Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ardian Arifaj:E Duam Apo Nuk e Duam Diasporën?

Shko poshtë

Ardian Arifaj:E Duam Apo Nuk e Duam Diasporën? Empty Ardian Arifaj:E Duam Apo Nuk e Duam Diasporën?

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jul 30, 2012 11:22 am

E Duam Apo Nuk e Duam Diasporën?


Nga Ardian Arifaj
Ardian Arifaj:E Duam Apo Nuk e Duam Diasporën? 3029444690_1_3_eLVwTeMQ
Deri më tani, qeveritë e Kosovës nuk i kanë ofruar diasporës kosovare më shumë sesa koncerte të estradës dhe mundësi që të marrin “letërnjoftimin” edhe ditën e diel. Ndonëse edhe këto janë të mirëseardhura nga diaspora, ajo në fakt ka nevojë për më shumë.

Ditët e verës janë ditët kur afrohemi më së shumti me diasporën tonë. Nga e tërë Evropa e më larg, familjarët që jetojnë me vite jashtë Kosovës, vërshojnë me vetura, autobusë e aeroplanë, tek familjet e tyre për t’u çmallë, për të sjellë të holla e dhurata, por nganjëherë edhe për të gjetur një nuse a burrë. Shumë prej tyre kanë ëndërruar me vite ditën kur do të kthehen të jetojnë përgjithmonë në Kosovë, por shumë pak prej tyre po e bëjnë këtë. Jo pse nuk e duan Kosovën, por sepse Kosova nuk po u krijon ende kushte që të kthehen e të jetojnë një jetë normale.

Pjesa me e madhe e shqiptarëve të Kosovës që e përbëjnë diasporën, kanë ikur nga Kosova, prej hallit e jo me dëshirë, qoftë për të gjetur punë e për të ushqyer familjen në Kosovë, qoftë për t’i ikur represionit. Secili prej tyre ka jetuar me shpresën, apo edhe bindjen, që një ditë do të kthehet në Kosovë dhe të vazhdojë jetën aty ku e kishte lënë. Madje shumë ende e quajnë veten me togfjalëshin e farkëtuar shumë moti - “të punësuar përkohësisht në botën e jashtme”.

Por, për disa, kjo “përkohësisht” zgjati tërë jetën e tyre dhe vetëm kur dolën në pension u kthyen në Kosovë. Për shkak se ishin “përkohësisht” në gurbet, shumë shqiptarë të Kosovës nuk synuan të integrohen në shoqëritë në të cilat jetuan, qoftë në Gjermani, në Zvicër, në Austri, apo gjetkë. Duke i ikur integrimit, këta jetuan në margjinat e shoqërisë në të cilën shkuan të jetojnë. Nuk kërkuan jetë më të mirë, nuk kërkuan punë më të mirë e nuk kërkuan as shkollim për fëmijët e tyre. Tërë familja jetonte për ditën kur do të kthehej në Kosovë, nga e cila ishin larguar pa dëshirën e tyre. E duke jetuar në margjina filluan të bashkëpunojnë me grupet e tjera që jetojnë në margjina, e që shpeshherë janë grupe që jetojnë larg ligjit, e më afër krimit.

Më në fund, diaspora është e lirë të vijë dhe ta shohë Kosovën. Por, në vend se të mbesin këtu, shumë prej tyre kthehen të zhgënjyer me atë që u ofron vendi i tyre. Ndonëse, Qeveria e Kosovës ka themeluar Ministrinë për Diasporë, nuk është parë që kjo ministri të ketë qenë kreative dhe të bëjë për diasporën diç që nuk është bërë më parë. Ndonëse, diaspora asnjëherë nuk ka kursyer për ta ndihmuar Kosovën - ka financuar shtetin “në ekzil” në vitet 90-të, ka financuar luftën si dhe rindërtimin e pasluftës - institucionet e Kosovës asnjëherë nuk kanë krijuar mekanizma për të ndihmuar diasporën që të investojë në zhvillimin e Kosovës.

Miliardat e ardhur nga diaspora, pasi e bëjnë një xhiro në Kosovë, “eksportohen” nga Kosova për në Serbi, Maqedoni, Slloveni e deri në Kinë. Pak prej tyre që kanë provuar të investojnë në Kosovë janë larguar të pakënaqur me kushtet që u ka ofruar Kosova për të bërë biznes.

Ndihma që e dërgon sot diaspora - e nga e cila ende mbijetojnë shumica e familjeve në Kosovë - është ndihma më së paku e dobishme për Kosovën. Në vend se të nxisë zhvillimin e Kosovës, kjo ndihmë e drejtpërdrejtë, pa u kthyer në investim të mirëfilltë, po e ngufat zhvillimin e fuqisë punëtore në Kosovë. Disa anketa, që për fat të keq nuk janë parë të bëhen publike, kanë zbuluar se numri më i madh i të papunësuarve në Kosovë është tek familjet që kanë ndonjë familjar të punësuar diku në perëndim.

Familjarët e gurbetqarëve që jetojnë në Kosovë nuk pranojnë “të bëjnë çfarëdo pune” dhe më me dëshirë pranojnë të jetojnë me ndihmat e vëllezërve e motrave që jetojnë jashtë. Një anketë kishte gjetur se shumë prej kosovarëve, ndonëse të papunë, nuk pranojnë të bëjnë çdo punë. Madje, njëri kishte preferuar që të punojë vetëm si “zëvendësdrejtor”. As më shumë e as më pak. Si zëvendësdrejtor i ka privilegjet e drejtorit, por jo edhe përgjegjësinë e drejtorit.

Kjo ilustron shumë mirë “dëmin” që po e shkakton ndihma nga diaspora dhe dështimi i institucioneve të Kosovës që të gjejnë mënyra që të kanalizojnë këtë ndihmë, në forma që do të kontribuonin në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës. Në botë ka shumë shembuj kur shtetet kanë zhvilluar programe për të menaxhuar ndihmën e diasporës - Izraeli dhe Greqia vijnë menjëherë në mend - dhe Kosova mund të mësojë nga këto shtete.

Deri më tani, qeveritë e Kosovës nuk i kanë ofruar diasporës kosovare më shumë sesa koncerte të estradës dhe mundësi që të marrin “letërnjoftimin” edhe ditën e diel. Ndonëse edhe këto janë të mirëseardhura nga diaspora, ajo në fakt ka nevojë për më shumë. Diaspora mund të ndihmojë më shumë sesa që po lejohet të ndihmojë. Por, nëse Kosova nuk do t’i ndihmojë vetes, atëherë as dikush që e do shumë – sikur diaspora – nuk do të jetë në gjendje ta ndihmojë. (jnk)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi