Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Referendumi në veri të Kosovës

Shko poshtë

Referendumi në veri të Kosovës Empty Referendumi në veri të Kosovës

Mesazh nga Agim Gashi Tue Feb 14, 2012 9:44 pm

Referendumi në veri të Kosovës


Referendumi në veri të Kosovës Referendumi_ne_Kosove
(I plotësuar) - Që nga ora 7 e mëngjesit, serbët e komunave veriore kanë filluar të dalin në referendum përmes së cilit ata votojnë se i pranojnë apo jo institucionet e shtetit të Kosovës.

Ndonëse i cilësuar si ilegal dhe pa efekte politike e juridike nga ana e Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e komunave në veri dhe pjesës veriore të Mitrovicës, besojnë se megjithatë referendumi i tyre do të ketë mesazhe dhe efekte të rëndësishme politike.

Kërstimir Pantiq, që për strukturat e serbëve në veri është kryetar i Mitrovicës, përderisa për institucionet e Kosovës paraqet një post ilegal, pasi votoi në referendum tha se me këtë veprim serbët do t’iu dërgojnë mesazhe të qarta si liderëve kosovarë, përfaqësuesve ndërkombëtarë ashtu edhe disa politikanëve në Serbi.

“Jam i sigurt që ky referendum do të ketë rëndësi historike ngase me shumëçka do të ndryshojë pozicionin e bashkësisë ndërkombëtare në raport me Kosovën, pavarësisht faktit se disa mundohen ta paraqesin se ai nuk do të ketë kurrfarë rëndësie. Mendoj se rezultatet e tij nuk do të mund t’i injorojë askush”, thotë Pantiq.

Referendumi në veri të Kosovës Referendumi%20ne%20Kosove1

Një qëndrim identik paraqet edhe një përfaqësues tjetër serb, Momir Kasalloviq.

Ai thotë se pas rezultateve të referendumit askush më nuk do të mund të thotë se integrimin e veriut po e pengon një grup i vogël njerëzish, ngase beson se qytetarët do të votojnë kundër pranimit të shtetit të Kosovës.

“Duke e ditur rezultatin e referendumit, liderët lokalë serbë, shprehen të bindur se me një veprim të tillë veriu mund të rrëshqas nga Kosova për t’u integruar në Serbi”.
​​
Marko Jakshiq, një përfaqësues tjetër i serbëve të veriut, thotë se vota në këtë referendum paraqet një hap të madh të drejt kthimit të Kosovës në Serbi.


“Llogaris që kjo ditë nënkupton kohën kur Kosova sërish do të kthehet në kuadër të shtetit të Serbisë”, thotë ai.

Jakshiq i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë që të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë edhe në Kosovë në mënyrë që të konstituohen organet e reja lokale mbi bazat e Kushtetutës dhe Ligjeve të Serbisë nëpër komunat ku serbët përbëjnë shumicën.

Edhe qytetarët që kishin dalë në referendum mendonin njësoj sikurse udhëheqësit e tyre politikë.

“Në veri të Kosovës nuk janë strukturat kriminale, por i gjithë populli që dëshiron të mbetet nën sovranitetin e Serbisë dhe jo nën pushtetin e Hashim Thaçit”, thotë Stevan Filipoviq, një qytetar që kishte dalë të votojë në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Duam të tregojmë se jemi të bashkuar dhe të qëndrojmë secili në vendin e vet dhe se nuk mundet që dikush me institucionet e veta të na dëbojë nga pronat tona. Këtu ka qenë e kaluara, e tashmja dhe do të jetë edhe e ardhmja e jonë”, thotë Ivana Millovanoviq, një qytetare, duke besuar se referendumi do të jep si rezultat kundërshtimin e institucioneve të Kosovës.

Referendumi në veri të Kosovës Referendumi%20ne%20Kosove3

Sidoqoftë, vendvotimet në pjesën veriore të Mitrovicës, në Zveçan dhe Zubin Potok, janë hapur që nga mëngjesi, ndërkaq të mërkurën më 15 shkurt do të hapen edhe në komunën e Leposaviqit.

Pyetja e referendumit është “A i pranoni institucionet e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës”, ndërsa mundësia për përgjigje është “po” ose “jo”.

Institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë thënë se ky referendum është ilegal.

Përderisa komandanti i forcës paqeruajtëse të KFOR-it Erhard Drevs, ka thënë se referendumi mund të provokojë dhunë .

Ndërsa rezultatet e referendumit parashihen qartë se do të jenë për refuzimin e shtetit të Kosovës, mbetet të shihet më pas se çfarë veprimesh do të ndërmarrin serbët lokalë në veri, përkatësisht nëse do të ndërmarrin veprime politike separatiste apo do të vazhdojmë me organizmin paralel të pushtetit në veri, karshi institucioneve të shtetit të Kosovës.

* * * * *

Përfaqësuesit politikë të serbëve të komunave veriore të Kosovës po i bëjnë përgatitjet e fundit për organizimin e referendumit më 14 dhe 15 shkurt në lidhje me atë se i pranojnë apo jo institucionet e Kosovës.

Qeveria e Kosovës dhe mekanizmat e pranishëm ndërkombëtarë thonë se rezultati i këtij referendumi nuk do të ketë kurrfarë efekti.

Por, serbët e veriut nuk janë tërhequr nga organizimi i tij, madje edhe pas vërejtjeve të Beogradit zyrtar, i cili ka drojën se një referendum i tillë mund t’i kushtojë Serbisë me humbjen e statusit të kandidatit për integrim në BE.

Dobrosav Dobriç, një përfaqësues serb nga Leposaviqi, thotë se tashmë janë shtypur fletët e votimit dhe janë emëruar këshillat që do t’i përcjellin votimet gjatë referendumit.

Ai mendon se referendumi, është shprehje e lirë dhe e drejtë demokratike e serbëve të kësaj pjese të Kosovës.

Referendumi sipas tij, do ta dëshmojë qartë se a janë përfaqësuesit komunalë ata që nuk po lejojnë integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, apo ky është vullneti i popullatës së veriut që ta refuzojë shtetin e Kosovës dhe përqafojë atë të Serbisë.

“Populli qartë do ta thotë se a i përkrahin institucionet e të ashtuquajturës Republikë e Kosovës apo për institucionet e Serbisë, në kuadër të cilit kemi qenë deri më tash”, thotë Dobriç.

Me vendimin e strukturave politike të veriut për mbajtjen e referendumit, nuk pajtohet sekretari në ministrinë e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanoviq.

“Ajo çka është me rëndësi, ky referendum dërgon një mesazh shumë negativ tek serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër”, thotë Ivanoviq.

Ai shpreh drojën se ky referendum nuk do të sjellë asgjë të mirë, vetëm se do t’i ashpërsojë ndarjet midis serbëve të veriut dhe atyre që jetojnë në pjesë tjera të Kosovës.

Ndërkohë, kryetari i këshillit nacional serb për veriun e Kosovës, Millan Ivanoviq thotë se me këtë referendum, serbët e veriut do ta vërtetojnë se e pranojnë vetëm shtetin e Serbisë.

Ai mendon se ky referendum i ndihmon edhe Qeverisë së Serbisë që ta adresojë çështjen e Kosovës, si një çështje të pazgjidhur.

“Nëse qeveria jonë është për institucionet tona dhe kundër institucioneve shqiptare (siç i quan Ivanoviq) përse u pengon referendumi i cili edhe njëherë do të vërtetojë se jemi kundër institucioneve të Kosovës”, thotë Ivanoviq.

Organizimi i referendumit pason një gjendje disa vjeçare të ngrirë në veri, ku institucionet e Kosovës si edhe misionet ndërkombëtare nuk kanë arritur të shtrijnë autoritetin e vet në atë pjesë ku kanë funksionuar vetëm institucionet paralele të mbështetura nga Serbia.

Nisur nga gjendja faktike, edhe qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se do të dalin dhe do të votojnë në këtë referendum.

Një nga ta është Nikolla Dimitrijeviq, nga veriu i Mitrovicës.

“Porosia e referendumit do të jetë se nuk pajtohemi me pavarësinë e Kosovës dhe nuk e pranojmë qeverisjen që shqiptarët na kanë imponuar. Ne duam që Kosova të jetë pjesë përbërëse e Serbisë, në mënyrë që në vise ku serbët janë shumicë ta kenë pushtetin, kurse aty ku janë shqiptarët, ata të kenë qeverisjen e vet”, thotë ky qytetar.

Njësoj mendon edhe Nebojsha Pavloviq, po ashtu nga pjesa veriore e Mitrovicës.

“Jemi të shtrënguar që të marrim vendime të tilla nga zhvillimet që zgjasin qe 12 vjet”, thotë ky banor i Mitrovicës, duke kërkuar që për referendumin serbët e veriut ta kenë edhe mbështetjen e Qeverisë së Serbisë dhe të gjithë banorëve serbë.

Përndryshe, me gjithë kundërshtimin deklarativ të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, serbët e veriut kanë përgatitur organizmin e votimeve në tri komunat veriore dhe pjesën veriore të Mitrovicës, duke përgatitur 82 qendra votimi.

Ata presin pjesëmarrjen e mbi 35 mijë banorëve me të drejtë vote.

Fletëvotimet e këtij referendumi përmbajnë pyetjen: “A i pranoni institucionet e Kosovës?” - dhe poshtë mbajnë edhe përgjigjet: “Po” dhe “Jo”, të cilat duhet të rrumbullakohen nga votuesit. (rel)
Referendumi në veri të Kosovës Referendumi%20ne%20Kosove2
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi