Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Pergjigjet Blendi Fevziu

Shko poshtë

Pergjigjet Blendi Fevziu Empty Pergjigjet Blendi Fevziu

Mesazh nga Agim Gashi Thu Mar 26, 2009 1:41 am

Pergjigjet Blendi Fevziu 20071104194327_artikull
Berisha ne Egjipt, Konferenca Islamike dhe Pavaresia e Kosoves

Blendi Fevziu
E Hene, 05 Nentor 2007

Mehilli, me adrese Ironiku@otenet.net shkruan:

Kam lexuar ne gazete, qe Sali Berisha ka qene ne Egjipt dhe qe ai po kerkon nga Bashkimi Islamik, qe ta njohe i pari Kosoven. A eshte kjo e vertete dhe a eshte nje problem per marredheniet me Ameriken? Dihet qe vendet islamike nuk shihen me sy te mire dhe qe ne nuk jemi nje vend islamik, sado te perpiqet Berisha!



I nderuar zoteri!

Kam pershtypjen se ajo qe ju thoni, me shume se sa e verteta, eshte nje amalgame mendimesh, qe vijne nga qendrimet konfuze te shtypit, nga mungesa e nje qendrimi koherent te opozites dhe nga komentet e ceketa, qe ndesh perdite ne internet. Po e filloj pergjigjen, duke nisur me nje pyetje:

A ka ndonje problem qe 57 vendet e Konferences Islamike, plus 3 vezhguesit, pra 60 ne total, ta njohin Kosoven ne bllok dhe menjehere pas njohjes nga SHBA dhe vendet e rendesishme te BE? Pergjigjja eshte, pa dyshim, e thjeshte: Jo, perkundrazi! Bashkimi i votave te tyre me ato te fuqive te medha perben nje garanci, qe procesi i njohjes se njeanshme te Kosoves, pas shpalljes se pavaresise, do te ece shpejt dhe pa probleme.

E dyta, a do ta njohin Kosoven vetem vendet islamike, apo edhe te tjerat? Pergjigjja eshte, pa dyshim, e thjeshte: Jo, ajo do te njihet fillimisht nga SHBA, Britania, Franca, Italia, Gjermania e ndoshta Spanja dhe me pas nga vendet e tjera, qe do te bashkohen ne kete proces. Njohja mund te jete nje histori e gjate dhe e lodhshme, por ajo qe i mbetet kosovareve dhe te Shqiperise eshte vetem lobingu sa me i madh ne kete drejtim.

E treta dhe e fundit, a mund te thuhet se Shqiperia po ben lobing vetem me vendet islamike apo edhe me gjere, duke nisur nga vendet me te rendesishme dhe te fuqishme te globit? Pergjigjja eshte fare e thjeshte: Jo, ka nisur me SHBA dhe vendet e tjera dhe tashme po tenton, edhe pse ende zbehte, edhe me vendet islamike e vendet e tjera, kushdo qofshin ato, por qe kane nje rol per te luajtur.

Po rikthehem edhe nje here ne pyetjen tuaj, per t’i dhene pergjigje direkt asaj.

Dihet tashme se ne daten 10 dhjetor mbaron afati shtese, qe ishte dhene per gjetjen e nje zgjidhjeje nga palet per problemin e Kosoves dhe se plani Ahtisari ka deshtuar tashme. Serbia nuk e pranon, Rusia nuk eshte gatshme ta votoje, duke vendosur veto dhe Kosova ka nje zgjidhje dhe vetem nje: te shpalle pavaresine e njeanshme. Nuk ka asnje dyshim, se kjo duhet bere, duke marre nje aprovim paraprak nga SHBA dhe vende te tjera te rendesishme te BE, vende qe sipas te gjitha gjasave e kane bere zgjidhjen e tyre. Per kete arsye lobingu me to, edhe pse duhet te vazhdoje, nuk eshte ai jetiku. Perderisa ato vete kane marre nje pozicion qarte. Natyrisht, pavaresia e njeanshme nuk eshte nje vendim i lehte dhe ai sjell mjaft komplikime. Ne kete rast, nje njohje nderkombetare, sa me e gjere, pa asnje paragjykim dhe me vetem nje moto, ate: “cdo shtet dhe vote per njohjen e Kosoves” mund te sjelle sukses.

Duke e njohur kete skenar, kete filozofi dhe kontekst, duke pasur njohje te forta dhe te vjetra nderkombetare, lobingje pro tyre dhe nje diplomaci tejet aktive, Serbia po punon intensivisht per te parandaluar shpalljen e njeanshme te pavaresise, ose ne rastin me te keq, per ta lene ate ne trajta fare minore. Ne ato te nje vendi te vogel, te njohur nga pak vende te tjere. Po e ben kete permes diplomacise, ofertave ekonomike per investime ne Serbi, kompanive te medha me ndikim politik, qe kane interesa ne Beograd dhe permes kercenimit per prishjen apo ngrirjen e marredhenieve bilaterale. Diplomacia serbe eshte fokusuar ne kete drejtim dhe vetem ne kete drejtim. Ky angazhim ka prekur jo vetem ministrin e Jashtem, Jeremic, por edhe Kryeministrin Koshtunica e Presidentin Tadic. Te tre bashke kane filluar nje fushate aktive, qe ne e kemi te veshtire edhe keshtu ta perballojme.

Ne kembim te gjithe kesaj, politika kosovare po tregohet tejet e matur, relativisht aktive, por ajo eshte me shume se sa e limituar. Mospasja e nje statusi, mungesa e infrastruktures diplomatike dhe shume probleme te tjera e kane lene ate inferiore. Zgjidhja e vetme mbetet angazhimi i forte dhe intensiv i Shqiperise ne ndihme te saj. Presidenti i vendit, Kryeministri, Kryetarja e Parlamentit dhe ministri i Jashtem duhet te jene 100 % te angazhuar ne kete kohe dhe thuajse krejt ne funksion te zhvillimeve ne Kosove. Kombi shqiptar ndodhet ne nje nga momentet me te rendesishme te historise se tij te 100 viteve te fundit dhe cdo papergjegjshmeri eshte e pafalshme! Asgje me te rendesishme se sa nje Kosove e Pavarur nuk mund te kete per Shqiptaret sot dhe kjo duhet te jete motoja jone e vetme.

Ne kete kontekst politika shqiptare ka qene aktive kryesisht me vendet e medha, qe duhet te marrin vendimin dhe qe diktojne politiken boterore, por ajo duhet te jete aktive edhe me organizime apo organizata shtetesh, qe mund te ndihmojne njohjen ne grup, duke e thjeshtuar procesin. Organizata e Vendeve Islamike eshte nje prej tyre dhe ne kete rast jo me pak rendesi. Ajo mund t’i sjelle Kosoves pas 6 – 10 njohjeve te para, plot 60 vota te tjera, duke e bere keshtu fakt, ne pak ore, qenien e saj si nje shtet i pavarur, shtetin me te ri ne Evrope. Nese nuk do te punohet me Konferencen per te marre nje vendim kolegjial atje, atehere Kosova duhet te punoje me 60 shtete, vec e vec, duke e zgjatur nuk dihet per sa vjet kete proces.

Natyrisht qe nuk eshte e lehte te arrish konsensus ne nje Organizate, ku shume vende kane probleme dhe ku Precedenti i Kosoves mund te ndikoje direkt ne to: Indonezia me disa ishuj te saj, Turqia dhe Siria me Kurdet, pa llogaritur ketu marredheniet perfekte qe disa prej ketyre shteteve kane pasur me Jugosllavine e Titos, marredhenie qe i kane trasheguar edhe sot me Serbine.

Per t’ju pergjigjur pjeses se dyte te pyetjes suaj, po ju them se vizita ne Egjipt me sa duket kishte kete karakter. Egjipti eshte nje vend me influence ne Konferencen e vendeve Islamike: ai drejtohet nga nje politikan me ndikim ne boten islame, si Hosni Mubarak, por nga ana tjeter ai eshte nje vend me shume mosbesim per pavaresine e Kosoves dhe cdo takim, cdo intensifikim i marredhenieve, pa dyshim, qe ndikon pozitivisht. Per nje rastesi historike, por edhe si pasoje e situates ne vijim, raportet mes Shqiperise dhe Egjiptit, qe mendohen si perfekte, nuk jane edhe aq intensive. Ato kane hijen e mosbesimit te klases politike egjiptiane ndaj dinastise se shkuar shqiptare atje, po aq sa edhe largesine qe krijohet nga raportet perfekte mes Egjiptit dhe Serbise. Fatkeqesisht, kjo vizite eshte shume pak. Per te pasur nje ndikim me te madh, treshja drejtuese e Shtetit Shqiptar duhet patjeter te vizitoje Arabine Saudite, nje vend me ndikim te madh ne Konference. Duhet te jete me aktive ne vendet e tjera te Gjirit, si Katari dhe Dubai dhe duhet te jete shume here me e pranishme ne mediat, qe kane ndikim ne boten dhe politiken arabe, si Al Jazira. Shqiperia duhet te kerkoje me ngulm qe grupe gazetaresh te ketyre TV te vijne ne Kosove, te pasqyrojne realitetin atje dhe te ushtrojne ndikimin e tyre mbi politiken e ketyre vendeve. Nese ne fund ne arrijme te sigurojme njohjen e 60 vendeve islamike ne bllok, dhe jo nje nga nje, kjo eshte nje fitore e madhe.

Pa dyshim, krijimi i asocimeve, sipas te cilave njohja nga vendet islamike krijon problem apo nuk di cfare, eshte thjeshte nje propagande. Po them propagande, sepse ne rast se nuk eshte produkt i injorances, eshte ne rastin me te keq dashakeqesi ndaj momentit me te rendesishem politik te Shqiptareve. Nje propagande e rendomte, qe ne vend te shkoje ne favor te Kosoves, shkon dukshem kunder saj. Sepse, ne fund te fundit, Kosova duhet te jete Shtet i pavarur! Kosovaret duhet te kene statusin e tyre perfundimtar dhe ne kete beteje nuk duhet te nenvleftesohet dhe te paragjykohet asgje dhe askush!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Pergjigjet Blendi Fevziu Empty Pse duhet ndertuar “Rruga e Kosoves”

Mesazh nga Agim Gashi Thu Mar 26, 2009 1:42 am

Pse duhet ndertuar “Rruga e Kosoves”


E Enjte, 25 Tetor 2007

Derguesi Anton, me adrese: antonp@netzero.net

Duke ju konsideruar si nje analist te afte te politikes shqiptare, pyetja ime per ju eshte: Dyluftimi Qeveri-Prokurori per korridorin Shqiperi - Kosove mos eshte valle kerkese e Greqise, qe me ndryshimet gjeopolitike ne Ballkan dhe duke ditur se aspiratat e tyre jane evropiane, per fatin qe Shqiperia ka ne themelin e saj kete segment qe e ben ure lidhese te fuqishme, duke i larguar shtetit grek nje numer shtetesh te lindjes qe perfitonte nga ky kalim qe zoteron prej kohesh dhe tani, po perdor karrigen e prokurorit qe te pengoje endrren shekullore te shqiptareve.

Dhe e dyta, a duhet ndertuar sa me shpejt kjo rruge apo jo? Si mendoni ju? Ju faleminderit!

Blendi Fevziu: Nuk do te doja te hyja ne nje skenar nga ata qe ne Shqiperi ngrihen rendom, subjekte kafenesh dhe bisedash kompleksive me spiune dhe spiunazh. Por te falenderoj per pyetjen dhe po e nis nga kjo e dyta, per t’ju dhene pergjigje, ne nje mase te madhe, edhe per pyetjen tuaj te pare. Nisur edhe nga fakti qe interesimi per te eshte thuajse i paperseritshem ne internet.

Po ju them se sot, ne duhet te jemi kombi i vetem ne Evrope, qe nuk kemi nje komunikim normal mes nesh. Fundjaven e kaluar m’u desh te intervistoja ne Prishtine Presidentin, Fatmir Sejdiu. Per nje interviste 40-minuteshe, ne mungese te nje komunikimi normal ajror, kam shpenzuar 48 ore, duke udhetuar me Austrian Airlines, nga Prishtina ne Vjene dhe nga Vjena ne Tirane. Korridori ajror parashikonte fluturimin mbi Tirane, Bari e pastaj ne Vjene, ne nje udhetim qe mjaftonte te mberrije nga Prishtina ne cdo cep te kontinentit, por i palogjikshem ne kohen dhe largesine e tij, per nje qytet qe nuk eshte me shume se 250 km larg Tiranes. U ndjeva keq, sepse perpara ketij fakti, perpara barrierave te komunikimit, qe ne vete kemi vendosur, gjithcka tjeter nuk ka vlere.

Po hyj tani ne teme. Fati e ka sjelle qe si gazetar, ta ndjek me vemendje ndertimin e kesaj rruge, qe ne fillesat e saj, ne pranveren e trazuar te vitit 1999, kur si pasoje e nevojes se NATO-s per nderhyrje tokesore ne Kosove, u hodh ideja e ndertimit te shpejte te ketij aksi ose rikonstruksioni i plote i atij aktual. Me pas, ne cdo udhetim ne Kosove, ne cdo bisede ne nivele politike, ky ka qene nje lajtmotiv me shume se i rendesishem i bashkepunimit mes shqiptareve ne dy anet e kufirit. Nuk ka asnje dyshim, se pergjigjja per ndertimin e tij eshte nje dhe vetem nje: Po, ky aks duhet te ngrihet me cdo kusht, me cdo kosto dhe me cdo fature. Cdo tentative per te kunderten nuk eshte asgje me shume se sa amoralitet politik, amoralitet me vendin tend, historine dhe prosperitetin e shqiptareve ne Ballkan. Per te mos mbetur ne rrafshin e konstatimeve po ju jap argumentet e mia:

E para, ndertimi i rruges Durres – Kukes – Morine dhe me pas i segmentit Morine – Prishtine eshte nje detyrim qe Shqiperia dhe Kosova e sotme ia kane historise, ia kane disa brezave qe e kane aspiruar ate, jo thjesht si nje rruge, por si themelin e bashkimit dhe komunikimit te Shqiptareve, te ndare perdhunisht ne fillim te shekullit te kaluar. Me shume se sa nje aks rrugor, ajo eshte nje aspirate e madhe, e cila, me ne fund, pas shekujsh, ben te mundur komunikimin normal mes Shqiptareve. Ajo eshte, shnderrimi ne realitet i “bashkimit kombetar”, endrres madhore te ketij kombi prej me shume se 95 vitesh. Ajo e kthen komunikimin Tirane – Prishtine, aktualisht, problematik dhe te limituar, ne nje komunikim intensiv dhe te perditshem.

E dyta, ndertimi i kesaj rruge e kthen tregun e vogel kosovar prej 2 milion konsumatoresh dhe ate shqiptar prej afro 3 milion konsumatoresh ne nje treg te konsiderueshem prej 5 milion konsumatoresh. Nje treg, qe bashke me periferine e tij, po kaq te konsiderueshme te shqiptareve te Maqedonise dhe te Malit te Zi, shnderrohet ne nje treg te konsiderueshem ne Ballkan.

Po ne kete logjike, ndertimi i ketij aksi shkurton ndjeshem transportin e mallrave nga porti i Durresit drejt Kosoves e Serbise Jugore dhe relativizon nevojen aktuale te portit te Selanikut.

Ndertimi i rruges i jep nje zhvillim ekonomik te jashtezakonshem bregdetit shqiptar dhe turizmit tone, ne pergjithesi. Po ju kujtoj, se ne dimer, diferenca e temperaturave midis Prishtines e Durresit eshte mbi 10 grade Celsius. Imagjino se sa te pranishem do te jene shqiptaret e Kosoves ne Durres, kur ne vend te temperaturave minus do te gjejne nje diell dhe nje ngrohtesi per t’u admiruar ne zemer te dimrit. Mendoni se cili do te jete tregu i pasurive te paluajtshme ne Durres, Shengjin, Vlore, nga prania e shqiptareve te Kosoves dhe Maqedonise, qe do te kerkojne te kene shtepite e tyre te pushimit ne bregdetin shqiptar. Cila do te jete perspektiva e Dhermiut, Himares e Sarandes nga ky turizem? Ne kete drejtim, do te ndikoje edhe shtimi i pranise dhe investimeve ruse ne Ulqin dhe shtrenjtimi si pasoje e kesaj i hoteleve dhe turizmit atje. Disa qindra mijera kosovare, qe aktualisht i kalojne pushimet ne Ulqin, si pasoje e lehtesive dhe mundesise me te mire dhe si pasoje e pranise ruse ne ate qytet, do te transferohen drejt Shqiperise, duke garantuar nje kontigjent prej afro 2.5 milion turistesh potenciale. Nje numer lakmues per cdo vend e jo me per nje shtet me 3.5 milion banore si Shqiperia.

Se treti, po ne kete logjike ekonomike mund te them se ne jemi tejet te vonuar, jo vetem per ta renduar, por per ta funksionalizuar kete rruge. Dihet se Kosova po shkon drejt pavaresise se njeanshme, pavaresi qe Serbia nuk do ta pranoje kurre. Nese i referohemi strategjise serbe, ne kete rast, goditja e pare do te jete embargoja ekonomike. Kjo embargo do t’i heqe Kosoves pjesen me te madhe te shkembimeve tregtare, qe ende vijojne te funksionojne mes dy vendeve. Kjo pritet te ndodhe diku nga pranvera ose vera e ketij viti. Fatkeqesisht, ne nuk jemi ende gati, qe permes ketij korridori t’i sigurojme Kosoves furnizimin tregtar. Pas kesaj, se paku deri ne perfundimin e rruges, e gjithe tregtia kosovare do te perqendrohet ne aksin Prishtine – Shkup – Selanik. Aks qe nuk dihet, nese mund ta perballoje dhe mbi te gjitha, nuk do te jete me i favorshmi per Kosoven. Ne duhej te kishim qene me ne kohe, qe kjo rruge, kaq e perfolur, te merrte nje vlere te jashtezakonshme ekonomike edhe permes kesaj ndermarrjeje.

Nga ana tjeter, ndertimi i kesaj rruge do ta beje, ne veshtrimin afatgjate, te panevojshem lidhjen e portit te Tivarit me Serbine Jugore. Porti i Durresit do te kete pas kesaj kushte me optimale per furnizimin e jugut te Serbise dhe Bullgarine Perendimore.

Se fundi, ne veshtrimin ekonomik, edhe pala kosovare ka nisur te orientohet nga ky projekt, duke marre masat per projektimin dhe ndertimin e aksit Morine – Merdare – Prishtine, afro 120 km i gjate, duke e plotesuar 100 % aksin e rruges, qe mund te quhet fare mire: Rruga e Shqiptareve.

Se katerti, ndertimi i kesaj rruge nxjerr nga izolimi shekullor Veriun e Shqiperise dhe e integron ate ne menyre te natyrshme me pjesen tjeter te vendit. Vec aspektit tregtar, rruga do te ndikoje mjaft edhe ne emancipimin e shume zonave, te mbetura larg zhvillimit normal te vendit.

Se pesti, dua te ndalem pak ne debatin mbi domosdoshmerine ose jo te kesaj vepre. Edhe pse nen ze, ai eshte thelbi i saj. Me veprat e medha ndodh gjithnje keshtu. Une nuk dua t’i hyj debatit mbi abuzimet apo financimin e rruges. Cdo cent i investuar ne kete rruge duhet te hetohet, te sqarohet dhe te binden financuesit e saj, pra shqiptaret, qe parate e tyre nuk jane shperdoruar. Kryeministri ka deklaruar se eshte i gatshem te paguaje nje hetim te pavarur nderkombetar per financimin e kesaj rruge dhe miradministrimin e fondeve dhe kjo eshte nje menyre shume e ndershme per t’i dhene fund debatit.

Por nga ana tjeter, veprat qe i kalojne kufijte e kohes kur ndertohen, kane gjithnje kete dileme brenda tyre. Ju siguroj se kur Mbreti Zog vendosi ndertimin e bulevardit qendror te Tiranes, sheshit dhe bulevardit qe tashme mban emrin e tij, reagimi i qytetit, intelektualeve dhe opozites se kafeneve qe i jashtezakonshem. Tallja me te nuk pati kufij: e quajten bulevardi pa godina, rruga qe mbaron ne balte, mitomania e nje monarku, shperdorim i besimit te nje vendi dhe shume te tjera. E quajten aventure qe nje qytet me 20 mije banore te ndertonte nje rruge te denje per nje qytet me 500 mije banore. Sot, 77 vjet me pas, ai bulevard i projektuar nga Zogu dhe i ndertuar nga italianet, eshte vepra me e rendesishme, me madhore dhe pa dyshim me dinjitozja e Tiranes. Pa te, qyteti do te ishte me i varfer, me mjeran dhe me pak i banueshem. Pa dyshim, Zogu mund te kishte shtuar disa rruge, mund te kishte bere ndonje cezme ose ndonje shatervan, por ai zgjodhi te ndertoje bulevardin dhe kjo ishte largpamesia e tij. Sot ne duhet ta falenderojme thelle per kete. Po kjo logjike do te funksionoje edhe me rrugen. Ajo do te ndertohet, do te filloje te funksionoje dhe debatet do te mbeten nje kujtim mjeran i nje politike pa vizion dhe frikacake per ta thene te drejten ne sy.

Se fundi, dua t’ju them se ndertimi i kesaj rruge nuk ka qene i lehte. Insistimi i Majkos, perpjekjet e Metes dhe Nanos jane konkretizuar tek projekti i Berishes. Per te ardhur tek ky projekt, refuzimi ka qene i madh, barrierat po keshtu. Per arsye ekonomike dhe politike, per arsye se kjo rruge eshte pare me shume si nje rruge politike, qe i sherben konceptit te Shqiperise se Madhe, se sa prosperitetit te saj ekonomik. Por tani qe gjithcka eshte kapercyer, tashme qe problemi ka hyre ne rruge te mbare, realizimi i saj ne kohe vlen me shume se cdo debat shterpe per nevojen e ndertimit te saj. Sepse, dy vjet me pas, Shqiperia e Kosova nuk do jene dy pjese te nje kombi, por nje komb i lidhur nga nje rruge 200 km e gjate!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi