Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Behxhet Sh. Shala :Purgatori i Kosovës!

Shko poshtë

Behxhet Sh. Shala :Purgatori i Kosovës! Empty Behxhet Sh. Shala :Purgatori i Kosovës!

Mesazh nga Agim Gashi Sun May 03, 2009 2:38 pm

Purgatori i Kosovës!





Behxhet Sh. Shala :Purgatori i Kosovës! F.0417110135252_m
Behxhet Sh. Shala
Kohëve të fundit është ripërsëritur kërkesa për dialog e cila ka munguar deri më tani për të kaluarën, jo shumë të largët, luftën e UÇK–së dhe protagonistët e saj! Në fakt, rapsodët e vërtetë dhe ata të çastit kanë kënduar vazhdimisht për këtë luftë, dikush sinqerisht, prej zemrës ose siç po përpiqemi t’i kopjojmë ata të Shqipërisë, nga emocionet ndërsa një numër jo i vogël i tyre lekun e kanë pasur emocionin kryesor mos të them të vetmin! E kur leku shndërrohet në emocion me një lehtësi dhe paturpësi aq të lehtë pse mos të shndërrohet edhe lufta në folklor aq pa shije, neveritës, pse mos të harrohen heronjtë e vërtetë dhe të zëvendësohen me kontrabandist të luftës dhe të paqes, pse të mos zëvendësohen antivlerat me vlera dhe.. në fund të fundit, pse mos të konsiderohet krimi si obligim dhe veprim patriotik!

Heshtja gati 10 vjeçare për luftën ka prodhuar një ortek akuzash dhe dyshimesh, në radhë të parë nga ata, kontributi i të cilëve për luftën dhe çlirimin e Kosovës ka qenë i barasvlershëm me atë të Xhingis Kanit! Gabimi i radhës ishte se çdo përpjekje për të hapur dialog për luftën e që nuk ka qenë në përputhje me qëndrimet dhe interesat e grupeve kriminale e që kanë qenë eminenca gri e pushtetit, ta them gabim i madh vërtetë ishte përpjekja për diskualifikim politik, kombëtar, moral dhe medial i të gjithë atyre që luajtën një rol në këtë përpjekje titanike për çlirim ndërkaq që qëndrimet e tyre dallonin nga pushtetarët, që nga viti 1999 e deri më sot.

Ndërkombëtarët mrizonin nën hije dhe krijonin dosje, jo kundër atyre që vërtetë mund të kishin bërë krime por kundër atyre që nuk përputheshin në projektet e tyre politike dhe ekonomike! Sa vrasje me motive etnike dhe politike, numri i të cilave nuk është i vogël në Kosovën e pasluftës u zbardhën deri më sot! Sa kriminelë u dënuan për këto krime? Fare pak ! Thuaja asnjë!

Kutinë e Pandorës e hapi së pari ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, znj. Karla del Ponte në librin e saj ; “ Gjahu, unë dhe kriminelët e luftës”. Aty, zonja në fjalë pasi e dogji mandatin e saj në Tribunalin e Hagës, i akuzoi ish- ushtarët e UÇK-së për rrëmbim, keqtrajtim, vrasje dhe trafikim me organet e të rrëmbyerve (ajo thotë se kanë qenë qytetarë serbë të Kosovës). Akuzë më të tmerrshme, në ditë të sotit as që mund të paramendohet dhe në të cilën implikohen dy shtete, Shqipëria dhe Kosova. Qëllimi është shumë i qartë, vetëm ne shqiptarët nuk po e kuptojmë këtë! Nuk mund të kuptohet gjakftohtësia me të cilën liderët shqiptarë (të Shqipërisë) dhe ata kosovarë (të Kosovës) janë munduar ta injorojnë këtë!

Heshtja e ndonjë problemi të caktuar i ka dy kuptime dhe mund të interpretohet sipas dëshirës. Me heshtje bëhen përpjekje të injorohet në çështje, nga më e lehta, deri te akuzat e Karla del Pontes psh. Kështu kanë vepruar institucionet e Kosovës. Fatkeqësisht ! Heshtjen e zgjedh edhe i dyshuari apo i akuzuari i cili e di se është i fajshëm apo e di se kush ka kryer krime por heshtjen e zgjedh si mundësi të mbroj veten dhe ata të cilët në të vërtetë janë përgjegjës për krime. Disi si në kajde të Omertas siciliane, e di por nuk flas, kam parë çdo gjë por nuk tregoj etj. Pikërisht në këtë xhoker ka luajtur Karla del Ponte, Çak Sudetiq, prokurorët e Zanierit, prokurorët serb, hetuesi i pajtuar nga Këshilli i Evropës për hetime të “pavarura” dhe , pse mos të them edhe vet Kermabo!

Kjo situatë i përngjanë asaj kur je duke udhëhequr në futboll me rezultatin 10 me 0 dhe për shkak të gabimeve të shumta ndahesh i kënaqur nëse nuk mundesh nga kundërshtari me rezultat të thellë. Barazimin tashmë e projekton vetëm si ëndërr! Në këtë gjendje jemi tani! Nga një mal provash që i kemi detyrohemi të mbrohemi nga një fije kashte! Në vend që t’i fusim Karla del Pontes një padi për shpifje ordinere me të cilën do të merrej ajo, tashmë po i presim akuzat nga të gjitha palët, si telenovelat amerikolatine!

Kur njeriu nuk ka ç’të bëjë, i fut një akuzë UÇK-së për krime lufte. Dhe këtë e bënë më lehtë se me e pi një makiato! Përmbajtjen e kanë (të Karlas), modelimin e bëjnë sipas kërkesave, me porosi. Disejnim hesapi!

Po si sillet pala e akuzuar në këtë rast?! Sikur boksieri të cilit i numërohet ndonëse është goditur kundër rregullave, është goditur nën brez e që llogaritet si goditje e ulët! Ato rregulla po zbatohen sot në Republikën e Kosovës. Shërbimi më i keq që sot mund t’i bëhet Kosovës dhe gjithashtu mbrojtja më e keqe që mund t’i bëhet luftës dhe UÇK-së është slogani: ”ne kemi bërë luftë mbrojtëse, luftë të drejtë dhe luftë të pastër”.

Se lufta ka qenë e drejtë dhe mbrojtëse është e vërtetë e pakontestueshme, është e ditur edhe për zogjtë e malit! Se ka luftëra të pastra, këtë nuk e besoj asnjëherë! As që ka pasur asnjëherë, madje as në Sony Playstation! Lufta mund të jetë shumë e ndytë dhe më pak e ndytë, e pastër kurrsesi! Mund ta kem edhe gabim! Çdo luftë i prodhon kriminelët e saj që dikush i akcepton si heronj apo i ambalazhon si të tillë. Nëse shteti nuk ndërmerr veprime ligjore kundër kriminelëve të luftës ata shndërrohen në kriminel të paqes, në çdo vend dhe pa përjashtim! Këtu unë e shoh numrin aq të madh të vrasjeve dhe rrëmbimeve në Kosovën e pasluftës, atyre me motive etnike dhe politike ndonëse e them se vetëm preteksti ka qenë politik dhe etnik ngase konteksti ka qenë kriminal, plaçkitje dhe ai ekonomik!

Lufta e lavdishme e UÇK-së nuk kompromitohet për shkak të një grushti kriminelësh e gjithashtu as pavarësia e shpallur e Kosovës nuk rrezikohet para GJND-së shkaku i atyre kriminelëve sepse po të ishte kështu Serbia do ta humbiste pavarësinë e saj për 1000 vjetët e ardhshëm për shkak të krimeve të kryera në Slloveni, Kroaci, Bosnje, Kosovë dhe Luginën e Preshevës!

Institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i bëjnë hetimet vet dhe të lirohen nga kriminelët pasi të jenë siguruar dëshmitë. Për shkak të shëndetit moral, politik, kombëtar dhe shtetëror që janë përcaktues të një ardhmërie normale të qytetarëve të saj dhe një shteti funksional duhet ta bëjnë këtë e jo për shkak të tekave të Karlës, Sudetiqit, Vukoviqit, Zanierit etj. Kriminelët duhet të trajtohen si kriminelë, pavarësisht përkatësisë etnike e gjithashtu edhe viktimat!

Në Kosovë prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000 janë vrarë dhe zhdukur afërsisht 15.000 persona në mesin e tyre edhe qytetarë serbë dhe romë andaj gjithsesi duhet të bëhen hetimet në bazë të të cilave do të përcaktohet fajësia. Në të kundërtën spekulimet nuk do të përfundojnë asnjëherë dhe nuk do të vihemi në situatë që luftën dhe UÇK-në, ta mbrojnë horrat të cilët mbrojtjen e saj në fakt e përdorin për komprometimin e saj pa siguruar asnjë fakt!

Definitivisht duhet të ndahemi, kriminelët të shkojnë aty ku e kanë vendin ndërsa ne duhet të ndërtojmë një ardhmëri për pasardhësit tanë. Nuk duam që ardhmëria të jetë peng i krimit dhe që as shtetin e Kosovës ta gërryejnë minjtë e nëntokës dhe kriminelët e luftës! Edhe të paqes!

(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së. Qëndrimet janë personale)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi