Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato:ELEGJI TE VARRI I NËNËS (Në përvjetorin kur mbylli sytë)

Shko poshtë

Vullnet Mato:ELEGJI TE VARRI I NËNËS (Në përvjetorin kur mbylli sytë) Empty Vullnet Mato:ELEGJI TE VARRI I NËNËS (Në përvjetorin kur mbylli sytë)

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jul 20, 2013 12:11 am

Vullnet Mato:ELEGJI TE VARRI I NËNËS (Në përvjetorin kur mbylli sytë) 969989_4961589368709_1228016570_n

Vullnet Mato

 
ELEGJI TE VARRI I NËNËS
      (Në përvjetorin kur mbylli sytë)
 
Kam ardhur sot të thërres: O nëna ime, moj!...  
Siç thërrisja kur ishe gjallë te pragu i portës.
Të derdh petale malli mbi mermerin ku lotoj,
siç lotoje, kur kthehesha nga largësitë e botës.
 
Te kjo varrezë e pikëlluar, buzë detit me valë,
ku mbylle sytë e prehesh, si në sënduk nusërie,
më vetëtiu kujtesën, ajo ditë kur kishe dalë,
më prisje te porti, të kthehesha me anije...
 
Më kish zënë deti dhe ti faqet ngjyrë vrer,
më puthje si nizamin e kthyer nga Qabeja.
Ndonëse kishe nën pupla pesë zogj të tjerë,
të digjej shpirti për zogun e ikur nga foleja.
 
Doje kurdoherë të na kishe të gjithë pranë,
dhe s’na lije kurrë të na rrëmbenin zënkat.
Na thoshe,“Sa herë grindet vëllai me vëllanë,
nënës suaj i shkulen copa nga zemra”...
 
Na ushqeje urtësi dhe në pjatën e racionuar,
me atë barazi, që s’na lije fjalë për të thënë. 
Ah, sa të ëmbla dilnin nga buzët fjalët e tua,
kur me to dhe të uritur, na bëje të ngrënë.
 
Ti mbretëroje deri ku zienin sherret e mëhallës,
dhe me zërin tënd u vije kapakun e pajtimit. 
Më duket sikur dhe këtu afër, ku grinden dallgët,
dëgjoj zërin tënd, që u lutet të zbutin zemërimin.
 
Fjalët e tua ishin më të buta nga çdo butësi,
por me një fortësi magjike, aq të fuqishme,
sa matrapiku që thyen gurët e malit përbri,
s’do i thyente dot si ti, hallet tona të përditshme.
 
Na mëkove, si çdo nënë me qumësht perëndie,
por dhe me oksigjeni e mirësisë që kishe në gji.
Ndjesitë na i thure me frymë dhembshurie,
sikur ishe motra e vogël e shenjtores Mari!...
 
Oh, ajo dorë e shenjtë, kur më lëmoje kokën!
Ndjeja sikur gishtat e tu, më bëheshin flatra
dhe ëndërroja të fluturoja në të gjithë botën,
të sillja atë begati që s’të erdhi kurrë te vatra. 
  
Të ndriste dielli fytyrën, kur vija nga mërgimi,
dhe të breronte shiu, sa herë ndaheshim bashkë. 
Tek më përcillje, në çastet kur afrohej largimi,
puthje xhamin e ftohtë të autobusit nga jashtë.
 
Sikur të isha bërë miliarderi më i pasur i botës,
dhe paraja të kish fuqi të çonte njeriun nga varri,
do falja të gjitha miliardat, si kokrrën e mollës, 
të ndizej prapë ai syri yt me vezullim margaritari.
 
Por meqë jeta dhurohet veç një herë për çdo njeri,
dhe unë dhuratën tënde gjer në fund po e harxhoj,
do vij të trokas sërish, te porta e qiellit, ku je ti,
të thërres me zërin e shpirtit: O nëna ime, moj!...   
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi