Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Faton Ismajli:NDREQENI LDK’NË-Intervistë e Jusuf Buxhovit dhënë Expres-it!

Shko poshtë

Faton Ismajli:NDREQENI LDK’NË-Intervistë e Jusuf Buxhovit dhënë Expres-it! Empty Faton Ismajli:NDREQENI LDK’NË-Intervistë e Jusuf Buxhovit dhënë Expres-it!

Mesazh nga Agim Gashi Sun Oct 07, 2012 9:05 pm


NDREQENI LDK’NË


Faton Ismajli:NDREQENI LDK’NË-Intervistë e Jusuf Buxhovit dhënë Expres-it! Atdhe_Mulla__4-5_769621

Nga Faton Ismajli

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nevojë për një Kuvend dhe zgjedhje të reja për t’u normalizuar. Por, unë nuk kam kurrfarë ambicie për të udhëhequr këtë parti. Skena politike është kapluar nga klanet ekonomike dhe mafioze. PDK’në e pret fat më i keq se LDK’në nëse nuk reformohet. Njëri nga themeluesit e LDK’së, Jusuf Buxhovi flet për Express.

Express: A keni ambicie të bëheni Kryetar i LDK’së?

J. Buxhovi: Nuk kam kurrfarë ambiciesh të merrem me politikë, ngaqë jam krijues i pavarur dhe shkencëtar, të cilit i duhet liria e veprimit dhe e të menduarit, nga të cilat politika të privon. Këtë e kam thënë shumë herë dhe e kam përsëritur shumë herë. Aq më pak që të jem kryetar i LDK’së, sepse unë jam larguar prej politikës në kohën kur unë e kam konsideruar se është e domosdoshme në vitin 1993, kur është mbyllur një proces shumë i rëndësishëm i konstituimit të LDK’së, pas Kuvendit të Parë që është mbajtur në maj të vitit 1991. Për mua, ky ka qenë largim i përhershëm nga politika. Në politikë nuk kam hyrë se kam pasur ambicie që të jem politikan. Përkundrazi, në politikë jam futur si intelektual, sepse kanë qenë rrethanat e tilla, ku kanë kërkuar kyçjen e intelektualëve në politikë.

Express: Nga doli emri juaj si kandidat për Kryetar të LDK’së?

J. Buxhovi: Mendoj se është një spekulim shumë i ulët i disa qarqeve këtu, ndoshta mund të jenë brenda LDK’së, por mund të jenë në përgjithësi në kuadër të kësaj skene politike në Kosovë që është jostabile, që është para degradimit të plotë politik, moral dhe intelektual. Natyrisht, në rrethana të tilla, subjektet politike ndaj të cilave kam qenë gjithmonë kritik, tentojnë t’i ikin përgjegjësisë dhe të merren me tema spekulative. Në vend se të merren me përgjegjësitë aktuale, siç janë bisedimet me Serbinë, siç është situata që e ka sjellë Pakoja e Ahtisaarit, që faktikisht Kosovën e sjell para një gjendjeje shumë të pavolitshme, partitë merren me gjëra të tjera dhe kujtoj se ky është një spekulim. Prapë po e them, Jusuf Buxhovi s’ka pasur dhe nuk ka ambicie kurrë të merret me politikë, aq më pak të jem lider i LDK’së. Edhe pse pas vdekjes së Rugovës, kam pasur vazhdimisht oferta, edhe prej faktorit ndërkombëtar, por kam oferta edhe nga baza e LDK’së. Për çdo ditë marr kërkesa, letra të sinqerta nga njerëzit në bazë, që janë shumë të dëshpëruar me gjendjen jo vetëm në parti.

Express: Pra, kërkesa nga baza dhe qarqe të caktuara intelektuale është që ju të përfshiheni në LDK?

J. Buxhovi: Po, kam shumë kërkesa, jo vetëm tash, por prej se jam kthyer prej Gjermanisë.

Express: Dhe përgjigjja juaj është jo?

J. Buxhovi: Përgjigja ime është jo. Të gjithë atyre u them se e kuptoj dëshpërimin tuaj, kuptoj katandisjen në të cilën ndodhet LDK’ja dhe skena politike e Kosovës, sepse nuk dua ta ndaj LDK’në, sado që LDK’ja ka një përgjegjësi më të madhe, ka qenë parti shtetformuese, ka pasur përgjegjësi historike, por si parti politike, nuk është sjellë si duhet në kohen e pluralizmit politik. Prandaj, përgjigje imja është jo. Këtyre njerëzve u them se duhet t’i zgjidhni problemet nga baza. U them se tash i keni të gjitha instrumentet demokratike, e keni parlamentin, i keni mundësitë që nga baza t’i zgjidhni problemet. Edhe ajo që u tha se nuk ka nevojë për një Kuvend të jashtëzakonshme për zgjedhje të lira në LDK, unë kujtoj se ka nevojë, dhe ajo që po thuhet se në LDK është gjendje normale – nuk është gjendja normale. Le të më tregojnë nëse normalitetin e masin me humbjen e gati në të gjitha degët, veçmas ku i kanë pasur bastionet e tyre, veçmas në Dukagjin dhe kjo është brenga ime dhe e të gjithëve.

Express: Pse ka ardhur kjo situatë? Si pasojë e lidershipit të Isa Mustafës dhe Kryesisë së LDK’së, apo diçka tjetër?

J. Buxhovi: Mendoj se gjerat duhet të shikohen nga fillimi jo vetëm te një shkëputje. Kriza në LDK është krizë që ka filluar më herët. Është krizë që nuk mund të ndahet nga kriza e përgjegjshme e skenës sonë politike. Te të gjitha partitë, kemi despotizëm, qeverisje të klaneve të ndryshme nga krijimi i feudeve, e deri tek ato kriminale, që për fat të keq mbizotërojnë. Ky është një fenomen i skenës sonë politike dhe LDK’ja nuk ka mundur të jetë imune ndaj saj. Kujtoj se problemet kanë filluar prej kohës së Rugovës, kur është shpërfillur besimi i elektoratit. E dimë se në zgjedhjet e para dhe të dyta ka fituar LDK’ja, por pushtetin ua ka dhënë të tjerëve. Këtu ka qenë problemi. Pas vdekjes së Rugovës, u shfaq një vakuum shumë i madh. Të gjithë ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të Rugovës dhe e kanë marrë menaxhimin e partisë pas tij, nuk kanë qenë në gjendje ta menaxhojnë situatën në parti. Kriza e LDK’së ndodh prej vdekjes së Rugovës e tutje.

Express: Lideri i LDK’së, Isa Mustafa përmendi emrin tuaj kur foli për zgjedhjet brendapartiake. Ai tha se kushdo që mendon të marrë kreun e LDK’së duhet të respektojë procedurat demokratike?

J. Buxhovi: Prapë nuk dua të hyj në spekulimet e liderëve të partive. Interesimi im për LDK’në është i ligjshëm, jo vetëm si themelues, por edhe si shkencëtar, shkrimtar dhe si qytetar. Çdo qytetar i Kosovës ka të drejtë të brengoset për katandisjen që e ka përfshirë skenën politike, ku LDK’ja është në atë vorbull. Ata që thonë se unë nuk jam anëtar dhe duhet të futem në procedurë, janë vetëm çështje të inskenimeve, sepse prapë po e them se askund s’kam thënë se duhet të jem lider i LDK’së, as Kryetar i LDK’së. Po të kisha dashur, do të mbetesha në të. Por, edhe përkundër këtyre, ndaj një themeluesi duhet pasur respekt, veçmas kur ai edhe sot e gjithë ditën vazhdon ta marrë përgjegjësinë për dokumentet partiake dhe punën nismëtare, të shumtën duke u anatemuar “si autonomist”, “tradhtar” e çmos, ndërkohë që liderët e tanishëm vazhdojnë të jenë tejet indiferentë ndaj këtyre shpifjeve që prekin fondamentin e kapitalit politik të kësaj partie: konceptin e lëvizjes shtetndërtuese dhe të organizimit të rezistencës institucionale.

Express: Isa Mustafa erdhi në LDK në dhjetor të vitit 2010. A ka kapacitet dhe aftësi z. Mustafa dhe Kryesia aktuale që ta kthejnë në binar partinë dhe ta heqin rrëmujën që ju po thoni se ekziston në këtë parti?

J. Buxhovi: Nuk dua të hyj te njerëzit dhe grupet e ndryshme, meqë kjo skenë politike është e katandisur keq, sepse është e mbështetur mbi individë të caktuar dhe ka krijuar mite të ndryshme dhe jo mbi programe dhe mbi platforma të caktuara. Edhe LDK’së dhe partive të tjera u mungon platforma politike rreth të tashmes dhe së ardhmes. Këtu kanë rënë në provim e gjithë klasat politike, siç është te çështjet sociale, ekonomike, arsimi dhe veçmas te çështjet politike. Sot Kosova nuk e ka sovranitetin as politik, as shpirtëror. Këtu duhet të japin përgjigje të gjithë politikanët duke përfshirë edhe këta të LDK’së. Bile këta të LDK’së kanë përgjegjësi edhe më të mëdha, për shkak se LDK’ja ka qenë parti shtetndërtuese dhe u ka prirë proceseve në vitet ‘90.

Express: A keni ju platformë për ta nxjerrë LDK’në prej kësaj krize?

J. Buxhovi: Unë thashë se nuk kam kurrfarë platforme, sepse po të kisha platformë, do të merresha me politikë ditore. Por, unë jam si intelektual, si themelues dhe them se punët nuk janë mirë. Jo vetëm që nuk janë mirë, por aktualisht gjendemi pranë një krize morale, krize politike dhe krize shpirtërore në përgjegjësi, e cila përditë e më shumë po tregon shenjat e kaosit, në të cilën mund të zhytemi si shoqëri nëse klasa politike vazhdon me këtë avaz.

Express: Si e keni parë funksionimin e LDK’së si opozitë në raport me Qeverinë?

J. Buxhovi: Prapë po them se LDK’ja në rrethanat e pluralizmit nuk ka qenë në përputhje me pritjet reale të elektoratit të saj. Kjo fillon me Rugovën dhe përfundon në ditët tona. LDK’ja ka humbur dy palë zgjedhjet e fundit dhe në të gjitha zgjedhjet ka pësuar fiasko. Kjo është shumë brengosëse. Pa një LDK të fuqishme, skena politike e Kosovës s’mund të jetë stabile dhe këtu është brenga më e madhe. Sepse në këtë lojë, LDK’ja nuk ka qenë në krye të përgjegjësisë dhe kjo situatë duhet t’u atribuohet njerëzve që pas vitit 2006 më shumë janë marrë se kush do të jetë bartës i klaneve aty, karrigeve dhe jo i koncepteve dhe programeve politike. As LDK’ja dhe as partitë e tjera nuk kanë programe se si të sigurohet ardhmëria e qytetarëve, se si të zgjidhen problemet e kësaj shoqërie.

Express: Karriget janë përdorur edhe për qëllime të tjera në Kuvendin e 2006-ës...

J. Buxhovi: Do të kisha dashur të ishte vetëm një episod fatkeq, por duket se është shumë më shumë. Ka gjasa që skena politike në Kosovë të përcillet me karrige edhe më të ashpra. Kjo do të ishte fatkeqësia jonë më e madhe që nuk ia dëshiroj skenës sonë politike.

Express: A mundet lidershipi aktual t’ia kthejë primatin LDK’së në skenën politike?

J. Buxhovi: Lidershipi aktual nuk është në nivelin përgjegjësisë politike dhe historike që e kërkon situata. Kjo vlen për të gjithë. Por, LDK’ja ka një adut shumë të fuqishëm, sepse ka një elektoral, i cili e ka humbur besimin, por që shumë shpejt mund ta kthejë besimin. Ai elektoral është mbi 50 për qind, të cilët me një platformë sado reale shumë shpejt do t’i bashkoheshin LDK’së.

Express: Në bazë të asaj që shohim përditë, qytetarët janë lodhur me këtë politikë?

J. Buxhovi: Mendoj se lodhje nuk ka, por ka dëshpërim shqetësues. Të gjitha këto parti politike kanë premtuar fjalë të mëdha. E them me përgjegjësi të plotë se asnjëra prej partive, të cilat kanë përgjegjësi për qytetarët e Kosovës, nuk ka vepruar për interesat e shtetit. Të gjitha partitë dhe liderët, duke përfshirë edhe të LDK’së, vazhdojnë të jenë pjesë e klaneve politike për interesat e tyre ekonomike, materiale e deri tek ato mafioze. Të gjithë janë të shantazhuar. Shantazhimi është aq i hapur sa që ka procese të ndryshme, ka dosje të hapura, ka gjykime që në kushte normale asnjë demokraci nuk do t’i lejonte, në një demokraci sado normale do t’i kërkonte që njerëzit të mos përfshihen në politikë, derisa kanë dosje të hapura dhe kanë probleme me ligjin. Pikërisht kjo them se është një realitet i hidhur dhe kjo gjë e ka dëshpëruar elektoratin. Çfarëdo partie që të dalë me njerëz të pakorruptuar, menjëherë kthehet besimi.

Express: Nëse LDK’ja bëhet pjesë e konsensusit, apo ndonjë ekipi të unitetit në bisedime, a do të ishte kjo një favor për Kryeministrin Thaçi?

J. Buxhovi: Bisedimet nuk janë çështje e Thaçit, apo e një partie politike, ato janë çështje që i përkasin gjithë Kosovës. Gabimi më i madh është që mendohet t’i lihet një partie. Të gjithë duhet të jenë aty. As LDK’ja nuk bën që fatin e vendit ta zbresë në luftën për pushtet. Nëse dalim të papërgjegjshëm, të propozojmë referendume e të tjera, atëherë faktori ndërkombëtar nuk do të na trajtojë ne në mënyrë serioze. Nëse ne vazhdojmë t’ia hedhim fajin njëri-tjetrit në çështje madhore, siç janë bisedimet, atëherë ne do ta humbim edhe këtë kredibilitet që e kemi dhe dyshoj se do të vijmë në një situatë kur faktori ndërkombëtar do të na trajtojë si një shtet pa sovranitet.

Express: Zyrtarët e LDK’së po deklarojnë se u tradhtuan nga ndërkombëtarët dhe Kryeministri për çështjen e Presidentes?

J. Buxhovi: Nuk dua të hyj në thashethemet politike që sillen rreth çështjes së presidentit, por dua të them se një parti kredibile nuk ka guxuar të hyjë në marrëveshje, të cilat që në nismë janë të gjykuara. Andaj, LDK’ja është treguar e papjekur politikisht kur ka hyrë në marrëveshje, të cilën nuk ka pasur të drejtë ta bëjë. Nëse tash thuhet se ka mashtruar Thaçi, është edhe më keq. Njësoj ka ndodhur edhe me Sejdiun që thoshte se më ka mashtruar Thaçi dhe këtu Thaçi po del mbinjeri. Faktorit ndërkombëtar i konvenojnë dobësitë dhe e ul pazarin kur të sheh se je i dobët. Në këtë rast, LDK’ja assesi nuk bën ta drejtojë gishtin nga pabesia e ambasadorit amerikan, por nga papjekuria e saj. Tek e fundit, pse të jenë amerikanët ata që i ofrojnë garanci skenës së brendshme politike? Çështja e Presidentes është çështje që duhet të zgjidhet këtu, e jo të presin zarfin. Pse nuk kanë propozuar këta kandidatë? Mendoj se amerikanët dhe BE’ja duhet të merren si garant për çështje të mëdha dhe jo kur ne bëjmë pazarllëqe të papastra politike, të cilat janë edhe antikushtetuese.

Express: Parashikoni ndonjë marrëveshje të re mes këtyre palëve për çështjen e Presidentit?

J. Buxhovi: Po shihet se marrëveshjet që i kanë bërë në dy herët e kaluara dy subjekte e mëdha, kanë qenë të pandershme, të papërgjegjshme dhe politikisht të dëmshme. Uroj që të mos ketë marrëveshje të tilla. Çështja e Presidentes duhet t’i kalojë parlamentarizmit, institucioneve. Nuk kemi nevojë për marrëveshje feudale, fisnore, kur e kemi parlamentin.

Express: Pasi folëm për LDK’në, po kthehemi edhe te zhvillimet në PDK. Aty ka mospajtime të mëdha mes udhëheqjes së kësaj partie. Cili është vlerësimi juaj, a po shkon drejt rrugës së ndarjes partia më e madhe në vend, sikurse i ndodhi LDK’së disa vjet më herët?

J. Buxhovi: Shikoni, kjo çka po ndodh sot në skenën politike, edhe në PDK, është sindrom i asaj nëpër të cilën kaloi edhe LDK’ja. Do të thotë, mungesa e autoritetit dhe keqpërdorimi i autoritetit. Edhe zhvillimet në PDK tregojnë se skena politike në Kosovë ka shumë probleme dhe ato probleme po shfaqen në formën e luftës për karrige. Për fat të keq, kemi ardhur në një situatë shumë kritike me këtë situatë që po ndodh në PDK. Mund të jenë zhvillime shumë më të rënda sesa ato që kanë ndodhur me karrige. Unë nuk kisha dashur që skena politike ta përjetojë atë që i ndodhi LDK’së, sepse ka shumë probleme të tjera më të rënda. Sa më shumë të biem në këtë gjendje që të luftojmë me njëri – tjetrin, ne do të dobësohemi edhe më shumë. Uroj që PDK’ja ta kalojë këtë krizë, por këtë krizë nuk mund ta kalojë nëse nuk ke programe të qarta, nëse nuk ka një jetë demokratike, nuk ka një demokraci të brendshme. Për fat të keq, demokracinë e brendshme nuk e ka as PDK’ja, as LDK’ja dhe asnjë parti tjetër. Dhe kështu, kemi ardhur në një situatë kritike, kur kaosi mund të na kthehet në normalitet.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi