Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Blerina Goce: “Të panjohurat” e profesorit

Shko poshtë

Blerina Goce: “Të panjohurat” e profesorit Empty Blerina Goce: “Të panjohurat” e profesorit

Mesazh nga Agim Gashi Fri Apr 17, 2009 12:40 pm

Blerina Goce: “Të panjohurat” e profesorit U1_jup_kastrati
Nga Blerina Goce
Në 85-vjetorin e prof. Jup Kastratit. Flet vajza e studiuesit
Me sytë e familjes
Nuk mund ta kujtojnë të atin pa syzet dhe lapsin, që gjithmonë e mbante në dorë. Sot vajzat e tij duket se e ruajnë shumë të qartë kujtimin e babait dhe atë punë të pafundme studimore brenda mureve të shtëpisë.
Mira, njëra prej tri vajzave të tij, as sot nuk mund të gjejë ndokënd që t’i afrohet sadopak. Ngurron të flasë, ka frikë se mos fjalët ngatërrohen me përfshirjen e emocioneve brenda, por ajo që është e veçantë mbetet e tillë, pavarësisht pjesës emotive të njeriut të afërm.
Përherë i përkulur para makinës së shkrimit, jo më kot një prej shoqeve të vajzave të prof. Kastratit do të vërente se e mbante mend xhaxhi Jupin gjithmonë me shpinë. “Është një figurë imponuese, madje mund ta përcaktojë një emblemë në jetën tonë. Duke e pasur parasysh, nuk kam ekzagjerime në këto që them”, - vëren Mira Kastrati.
“Shtëpia për të ishte gjithçka. Familja ishte gjithçka. E jepte në maksimum dashurinë dhe e ka marrë po në atë formë. Unë mund ta quaj “patriark” dhe një person të realizuar në të gjitha drejtimet e jetës së tij: si familjar, si bashkëshort, si baba. Unë e quaj “patriark të realizuar” edhe në pozicionin e tij si profesionist, pedagog dhe njëkohësisht në figurën e shkencëtarit. Atë dhunti që natyra ia kishte dhënë, ia kishte dhënë së bashku me punëtorinë, me vullnetin, me korrektesën, me skrupulozitetin, me saktësinë e një pune të papërsëritshme.” Ndaj, duke pasur parasysh këto, nuk i duket i tepërt një përcaktim që i kanë bërë të tjerët se “prof. Jupi është një gjysmëperëndi”. “Puna që ai ka bërë është e pashtershme. Vetëm kur ka qenë në Itali me prof. Dhimitër Shuteriqin kanë sjellë kopje dokumentesh nga Vatikani, që një institucion i tërë nuk ka arritur ta bëjë. Sepse për të jeta kishte kuptim vetëm me punë, me punën që ai dinte të bënte dhe donte të bënte. Dhe ai gjithmonë e dinte çfarë donte të bënte. Njerëz kaq të përcaktuar rrallë gjenden. Me rastin e 75-vjetorit të tim eti, në vitin 1999, kur njëkohësisht iu dha titulli “Mjeshtër i Madh i Punës”, prof. Jorgo Bulo pati thënë një shprehje të Senekës, që po e perifrazoj. “Seneka thoshte se gjysma e jetës na shkon duke mos e ditur çfarë kërkojmë, pjesa tjetër na shkon për të korrigjuar atë çfarë kemi bërë gabim. Kështu, pjesa më e madhe e jetës është joefikase. Prof. Jupi e ka sfiduar shprehjen e Senekës. Ai ka bërë punë, punë, punë dhe një mal me vepra.”
Por adhurimi ndaj tij nuk mund të ishte kaq i thellë, sikur përkrah studiuesit dhe njeriut të përkushtuar ai të mos ishte një prind i devotshëm. Aq sa sot vajzat e tij nuk dinë si të mund ta përcaktojnë marrëdhënien me të, vetëm si të jashtëzakonshme. “Në çdo rast babi ishte i gatshëm ndaj kërkesave tona.” Pavarësisht kohës, që kurrë nuk i mjaftonte (dita ishte e paktë me 24 orët e saj për punën që donte të bënte), gjithmonë do të gjente hapësirën dhe fjalët e ngrohta për fëmijët dhe gruan e tij. Mira nuk ka si të harrojë letrat që u shkruante çdo mëngjes para se të nisej në punë fëmijëve e ku “shpirtrave të babit” u përcaktonte saktësisht se ku do të shkonte dhe në çfarë ore do të kthehej. Dhe ai gjithmonë ishte i përpiktë…
“Pikërisht prej kësaj ishte imponues dhe përcaktues në jetët tona. Ishte i tillë se ishte vetvetja në marrëdhënie me ne. Marrëdhënien ai e krijonte vetëm kur kishte besimin dhe dashurinë absolute”, - thekson vajza e tij.
Falë kësaj dashurie, familjen e tyre të vogël në Shkodër ajo nuk ngurron ta cilësojë si një oazë të veçuar nga çdo gjë tjetër. “Një realitet i ndryshëm nga forma e jetesës së pjesës tjetër të shoqërisë. Dhe kjo ka qenë meritë e dy prindërve të mi. Bashkë ata krijuan atë që në Shkodër e kanë quajtur çifti ideal”.
E sikurse thuhet gjithmonë, prapa një burri të suksesshëm qëndron një grua e tillë, që vetësakrifikohet. Konsulentja e parë e prof. Jupit do të ishte pa dyshim gruaja e tij, Drita. Mira pohon se ishte në një pjesë të madhe merita e së ëmës që puna dhe jeta e prof. Jupit të rridhte qetë dhe të ishte e frytshme në maksimum. Përkrah këtij njeriu të studimeve ajo ishte nënë dhe grua, por edhe një mikeshë e mirë e të shoqit.
Të rritur në një lagje, me një diferencë moshe prej dhjetë vjetësh, lidhja e tyre nuk ka qenë ajo e një dashurie mes dy të rinjsh, e kurorëzuar më pas me miratimin e më të mëdhenjve. Porse edhe këtu prof. Jupi nuk u dyzua aspak, kur i propozuan të shihte Dritën si gruan e tij të ardhshme, u përgjigj “po”.
“Ka qenë një marrëdhënie jo e sforcuar, por marrëdhënie dashurie reciproke, një marrëdhënie respekti, që faktikisht nuk arrij ta shoh në çiftet e tjera. Një marrëdhënie e tillë e jetuar, që vetëm në një moshë të caktuar arrita ta kuptoja sa e ndryshme kishte qenë nga e zakonshmja.”
Arsimtare në profesion, ka qenë ajo, Drita, e para korrektore e shkrimeve të të shoqit. “Shkrimet e tij, para se të botoheshin, duhej të lexoheshin nga mama dhe botoheshin vetëm në pasi ajo të jepte miratimin”, - pohon Mira. Ishte pikërisht ajo që vendoste edhe se cila vepër do të botohej e para (vajza e tyre sjell këtu ndër mend botimin e “Historisë së albanalogjisë”, vëllimi I, përkrah veprës studimore për De Radën dhe vendimin nga ana e së ëmës për t’u botuar e para), pavarësisht se bëhej fjalë për veprën dhe jetën shkencore të prof. Jupit.
Kufizimet
Ajo që e kushtëzonte ishte vetëm koha fizike. Me këto limite mendonte se nuk do të mundej të realizonte gjithë ato qëllime që kishte. Dhe ky do të ishte edhe pengu i tij. “Pengu i tij i vetëm ishte se kërkonte gjithmonë punë, punë dhe 24-orëshi për të duhej të ishte shumë më tepër, për të dhënë gjithë atë potencial të brendshëm që kishte”, - thotë e bija.
Porse edhe vitet e jetuara në një regjim të mbyllur pa dyshim do të ndikonin në punën e një njeriu të studimeve.
“Kufizimet kanë qenë shumë të forta, sepse ishte pamundësia e kontaktit të drejtpërdrejtë. Ai punonte me burimet arkivore dhe i kishte të domosdoshme lidhjet me arkivat, me bibliotekat e huaja, shkencëtarët, kolegët e tij jashtë. Por edhe një letër që i dërgohej nga jashtë atij i kontrollohej. Letrat vinin të hapura nga posta në formën më brutale. Dhe kjo ishte shumë lënduese, shumë peshuese ndaj një personi të tillë, që e kishte domosdoshmëri këtë lloj komunikimi.”
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Blerina Goce: “Të panjohurat” e profesorit Empty Re: Blerina Goce: “Të panjohurat” e profesorit

Mesazh nga Agim Gashi Fri Apr 17, 2009 12:42 pm

Miqtë
Nuk dilte asnjëherë të pinte kafe me miqtë. Vetëm shtëpia ishte vendi i pritjes për ata që donin ta takonin, por edhe këto takime në pjesën dërrmuese ishin vetëm për çështje pune.
Për vajzën e tij, Mirën, shtëpia ka qenë gati një vend pelegrinazhi, ku të gjithë vinin për të kërkuar informacione dhe ai çdokënd e priste më së miri, duke i dhënë çfarë kërkonte. “Përdorte shprehjen se ‘në shkencë ka vend për të gjithë’. Të gjithë atë punë kolosale, të jashtëzakonshme që kishte bërë për të mbledhur informacione, ia jepte në mënyrë të shkruar dhe asnjëherë me fjalë, kujtdo që vinte e ia kërkonte.”.
Porse të atin nuk mund ta quajë kurrsesi njeri të bisedave dhe tavolinave. Të paktat marrëdhënie miqësore që ai kishte ishin të formës familjare. “Ishte shumë i rregullt, shumë korrekt. Vizitat e kota, për të kaluar kohën, babai nuk i ka pasur asnjëherë për zemër. Duke mos pasur kohë të ushqente marrëdhënie jashtë kohës së punës, edhe vizitat ishin në funksion të punës, veç rasteve të Vitit të Ri apo ditëlindjeve tona.”
Dorëshkrimet, ditarët dhe letërkëmbimet
Faqet e shkruara prej tij janë me mijëra. Gjen aty dorëshkrime të veprave të pabotuara, ditarë personalë dhe shkencorë, letërkëmbime me studiues e njerëz të njohur të letrave etj. Të gjitha ruhen me fanatizëm nga vajzat e prof. Jupit me mendimin se shumë shpejt do të sistemohen krejt dhe pjesa më e madhe do të arrijë të shohë dritën e botimit.
“Ditarët janë të shumtë. Janë me mijëra faqe ditar, ku jepet e përditshmja me ato përjetime të ndryshme që ka pasur. Të merresh me ditarët e tij, është një punë më vete, që kërkon studiues të veçantë. Në këta ditarë del historia, dalin marrëdhëniet e ndryshme që ai ka pasur edhe në jetën e përditshme, vështirësitë, sukseset, pengesat”, - vëren vajza e profesorit. Jo më pak vlerë ka biblioteka dhe arkivi personal, për të cilin trashëgimtaret e tij po punojnë për ta sistemuar. Një punë që duhej të ishte në kujtesë të institucioneve përkatëse shtetërore, që faktikisht nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim.
Biblioteka e prof. Kastratit është një nga bibliotekat personale më të mëdha në vendin tonë. E krijuar prej tij që kur ishte 14 vjeç, kjo bibliotekë “rrëfen” edhe fazat e formimit të tij. “Në fillim ishte i tërhequr nga letërsia, pastaj nga historia. Faktikisht, këtu nuk mungon as pjesa e kohës së studimeve kur ka qenë nxënës në Shqipëri e më pas në Torino, në Itali, me gjithë bibliotekën, librat e asaj periudhe.”
Pjesën më interesante pa dyshim e përbëjnë letërkëmbimet e tij. Siç saktëson e bija, epistolari apo letërkëmbimi është pjesë e arkivit të tij personal, që do të seleksionohet dhe më pas do të botohen, bashkë me vepra të lëna në dorëshkrim.
Dorëshkrime të veprave të pabotuara të tij janë me dhjetëra. Këto përmenden nga vetë prof. Jupi pak para se të vdiste dhe vijnë në formë të perifrazuar në artikujt e botuar nga Begzad Baliu pas vdekjes së studiuesit.
“Bibliografi albanistike”, “Studime arbëreshe”, “Studime letrare”, “Vepra e De Radës”, “Studime për Ndre Mjedën” etj. Vetëm katër dorëshkrimet e para të tij kapin më shumë se dy mijë faqe secila.
“Më fliste profesori me dhimbje si iu ndalua vepra për Ndre Mjedën, si fshihte dorëshkrimet për Faik Konicën, si iu ndalua libri për Skënderbeun, si nxirreshin vëllimet e buletinit. Brenda tridhjetë veprave të planifikuara një vit më parë dhe as në tridhjetë vëllimet e tjera vështirë të përfshiheshin të gjitha veprat, dorëshkrimet, projektet sintezat dhe materialet e tjera që formonin një arkiv të madh të qytetërimit shqiptar”, - nënvizon Baliu në një artikull të 22 shtatorit 2003. Vërehet atje edhe njohja personale e prof. Kastratit me plejadën e artë të gjuhësisë shqiptare: Aleksandër Xhuvanin, Kostaq Cipon, Justin Rrotën, me Eqrem Çabejn (me të cilin e lidhin shumë gjëra, jo vetëm shkencore, por edhe personale e familjare), me Mahir Domin, Shaban Demirajn etj.). Të veçanta janë njohjet dhe letërkëmbimet e tij me albanologët më të mëdhenj të kohës edhe jashtë Shqipërisë: me Maksimilian Lambercin, Desnickajen, Olbergun, Gertruden e kështu me radhë. Më i madhi letërkëmbim në traditën shqiptare i sistemuar sipas kontinenteve, shteteve etj. Numërohen pesë mijë letra dhe tri mijë fotografi. Një letërkëmbim personal me të dhëna për mbarë rrugën e studimeve albanologjike. Një letërkëmbim me gjithë botën albanologjike nga Australia në Paris e Nju-Jork. “Para tij ishte Konica me tri mijë letra. Para Konicës De Rada me një mijë letra”, - thekson Baliu. “Veprat e pabotuara të tij janë një listë e gjatë, për botimin e të cilave po hasim shumë vështirësi, sepse nuk gjenden fondet përkatëse. Po mundohemi si familje, por nuk e di sa do t’ia arrijmë, sepse këto janë nisma, plane që duhet t’i marrin përsipër vetëm institucione”, - vëren vajza e profesorit, Mira. Ajo ka dërguar faqe, programe dhe lista të këtyre veprave në dorëshkrim në Ministrinë e Kulturës dhe në Akademinë e Shkencave që prej katër vjetësh, por ende nuk ka marrë një përgjigje.
Institucionet e kaluan në heshtje edhe përvjetorin e një prej albanologëve dhe studiuesve më të mëdhenj shqiptarë, duke mos organizuar asnjë aktivitet të veçantë për këtë rast.
Kush ishte…
Lindi në Shkodër më 15 prill 1924. Shkollën fillore pesëklasëshe, gjimnazin dhe liceun i kreu në qytetin e lindjes. Për pak kohë ka studiuar edhe në liceun shkencor “Galileo Ferraris”, Convitto Nazionale “Umberto I” në Torino. Gjatë pushtimit italian, si antifashist ka qenë i burgosur, i internuar në kampe përqendrimi: “Comando Z”, në Kodrat e Tepes, Shkodër, në burgun famëkeq të Prizrenit etj.
Ka kryer Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Tiranës, studimet e të cilit i ka mbrojtur me temën e diplomës “Kontribute për studimin e Ndre Mjedës” (1958). Më pas ndoqi kualifikimin shkencor pasuniversitar për gradën “Kandidat i shkencave filologjike”, me studimin monografik dialektologjik “E folmja e Thethit” (1962) nën udhëheqjen shkencore të prof. Eqrem Çabejt.
Një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, edhe emërtimi i Universitetit “Luigj Gurakuqi” është konceptuar e hartuar prej tij.
Bashkëpunëtor shkencor i jashtëm për 50 vjet, përgjegjës i rrethit letrar të shtëpisë së kulturës në Shkodër (1947-1957), kryetar i këshillit të bibliotekës së qytetit (1948-1990), anëtar i këshillit shkencor të rrethit të Shkodrës (1988), kryetar i komitetit të kulturës dhe arteve në Shkodër (1989) etj., ishte një ndër themeluesit dhe drejtuesit e revistave shkencore “Buletini i Shkodrës” dhe “Shkodra” etj. Është nderuar me “Arsimtar i dalluar” (1954), Medalja e Punës (1959), Urdhri “Naim Frashëri i Klasit të Dytë” (1970), Mësues i Popullit (me rastin e 100- vjetorit të shkollës së parë shqipe më 1987) etj. Është përfshirë në Enciklopedinë Ndërkombëtare të Biografive, Edicioni i Trembëdhjetë i Intelektualëve Botërorë (Kembrixh, dhjetor 1997). Me rastin e 75-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës e dekoroi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”, ndërsa është shpallur edhe “Qytetar Nderi” i Shkodrës.
Rreth 40 vepra të botuara e të ribotuara në një hark kohor prej më shumë se 40 vjetësh. Në bibliografinë e tij prej rreth një mijë njësish mund të veçojmë këto vepra: “Historia e gramatologjisë shqiptare” (1635-1944), “Faik Konica” (monografi), 1995; “Studime për De Radën” (monografi) Nju-Jork, 1999; “Studime arbëreshe” (monografi), 1999; “Historia e albanologjisë” (1497-1997), kjo e fundit në tri vëllime.
Monografia për Konicën është studimi më i plotë dhe më i gjithanshëm botuar për të. Mbylli sytë më 22 shtator 2003.
Gazeta Metropol 16 prill 2006 - Për ZSH A. Papuçiu
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi