Anusi, me një gëzim të befasishëm
Nëse bëhet kështu të rrethohemi me hekura, dhe unë pajtohem, atëherë unë do të ndihem fare i lirë dhe nuk do të kem nevojë asnjëherë ta rrudhë këtë të shkretë nga frika e përditshme…
Mushkërizeza, lëvizë mendueshëm nëpër skenë
Unë mendoj se një rrethojë e tillë hekurash të fortë, të shpeshtë dhe të lartë do të na bënte neve edhe më të shquar, më të paprekshëm dhe me hijerëndësi njëmend perandorake. Kurrë askush më nuk do të mund të vërente frikën tonë të deritashme. Nga kjo frikë ne tash kemi mbyllur derën me çelës dhe nuk lëmë të hyjë flladi botëror i natyrës!
Truzori, i zhytur në mendime
Do të rrethohemi, ju them me përgjegjësi të plotë… Gojëtar! Ti do të shpallësh tenderin për këtë rrethojë kështjellore hekurash. Do të gjeshë firmën përfituese të punës, ama të ndalohet rrembtësisht të përfitosh, siç e ke zakon, tej mase. Mund të përfitosh vetëm deri shtatëdhjetë përqind të çmimit të gjithmbarshëm! Po e kalove këtë përqindje do të akuzohesh për korrupsion, ndërkohë që ne, siç e dimë të gjithë, i kemi shpall luftë të pakopromis kësaj dukurie kaq negative dhe kaq dobiprurëse…
Si në kor të gjithë të tjerët
Vetëm Gojëtari u dashka të përfitojë nga tenderë të tillë dhe tenderë kaq të shumtë?
Truzori, serioz dhe hijerëndë
Jo! Të gjithë do të përfitojmë nga puna dhe me punën tonë të ndershme dhe të përgjegjshme. Ama asnjëri nga ne nuk guxon të marrë më shumë se shtatëdhjetëpërqindshin e parave të tenderëve. Ndoshta më vonë, kur të rrethojmë ambientin tonë dhe të jemi jashtë rrezikut të përgjimeve dhe të prekjeve të masës, këtë përqindje do ta rrisim deri në tetëdhjetë për qind. Megjithatë, ju them me përgjegjësi të plotë se po u kalua ky tetëdhjetë për qind, do të nisim luftë të pakursyeshme ndaj një korrupsioni të tillë. Do të vihem unë në ballë të kësaj lufte dhe e ndjej se do të ndihmohem nga flladi botëror i natyrës, që të mos pushojë asnjëherë! Fundja, mjeshtëria qëndron në aftësinë e secilit nga ne që veprimet tona të mos zbulohen kurrë. Tregohuni se jeni mjeshtër të aftë…
Mushkërizeza, me naze dredharake të trupit
O lanetërit e mi të dashur! Që tash, kur po i parafytyroj hekurat rreth nesh, nuk mund t’i ndalë epshet e ngrohta në mesin tuaj! Do të përfitoj dhe unë?
Pushtetari i dikurshëm, i afrohet Mushkërizezës si me qortim
Duhet të përmbahesh! Nuk jemi tash në shtëpinë publike!
Mushkërizeza, prekë gjinjtë
O shekull i kaluar, a nuk jemi dhe ne këtu në institucionin publik? (I drejtohet Truzorit) Ua them juve, por ua them të gjithëve: nuk i duhen askuj rrethojat e hekurta… Përpara ky institucion dhe të tjerat kurrë nuk ishin të rrethuara… Ato qëndronin të mbuluara me frikën dhe tmerret, nga të cilat ikte gjithnjë masa… Masa ishte ajo që frikësohej dhe jo pushtetarët. Ju të gjithë, që vini nga katundet, e dini se atje masa rrethonte shtëpitë e tyre me duvare të larta e të forta, sepse kështu mendonin se bëheshin të paprekshëm nga frika dhe nga tmerret, që mund t’u vinin. Përse nuk ia krijojmë edhe ne tash të njëjtin trishtim dhe ajo të rri e rrethuar dhe jo ne?
Gjaknxehti, me turfëllimë e mosdurim
Ç’të duhet ty të përmendësh gjithnjë katundin dhe prejardhjen tonë? Nuk e sheh se tash jemi bërë qytetarë të kryeqytetit dhe rrimë në kolltuqe perandorake?
Anusi, preras
Do ta rrethojmë ambientin tonë të lirisë. Demokracia e kërkuaka kështu. Më i lirë ndihem kështu brenda hekurash…
Truzori, pa i vënë veshin të tjerëve
Ne jemi sovrani dhe, duke e rrethuar këtë ambient dhe këtë kupollë pushteti, vetëm kështu mund ta zhvillojmë një demokraci të çeliktë… Brenda rrethojës ne do të fusim gjithë lirinë kolektive të masës, në mënyrë që sa më parë të arrijmë ta privatizojmë deri në palcë…
(Truzori vazhdon të flasë edhe më tej, por në skenë shihen lëvizjet e tij të duarëve, por nuk dëgjohet më çfarë thotë dhe, pas pak, mbyllet perdja)

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sylejman Aliu:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit (Dramë)- Empty Pamja e tretë

Mesazh nga Agim Gashi Fri Apr 15, 2011 12:01 am

PAMJA E TRETË

(Në shtëpinë e Ëndërrushës. Përreth tavolinës së shtruar dhe të mbushur rrinë Ëndërrusha, Keli, Prifti, Malo. Romi hyn e del duke shërbyer. Është nervoze. Në mure shihen të vara fotografi kishash ortodokse mesjetare)

PRIFTI
Ju duhej të kishi harruar deri sot Më kurajon gatishmëria juaj për të qenë të harrueshëm. Të kaluarën tuaj e qëndisni vazhdimisht në ahengjet rapsodike! Juve nuk iu duhet e kaluara aq e shëmtuar. Ajo i gjason një strajce të shqyer, nëpër të cilën vazhdimisht rrjedh e humbet historia juaj e trilluar, e cila kutërbon...

KELI, lëviz nga vendi
E kujt duhet të jetë përmbajtja dhe e kujt strajca, imzot?

PRIFTI, vë buzën në gaz dhe ledhaton mjekrën.
Më lehtë e ka përmbajtja të struket e të rrjedhë atje, se ç’e ka strajca ta mbajë përthekuar peshën e kësaj përmbajtjeje të pakuptimtë Pas-helenia u bë strajcë e qëndrueshme e gjithë shekujve plot diell të historisë.

MALO, ndërhyn.
Keli është një mahitar spirituoz, Hirësi! Sidomos gjërave që i kupton dhe që është dashur t’i kishte të kuptueshme, ju jep dimensione humoristike. E pashë dhe fytyrën tuaj, Imzot, që e përshkoi një qeshje e lehtë dhe domethënëse

ËNDËRRUSHA, ndërpret bisedën.
Më brengosin vrasjet, imzot! Më trishtojnë dha ma sjellin para syve ferrin

PRIFTI, shikon Ëndërrushën me përtesë.
Edhe vdekja, mikeshë, është e rëndësishme sa dhe jeta. Prandaj, ekzistojnë të dyjat

KELI, ngutet dhe e ndërpret.
Ëndërrusha sikur foli për vrasjet dhe jo për vdekjet!

PRIFTI, ngrihet në këmbë, pastaj prapë ulet.
S’ka vdekje pa shkak, siç s’ka lindje pa shkak. Nuk e di a më kuptoni drejt? Edhe vdekjet e zakonshme e kanë vrasësin, të cilin ne nuk e shohim. Është ai i panjohur, andaj nuk i hidhërohemi. Vajin dhe gjëmën e bëjmë për të vdekurin, ama paqësisht atë ia dhurojmë qiellit. Edhe vdekjet me vrasje janë të njëjta, por ndryshojnë vetëm pse ne i dimë vrasësit

KELI, hap sytë i tmerruar.
Ju thoni se edhe Zoti i madhërishëm, kur e vdes njeriun, është vrasës?

PRIFTI, me politesë dhe kollitje të zorshme.
Jo! Nuk vret, mirëpo ai, kur e ka krijuar botën, e ka krijuar edhe të mirën, edhe të keqen, edhe engjëjt, edhe djallin. I ka krijuar edhe bamirësit, edhe vrasësit. Ai i ka vrasësit e vet, që i dërgon t’ua marrë shpirtin, me kohë e pa kohë, njerëzve në tokë. Ai ka krijuar edhe vrasësit në tokë dhe ata nuk mund të vrasin, nëse për këtë nuk marrin urdhrat nga qielli

ËNDËRRUSHA, hap gojën e trishtuar dhe prek krahun e Priftit.
Këtyre ua kam frikën unë!

MALO, me gojën plot ushqim.
Përse të keni frikë ju? Juve nuk iu vrasin

KELI, bën sikur s’e dëgjon Malon.
Vrasësit në tokë sigurisht e kanë këtu edhe zotin-njeri që urdhëron vrasjet!

PRIFTI, mendueshëm dhe me urti.
Jo! Zoti i gjithëfuqishëm ka krijuar edhe popuj qiellorë, siç janë sllavët e mëdhenj, të cilët që nga krijimi dhe zbritja e tyre në tokë, pastrojnë këtë botë nga popujt që e ndyjnë rruzullin Unë kam respekt të përulshëm ndaj tyre

(Romi, kur dëgjon këto fjalë të priftit, i bie tabakaja nga duart, me të cilën shërben).

ËNDËRRUSHA, ngrihet.
Romi! Ç’ke që bën kështu, Romi?!

PRIFTI, duke mos i dhënë rëndësi.
Asgjë, asgjë! E shqetësojnë këto rrëfime të mistershme!

ROMI, e shqetësuar dhe me faj.
Më falni! Nuk desha

KELI, harron krismën e tabakasë së rrëzuar nga duart e Romit.
Domethënë, këta popuj qiellorë qenkan vrasësit e njerëzimit?

PRIFTI, me përtesë.
Jo! Nuk janë vrasës. Ata janë në shërbim të mirë të njerëzimit. Ke parë ti arë me grurë që nuk duhet tëharrë? Po nuk u tëharr, buka e saj nuk hahet, ose, edhe nëse hahet, shkakton dhembje të mëdha barku. Të çon vjellën dhe të merren mendtë. Njerëzit do të vuanin shumë nga egjra, nëse dikush nuk e vë dorën në grunajë që ta tëharrë atë.

ËNDËRRUSHA, më e qetë.
E kuptoj, e kuptoj! Më bëhet qejfi që unë nuk jam egjra

MALO, gjithnjë me gojën plot.
Mirë që tëharret bota nga e keqja. Po të mos ndodhte kështu, edhe unë do të ndihesha i kërcënuar

KELI, ngrihet, hap dritaren dhe duke belbëzuar diçka përçartë, kthehet në vend.
Po kush i tëharrë këta popuj qiellorë, që në tokë paskan ardhur si vrasës?

PRIFTI, duke mos dashur të flasë, ngrihet me të shpejtë dhe mbyll dritaren me rrëmbim.
Nuk i tëharrë askush, sepse ne i mbrojmë. Ata që duhet të vriten do të vriten! Meqenëse këta popuj sllavë kanë zbritur nga qielli të dërguar nga Perëndia, asnjëherë nuk mund të quhen vrasës, sado vrasje të bëjnë. Bota këtë e ka kuptuar dhe nuk i gjykon për këtë! Ju të Dardanisë duhet të përgjoni mëkatet e juaja, meqenëse kjo botë sllave është derdhur mbi ju dhe po ju dënon me vrasje masive!

KELI, tepër nervoz.
Ju nuk jeni sllav! Përse i mbroni me kaq zell vrasësit e dardanëve? Nga frika ndaj vrasësve sllavë, apo nga dëshira që t’i zhbëni dardanët?

PRIFTI, i zënë ngushtë.
Unë jam vetëm një prift dhe një bari i Zotit! As ju nuk jeni sllavë, por unë jam këtu, në mesin tuaj. Ju nuk i përkisni të keqes. Të keqes i përkasin vetëm njerëzit tuaj që kanë nisur lëvizjen pa thënë Perëndia Zoti ata nuk i vret, sepse e ka armatën e popujve qiellorë që vrasin dhe me vrasje të tilla të shenjta, jo vetëm nderojnë kishën tonë të përbashkët, por shtrihen edhe mbi tokat e tyre që të ruajnë pastërtinë nga popujt që për të gjallë nuk i përkasin qiellit

MALO, gjithnjë me gojën plot ushqim.
Hirësi! Ju e dini më mirë. Vini nga Pasiliria, ku kërkuat të shtrini edhe një herë bizantin dhe përvoja juaj e atjeshme vjen këtu si hyjni! Ne të bindemi, hirësi dhe, siç e dini, do ta bëjmë përbashkësinë Pas-helene dhe Pas-ilire!

PRIFTI, më i kënaqur.
Nga Pas-helenia erdha në Pasiliri në krye të kishës së saj. Njerëzit atje janë të devotshëm. Kjo i ka shpëtuar nga shtrirja dhe hakmarrja e popujve hyjnorë

(Keli përplasë duart mbi tavolinë. Ngrihet dhe me një vështrim të egër, del duke përplasur me forcë derën nga prapa).

ËNDËRRUSHA, ngrihet pas tij, por nuk del.
Keli! Kthehu, Keli!

(Krijohet një qetësi e zorshme. Malo mbetet me gojën hapur pa mundur të përtypë ushqimin që e mban në gojë. Prifti buzëqeshë inatshëm. Brenda kësaj qetësie, dëgjohet kërkëllima e derës dhe hyn Keli).

ËNDËRRUSHA, e gëzuar
Keli im i dashur! Ç’pate kështu?

KELI, kokulur.
Më falni! U rrëmbeva Posa dola jashtë m’u kujtua se fjala nuk ishte për mua dhe për Ëndërrushën time të shtrenjtë. Ç'më hyjnë në punë të tjerët, mendova. Aq më bën! Prandaj, u ktheva! Ju kërkoj edhe një herë falje, hirësi!

MALO, arrin të përbijë ushqimin që mbante në gojë.
Edhe ai zuzari, siç i thoshin, gazetar, që ishte një pëllëmbë njeriu dhe që mbante një mjekër katran, e kishte kërkuar vrasjen. E kishte kërkuar dhe e gjeti

ËNDËRRUSHA, si përvajshëm.
I ri ishte! La një kërcune nënë dhe ca motra të trishtuara!

MALO, duke fshirë gojën me salvetë.
Mos u dashka që ne të qajmë për atë kërcune nënë? Atij zuzari nuk iu kishte dhimbsur nëna, pse të na dhimbset tash neve? Pse s’e bëri ajo një tjetër djalë që nuk do të bëhej gazetar dhe që nuk do të merrej aq tërbueshëm kundër popullit hyjnor? E bëri këtë, e gjeti këtë!

(Hyn Romi. Biseda ndërpritet).

ROMI, Ëndërrushës si me belbëzim
Ka ardhur një i huaj dhe kërkon të hyjë!

ËNDËRRUSHA, e trazuar.
Kush mund të jetë ky i huaj? Nuk ta tha emrin?

ROMI, si me faj.
Jo! Më tha se e di hirësia e tij se kush është

PRIFTI, i zënë ngushtë, si me vete
Hajvani!

ËNDËRRUSHA, pa ia vënë veshin Priftit
Thuaj të vijë. Në ardhtë për të mirë, mirë se të vjen, në ardhtë (Romi del)

PRIFTI, duke bërë me dorë nga dera
Susllovi ose Paskarpati është...

ËNDËRRUSHA, e habitur.
Kush janë këta?

PRIFTI
Mos u shqetësoni, mos u shqetësoni! Është dhe mik juaji!

(Romi hap derën dhe aty hyn Susllovi, i veshur me zhele. Në kokë mban një kapo të thurur bojë të zezë. Ndërmjet kësaj kapoje të futur deri mbi vetulla dhe mustakëve të zgjatur si brirë, shihen sytë me një shikim gjarpri)

SUSLLOVI, duke u afruar me hap të rëndë dhe me dyshime
Qenka bërë zor të hyjë njeriu këtu, zonjë Për miq shtëpie duhet lidhur qenin

ËNDËRRUSHA, duke u ngutur.
Ne nuk njihemi fare, zotëri! Pastaj... ne këtu s’kemi fare qen as për miq e as për

SUSLLOVI, me nge dhe me një ton të ashpër
S’keni qen, thoni? Kurse unë mezi arrita të vija deri këtu nga kjo Si bushtër stepash ishte! (bën me dorë nga Romi, e cila dukej sikur ishte bërë gati t’i vërsulej përnjëmend ).

PRIFTI, ngrihet shpejt e shpejt në këmbë, duke ndërhyrë
Zoti Susllov, i cili është vepruesi më i devotshëm i boshtit tonë, erdhi. Më brengos vetëm vonesa e Paskarpatit Zonja Ëndërrushë! Ju lutemi t’i thoni shërbyesës suaj që të mos e pengojë hyrjen e tij këtu. Ai duhet të arrijë në çdo moment

(Hapet dera dhe atje shihet dhe dëgjohet Romi duke u munduar të pengojë hyrjen pa paralajmërim të Paskarpatit)

ROMI
Duhet të prisni lejen

ËNDËRRUSHA, ngrihet me rrëmbim dhe niset nga dera
Romi! Ç’ke që këlthet ashtu? Le të hyjë mysafiri!

(Romi tërhiqet nga dera, duke i bërë rrugë menjëherë Paskarpatit, i cili hyn duke e shtyrë Romin dhe duke e përplasur me shpinë për muri)

ËNDËRRUSHA
Urdhëroni, urdhëroni!

(Paskarpati hyn me zhurmë, afrohet pranë tavolinës ku është edhe prifti. I shikon të gjithë me radhë me një shikim të egër dhe mospërfillës. Përplasë mbi tavolinë një qese të zezë najloni, vë duart mbi armët në brez dhe me hapa të shpejtë e të rëndë i afrohet dritares. Bëhet sikur shikon jashtë, por vetëm për një çast. Kthehet dhe i afrohet publikut. I drejtohet atij).

PASKARAPTI, ngreh duart lart dhe thërret me një zë të thekshëm
Ah, sikur të mos ishi! Ç’ju desh perëndisë që ju bëri? Hë, thuane! Ju ka bërë që t’u vrasim ne! Ka krijuar ushqimin tonë Satana është me ne! Satana jemi ne! Gjaku juaj na ushqen dhe me vdekjen tuaj ne bëhemi të pavdekshëm (Ulurinë në drejtim të publikut). Ç’vështroni kështu? Më njihni? Kërcënoheni? Kërkoni me ata sy të mjegullt nga frika të më vrisni, të më shporrni? Këtu më keni! Këtu do të jem, në zemrën e vdekjes suaj! (Ëndërrushës) Darkë hyjnore më paske sjell (bën me dorë nga publiku).

ËNDËRRUSHA, e frikësuar i vete pranë
Ç’t’u dojë zemra, zotëri! Sapo e kemi shtruar tavolinën!

PRIFTI, ngrihet dhe i afrohet Paskarpatit, duke kruar mjekrën dhe sikur i thelluar në mendime
Jemi këtu që të merremi vesh

PASKARPATI, pa ia vënë veshin Priftit, i drejtohet Ëndërrushës
Zonjë! Ne jemi luftëtarët e civilizimit paskarpatian, andaj ju pyes se ç’kërkojnë këta që i shoh këtu? (shtrin dorën nga publiku, pastaj kthehet nga Keli e Malo)

ËNDËRRUSHA, e tronditur thyen gishtërinjtë
Zotëri!

PASKARPATI, shikon Priftin, i cili shëtit mendueshëm
Duhet t’i dëboni dhe t’i dërgoni në strofkën e qyqeve! Nuk dua t’i shoh! I dua vetëm të vdekur të jenë!

KELI, ngrihet edhe ai në këmbë
Zotëri! Po pse nuk thoni se ju kërkoni të bëheni zot shtëpie këtu? Kush jemi, pra, ne? Ç’paraqet këtu, në këtë shtëpi dhe në këtë pritje, Ëndërrusha?

MALO, prapë me gojën plot
O, Keli! Ëndërrusha është një krijesë e mrekullueshme

KELI, hap sytë
Po ne të tjerët të shëmtuar qenkemi? Dhe unë s’e kërkova mendimin tënd, zoti Malo!

PRIFTI, me shikim ëndërrues
Ne jemi fëmijët e Zotit! Përpara tij jemi pikërisht ashtu siç na ka krijuar. Dera nuk është për t’u mbyllur për miq, por për t’u mbrojtur nga armiqtë

PASKARPATI, me hijerëndësi
Imzot! Këtu nuk jemi për të dhënë kësi llogarish banale dhe provinciale. Boshti ynë ka dhe probleme të tjera edhe në këtë skutë të ingirencës sonë. Perandoria jonë e veprimit sikur po vonohet të shtrihet siç i ka hije edhe mbi këtë zhurmë mizash të këtij vendi dhe të kësaj pakice të qelbosur. Kërkoj që të mbetemi vetëm dhe t’i shtrijmë hartat pikërisht sot, mu ashtu siç jemi marrë vesh.

MALO, ngrihet në këmbë
Unë ika që t’u lë të kryeni punët tuaja.

PASKARPATI, bën me dorë nga Keli
Edhe ti mund të ikësh!

SUSLLOVI, me një zë plot gërritha
Përse duhet të ikin? Le të rrinë! Perandoria jonë nuk ua ka frikën. Përkundrazi. Bëmë ndonjë punë të fshehtë ne këtu? Jo! S’kemi frikë, që, për shkak të saj, të kemi nevojë të fshihemi!

PRIFTI, me qetësi
Le të ikin, le të ikin!

KELI, pa ditur se ç’të bënte
Si është e mundur?! Si është e mundur!? Ëndërrushë (I afrohet dhe bie në gjunjë para saj). Unë nuk kuptoj!

ËNDËRRUSHA, e hutuar
Do të bisedojmë, pastaj, xhan. Mirë? (Priftit) Unë duhet të rri a të ik? (Prifti shikon Paskarpatin).

PASKARPATI, i përgjigjet shikimit të Priftit
Zonja duhet të qëndrojë këtu. Duhet të jemi të sigurt

KELI, i trembur
Unë jam burri saj

SUSLLOVI, i bie tavolinës me pëllëmbë dhe ngrihet në këmbë
E po, mjaft më! O, Zot! Ç’bëre që i krijove këta! Ku din këta për punët e shtetit të diplomacisë?

(Keli hesht dhe kokulur del bashkë me Malon. Prapa ju vete Ëndërrusha, e cila pas tyre mbyll derën me çelës. Krijohet një qetësi. Të pranishmit bëhen sikur përgjojnë se mos ka mbetur kush tjetër i padëshirueshëm aty. Shikojnë nën tavolinë, pastaj ngrihen dhe shikojnë pas perdeve, në syza tavolinash).

PRIFTI, ulet i pari
Ministri ynë i jashtëm, Pordhatis, ka vënë në dijeni diplomacinë evro-atlantike se Qendra e Perandorisë Ortodokse mendon se dardanët duhet të shkulen nga Gadishulli ynë dhe se për këtë do të jetë përgjegjëse Paskarpatia, e cila ka zbritur nga qielli vetëm për këtë qëllim. Nëse kjo diplomaci do ta përkrahë këtë urdhër të Zotit, shkulja e tyre do të bëhet shumë shpejt! Nëse kjo do të hezitojë, natyrisht, ky proces, do të kryhet, por do të ketë ca vonesa.

SUSLLOVI, si nëpër gjumë
Ka bërë gabim ministri juaj i jashtëm! Ç’ka ai që iu përkulka kaq shumë diplomacisë evroperendimore? Hezitimi i saj, siç ka ndodhur vazhdimisht, është i mbushur me një politesë të mërzitshme, megjithatë kjo diplomaci, si gjithmonë, do të na përkrahë edhe tash.

PRIFTI, me dyshim
Druaj se nuk është më kështu...

SUSLLOVI, shikon vëngër
Brenda diplomacisë së saj ajo fsheh gatishmërinë për krishterimin. Evropa, për shembull, nuk do të lejojë kurrë që në prehrin e saj të jetojnë ky soj mileti, i cili nuk shkrihet, nëse nuk vritet

PRIFTI, lëviz kokën me dyshim
Nuk them se s’e kanë këtë gatishmëri, ama ajo e di se dardanët ishin këtu para nesh dhe i qëndruan secilës perandori pushtuese. Qëndruan edhe para nesh e po qëndrojnë edhe para jush...!

PASKARPATI, ngrihet dhe shëtit nëpër skenë shumë nervoz
Pavarësisht nga të gjitha këto që thoni, ne do t’i vrasim. I kemi vrarë dhe do t’i vrasim gjithnjë!

SUSLLOVI, me të shpejtë
Të vrisni sa më shumë! Ju e keni mbrojtjen tonë.

PRIFTI, me urti
Nga të gjitha anët duhet t’i shtrëngojmë

ËNDËRRUSHA, e trishtuar
Unë kam frikë nga vrasjet. O, zot! Nuk bën t’i asgjësoni pa derdhur gjak?

PASKARPATI, nuk i vë vesh Ëndërrushës
Dardanët janë të armiqësuar mes veti

PRIFTI, ledhaton mjekrën e bardhë
I vrasim dhe ua lëmë atyre. Ia lëmë hakmarrjes që e kanë zakon.

SUSLLOVI
Do të vrasim edhe ca qyqarë tanë dhe fajet ua hedhim dardanëve.

PASKARPATI, duke u endur nëpër skenë
Do t’i quajmë terroristë! Bota e lufton terrorizmin dhe do ta mbështet fushatën tonë kundër terrorizmit dardanë.

PRIFTI, i gëzuar
Do ta humbin udhën. Do të humbë shumë energji kjo farë që s’u shkul kurrë nga këtu, duke u përpjekur të mohojë pohimet tona O, Zot! Sa inferiorë ishin dhe janë para nesh!

ËNDËRRUSHA, e trishtuar vazhdimisht
Unë mendoj se nuk do t’ia dilni as tash t’i shkulni E duan ata tokën dhe toka u jep jetë dardanëve. Shumohen

SUSLLOVI, me ironi
Edhe ti je dardane, me sa e di. Pse dhe ti nuk u shtove?

PRIFTI, pa e përfillur Ëndërrushën dhe atë që tha Susllovi
Është popull me emocione. Posa t’i prekësh ato, ata shpërthejnë dhe humbin gjithë torruan. Kanë shumë emocione individuale, por kanë shumë pak aso kolektive. Luftën që duhet ta bëjnë për shtetin, ata bëjnë luftë për pushtetin individual. Kjo do të na ndihmojë shumë që të arrijmë të përfundojmë një herë e mirë me ta.

ËNDËRRUSHA, me habi kthehet nga prifti
Hirësi! Nuk janë inferiorë! Historia ka treguar se ata

PASKARPATI, prapë ngrihet në këmbë dhe bredh nëpër skenë
Ha, ha, ha! Tek i dëgjon këta të mbushet mendja se gjithë botën e kanë mbushur me heroizëm, se gjithë botën e kanë frymëzuarse e kanë ngopur me muze, me antikë

ËNDËRRUSHA, me faj
Unë vetëm thashë se

SUSLLOVI, i bie përsëri tavolinës me pëllëmbë
Hirësi! S’kemi ardhur këtu të dëgjojmë marrëzitë e një populli që duhet të shuhet. Pikërisht për këtë të fundit jemi mbledhur sot këtu

(Dëgjohen të trokitura në derë, pastaj fut kokën Keli)

KELI, duke u ngutur, i drejtohet Ëndërrushës
Të gjithë kanë nisur të flasin ja, atje, përtej rrugës Më quajnë... kurse për ty thonë se je bushtër dhe sëmundje e kësaj toke Kërkojnë të të vrasin Janë me armë Unë ika të varem! Erdha të të them lamtumirë

(Keli ik dhe prapa përplasë derën. Ëndërrusha ulë kokën)

PRIFTI, i merakosur, shikon me trishtim nga dritarja.
Paskan armë? Mua nuk më vrasin, jo! Ka dhe të tillë që vdesin për Krishtin tonë.

PASKARPATI, nuk pushon së enduri
Ah! Si s’ka fëmijë kjo shtëpi! Me këtë (nxjerr dhe tregon thikën) do t’i kisha prerë! Do të shihnit ju, pastaj, se si do të ishin ligështuar! Do t’i kishin lënë armët Mbi ta gjithmonë kemi fituar kështu. Ata na kanë ndjekur e ne, ne ua kemi prerë fëmijët, pleqtë, gratë

SUSLLOVI, e ndërpret me nervozizëm
Vëlla! Misionin tonë nuk mund ta lëmë në gjysmë të rrugës Duhet të shpëtojmë kokën, me të cilën, pastaj, do të mund të mendojmë dhe të veprojmë! (Ëndërrushës) Duhet të na gjesh shteg tjetër për të ikur (Dëgjohen britmat që vijnë nga jashtë).

ËNDËRRUSHA, e shqetësuar dhe e frikësuar
Duhet të më merrni me vete! Do të më vrasinPaskarpati shtyn me forcë Ëndërrushën. Ajo rrëzohet. E shtrirë i drejtohet Priftit) Hirësi! Kam frikë. Jam vetëm.

PRIFTI, kruan mjekrën e bardhë dhe sytë s’i heq nga dritarja
Vetëm jam edhe unë. Kam besim vetëm në frikën e tyre ndaj Krishtit tonë

PASKARPATI, shikon Ëndërrushën e rrëzuar, por i flet Priftit
Ah! Të njohin edhe ty. Të njohin edhe kështu të maskuar në prift. E dinë se gjeneral helen je!

PRIFTI, merr për krahu Susllovin. Tregon Paskarpatin
Ky është çmendur fare! Kërkon të shpëtojë kokën me kokën tonë.

SUSLLOVI, shkëputet nga dora e priftit
Unë jam nga shteti madh dhe nuk dua që për kokën e tij (tregon Paskarpatin) të humb kokën time (Dëgjohen krismat e armëve. Krijohet një pauzë që mbushet me trishtimin e këtyre të huajve).

PRIFTI, Ëndërrushës
Pate premtuar se këtu do të jemi të sigurt! Na gjej derë tash!

ËNDËRRUSHA, ngrihet
Ejani, por të mos bëzani!

PASKARPATI, nervoz
Jo! Kësaj tash nuk i besoj! Do të na shpjer në duart e tyre!

SUSLLOVI, Ëndërrushës
Ku është dera e fshehtë?

ËNDËRRUSHA, bën me dorë nga një kënd i skenës, ku nuk shihet të ketë derë
Andej!

(Krijohet një heshtje dhe në skenë nis të bie një muzg i lehtë. Pas pak ata nisen të ikin andej nga bëri me dorë Ëndërrusha. Shtyhen cili të ikë më i parë. Nëpër këtë muzg, që bëhet gjithnjë e më i trashë, shihet të kthehet prapë Paskarpati. Hapat e tij janë të shpejtë. I afrohet Ëndërrushës, ndalet përball saj dhe ia ngul thikën. Dëgjohet një gjëmim dhe klithje e Ëndërrushës dhe ajo, pas një luhatjeje në këmbë, rrëzohet e vdekur. Silueta e Paskarpatit shihet duke vrapuar për të ikur. Skenën e mbulon terri).


Edituar për herë të fundit nga Agim Gashi në Fri Apr 15, 2011 12:03 am, edituar 1 herë gjithsej
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sylejman Aliu:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit (Dramë)- Empty PAMJA E KATËRT

Mesazh nga Agim Gashi Fri Apr 15, 2011 12:02 am

PAMJA E KATËRT

(Skena e njëjtë. Keli bredh nëpër skenë. I kurmëzuar dhe i frikësuar. Shikon në publik. Bën me duar nga ai sikur mbledhë miza).

KELI
S’kam faj! (Ik nga publiku. I afrohet dritares) S’kam faj! Mirë që nuk është Ëndërrusha më! Edhe unë nuk do të jem! Do të vritem Do të më vrasin

(Dëgjohet një zhurmë njerëzish që vjen nga jashtë. Dëgjohen, nëpër këtë zhurmë, edhe të trokitura në derë. Keli i afrohet derës. Përgjon. Pastaj, ngarend te dritarja. Shpalon një skaj të perdes. Shikon jashtë dhe shpejt e mbyllë. E trokitura dëgjohet edhe një herë. Keli i afrohet publikut. Bën me dorë nga ai sikur i thërret, sikur nga ai kërkon shpëtimin).

KELI
Ju më keni parë! Ju më keni dëgjuar se ç’kam thënë! E tash? Çfarë të bëj? Të më vrasin, nuk dua! Të më vrasin?! Duhet! Duhet, por nuk dua! Mëkate do të lë prapa(bie në gjunjë para publikut). Unë s’kam mëkate, ju e dini! Ju jeni dëshmitarët e mi! Të vetëvritem, s’kam guxim (Zhurma jashtë vjen duke u shtuar). Unë s’kisha guxim as të jetoja Unë i vdekur isha! Unë nuk rroja Rroja me turpin Turpi ishte jeta ime është vdekja ime!

(Të trokitura të serishme, por tash më me forcë. Dëgjohet, pas të trokiturave, një thirrje si pëshpëritje. Prapa derës është zëri i Romit).

ROMI
Keli! Jam, unë, Romi!

KELI, i frikësuar rri ende në gjunjë dhe shikon herë nga dera, herë nga publiku. Flet me zë të ulët e të frikësuar
Romi? E kanë dërguar të më vras! O, zot! Ajo do të më vras! Ajo ka shërbyer këtu, pse të mos shërbejë edhe atje?

(Romi përsëri troket dhe thërret me zë të shterur).

ROMI
Keli! Romi jam! Ma hap derën! Shpejt, shpejt!

KELI, publikut, pasi ngrihet në këmbë
T’ia hap? Ajo është në derë! Kërkon t’ia çel derën! Vjen të më vras a të më shpëtojë?

(Zhurma jashtë bëhet edhe më e madhe, kurse trokitjet e Romit në derë bëhen edhe më të shpeshta dhe më të ngutshme).

ROMI, ndërmjet zhurmës
Hape derën! Po nuk e hape, të shtohen mëkatet Unë të di dhe të njoh! Askush s’ka pritur më shumë nga ti!

KELI, afrohet te dera në majë të gishtërinjve. I flet Romit
Domethënë, ata tërë kohën e kanë ditur se unë... Natyrisht, natyrisht! Unë kam mundur të bëj më shumë, më shumë se edhe Ëndërrusha! Atë e vrau mashtrimi, kurse mua do të më vras frika!

ROMI, me frikë dhe me zë të dridhur
Hesht dhe hape derën! Duhet të flas me ty!

KELI, përvajshëm
Pastaj? Çfarë duhet të bëj? Çfarë do të më bësh mua?

ROMI, me të shpejtë dhe e alarmuar
Mos fol! Hape derën nëse dëshiron të jetosh!

KELI, i luhatur ofron dorën te dorëza e derës dhe bëhet gati ta hapë
E nëse nuk dua?

ROMI, me bindje
E hapin të tjerët dhe mbi ty do të bien edhe mëkatet e ikjes Nuk i dëgjon?

KELI, prapë përvajshëm
I dëgjoj! Janë zërat tanë, është Lëvizja jonë ajo! Unë doja që atyre t’u bashkëngjiteshim Ëndërrusha mendonte se nuk ishte koha

ROMI, me përgjërim
Keli! Të lutem hape! Ti e di se këta zëra janë tanë.

KELI, gjithnjë i frikësuar dhe me dorë në dorëz të derës
E di!

ROMI, me zë pak më të lartë dhe urdhërues
Atëherë, pse ik, pse fshihesh?

(Keli e hap derën dhe brenda hyn Romi e shqetësuar. Keli largohet pak nga ajo. Shikon publikun dhe kthehet me të shpejtë nga Romi).

KELI, bie në gjunjë
Romi, më vrit, të lutem! Ti më vrit! Do të vdisja pastaj i qetë Ëndërrushën e vranë ata që ju shërbeu e mashtruar, kurse ti do të më vrasësh pa hile, sepse kështu pa hile ke shërbyer vazhdimisht te ne

ROMI, e ndërpret
Hesht! Të të vrisja do të qe më mirë! Po nuk të vras dot Nuk të vret dot askush ty.

(Keli rrëshan i afrohet këmbëve të Romit, ia puthë këmbët, qanë, pastaj ngrihet, ia merr duart, ia puthë ato, e merr ngryk, pastaj, tërhiqet me të shpejtë nga ajo. Tërhiqet disa hapa prapa).

KELI
Ku është prifti? Ku është ai bizantin i ndyrë që erdhi dhe e mashtroi Ëndërrushën?

ROMI, më e qetë
Ka ikur! Me bisht ndër këmbë ka ikur!

KELI, i trazuar
Po, Paskarpati ka arritur të ikë?

ROMI, ia kthen shpinën Kelit dhe afrohet nga publiku
E vranë! I vranë edhe atë, edhe Susllovin e egër!

KELI, i ngazëllyer
Romi! (e merr për krahu). Romi! Ne paskemi shpëtuar! Hape derën, Romi! Me vdekjen time sot do ta mund turpin!

ROMI, me ironi
O, zoti Keli! Vdekjen tënde s’e do askush! Kujt i nevojitet vdekja jote? Secilit do t’i nevojitej sikur jetën ta kishe pasur të rëndësishme.

KELI, i habitur
Pavarësisht, do të më vrasin. Unë edhe ashtu i vdekur isha deri sot! Së paku vdekja le të ma marrë turpin!

(Të trokitura të rrepta në derë dhe plotë zëra të paqartë).

ROMI, niset nga dera
Vijnë të më marrin mua

KELI, hap sytë
Ty? Jo, moj! Vijnë të ma marrin shpirtin mua...

(Romi hap derën. Përnjëherë hyjnë plotë njerëz të armatosur. Keli bie në gjunjë).

ZËRI I PARË, del me hapa të shpejtë përballë publikut
Kontrolloni në secilën skutë!

(Të tjerët nisin menjëherë nga kontrollimet)

ZËRI I DYTË, pas pak
S’ka të tjerë! Ata i vramë, të tjerët ikën si minjtë!

ZËRI I PARË, Romit
Këtu ishte strofulli i lirisë së huaj!

KELI, gjithnjë në gjunjë, duke u ngutur
Jo! Këtu ishte vdekja jonë vdekja e popullit tim!

ZËRI I PARË, shikon vëngër Kelin dhe i afrohet, duke u sjell rreth tij
E popullit tënd?! Cili është populli yt? Ata që i vramë ishin populli yt?

KELI, ngrihet me të shpejtë dhe qëndron gatitu përpara Zërit të Parë
Jo, zotëri! Ata ishin djalli i mbledhur bizantin! Ne ishim vetëm turpi i popullit tonë!

ROMI, del përpara Kelit
Edhe unë jam e mbushur me mëkate. Ato më rëndojnë I shërbeja turpit

ZËRI I PARË, Zërit të Dytë
Këtu s’paska gjë tjetër pos vdekjes Ikim!

KELI, del përpara Zërit të Parë, i cili po me hapa të shpejtë dhe të rëndë, iu ka afruar derës
Ju lutem, zotëri! Kini mëshirë! Unë nuk mund të qetësohem as me këtë vdekje, sepse këtu (tregon zemrën) rëndon turpi Ju lutem Më vrisni, sepse vetëm atëherë e di se bashkë me mua do të ikë edhe turpi

ZËRI I PARË, hijerëndë
Kërkon nga ne të të shërbejmë tash? Shporru që këtej! Vdekja jote s’na bën punë!

(Të tjerët dalin. Në skenë prapë vetëm Keli dhe Romi. Bredhin nëpër skenë dhe heshtin. Keli herëpashere shtrëngon kraharorin. Duket sikur prej atje shkulë diçka. E hedh tutje, pastaj i afrohet publikut. E shikon gjatë).

KELI, me ironi
Romi! Po hirësia e tij djallëzore, di gjë ku treti?

ROMI, e gëzuar që u prish heshtja e mundimshme
Iku andej nga kishte ardhur! Kanë mundur ta vrasin, por e falën.

KELI, me habi
Si e falën? Ai duhej të vritej i pari! Nuk e dinin ata se kush ishte ky djall bizantin?

ROMI, mendueshëm
E dinin! Të gjithë dardanët e dinë kush është ai. E falën për shkak të kishës sonë, maje të së cilës qëndron ai në Pasiliri.

KELI, bredh sikur vrapon nëpër skenë tepër nervoz
O, Zot i mëshirshëm! Si ka mundur kështu një kuçedër si ai të marrë fronin e kishës sonë? Si ka mundur një helmatisës dhe shfarosës yni të shpëtojë edhe këtu! Ai ma vrau Ëndërrushën

ROMI, sinqerisht
Jo ai! E vrau gjakpirësi paskarpatian, si gjithnjë

KELI, i tronditur
Ai vetëm e ekzekutoi dhe gjakun ia piu! Prifti ia kishte thithur mendjen që më parë Ëndërrushës Ai është vrasësi

(Hyn Malo përnjëherë dhe pa e prishur fare).

MALO, duke ngrënë mollë
Ou, ç’vajtim bëke dhe ti! E vranë, e çka?! Të qarat dhe gjëma bëjnë që pas tyre të harrohen të vdekurit. Të vdekurit nuk qahen nga dhembja, por për shkak të harresës (Kafshon prapë mollën) Po nuk i qave dhe nuk i vajtove, nuk do të arrish kurrë t’i harrosh!
KELI, gati me bërtimë
Ishe dhe prapë ke mbetur një maskara!

MALO, hijerëndë
Jo! Tash iu kam bashkëngjitur Lëvizjes Kjo që tash po e ha është pema e lirisë Kam ngrënë atëherë, pse të mos ha dhe tash?

KELI, i afrohet Malos
Ja, pra! Tregon vetë se ç’maskara je!

MALO, prish gjakun
Maskara je ti! Maskara ishte dhe Ëndërrusha jote, e cila binte në secilin prehër armiqsh! Maskara është Romi, që përvishte vithet dhe i shërbente armikut! Do të mjaftonte, iu them, një fjalë imja dhe juve do t’u lidhnin si armiq të popullit! Kujton ti se kam kohë unë tash të vajtoj për Ëndërrushën e shëmtuar që po i përgatiste bashkë me të huajt, thikën atdheut dhe popullit?

KELI, i shashtisur
Hesht, i mallkuar!

ROMI, përpiqet të ndërhyjë
Zoti Malo

MALO, me të butë
Të njoh, o Keli! Ti s’je tjetër pos një fëmijë që qanë edhe kur nuk duhet Nuk je rritur ende

KELI, bredh nëpër skenë
Ah, si s’e kam një armë pa do të të tregoja ty se ç’fëmijë jam unë

MALO, qeshet me zë
Ha, ha, ha! Kërkon armë? Ti që s’je tjetër pos një engjëll, kërkon armë? (nxjerr nga brezi revolverin) Ja tek e ke! Është i mbushur përplot! Qëllo!

(Keli merr revolverin me të shpejtë. Ia drejton Malos, pastaj e zbret atë dhe revolveri i bie në tokë).

MALO, tërë gaz
Të thashë! Nuk je i zoti ti të vrasësh. Ti di të vajtosh vetëm Ëndërrushën tënde, që më së paku ishte jotja ha, ha, ha Merre armën! Vrite Malon! Me Malon, pastaj, do ta vrasësh gjithë Lëvizjen!

(Keli rrëmben prapë armën dhe ia drejton Malos. I dridhet dora).

KELI, i shqetësuar
Mbylle se të vras!

ROMI, e frikësuar
Mos Keli, mos! Zoti Malo kërkon të ta varë, pastaj, gjithë Lëvizjen në qafë!

KELI, gjithnjë me revole nga Malo dhe me dorën që i dridhet
Po ta qëroj këtë laro do ta shpërlaj edhe Lëvizjen

(Malo, duke qeshur, nis t’i afrohet Kelit).

MALO
Ma jep! Nuk është arma për dorën tënde të dridhur dhe për shpirtin tënd të bardhë!

KELI, bërtet
Ndal! Asnjë hap më shumë... Do të qëlloj!

ROMI, përpiqet ta qetësojë Kelin
Keli! Për shpirtin e Ëndërrushës

KELI, më i vendosur
Për shpirtin e saj të mashtruar dhe për Lëvizjen tonë, po ashtu të mashtruar nga këta maskarenj, do të qëlloj po e bëri edhe një hap!

MALO, me mospërfillje
Do të të afrohem dhe ti do të më përqafosh e do të më kërkosh falje pastaj do të kërkosh mëshirë

KELI, edhe më i vendosur
Për hir të Zotit, ndal!

(Malo niset nga ai plot humor dhe mospërfillje. Keli shkrep armën. Malo ndalet. Qëndron drejt në këmbë dhe pas pak rrëzohet i vdekur).

ROMI, shkulë faqet
E vrave!

(Keli rri shtangur. Mban ende armën andej nga e vrau Malon. Romi afrohet dhe e shkund Kelin, por ai nuk lëviz. Qëndron si i ngrirë).
ROMI, e tërheq për krahu
Ik tash se e vrave!

(Keli sikur zgjohet nga një ankth i lemerishëm).

KELI, bie në gjunjë
Unë e vrava? Romi! Është e vërtetë se e vrava unë?

ROMI
Po! E vrave, por tash

KELI, puth tokën
O, tokë e mirë! Të falem që më dhe forcë të bëj një akt kaq të mirë! Romi! O, Romi! Unë sot vrava turpin tim Unë sot vrava turpin tonë që u mboll këtu e gjetkë nga mashtrimi Tash mund të vdes!

(Romi bie në gjunjë pranë Kelit, i cili ka hapur krahët nga qielli dhe flet përçartë. Ngadalë bie një tis i lehtë terri, nëpër të cilat shquhen hijet e Romit dhe të Kelit të gjunjëzuar. Mbyllet perdja).

FUND
Prishtinë, 1997


Shënime për autorin

Sylejman Aliu u lind më 1947 në katundin Kashtanjevë të Ferizajt. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Ferizaj, kurse studimet e gjuhës dhe të letërsisë shqipe i mbaroi në Universitetin e Prishtinës. Gjatë studimeve ishte kryeredaktor i gazetës së studentëve “Bota e re”, gazetar e redaktor shumëvjeçar i së përditshmes “Rilindja”, kryeredaktor në gazetën e përditshme “Bota sot”, kryeredaktor po ashtu i së përditshmes “Iliria Post” dhe drejtor në Shtëpinë Botuese të Librit “Rilindja”. Tash drejton shtëpinë botuese “SAGA” në Prishtinë.
Përmbledhjen e parë me tregime “Ankthi” e botoi më 1974. Pasojnë “Shtëpia në pluhur”, 1978, “Fillimi i vjeshtës”, 1980, “Gjuetari i dehur”, 1987, “Trazimi i heshtjes”, 1994, “Vdekësit e popullit” (dramë), 1998, romanin “Muzgu i bardhë”, 2003, skenarin e filmit “Dhembja krenare”, të cilin e ka realizuar më 1989 Radiotelevizioni i Prishtinës, “Filozofia e krrokamës – Rexhep Qosja në pasqyrë”, “Kupola e lumturisë” dhe “Shpirtrat e përditshëm” (drama satirike). Së shpejti nga ky autor pritet të dalë nga shtypi romani “Mashtrimi i dashurisë”, si dhe dy libra të tjerë publicistikë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sylejman Aliu:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit (Dramë)- Empty Re: Sylejman Aliu:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit (Dramë)-

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi