Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Faruk Tasholli

Shko poshtë

Faruk Tasholli Empty Faruk Tasholli

Mesazh nga Agim Gashi Thu Dec 18, 2008 2:05 am

Faruk Tasholli










Faruk Tasholli


Faruk Tasholli u lind në Gadime të Rrafshit të Kosovës më 1958. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Ferizaj. Fakultetin Filologjik, Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe e përfundoi në Prishtinë, ku ndoqi edhe studimet pasuniversitare. Krahas studimeve, që nga viti 1980 ishte gazetar dhe për disa vite me radhë redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën e studentëve "Bota e re" të Prishtinës.Nga viti 1988 kaloi në Redaksinë e Programit Kulturor të Radio Prishtinës, ku punoi deri më 5 korrik 1990, ditën kur forcat policore serbe mbyllën Radiotelevizionin e Prishtinës në gjuhën shqipe. Pastaj bashkëpunoi me gazetat e përkohshme në Kosovë si, "Fjala", "Zëri" e "Kosovarja", kurse më 1994 emigroi në Gjermani. Prej atje vazhdoi bashkëpunimin me Programin satelitor të Radiotelevizionit Shqiptar në Tiranë, pastaj u angazhua në organet e shtypit shqiptar në emigracion si "Ora" , "Bota sot" dhe "Fakti", duke vazhduar të punojë një kohë edhe në Radion shtetërore gjermane "Deutsche Welle", programi në gjuhën shqipe në Këln.
Deri tash ka botuar librat e poezisë për fëmijë "Mos u rrit pa mua" (1978), Ferizaj, "Rosat mësojnë patinazh" (1990) si dhe për të rritur "Drita të largëta" (1984) dhe "Tjerr fusharaku" (1988) në Ndërmarrjen Botuese "Rilindja", Prishtinë. Gjithashtu, ka shkruar vargjet për qindra këngë, shumica e të cilave janë bërë hite në njëzet vitet e fundit.
Aktualisht jeton në Ahen të Gjermanisë.


 


Kur vdekja e mori Lasgush Poradecin


I.


Re e re ne gjumë të qetë
Gjuhëzjarrtë, fjaqlëkulluar;
Në u mbyll syri përjetë -
Vargu dot s'ka perënduar.


Vargu ngrihet lart e lart
Vëlla poet, vëlla këngëtar,
Përtej vdekjes lëshon shtat,
Rrjedh e rrjedh si sylynjar...


II.


S'u kënduaka elegjia
Kur zbret vjeshta e bie brymë;
Ah! Nosit, buzëve të mia,
Nuk ua dashke elegjinë!


Dhe ia marr ia marr me zë
Hove-hove zemërshkulur,
Djalërisë këngën t'ia lë
Rrëzë fjalës trup-përkulur!


III.


Kith i lëshuar mbi liqe
Seç´m'u bë o ortek bore,
Pikë-peng valëve në she
Për një lule skaj kurore!


Për një lule-lulevarg
Duhet vdekur e ngjallur prapë,
Toka afër. Oh! Kënga larg,
Në të ftohtë o nëpër vapë!


 


 


BURGU I NISHIT




Sa herë lë Llapin e nisesh drejt Nishit
Anash zgjat kokën etja e brigjeve të djegura
Ku ka shterrë freskia e gurgullimës sate


Sa herë lë Llapin e prek hyrjen në Nish
Në të majtë të rrugës të del një ngrehinë
Me emrin e nemun Burgu i Nishit


Sillesh rretherreth si një dredhë ere
Me kujtimet e paluara për njëqind vjet


Janë rrokullisur vitet e asgjë nuk ka mbetur
Përveç toponimeve oro-hidronimeve
Nga gjuhë e dëbuar me majën e thikës


Tutje janë rrënuar kroje e varre
Janë thyer e fundosur gurë të gravuar
E prej gjëmëve të ngjitura në kupë të qiellit
Dheu poshtë trisht murmuron


Xhelozia e tokës sikur shtrëngon grushtat
Diçka të ruajë relikt nga lashtësia
Brenda mureve të Burgut ku farfurin shqipja
Tingull i këputur nga një trup balade


Sa herë lë Nishin e nisesh drejt Llapit
Prapa të mbetet një dhembje e ftohtë
Me emrin e nemun Burgu i Nishit


 


TE KATEDRALJA E KËLNIT



Përfundi gurëve gurgullimë organosh
Trupin përshkon me trishtim ëmbël
Faqes së murit ku përplaset kumbimi
Aty është Këlni aty është Këlni


Aty ku ngrihet katedralja shkëmb
Madhështor natën llamburin qielli
Me yje shpërndarë valëve të Rinit
Aty është Këlni aty është Këlni


Kur midis turmës çon krye vetmia
Hyn fërgëllimë platosë së vegimit
Më mungojnë Drini Berati Prizreni
Aty është Këlni aty është Këlni


Edhe pak e vera do të nis gufimin
Kupës së qiellit e fundit të lumit
Ajo gurët e idhcës do t’i pëlcasë
Mes nofullave të dënesjes së ngrirë
 
Ku është një ngrehinë gur mbi gur
Me këmbë në ujë me kokë në diell
Më zgjatet dorë e Nuses së murosur
Aty është Këlni aty është Këlni
 

(Köln, 1994)



vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Faruk Tasholli Empty Re: Faruk Tasholli

Mesazh nga Agim Gashi Thu Dec 18, 2008 2:15 am

KUR T’I THUHET KOSOVËS PO
 
Nga Faruk Tasholli
 
Kur t’i thuhet Kosovës po!
Ditën e diel praruar me diell,
Çojeni me fund-
Atë gotë të dergjur!


 


Ktheni te varret dhe lutuni
Për sytë që nuk e panë,
Fletën e parë të kalendarit.



Kur t’i thuhet Kosovës po!


Moj e mira nga të mirat
Moj e lira ndër të lirat!



Nis bën hije emri i saj
Shtatë kat tokë e
Shtatë kat qiell.



Kur t’i thuhet Kosovës po!
O kur t’i thuhet Kosovës po!
Ndaleni atë orë në zemër,
Atë shkëlqim të bukurisë.

 
 


Triptik elegjiak për Beqir Musliun

1. KORTEZH I PRANGUAR

Është nisur vera e nuk di të dalë kurrë
Anës së dhembjes buzë e saj e plasur
Me lulëkuqe në shuplakë purpur në ballë
Pret tjetër stinë lëng a avull bore
As hënë e plotë as rrapllimë shiu
Muzgut të trishtë mesditës së djegur
Ta prekin dot fijen e tharë të barit
Mëllenjat te lumi i ka molisur etja
Për syrin argjend të sylynjarit në diell
Ky vrushkull lirikash shpërthen ndritshëm
Atje prapa parmakëve të shpirtit prush
Vargu i vargjeve kortezh i pranguar
Si të luajë vendit si të klithë thekshëm
Me pasthirrmat që gjëmës ia tundin hijen
Larg dheu i njomur afër kupë e qiellit
Poetët keq ia shituakan fytyrën vdekjes
Me bukurinë e mëndafshtë të ecjes

2. KOPERTINË FLAKE

Më shtohen vetmitë magmë e dhembjes
Rritet thik përpjetë brenda meje
Sa Kepi i Shqipeve ngrehinë guri
Në majë të majës së Karadakut verdh
Ku ta lëshosh poshtë këmbën  e drojtur
Gjymtyrë baladash ta dridhin shpirtin
Ngjyrat e dashurisë nuk futen në kornizë
Serembe është i lirë ta qëndisë mallin
Me flokun e vashës në kith detesh
Lum ai që ka lundruar i shqetësuar
Ku fundoset dielli apo humb udha
Urtia e ujit pikturon hartë harrese
Ata që shkuan për të mos u kthyer më
Nga gjoksi shkulën gurin e pikëllimit
Sa lehtë ma dridhin telin e buzës
Duart në dy faqe kopërtinë flake
Nuk ia vënë pikën fundit të dramës
Në teatrin e reprizave hemorragji
Endja e purpurit udhëtim i rëndë

3. AKUAREL ME MBRËMJE

Zhurmë e këndshme dhe vapa e trusur
Në hapësirën e Panairit të Gjilanit
Fshehtas përbirohen ata që lëndojnë
Shpirtin e virgjër prejpoleni njomak
Plot mallkim ngarkuar mbi shpinë
Mezi marrin këmbë të prekin udhën
Kalldrëmeve të ngjeshura pluhur
Fyelltarët guximshëm shkelin lodhjen
Me pikëllimin e strukur nën sqetull
Vetëm ata kanë mushkëri deti
T`i ngulfasin qyqet gjëmët e zeza
Koncerteve të buzëmbrëmjeve
Tek përmallshëm përbirojnë mallin
Ku reshin e palohen luspa purpuri
Mureve prej guri me gulshe drite

(Aachen, korrik,1996)

 

 
HIJE E BUKUR


Elegji për nënën
 
Ike në pasditën tënde të zbardhur
Si një gjth shelgu në ujin e butë
Gorre pikëllimi duke hapur në mua


Si t’i ndal gjithë ato kujtime drite
Këtë rikthim në jetën e ikur
Bashkë me ty Hije e bukur


Mua për festë nuk më zinte lëkura
Pandehja se duhet bërë tjetër njeri
Duhek krisur diçka të ma shihnin gëzimin
Yjet e varur në kupë të qiellit


Me sa lehtësi më zaptoje përbrenda
Duke zbutur në mua djallëzimin fëmijëror

Sonte është Natë e Madhe e Dritë


Mos i fik qirinjtë në asnjë dhomë
Nuk asnjë kthinë nuk duhet lënë terr
Se vijnë të vdekurit tanë e psherëtijnë
Sa shpejt na paskan harruar ata që na donin
Në shtëpinë ku dikur ndejën kemi shtruar


Gjatë më prite e mua m’u pre udha


Tash vjen e më kërkon nëpër botë
Me të dashurit e zbrazëtive të mia
E unë mezi ndez qirinj tek të qet udha
Të më gjejsh  kratereve të mugëta të dhembjes

11.03.2001
Aachen

 
GJËMIM I BUKUR

Do të marr fuqi të të shkul bukur
Si jargovanin e çelur me rrënjë nga lymi
Brigjeve të lagëta ku fërkohet Rini


Në udhëtim nga supi as mund të të lëshoj
Si i vrari në legjendat e moçme shqiptare
Që nën sqetull bart kokën e vet të këputur
Deri në cakun ku deh dashuria për vdekjen


A do mundem të të mbjell në Fushë të Mëllenjave
Ku shiu rigon shi e dielli nen diell
Te këmbët e malit me mjegull pikëllimi


Mos i mbyll sytë mos shtrëngo grykën
Aty era e luleve përmbys përdhé
Gazin lotsjellës helmin Sarin
Reshur paraverave nga qiell i Barbarisë


Pa një plagë në trup mos vazhdo të rritesh
Ndryshe nuk ka gjuhë ëmbëlsi e dhembjes

(Köln, 1994)
 
 
FYELL I PLASUR

Kurrë nuk e kam parë Llapin
Të më shikojë kaq dhembshëm


Një shitore ndanë rrugës dhe dora e shitësit
Është prekja e fundit me zërin e fundit
Në tehun e fundit në fund të vendit tim


Kot i qeras fëmijët me karamela
Kot iu drejtohem me bëzëqeshje  rrejshëm

Ata nuk duan ta ëmbëlsojnë gojën


Në këtë flakë të rëndë dënesjesh
Nofullat shtangojnë të mos u dalë zë

Ka njëqind vjet akulli nuk shkrihet


Duke mbajtur peng gjurmët e gishtrinjve
Ku tash këmba ime thembrëm mbështet

O njerëz të Llapit nga brigjet e fundit


Pse ia ngulni sytë këtij autobusi ngulfatës

Që brenda bart kafka tragjike

Me imazhin ashtëror të Qele Kullës


Ka njëqind vjet dhembja një gur rrokullis


U zbraz Toplica Nishi u përmbys

Për kob ikja ime bie nëpër Nish

Ikja ime Nishin përshkon sërish


Kurrë nuk e kam parë Llapin
Të më përcjell kaq dhembshëm
E gjëma e Pollatës të dalë grykës sime
Si fyellit të plasur idhca e krisur

 
SHPIRT MAGJIE

(Këngë)
Paska reshë kjo bukuri
Trupit tënd si i ka hije,
Vjen e bjen shikimit tim
Sikur valë n’liqe Ohrie.


Unë nuk di të jem poet
Të bëj vjersha dashurie,
Ku ka vjershë që e zë brenda
Frymën tënde shpirt magjie?!


A je bore e Lybetenit
A je erë e detit Jon,
Zjarr n’u kallsha majë Tomorrit
Hija jote më freskon.


Nuk ka ngjyrë në fund të detit
As në qiell aq shumë kaltri,
Sa ka trupi - shpirti yt
Aq freski, aq bukuri.

 
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi